Sabit Syla

Dr. Sabit Syla: Faktori ndërkombëtar, nxitës apo frenues për bashkim kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore? III

Nga Misioni Ushtarak Anglez pranë Titos në prill 1944 u raportua që “e ardhmja e Kosovës do të vendosej me plebishit. Kufiri i saj, po të jetë e nevojshme, mund të caktohej në favor të Shqipërisë”. Po sipas këtij dokumenti te Foreign Oficce, të datës 30 qershor 1944 (bazuar në dokumentet paraprake të Departamentit të Kërkimeve mbi Kufirin Shqiptaro-Jugosllav dhe mbi Kufirin Shqiptaro-Grek), Kufiri Shqiptaro-Jugosllav duhej që të ndiqte këtë vijë: “Kurrizin malor midis sistemit krahor të Adriatikut e sistemeve të Detit Zi dhe Egjeut, d.m.th. kështu ai do të mund të ndryshohej në mënyrë që të shkojë nga veriu gjatë maleve të larta midis Plavës dhe Pejës, të rrotullohet në drejtim të lindjes gjatë kurrizit malor midis Drinit të Bardhë dhe Sitnicës (do të thotë gjatë lartësive midis Metohisë (Dukagjinit, S. S) dhe rrafshinave të Kosovës, duke ndarë kështu midis dy shteteve krahinën të marrë nga Jugosllavia dhe dhënë Shqipërisë ne këtë lokalitet më 1941), të futet në drejtim të jugut gjatë kreshtës se maleve të larta, në lindje të Prizrenit dhe të Dibrës, të arrijë Liqenin e Ohrit midis Ohrit dhe Strugës. Kufiri veriperëndimor i Shqipërisë relativisht nuk ka rendësi. Kufiri i vendosur më 1941 etnikisht është më i mirë se ai që ekzistonte më parë. Nga ana tjetër, Gucia dhe Plava janë në anën e Jugosllavisë me male shumë të larta. Në afërsitë e Liqenit të Shkodrës pranimi nga ana e Jugosllavisë i linjës së vitit 1941 i kënaqshëm, por me një vlerë shumë të ngutshme, duke marrë parasysh popullsitë e vogla që ka aty. Pretendimet Jugosllave në territorin shqiptar, nuk mbështeten në baza etnike. Ato do të mund të justifikoheshin nga konsiderata strategjike ose ekonomike (nevoja e Serbisë për te dalë në det). Por një nevojë e tillë mund të plotësohej me daljen e Serbisë në det në Dalmacinë e Jugut ose me anën e një skeme ndërkombëtare për zhvillim ekonomik të Shqipërisë dhe të Maqedonisë”.

Në një dokument tjetër të datës 25 gusht 1944, një përfaqësues i FO-së, duke shprehur mendimin e tij personal dhe jo zyrtar parashikonte që krahas çështjeve të tjera edhe dislokimin e një force prej 5000 ushtarësh amerikanë, forcë e cila krahas qëllimeve të tjera në Shqipëri duhej të shtrihej edhe në Kosovë, apo të paktën të dërgohej në Kosovë një Komision Aleat, në mënyrë qe jugosllavët të mos bënin krime mbi shqiptarët e mbi ata që donin bashkimin me Shqipërinë, e që kjo të arrihej nga ta, qoftë edhe përmes realizimit të forcës ushtarake. Mbi këtë bazë të përgjithshme, qoftë nga misionet aleate qoftë nga studimet e bëra nga anglo-amerikanet, nuk ndiqej gjithnjë një politikë konsekuente e parimore sa i përket statusit dhe të ardhmes se Kosovës, madje në ndonjë rast cenohej edhe integriteti i pavarësisë së shtetit shqiptar të 1913-së.

Shqipëria, nuk mori nga Aleatët e Mëdhenj ndonjë garanci për të ardhmen e saj të pasluftës, me përjashtim të deklaratës së dhjetorit 1942, kur ato njohën zyrtarisht luftën çlirimtare të popullit shqiptar dhe ripohuan pavarësinë e saj. FO gjatë Luftës se Dytë Botërore, e shihte me dyshim mbijetesën e shtetit të pavarur shqiptar. Sipas tij, Shqipëria e pavarur kishte më shumë disavantazhe se avantazhe. Madje britanikët në ndonjë rast u shprehën se, “ne nuk do të angazhohemi ndaj rikonstruktimit të një Shqipërie të pavarur”, ndërsa ministri i Jashtëm britanik, A. Eden, në deklaratën e bërë më 17 dhjetor 1942 në Dhomën e Komunave, do të shprehej: “Qeveria e Britanisë së Madhe e shikon çështjen e kufijve të Shqipërisë si një çështje që duhet të shqyrtohet në Konferencën e Paqes”. Pra problemi i kufijve të Shqipërisë lihej i hapur për t’u diskutuar pas luftës, kufij të cilët ishin vendosur që më 1913. Të njëjtën gjë e pohoi edhe kryeministri Çurçill, në deklaratën e tij në nëntor të vitit 1943: “Politika e Britanisë së Madhe dhe e Kombeve të Bashkuara mbetet po ajo që shfaqën ministrat: K. Hall, Molotov dhe Iden më 17 dhjetor. Çështja e kufijve të Shqipërisë do të shqyrtohet në Konferencën e Paqes”. Kjo linte të hapur mundësitë e cenimit territorial, nga fqinjët e saj, qoftë nga Jugosllavia apo Greqia. Britania e Madhe më 1940 kishte mbajtur anën e Greqisë e të Jugosllavisë dhe nëse ishte e nevojshme dhe e mundshme për interesat e veta dhe të këtyre aleatëve do të copëtonte tërësisht Shqipërinë. Kështu Shqipëria ishte në fundin e listës se prioriteteve të Britanisë së Madhe krahasuar me Greqinë dhe Jugosllavinë. Madje, nëse Shqipëria nuk do ishte një kryeurë për invazion në Ballkan, pak kishte rëndësi tek aleatet.

Çështja kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore jo vetëm që nuk u trajtua pozitivisht në asnjë nga tubimet ndërkombëtare të kohës, por ajo tërthorazi edhe u godit rëndë. Kështu, në takimin e mbajtur më 16 dhjetor 1941, ndërmjet britanikëve të kryesuar nga ministri i Jashtëm A. Iden dhe delegacionit sovjetik të kryesuar nga Stalini, për problemet e luftës dhe konfigurimin e botës se pasluftës, shtetit jugosllav i njihej e drejta e rimëkëmbjes në kufijtë e paraluftës, madje edhe zgjerimi i saj në drejtim të Italisë. Po ashtu edhe në Konferencën e Teheranit, pati atribute të tilla, të ruajtjes së kufijve të paraluftës dhe mundësi të zgjerimit territorial në drejtim të Italisë e mbështetje nga aleatët për furnizime të ndryshme ushtarake, ndërsa Shqipëria nuk u përmend fare. Vendimet që të ruhet në të ardhmen Jugosllavia e Versajës si dhe mundësit për revidime tjera kufitare godiste rëndë jo vetëm të ardhmen dhe statusin e Kosovës, por edhe mund të paraqiste rrezik permanent për Shqipërinë.

Në Konferencën e Dumbraton Oaksit ku merrnin pjesë SHBA, BRSS, Britania e Madhe dhe Kina (Franca nuk qe ftuar), të mbajtur në periferi të Uashingtonit në gusht-tetor 1944, mbizotëronte mendimi se “është qesharake të mendohej që një vend i vogël si Shqipëria të ketë të drejta të barabarta me njërin nga tre të mëdhenjtë”, duke deklaruar se këta të mëdhenj së bashku me Kombet e Bashkuar, janë të gatshme të mbrojnë dhe drejtojnë fuqitë e vogla. Ndërkaq, në takimin e mbajtur në Moskë, më 9-18 tetor 1944, ndërmjet Çurçillit dhe Stalinit, për të arritur një marrëveshje rreth ndarjes së zonave të influencave në Evropën Lindore, Shqipëria nuk figuronte fare, pa lëre më Kosova e cila konsiderohej, pjesë e shtetit jugosllav.

Shqipëria gjatë luftës edhe pse ishte radhitur në krahun e Koalicionit Antifashist nuk ishte një komb antifashist i njohur zyrtarisht. Si e tille nuk kishte firmosur ndonjë dokument për përfshirjen e saj në radhët e Kombeve të Bashkuara. Rrjedhat diplomatike gjatë luftës së dytë botërore u kushtëzuan nga interesat e nga përkrahja e ndonjë aleati të fortë e jo nga pjesëmarrja e tyre në luftën antifashiste. Për fat të keq madje, Shqipëria ishte një faktor i dorës së dytë në çdo drejtim karshi vendeve tjera të Ballkanit përballë aleatëve. Shqipëria nuk kishte qeveri shqiptare të njohur në mërgim. Ahmet Zogu u njoh si emigrant privatë e jo si monark, i dëbuar nga Fuqitë e Boshtit. Po ashtu, nuk u njohën nga Aleatët as edhe qeveritë e Frontit Nacionalçlirimtar, të dala nga Kongresi i Përmetit apo mbledhja e Beratit e tetorit 1944. Shqipëria nuk mori pjesë në konferencën e Londrës, mbajtur më 20 shtator 1941. Nuk u përfaqësua as në Paktin e Kombeve të Bashkuara, nënshkruar më 1 janar 1942, ku morën pjesë përfaqësuesit e vendeve antifashiste, sepse ajo nuk kishte ndonjë qeveri të njohur prej Aleatëve. Këta të fundit, gjatë luftës nuk i njohën Shqipërisë as statusin e një “kombi aleat”, “aleat i shoqëruar”, apo ndryshe “fuqi shoqe”, sikurse shumica e vendeve që kishin qenë anëtare të Lidhjes së Kombeve. Këto zhvillime patën rrjedhoja edhe në mos futjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuar etj. Kështu, Shqipëria mbeti e papërfaqësuar në evimentet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore duke u dëmtuar kështu imazhi ndërkombëtar i saj e në këtë kuadër edhe interesat kombëtare të mbarë popullit shqiptar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte bashkëpunim shtetëror e diplomatik ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë. Megjithatë qeveria amerikane, nuk e pranoi pushtimin italian ndaj Shqipërisë e dënoi atë përmes deklaratës së Sekretarit të Shtetit, Cordel Hull, datë 8 prill 1939 si dhe presidentit Rusvelt i cili më 14 prill 1939, i kërkoi qeverisë italiane që të tërhiqte trupat e saj të pushtimit nga Shqipëria. Cordell Hull edhe më 10 dhjetor 1942 rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin e qeverisë së SHBA-ve për mosnjohjen e pushtimit italian dhe rimëkëmbjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në nëntor 1943 dërgoi edhe Misionin e vet Ushtarak, duke ndihmuar aktivisht luftën e popullit shqiptar ndaj gjermaneve. Dhe për më tepër nga viti 1942 e gjerë në nëntor 1944 ajo u shpreh publikisht për rezistencën e shqiptareve, duke e vlerësuar atë. Pavarësisht nga këto, SHBA-të, nuk e konsideruan të barasvlershëm pushtimin e Shqipërisë me atë të Çekosllovakisë si dhe nuk ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Italinë pas pushtimit të Shqipërisë. Përkundrazi qeveria amerikane tërhoqi nga Tirana misionin e vet diplomatik, kur një gjë e tillë ju kërkua nga qeveria shqiptare dhe ajo italiane, se MPJ e Shqipërisë do te suprimohej e funksionet e saj do i ushtronin autoritetet italiane. Ndërkohë, Lidhja e Kombeve me rastin e pushtimit të Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste (anëtare e se cilës ishte edhe Shqipëria), ajo nuk e ngriti zërin fare edhe pse një veprim i tillë italian ishte shkelje e hapur e Statutit të kësaj organizate. Dy kërkesave të qeverise së Zogut për ndihmë, më 8 dhe 9 prill, ajo nuk iu përgjigje fare. E kjo do të thoshte se në mënyrë pasive pranohej pushtimi dhe aneksimi i një shteti anëtarë të saj.

Vendet ballkanike qëndruan indiferente ndaj pushtimit te Shqipërisë, te cilat nuk reaguan as gjatë pushtimit e as pas pushtimit. Siç dihet qeveria jugosllave kishte njohur pushtimin Italian të Shqipërisë. Qeveria greke, më 8 prill siguroi qeverinë italiane se Zogu nuk do të lejohej në asnjë mënyrë që të zhvillonte ndonjë veprimtari politike në Greqi. Për vendet e tjera ballkanike, pushtimi i Shqipërisë nuk paraqiste asnjë shqetësim, duke përjashtuar këtu Turqinë, për të cilën pushtimi i Shqipërisë u kuptua si përpjekje e Italisë për t’u zgjeruar drejt Lindjes. Edhe për demokracitë perëndimore si Britania e Madhe dhe Franca, pushtimi i Shqipërisë nuk paraqitej aq i rëndësishëm sa të prishin ekuilibrat dhe marrëdhëniet me Italinë. Qeveria angleze pas pushtimit të Shqipërisë, tërhoqi legatën e saj nga Tirana dhe zëvendësoi atë me një konsullatë. Sa i përket qeverise franceze, ministri i Jashtëm frëng, kishte deklaruar se “Franca nuk ka asnjë interes në Shqipëri”. Ndërsa, në fjalimin e 8 prillit në parlament kryeministri frëng Daladie, nuk e përmendi fare agresionin italian në Shqipëri. Kështu, u pranua në heshtje pushtimi italian në Shqipëri më 1939.

Amerikanët nuk premtuan as ndihma për rezistencën e shqiptareve në kohen e pushtimit italian, siç ndodhi në rastin e pushtimit të Jugosllavisë. Shqipëria nuk bënte pjesë në listën e vendeve që përfitonin nga programi “Lend Lease”, nënshkruar nga presidenti Rusvelt, për të përfituar mbështetje dhe ndihma ushtarake nga qeveria amerikane. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Aleatet Perëndimorë në përfundim të luftës u ndërlikuan dhe mosbesimi i forcave shqiptare të rezistencës ndaj tyre u rrit më tej. Në Konferencën e Teheranit, të tre Aleatët u morën vesh që partizanët në Jugosllavi duhej të mbështeteshin me furnizime e pajisje në masën më të mundshme, e gjithashtu me operacione të grupeve të hedhura. Aty nuk u përmend fare Shqipëria. Kështu, ndihmat e misionit anglez dërguar LNÇSH-së, në qershor të vitit 1944, ishte fare e vogël krahasuar me ato të Jugosllavisë. Derisa në atë kohë Anglia i dërgoi 1.617 ton furnizime Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, ndërsa Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Shqipërisë i dërgoi vetëm 34,7 ton. Me këtë rast, është e rëndësishme të përmendim edhe faktin se ushtria sovjetike, asnjëherë nuk i dërgoi furnizime LNÇSH-së. Madje siç dihet Shqipëria ishte i vetmi vend i Evropës i pushtuar nga Boshti, në të cilën nuk u futën e as nuk kaloi përmes saj ndonjëra prej ushtrive aleate. Andaj edhe kuadri diplomatik i saj ishte tejet i ndërlikuar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, përderisa Fuqitë e Mëdha luanin rolin e arbitrit, ndërsa, Tito fliste si i barabartë me të barabartin.

Jugosllavia gjatë luftës së Dytë Botërore ndryshe nga Shqipëria qe më afër Aleatëve. Që nga disfata e prillit 1941, qeveria mbretërore e Beogradit e strehuar në Londër, ishte e vetmja qeveri e njohur nga Aleatët e cila nënshkroi edhe dokumente të rëndësishme ndërkombëtare. Madje, Moska përveç përkrahjes e ngriti në rang ambasadën, përfaqësinë mbretërore jugosllave në Moske. BBC-ja i bënte çetniket dhe krerët e tyre si heronj te rezistencës, dhe dërgoi një oficer ndërlidhës pranë Mihajloviqit. Në anën tjetër, Çurçilli vendosi raporte gjithnjë e më të ngushta me Titon, pranë të cilit ai dërgoi një mision ushtarak të kryesuar nga gjeneral brigade Ficroj Meklin (Fitzroy Maclean). Çurçilli edhe në Londër mirëpriti mbretin Pjetër dhe qeverinë e tij. Madje, ai dërgoi pranë Titos ambasadorin britanik Ralf Stevensonin dhe si të dërguar personal djalin e tij Randolf Çurçill. Kjo tregon qartë se sa rëndësi i jepte ai problemit jugosllav. Madje Çurçilli, i cili kishte një ndikim determinant në politiken angleze për Ballkanin, përkëdhelte projektin e një operacioni të gjerë ballkanik në të cilën Jugosllavia duhet të ishte kryeura. Jugosllavia u radhit ndër vendet nënshkruese të Paktit (Deklaratës) të Kombeve të Bashkuara në janar të vitit 1942. Politika e përpunuar nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) u jepte përparësi marrëdhënieve me Jugosllavinë. Kryeministri jugosllav dhe mareshali Tito më 2-3 gusht 1944, u takua me Çurçillin. Ky i fundit do ta bënte theror jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë e Veriut. Një akt i qartë projugosllav i anglezëve në këtë kohë ishte edhe bombardimi i Pejës, më 14 gusht. Kjo tregonte qartë, pozitat e Jugosllavisë që ishin relativisht më të privilegjuara sesa të Shqipërisë.

Tre të Mëdhenjtë në Konferencën e Jaltës njohën kufijtë e Jugosllavisë së para pushtimit, duke e lënë të hapur problemin e pretendimeve jugosllave për kufijtë e saj me Italinë dhe Austrinë. Njohja e kufijve të paraluftës për Jugosllavinë do të nënkuptonte de-jure dhe de facto që Kosova do të ishte brenda saj. Ndërkaq për Shqipërinë mezi ishte folur në Jaltë, ajo edhe u përdor nga Stalini si një vend që nuk meritonte status e respekt të duhur për t’u radhitur përkrah kombeve tjera. Konferenca kishte miratuar edhe një “Deklaratë mbi Evropën e çliruar”. Ndër të tjera në paragrafët e saj thuhej: “Një nga parimet e Kartës se Atlantikut është që të gjithë popujt të zgjedhin formën e qeverisë nën të cilën mendojnë të jetojnë dhe që të drejtat sovrane të autonomisë nga të cilat u zhveshën me forcë prej vendeve agresore, duhet t’u kthehen”. Jo vetëm vendimi i Jaltës por edhe kjo deklaratë binte në kundërshtim, për Kosovën për të drejtën e saj për vetëvendosje, përderisa theksohen të drejtat autonome.

Sabit Syla është drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …