(Fjalë rasti në Akademinë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të kombit)
Të nderuar, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
I nderuar, Kryetar i Komunës së Skënderajt, Z. Bekim Jashari,
Të nderuar, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Në këtë vit jubilar historik, të këtij përvjetori të 20-të, kujtojmë dëshmorët: Afrim Gashi, Azem Zymeri, Brahim Nura, Bedri Deliu, Daut Dervishi, Dritan Veliu, Fehmi Rama, Hajdin Feka, Hamdi Hasani, Rifat Qelaj dhe Besim Feka, të cilët me punën dhe veprën e tyre në shërbim të vendit, dhanë shembullin më të mirë të sakrificës me qëndresën e guximshme për kauzën e lirisë së kombit tonë, duke u radhitur përjetësisht si shëmbëlltyrë të përpjekjeve për liri kulturore, arsimore e pavarësi politike. Me idealizmin, shkathtësinë e artin organizativ, këta dëshmorë dhanë kontribut të çmuar në mobilizimin, e në ngritjen e moralit luftarak e disiplinës në radhët e formacioneve ushtarake çlirimtare, ku ata shërbyen. Po ashtu, sot, dy dekada pas vrasjeve, kujtojmë edhe martirët: Hazir Hoti, Halil Behrami, Maksut Beka, Raza Beka, Mujë Beka, Sylë Musliu, Deli Feka, Beqir Feka, Fadil Ahmeti, Miftar Kerolli, Rasim Kerolli, Fehmi Kerolli, Halit Hoti dhe Rrahim Kadriu!
Sot emri i dëshmorëve është emri më i pranishëm dhe më se i pranueshëm i periudhës së zhvillimeve më të reja historike që sollën ndryshime rrënjësore në jetën tonë, pavarësisht nga cili vend, nga cila lagje, në cilin fshat a qytet u lindën, u rritën, punuan, u shkolluan dhe derisa ata ranë: dikush në prag të shtëpisë a kullës, dikush maje ndonjë kodre, në ndonjë lëndinë, a buzë të ndonjë shkëmbi. Pa luftën dhe gjakun e tyre s’do të ekzistonte as fjala jonë, se pa dëshmorë, e humbasim historinë, dhe për pasojë, edhe ardhmërinë. Andaj, liria, e cila na kushtoi shtrenjtë, ka një kuptim shumë të madh, se është paguar me jetët e më të dashurve tanë, sakrificës që nuk ka çmim pos çmimit të gjakut, e liria rrënjët i ka aty, së këndejmi rënia për liri është pavdekësi! Strategjia, “ta fitojmë lirinë pa derdhur gjak” e mirë do të ishte, por historia ka vërtetuar të kundërtën se “liria nuk dhurohet por fitohet”, me jetëra, e këta dëshmorë dhe martirë janë nderi dhe krenaria e farefisit, e kombit dhe atdheut. Janë ndërgjegjja më sublime e ngritur, deri në piedestalin më të lartë të vetëdijes kombëtare.
Si në Drenicë ashtu si në tërë Kosovën, pushteti serb bëri krime, të cilat ishin të përmasave aq të mëdha të gjenocidit: ideor, teorik dhe praktikë, i organizuar me vrasjen e njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze apo politike, si dhe veprime tjera të qëllimshme që çojnë në eliminimin fizik të ndonjë populli. Krimet përfshinin dëbimin e popullatës, masakrat, pastrimin etnik të njohur me emrin e koduar “plani patkoi”, dhunimet, plaçkitjet, helmimin e puseve, fshehjen e kufomave, fshirjen e identitetit, keqpërdorimin e civilëve, shkatërrimin e vendbanimeve dhe minimin e terrenit. Kësisoj, ato ishin aksion i paramenduar dhe i planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake. Ky lloj gjenocidi e krimi ishte në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Viktima kanë qenë civilë, fëmijë, pleq, gra, persona të sëmurë edhe të pambrojtur. Vrasjet kanë qenë një nga format më të rënda të realizimit të projektit serb, ku gjatë vitit 1999, u bënë fenomen masiv – dhe të përditshme që rrezikonte shqiptarët pa dallim.
Në mesin e masakrave më të rënda dhe më të tmerrshme, që i bënë forcat e armatosura serbe në Kosovë ndaj popullatës civile shqiptare, ishte edhe masakra e Skenderajt, më 20 mars 1999, ku kishin pësuar 29 civilë të pafajshëm të moshës 15-70 vjeç. Tetë ishin ekzekutuar në vendin e quajtur “Te Pishat”, mbi qytet, ndërsa të tjerët ishin vrarë nëpër shtëpitë e oborret e tyre apo para shtëpive e para familjarëve. Ndërkohë, më 16 prill u bë masakra e dytë, ku forcat serbe vranë dhe masakruan 14 persona, në lagjen 3 të qytetit. Të gjitha viktimat ishin vrarë nëpër shtëpitë dhe oborret e tyre apo para shtëpive e para familjarëve të tyre, me të njëjtin qëllim, pse ishin shqiptarë. Masakra të cilat krahas të tjerave, bënë “xhiron e botës”. Ato dëshmuan për sjelljen barbare të forcave ushtarake serbe, dhe ushqyen idenë e pashmangshmërisë dhe të reagimit ushtarak të Perëndimit e SHBA-së.
Të nderuar të pranishëm,
Akademia e sotme e cila po mbahet, për këta dëshmorë dhe martirë, ka një rëndësi të veçantë në historinë më te re shqiptare, ku rënia e tyre në fundshekullin XX, ishte kohë në të cilën u shprehen aspiratat mbarëshqiptare për realizimin e synimeve tona kombëtare. E këtu ndeshemi me dhembjen e vazhdueshme për bijtë e rënë në luftë, për civilët e masakruar dhe për zhvendosjen “biblike” të mijëra shqiptarëve, si dhe për shkatërrimin e shtëpive, të pronave dhe të çdo gjëje shqiptare. Por, ndeshemi edhe me heroizmin e një vendi me rrugën e tij, pa kthim, drejt lirisë e pavarësisë në vigjilje të shek. XXI, pasi, në vitet ‘90, të shek. XX, lufta çlirimtare e cila pati si pikë reference çlirimin kombëtar, u bë gjenerues i problemeve që ndikuan thellësisht në diplomacinë preventive të SHBA-së e fuqive evropiane.
Lufta e armatosur e shqiptarëve e shndërroi Kosovën në një problem mbarëkombëtar dhe u vu, si asnjëherë tjetër në historinë kombëtare të shqiptarëve, në fokusin e vëmendjes botërore. Ajo, jo vetëm që e tronditi pushtetin serb, por nuk i la indiferent, as shtetet e vendeve të Evropës Perëndimore, lindore, skandinave, aziatike, afrikane e SHBA-në. Në këtë drejtim, një nga ato ngjarje që i dha popullit shqiptar një dimension të ri e që zë vend deri në histori, është padyshim UÇK-ja, e cila e fitoi qytetarinë te gjiri i popullit të vet e tek miti i të mirës dhe të keqes, që kishte ndryshuar në favor të shqiptarëve, pavarësisht keqtrajtimit dhe keqinformimit shekullor të serbëve. Ishte familja Jashari me heroizmin dhe sakrificën, që vulosi epokën e fundshekullit XX, në aspektin e përgjithshëm kombëtar duke qenë promotore jo vetëm në Kosovë, por edhe te shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për faktin se, ngjarjet kanë reflektuar në formë zingjirore. Ndërsa, në aspektin ndërkombëtar, edhe vetë politika amerikane do të ndryshonte pas 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.
Lufta çlirimtare, në aspektin ndërkombëtar të ballafaqonte më shumë se me një vend siç është Kosova, më shumë se me një shtet siç qe Serbia, e më shumë se më një kontinent, se: shpartalloi keqinformimin serb, dalloi informimin e drejtë nga dezinformimi i qëllimtë, të vërtetën nga mashtrimi, keqinformimin e realitetit, ndikoi në ndërtimin e një imazhi pozitiv të një populli që luftoi për lirinë e pavarësinë e vendit, gjë që edhe u arrit! Pjesë e këtij kontributi madhor, padyshim janë edhe këta dëshmorë dhe martirë të kombit që sot po i përkujtojmë e të cilët duhet të nderohen çdoherë. Ne nuk duhet dhe nuk mund ta harrojmë gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve që janë sakrifikuar për lirinë, pavarësinë dhe ardhmërinë tonë. Nderimi ndaj veprës së atyre që luftojnë e vdesin për atdheun është një kufi i qartë që ndanë të mirën me të keqen. Në nderim të këtij gjaku dhe kësaj sakrifice, jemi mbledhur sot këtu. Ne që i kemi mbijetuar kësaj lufte, dhe brezat që do të vijnë, është obligim t’i përkujtojmë të rënët, se gjaku i tyre u shndërrua në dritë për ne e vepra dhe amaneti i tyre në liri. Andaj, duhet që të përulemi të gjithë, që kujtimi të mbetet i gjallë në kujtesën tonë dhe brezave të ardhshëm!
I përhershëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit!
Lavdi!
Skënderaj, 16 prill 2019