Jam shumë i nderuar që sot, në cilësinë e historianit të them disa fjalë për dëshmorin e Kombit dhe Heroin e historisë sonë më të re, Zenel Mëziun, në këtë vit jubilar historik, të këtij përvjetori të 20-të, i cili në kalendarin e historisë sonë kombëtare përkon, me 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 100 vjetorin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 50 vjetorin e Demonstratave të vitit 1968, me 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 10 vjetorin e shtetësisë së Kosovës. Pra, në këtë panteon ngjarjesh emblematike, që simbolizojnë rrugëtimin e gjatë të Lëvizjes sonë për ruajtjen e qenësisë së identitetit kombëtar dhe krijimin e shtetit të pavarur, kujtojmë Zenel Mziun, me shpirtin dhe trupin aktiv në mobilizimin e vullnetarëve për forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së që me guximin dhe vizionin e tij prej luftëtari të madh të lirisë, u radhit në mesin e atyre që e njohu brezi i tij dhe që do ta njohin e respektojnë të gjithë brezat pasardhës sa të jetojë vet kombi ynë. I lindur dhe rritur në fshatin Marinë të Skenderajit, në një familje atdhetare, i shquar për urtësi, vendosmëri, guxim e heroizëm, si student i Fakultetit të Makinerisë, ishte pjesë e organizimeve të aktiviteteve të Lëvizjes Studentore në Universitetin e Prishtinës, dhe në ballë të protestave studentore të 1 tetorit 1997.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familja Mëziu iu përgjigj në mënyrë masive kushtrimit të luftës së armatosur çlirimtare. Me zgjerimin e celulave të para të UÇK-së, Zeneli intensifikoi aktivitetet e rrjedhimisht u detyrua t’i ndërpres studimet për t’iu përgjigjur kushtrimit të atdheut për liri. Kontaktet e para me UÇK-në i kishte me pjesëtarët e saj në vendlindje, ku, më 2 shkurt të vitit 1998, iu bashkëngjit luftëtarëve dhe njësitit “Mali”, i cili vepronte në kuadër të Zonës Operative të Drenicës dhe përfshinte luftëtarët nga fshatrat Rezallë, Marinë, Kryshec, Makërmal e Polluzhë. Stërvitjet e para taktike dhe ushtarake i bëri me shokë të këtij njësiti, duke u treguar çdo herë entuziast dhe aktiv në organizimin dhe mobilizimin e ushtarëve, ngritjen e istikameve, organizimin e rojeve, vëzhgimin e lëvizjes së forcave armike, gjë që realizonte me sukses çdo detyrë që i caktohej, në çdo kohë dhe sipas nevojës.
Në pranverë të vitit 1998, së bashku me disa shokë të tjerë ndërmorën një sërë aksionesh kundër forcave serbe. Ndërkohë, pas kërkesës së Shtabit të Zonës Operative të Drenicës për te shkuar në ndihmë e për të konsoliduar radhët UÇK-së, në fshatin Hade dhe në Bardh të Madh, më 30 qershor kur dhe forcat serbe filluan ofensivën në Hade dhe Bardh te Madh, në ballë të frontit gjetën edhe Zenel Mëziun. Në mëngjesin e asaj dite, në vijën e frontit afër fshatit Kuzmin, Zeneli me shokë dhe tre luftëtarë të këtyre fshatrave, filluan luftimet e para dhe nuk lejuan futjen dhe përparimin e forcave të këmbësorisë, duke qëndruar për një javë në ballë të frontit, krahas shumë heronjve që dhanë jetën për liri te këtij vendi.
Zenel Mëziu me luftëtarët e njësitit “Mali”, ishte kudo që luftohej ballë për ballë forcave armike. Më 2 gusht të vitit 1998, forcat serbe filluan ofensivën në drejtim të pozicioneve të UÇK-së përgjatë rrugës Skënderaj-Drenas. Mëngjesin e hershëm të 3 gushtit 1998, Zeneli me 7 bashkëluftëtarë pozicionohet thellë në vijën e frontit. Pasi forcat serbe arritën afër fshatit Marinë, nga një distancë shumë e afërt, luftëtarët e UÇK-së të njësitit “Mali”, u përballën me forcat serbe shumëfish më të mëdha. Pas një qëndrese heroike të UÇK-së, në luftime ballore me forcat armike, në një pozicion të hapur Zeneli u plagos rëndë në këmbë dhe krah. Në këto luftime u plagosën edhe 6 luftëtarë te UÇK-së: Besa Mëziu, Hamez Derguti, Muhamet Zabeli, Enver Deliu, Fazli Derguti dhe Muhamet Mala. Gjatë tërheqjes nga bashkëluftëtarët e tij, Zeneli mori plagën e tretë më të rëndë dhe rrjedhimisht zemra e tij pushoj së rrahuri. Aty u plagos edhe luftëtari i UÇK-së, Naser Hoti. Luftimet ishin të ashpra në një distancë shumë të afërt. Luftëtaret e UÇK-së shkatërruan dy tanke dhe i shkaktuan humbje të mëdha forcave serbe, si në njerëz ashtu edhe në mjete luftarake, duke i detyruar të tërhiqen edhe nga pozicionet e tyre. Atë ditë, pra më 3 gusht 1998, trupi i Zenel Mëziut tërhiqet nga vija e frontit nga bashkëluftëtaret e tij, Hysni Ngucati, Bajram Rukolli, Vesel Oruqi e Rrahman Oruqi dhe varroset me nderime ushtarake në fshatin Rezallë.
Rënia heroike e Zenelit ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen e bashkëluftëtarët, por për gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e moralit të ushtarëve, në mbështetje të tyre, në rekrutimin e ushtarëve të rinjë me qellim të përforcimit të radhëve të UÇK-së dhe mbulimit të vijave të frontit në fshatin Marinë dhe më gjerë. Fshat nga i cili , më 14 dhjetor të vitit 1998, në altarin e lirisë ranë edhe Rifat e Agim Mziu në vendin e quajtur “Likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut dhe në betejën e Qyqavices Rrustem Hoti. Fshati Marinë përveç katër dëshmorve dha edhe 40 martirë, ndërsa familja e Zenel Mëziut, kombit i dha edhe katër martirë, babain, Tahiri, dy vëllezërit Ajetin e Xhevdetin dhe axhen Nezirin. Rivarrimi i dëshmorit Zenel Mëziu u bë pas çlirimit në vitin 2001 në Kompleksin e Dëshmorëve në fshatin Polac, kurse më 25 qershor 2018, trupi i tij u rivarros në Kompleksin Memorial të lirisë, i ngritur në fshatin Marinë, ku edhe tani qëndron i lartësuar pranë monumentit të lirisë përkrah dëshmorëve dhe heronjve, e shumë luftëtarëve të lirisë. Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo Internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, për kontributin dhe sakrificën e dhënë, në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës, i jepet titulli i Statusit të Dëshmorit. Po ashtu, në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, sipas vendimit: Nr 07/2017 të datës 07.03.2017, Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaqi, dëshmorin Zenel Mziu e ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”. Sot, në shenjë respekti për luftën heroike, shkolla fillore dhe rruga kryesore e fshatit Marinë mbajnë me krenari emrin, “Zenel Mëziu”.
Te nderuar të pranishëm,
Historia e një kombi të lirë mund të shkruhet vetëm kur ekziston një panteon i heronjve dhe dëshmorëve, që ranë për të mundësuar jetën tonë në liri dhe të drejtën për të shkruar historinë. Andaj, pa luftën dhe gjakun e tyre s’do të ekzistonte as fjala jonë, pasi rënia e tyre ishte sa heroike aq edhe krenare në mbrojte të nderit, identitetit dhe krenarisë kombëtare. Si historianë, nuk guxojmë te jemi aspak lokalistë, por duhet thënë e vërteta: Drenica përgjatë historisë ka qene epiqendra e kthesave kombëtare. Armët e Jasharajve dhe UÇK-së i hoqën maskën politikës demagogjike të qarqeve drejtuese të Beogradit të grupuara rreth Sllobodan Milosheviqit, aty, ku gatuhej politika e gjenocidit dhe e asgjësimit të një populli të tërë. Ato armë zgjuan nga gjumi edhe më skeptikët dhe vunë në lëvizje burrat vizionarë të shtetit në SHBA dhe Evropë, aktivizuan NATO-n dhe diplomacinë.
Lufta çlirimtare e shqiptarëve, nxori disa figura të shquara luftëtarësh, prijësish dhe intelektualësh, që me shembullin e sakrificës e të vetëmohimit, kanë përjetësuar emrat e tyre në histori dhe kanë zënë vendin e merituar në altarin e lirisë së kombit shqiptar. Në këtë plejadë bën pjesë edhe Zenel Mëziu. Me atdhedashurinë, shpirtin revolucionar, shkathtësinë e artin organizativ, zhvillimin intelektual, idealizmin, sakrificën dhe qëndresën e guximshme të Dëshmorit të Kombit dhe Heroit të Kosovës, Zenel Mëziu, jo vetëm se është frymëzuar lufta emblematike e UÇK-së në Kosovë e vise të tjera shqiptare, por për një shkallë është avancuar edhe realizimi i Platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Andaj, sot, kujtimi është detyrë e shenjtë për ne, duke ruajtur dhe sendërtuar lirinë e cila u pagua me gjak e me jetë.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit të kombit, Zenel Mëziu!
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!
Ju faleminderit!