Çështja e taksave në rrugën e kombit, jo vetëm që është diskutuar në nivele të ndryshme mediatike dhe politike, por tashmë është bërë fakt i kryer. Pra ka filluar se zbatuari pagesa e saj në rrugën e kombit, gjegjësisht në korridorin rrugor Durrës-Morinë.
Korridori rrugor Durrës-Morinë, që nga ideja fillestare e deri me sot, është përcjell me zhurmë të madhe nga nivelet e pushtetit qendror në Kosovë dhe Shqipëri. Është diskutuar nga nivelet shkencore dhe akademike që trajtojnë problemet e infrastrukturës në të dy anët e kufirit, nga shoqëria civile dhe ekspertët e pavarur.
Ky debat i vazhdueshëm, me ide të qëlluara e të pa qëlluara, me taksa e pa taksa, me politikë e pa politikë, me atdhetarizëm e tradhti, me akuza e kundër-akuza për korrupsion e pastrim parash, fatkeqësisht rrallë herë ka rënë në rrafshin shkencor dhe profesional. Ndoshta ky është edhe fati i projekteve të mëdha nacionale te shqiptarët.
Ajo që dihet tashmë është se, para fillimit të këtij projekti kishte interesim dhe lobim të madh nga shumë qarqe ballkanike për të penguar dhe sabotuar këtë projekt, duke e parë këtë si projekt integrimi dhe bashkimi për kombin shqiptar, ashtu siç duhet ta kishim parë edhe Ne. Pra, frika e qarqeve dhe grupeve të interesit nuk ishte e vogël, prandaj edhe projekti ishte vonuar shumë herë.
Pa dashur të hyjë në detajet e gjeo-strategjisë së rrugëve ballkanike dhe evropiane, po i kthehem aktualitetit të problemit të sotëm.
A duhet të këtë taksë rrugore për rrugën e kombit! Nëse po, kur, sa dhe si?
Korridori Durrës-Morinë ka një të vërtetë shkencore. Ai nuk është i vet-qëndrueshëm ekonomikisht. Kjo është e ditur nga të gjitha studimet e para-fisibilitetit, fisibilitetit dhe analizave të tjera. Karakteri i kësaj rruge nuk ka qenë vetëm ekonomik, madje asnjë parametër shkencor apo studim nuk ka tentuar ta provoj arsyeshmërinë ekonomike të tij.
Mungesa e parametrave ekonomik të arsyeshëm është kompensuar me parametrat tjerë, të integrimit kombëtar dhe të sigurisë.
Pra, arsyeshmëria e kësaj rruge është kërkesë multi-disiplinare, që një komb i konsoliduar dhe i emancipuar, nuk do duhej ta shihte vetëm brenda dimensionit të arsyeshmërisë së një takse financiare.
E them me përgjithësi të plotë profesional, se kur ka filluar ndërtimi i këtij korridori rrugor, askush nuk ka pasur ndërmend fitimet që do të merreshin nga taksa, sepse ai është menduar thjesht si një investim kombëtar. Ky projekt ka vlerën e tij në mundësimin dhe lehtësimin e komunikimit ekonomik, kulturor dhe social ndërmjet kombit shqiptarë.
Pra përfundimi më logjik nga faktet e përmbledhura më lartë do të ishte: Kjo taksë nuk do të duhej të ekzistonte!
Shikuar nga të gjitha dimensionet, si ai historik, social, kulturor dhe ekonomik, kjo taksë do të ketë ndikim negativ, veçanërisht për zonën e Shqipërisë së Veriut dhe Kosovën.
Megjithkëtë, arsyeshmëria e zbatimit të një takse rrugore duhet shikuar dhe trajtuar edhe nga këndvështrime dhe dimensione tjera.
Shërbimi paguhet?!
Nëse nisemi nga logjika e njohur që shërbimi paguhet, taksa për rrugën e kombit del të jetë e arsyeshme. Por, megjithatë shërbimi që paguhet duhet të merret i plotë. Sot rruga e kombit nuk të ofron shërbim të plotë. Këtu po përmendim vetëm disa nga të metat inxhinierike që e cenojnë shumë nivelin e shërbimit të kësaj rruge.
Gjeometria e këtij korridori as për së afërmi nuk i plotëson kriteret dhe standardet për ta konsideruar korridor rrugor, për atë që pretendohet.
Për shembull rrëzat e kthesave, shpejtësia e kufizuar e lëvizjes, uljet dhe ngritjet, terrenet anësore, mirëmbajtja, sinjalistika horizontale dhe vertikale, mungesa e objekteve rrugore si: urat, mbi-kalimet, nën-kalimet, nyjet lidhëse, kanalet kulluese e drenazhuese, mbrojtja e shpatit dhe shumë komponenta tjera nuk janë në nivelin e duhur.
E thënë me pak fjalë, sipas të gjithë parametrave shkencor dhe inxhinierik, siguria që ofron kjo rrugë është në nivel të ulët. Po ashtu, është fakt se kjo rrugë nuk ka përfunduar ende, as si ide, as si qëllim, as si shërbim dhe as si zbatim.
Por edhe nëse arsyetohet zbatimi i një takse rrugore në emër të një shërbimi që ofrohet, pyetja e pashmangshme që parashtrohet është:
Si mund të kërkohet taksë për një projekt të pa përfunduar?!
Kjo taksë duket më shumë si një parapagim që do të bëjnë qytetarët e Kosovës për një rrugë që pritet të përfundojë pas 5 ose 10 viteve, marrë parasysh dinamiken e punëve deri më tani. Pra, nëse e shikojmë në thelb, kjo nuk është një taksë rrugore, por është një pagesë në formë parapagimi.
Qëllimi i këtij korridori, nga fillimi, ka qenë lidhja e tij me korridorin 10 dhe korridorin 8, çka do ta bënte Kosovën një trekëndësh me një qendër logjistike të transportit multi-dimensional me ndikim më të gjerë në gjithë rajonin.
Në këto kushte ky korridor do të shërbente për transportin e njerëzve dhe mallrave të Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Me këtë rast do të kishte shfrytëzim maksimal dhe multinacional dhe vetëm atëherë do kishte kuptimin e të një takse rrugore të arsyeshme për një shërbim të plotë që ofron ajo.