Dr.sc.Lulzim Nika: Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja shqiptare e Kosovës III

Dr.sc.Lulzim Nika: Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja shqiptare e Kosovës III

Rëndësia historike e demonstratave të vitit 1968 në Kosovë

Prijësit, ideologët dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1968, duke u gjetur përballë kundërshtimit të rreptë edhe të udhëheqjes së atëhershme politike të Kosovës, morën qëndrim të paluhatshëm që çështja kombëtare të shtyhej përpara; pra edhe me organizimin e demonstratave gjithë popullore.

Demonstratat e vitit 1968, luajtën një role shumë të rëndësishëm dhe historik në organizimin e lëvizjes kombëtare shqiptare në të gjitha trojet shqiptare të pushtuara në Jugosllavi. Dalja publike dhe në mënyrë të organizuar në mbrojtjen e interesave kombëtare tek shqiptarët e mbetur në Jugosllavi nga rinia studentore, ishte një mesazh për pushtetarët e asaj kohe se shqiptarët nuk mund të pajtohen me trajtimin që u kishte bërë Jugosllavia. Shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë, pa të drejta më elementare kombëtare, siç ishin: e drejta për përdorimin e flamurit kombëtar, të gjuhës, shkollimit e të tjera32. Politika jugosllave ua kishte mohuar shqiptarëve të Kosovës të gjitha të drejtat e ligjshme deri me largimin e kriminelit A. Rankoviqit në Plenumin e Brioneve. Pas këtyre demonstratave, kërkesat popullsisë shqiptare në Kosovë iu mohuan edhe kërkesat e shprehura në debatet kushtetuese për të drejtën për vetëvendosje dhe avancimin e statusit të Kosovës në Republikë. Me urdhëresë të pushtetarëve jugosllavë dhe serbë, që nga fillimi i shtatorit i vitit 1968, ishte ndërprerë debati publik nga zyrtarë krahinorë për mbrojtjen dhe arsyetimin e kërkesës për vetëvendosje dhe Republikë33. Për këtë arsye, më 31 gusht Komiteti Krahinor kishte mbajtur mbledhje, ku kishte miratuar disa konkluzione për të ndërprerë në aktive politike debatet për Republikë dhe vetëvendosje që ishin përkrahur nga shumica e komunave të Kosovës. Mbledhja e mbajtur pas këtyre vendimeve në aktivin politik të Prishtinës, shënoi kulmin e arsyetimit dhe të domosdoshmërisë që Kosova të sigurojë në këto ndryshime të drejtën për vetëvendosje dhe Republikë. Në mbrojtje të këtyre kërkesave më të zëshmit dhe më të guximshmit në këtë mbledhje ishte prof. Fehmi Agani e Rrezak Shala, të cilët, për dallim nga të tjerët që gjithashtu përkrahnin këtë kërkesë. F. Agani, kërkonte nga komisioni krahinor që të ndryshojë projektin e paraqitur para aktivit politik që nuk e përfshinte të drejtën për vetëvendosje dhe Republikë34. Pas mbylljes së rrugëve legale të kërkesës për vetëvendosje dhe republikë, shumë patriotë, të frymëzuar nga intelektualë të guximshëm, në mënyrë politike dhe juridike botuan shkrime dhe organizuan debate, duke i arsyetuar ndryshimet kushtetuese si dhe kërkesat e drejta që u takonin shqiptarëve të Kosovës, të jenë të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë35. Muaji tetor do të shënojë fillimin e demonstrimeve të para për mbrojtjen e kërkesave të drejta dhe të mohuara të shqiptarëve. Demonstrata masive do të organizohen në qytetin e Prizrenit që simbolizonte qytetin historik të programeve kombëtare që kishin luajtur rol të rëndësishëm për historinë e lavdishme, por edhe tragjike të popullit shqiptar. Demonstratat e vitit 1968, edhe pse nuk ishin të organizuara nga një organizatë politike që vepronte, kryesisht në Prishtinë, atë e përbenin një rreth i besuar i njerëzve. Studentët e Shkollës së Lartë të Prizrenit kishin organizuar demonstratën e parë në Kosovë me kërkesa të drejta për flamur dhe të drejta të barabarta të Kosovës, ngritjen e statusit në Republikë në ndryshimet kushtetuese të kohës. Studentët e Shkollës së Lartë në Prizren demonstruan nëpër qytetin e Prizrenit duke bartur flamurin kombëtar shqiptar dhe duke kërkuar Republikë, Universitet dhe të drejta të tjera të mohuara nga pushteti. Këto demonstrata të organizuara në Prizren luajtën rol të rëndësishëm edhe për vendosmërinë e grupit politik të Prishtinës që të organizojnë demonstrata. Grupi, i cili kishte dhënë idenë për demonstrata në momentin e fundit ishte shkatërruar me arsyetimin se armiku kishte depërtuar në mesin e tyre36. Grupi politik që vepronte në Prishtinë, kishte planifikuar që demonstratat të organizohen edhe në qytete të tjera në të njëjtën ditë dhe të jenë sa më masive, por në kërkesa dhe parulla nuk figuronte kërkesa për Republikë, por vetëm kërkesa për vetëvendosje, duke mos marrë guximin që nga lëvizja kombëtare që vepronin nga shkëputja e trojeve shqiptare. Në programet e tyre kishin bashkimin me Shqipërinë, ata menduan që këtë kërkesë të mos e shkruajnë, por të testohet masa. Dhe, në qoftë se masa e përkrahë këtë kërkesë, duhet të përkrahet, përndryshe të mos dilet me këtë kërkesë që e konsideronin autonomiste37. Xhafer Shatri, veprimtar i Lëvizjes, duke trajtuar demonstratat e vitit 1968, vlerëson se “Vetë shpërthimi i demonstratave ishte paralajmërim konkret i një Rilindje të vërtetë kombëtare dhe fillimi i një forme efikase të luftës politike, e cila me kohë do të marrë përmasat e një kryengritjeje të pandalshme të popullit shqiptar në Jugosllavi. Përndryshe, demonstratat e vitit 1968, ishin vazhdim i një lëvizjeje të gjerë demokratike të rinisë studentore dhe inteligjencës që pati përfshirë gjithë Evropën. Këto demonstrata, në të vërtetë kanë qenë vazhdim i aktivitetit të mëparshëm të Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve të Adem Demaçit. Programet dhe idetë e kësaj organizate kanë shërbyer si platformë e demonstratave. Demonstratat e vitit 1968, për të drejta kombëtare dhe liri, përbënin sintezën e përpjekjeve dhe të rezistencës së pas Luftës së Dytë Botërore të popullit shqiptar kundër shtypjes dhe robërimit kombëtar, por edhe motivimi e ri dhe shtytjen drejt avancimit të Lëvizjes Kombëtare. Organizimi i demonstratave të viti 1968 dhe përkrahja e tyre nga të gjitha shtresat e shoqërisë, ishte një sukses për lëvizjet ilegale dhe shtytje për të punuar drejt realizimit të aspiratave shekullore të popullit shqiptar38. Për demonstratën e vitit 1968, kishte shkruar edhe shtypi i kohës si ai jugosllav, po ashtu edhe ai botëror, duke përshkruar ngjarjet që ndodhën në Prishtinë, si përpjekje për një pozitë me të mirë kushtetuese të Kosovës në Federatën jugosllave, duke kërkuar statusin e Republikës për Krahinën e Kosovës. Por, për dallim nga shtypi e agjencitë ndërkombëtare, ai jugosllav dhe zyrtar i Kosovës, kishin vlerësime të ndryshme dhe jo të drejta për kërkesat e demonstruesve, duke filluar me vlerësim se demonstruesit kishin dalë për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale që mbretëronte në Kosovë. Me këtë vlerësim nga Jajca kishte dezinformuar gazetarët e vendit dhe të huaj vetë kreu i Jugosllavisë, J. B. Tito.

Shtypi jugosllav i kishte vlerësuar demonstratat si nacionaliste, kundër rendit dhe sistemit politik të Jugosllavisë, të nxitura nga shërbimet e huaja. Vlerësime të tilla kishte edhe nga pushtetarët e Kosovës, që një pjesë e vlerësimeve dhe për këto demonstrata ishin shumë të turpshme, duke bërë krahasime të paqëlluara39. Vitin 1968, historianë bashkëkohorë të Kosovës do ta cilësojnë si vit shumë të rëndësishëm, vit i përpjekjeve të pandalshme të lëvizjes shqiptare për të drejta dhe lirinë e popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht, nga shteti amë.

 

Literatura dhe referencat: 

 

1 Gazmend Zajmi, Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë madhore e kohës dhe ndaj kohës, Studime historike, nr. 3-4, Tiranë, 1994, f. 151.

 

2 Gazmend Zajmi, Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë madhore e kohës dhe ndaj kohës, Studime historike, nr. 3-4, Tiranë, 1994, f. 151-2.

 

3 Po aty, f. 152.

 

4 Agim Zogaj, Shtypi dhe agjencitë telegrafike botërore për demonstratat e vitit 1968, Prishtinë, nëntor 1998.

 

5 Fatos Lubonja, 40-vjetori i një ngjarjeje të munguar, Express, 22 qershor, 2007.

 

6 Mehmet Hajrizi, Historia e një lëvizje politike,Tiranë, 2008.

 

7 Gazeta “New York Times”, 23 gusht, 1968, 1-2.

 

8 Mahmut Bakalli, Intervistë.

 

9 Adil Pireva, Gjashtëdhjeta shqiptare, Prishtinë, 1994

 

10 Dibran Bajraktari, Intervistë.

 

11 Rilindja, gusht 1968.

 

12 Adil Pireva, Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë, 1994.

 

 

13 Ethem Çeku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë, 2003.

 

14 Selatin Novosella, Kosova ‘68, Renesanca, Prishtinë, 1993.

 

15 Po aty.

 

16 Adil Pireva, Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë, 1994, 24.

 

17 A.K. Fondi, Gjyqi i Qarkut, Prishtinë, lënda-P-271-64, Adem Demaqi, grupi i tij.

 

18 Adil Pireva, 68-shja shqiptare,38 Prishtinë,1994.

 

19 Adil Pireva, Gjashtëdhjetëeteta shqiptare,38 Prishtinë,1994.

 

20 Zymer Neziri, I. Gashi, Avdi Kelmendi, jeta dhe veprimtaria atdhetare, Prishtinë, 2002.

 

21 Selatin Novosella, Kosova ’68, Prishtinë, 1993.

 

22 Bota e Re. Flamuri kombëtar ishte në ballë të turmës, intervistë me njërin nga organizatorët e demonstratave të ‘68, Zymer Neziri, 26 nëntor 1998, Prishtinë.

 

23 Bujku, Demonstratat e viti 1968, artikull, i botuar më 28 nëntor 1998.

 

24 Kumtesat me rastin e shënimit të ‘30 vjetorit të demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, Prishtinë, 1998.

 

25 Selatin Novosella, Intervistë.

 

26 Adil Pireva, Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë 1994, 81-8.

 

27 Adil Pireva, Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë, 1994, 83

 

28 Selatin Novosella, Kosova ‘68, Prishtinë, 1993.

 

29 Hakif Bajrami, Programet që shënuan historinë kombëtare 1878-1997, Prishtinë, 1997.

 

30 Mehmet Hajrizi, Historia e një Organizate Politike dhe Demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, 37-38.

 

31 Monika Stafa, Dukumente sekrete të Qeverisë së Shqipërisë për Kosovën 1948-81, “Zëri”, 19 korrik, 08.

 

32 Adil Pireva, Gjashtëdhjeteteta shqiptare, Prishtinë, 1994, 93.

 

33 Selatin Novosella, Kosova ‘68, Prishtinë, 1993, 17.

 

34 Gazeta “Rilindja”, Mbledhja e aktivit politik të Prishtinës, 8 shtator 1968, 4; Shih: Fjala e mbajtur e Fehmi Aganit.

 

35 Selatin Novosella, Intervistë, qershor, 2008.

 

36 Zymer Neziri, Pjesëmarrës i ngjarjeve, bisedë e zhvilluar në Prishtinë.

 

37 Selatin Novosella, Intervistë, qershor, 2008.

 

38 Hakif Bajrami, DOSIA Demaqi, Prishtinë, 2003..

 

39 Mehmet Hajrizi, Historia e një Organizate Politike dhe Demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, 14.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …