Dr. Sh. Krasniqi: Në Turqi nuk fitoi vetëm AKP e kryetari Erdogan, por fitoi tërë populli turk


Për gjatë një shekulli, që kur pushoi së funksionuari  Perandoria Osmane, është menduar se muslimanët nuk janë të aftë të themelojnë e as të udhëheqin shtet. Ata duhet të udhëhiqen nga të tjerët, pra të paktën sipas sistemeve apo porosive të të tjerëve. Kjo bindje sa erdhi duke u përforcuar, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur grupet e ndryshme të interesave botërore vendosën që në vendet arabe, e pse jo edhe në shumicën e vendeve muslimane, në pushtet t’i vendosin disa diktatorë. Kjo përvojë e hidhur, në shumë vende muslimane, po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Natyrisht, manipulimi nga mediet, të cilat në shumicë kontrollohen nga qarqe të caktuara, dhe interesat gjeopolitike, ekonomike e gjeostrategjike të vendeve të zhvilluara ekonomikisht kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm që vende të caktuara, në veçanti në Lindjen e Mesme, të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.


 


Kjo përpjekje  ka pasur edhe një prapavijë, pra të bëhet gjithë çfarë është e mundur për të dëshmuar se Islami është fe dhe sistem që nuk mund të përshtatet e të bashkëveprojë me rrethanat e kohës bashkëkohore e moderne. Se atij tashmë i ka kaluar koha, sikurse edhe feve tjera, dhe se pasuesit e denjë të këtij besimi duhet lënë atë anash; pra ta kufizojnë vetëm brenda mureve të xhamisë, nëse dëshirojnë të zhvillohen e të avancojnë krahas qytetërimeve dhe kulturave tjera moderne.


 


Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vetë muslimanët si shoqëri e në veçanti prijësit e tyre u kanë dhënë mjaft material jo-muslimanëve, sepse që nga rrëzimi i Shtetit Osman vetë prijësit e muslimanëve me krejt çfarë kanë poseduar kanë punuar kundër Islamin, madje e kanë luftuar këtë fe dhe praktikuesit e saj më shumë se çdokush tjetër dhe gjithçka tjetër. Mu për këtë,  sa herë që është raportuar në nivelet më të larta botërore për shkelje flagrante të drejtave të njeriut, në shumicën dërmuese ato qeveri kanë qenë nga qeveritë e instaluar arabe apo të ndonjë vendi tjetër musliman jo-arab.


 


Ky realitet i hidhur, pas të cilit fshihen manipulimet, është keqinterpretuar në adresë të islamit sa që ka mbretëruar bindja se islami është pjellë e secilës së keqe ndër arabë e muslimanë. Kështu më pas u shfaq edhe islamofobia e cila ka përfshirë shumë vende të botës përfshirë edhe vendin tonë. Çuditërisht shqiptarët, duke qenë muslimanë të lindur, me rrënjë, me gjenerata filluan të kenë frikë nga islami dhe filluan të sulmojnë muslimanët praktikues me krejt çfarë kishin, madje më egër dhe më joprofesional sesa në ish-Jugosllavi që nga ‘Kralevina’ e deri të Millosheviqi. Kam bindjen se kjo armiqësi kundër Islamit është si rrjedhojë e sistemit komunist titist, në Kosovë, e enverist, në Shqipëri e Kosovë, nën të cilët populli ynë ka jetuar mjaftë sa për tu ndikuar edhe pse hoqi të zitë e ullirit. Mbetjet dhe pasojat e këtyre dy sistemeve vazhdojnë të vërehen edhe sot.


 


Sido që të jetë Zoti fuqiplotë në çdo kohë dërgon burra, prijës, dijetarë e reformatorë të cilët i ripërtërinë parimet e drejta të fesë sonë dhe u tregojnë dushmanëve të dinit se kjo fe nuk ka mbaruar, se mësimet dhe vlerat e saj janë vlera universale në të mirë të njerëzimit. Se të praktikuarit e fesë, të vepruarit sipas etikës fetare në jetën e përditshme dhe qeverisja sipas porosive të saj nuk e pengojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit, por vetëm sa e avancojnë dhe e çojnë vendin para. Në këtë kjo më së miri dëshmohet përmes sukseseve të njëpasnjëshme të Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe liderit të saj Rexhep Tajip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan) në Turqi. Kjo parti arriti në pushtet në fillim të këtij shekulli në krye me Erdogan. Kjo parti filloi të udhëheq me Turqinë e shkretë, të varfër, Turqinë e “botës së tretë” të cilën e kishin vjelë e bërë shkretë bijtë e saj sipas porosive të mësuesve të tyre. Turqia atë botë i ngjante më së shumti vendeve tona në Ballkan, në këtë kohë, e zhytur në korrupsion, varfëri e papunësi, krizë politike e ekonomike, e vjedhur e stërvjedhur nga bijtë dhe udhëheqësit e vet.


 


Me besim të fortë në të madhin Zot, me vetëbesim dhe bindje se gjithçka që bëhet për hir të Zotit e në shërbim të njerëzve, krijesave më të mira të tij, liderët dhe anëtarët e AK Partisë arritën ta sjellin Turqinë aty ku është sot. Dy ditë më parë, ata fituan serish zgjedhjet parlamentare, madje kësaj radhe bindshëm dominuan parlamentin. Fituan mbi gjysmën e votave për ta çuar Turqinë edhe më tej drejtë zhvillimeve dhe avancimeve bashkëkohore. Tashmë edhe laikët, por edhe kundërshtarët e Islamit, janë bindur se Turqinë mund ta avancojnë e çojnë përpara vetëm ata që i ka kalitur Islami të jenë në shërbim të atdheut, pra AKP dhe liderët e saj.


 


Në anën tjetër kjo udhjeqje e mirë dhe kjo afërsi e madhe mes politikës dhe popullit, mes udhëheqësve dhe qytetarëve, me Bismilah siç shprehej gjithherë kryeministri Davutoglu, është një pasqyrë reflektuese për arabët dhe shumë shtete tjera muslimane se si mund dhe duhet të udhëhiqet shteti. Kjo rimëkëmbje është gjithashtu rikujtim edhe për jo-muslimanët se Islami nuk e lë mbrapa shoqërinë, përkundrazi islami nxitë dhe motivon njerëzimin drejt përparimit e zhvillimit në të gjitha sferat e jetës. Pra Turqinë, për njëqind vjet, nuk e kishte lënë prapa islami por pikërisht sistemet e imponuara mbi popullatën e vyeshme të atij vendi. Islami madje nuk është kundër feve e as civilizimeve tjera, por ai synon në marrëveshje reciproke të ndërsjella duke mos i bërë padrejtësi asnjërës palë të marrëveshjes.


 


Shumë kush ka pritur, e edhe më shumë kanë punuar, që zgjedhjet e nëntorit 2015 t’i japin një shuplakë partisë AKP në krye me Erdogan. Mezi s’kanë pritur disa të llomotisin se ‘turkoshaku’ nuk di dhe nuk mund të udhëheqë vendin dhe se AK Partia ka filluar tatëpjetën, por realiteti doli kundër. Populli mik turk si duket tashmë po fle vetëm kur ka nevojë, përndryshe ai është syçelë 24 orë. Ndaj rezultatet e dy ditëve më parë befasuan edhe analistët botërorë të cilët mundoheshin të shikonin qimen në sytë e tjetrit përderisa nuk shihni traun në sytë e vet.


 


Në Turqi nuk fitoi vetëm AKP dhe lideri i saj Erdogan, por fitoi i gjithë populli turk. Fitoi drejtësia, mirësia e mëshira; fitoi ai që është dashur të fitojë. Zoti serish lëshoi mëshirë jo vetëm mbi popullin mik turk, por edhe mbi të gjithë muslimanët dhe mbarë njerëzimin. Sepse njeriut të drejtë, udhëheqësish së drejtë ia shohin hairin njerëzit, kafshët, ambienti e ia sheh hairin edhe toka që ecë mbi të dhe qielli që e ka sipër.


 


Zoti e forcoftë kryetarin, Erdogan dhe bashkëpunëtorët e tij, se vërtet ai meriton të jetë kryetar bashkëkohor. Andaj urime të përzemërta presidentit Erdogan, urime kryeministër Davudoglu, urime popull  mik turk e urime edhe shqiptarëve dashamirës të këtë fitore, prej së cilës do të përfitojë me siguri edhe vendi ynë.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Mos manipuloni me Kisha e Xhamia se u vret Zoti, u mallkon  Shqiptaria


 


Dikur patrioti shqiptar, Pashko Vasa (Vaso Pasha), duke parë rrezikun e manipulimit grek mbi Shqipërinë nëpërmjet ortodoksisë, i drejtua kombit duke thënë: ‘Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është Shqiptaria’. Duke parë rrethanat në të cilat gjendet populli ynë, jam shumë i bindur se, po të ishte Pashko Vasa gjallë do tu thoshte: ‘Mos manipuloni me kisha e as xhamia se do tu vret Zoti e do tu mallkojë Shqiptaria’. Zoti e ruajt popullin tonë dhe e ndërroftë gjendjen e vendit tonë në mënyrën më të mirë.     


 


 


Në Kosovë pothuajse çdo gjë ka degraduar dhe gjithçka shfrytëzohet për poenta politike. Nisur nga arsimi e gjerë te ‘feja’ pothuajse secili person në këtë vend punon sipas interesave politike, e jo sipas të vërtetës dhe asaj që ia do zemra, kjo po vërtetohet për çdo ditë në çdo lëmi apo fushë. Këtë e pamë me sy edhe gjatë javës që shkoi ku Rektori i Universitetit ‘Hasan Prishtina’ u shkarkua, nga Këshilli Drejtues i UP-ës, nën akuzat e keq-menaxhimit. Njeriu, në fakt, duket se veç sa kishte filluar reforma të rimëkëmbjes së universitetit. Pra i pari i universitetit kishte gjetur çdo gjë në kaos kur kishte pranuar detyrën. Ky kaos në universitet vazhdon të mbretërojë. Kështu që nga dita e parë rektori kishte hasur në pengesa të vazhdueshme, të orkestruara nga qarqe politike të caktuara, me të cilat synohet të okupohet universiteti sikur çdo institucion tjetër në vend. Na u është mbushur mendja se po të kishin mundësi edhe ajrin, ujin e bukën që hamë këta njerëz do të provonin ta politizonin. Fatmirësisht kësaj radhe reagimi i ministrit të arsimit ishte i shpejt dhe me vend. Ai shfuqizoi vendimin për shkarkimin e rektorit dhe e ftoi këtë të fundit ta vazhdojë punën si më parë. Vlen të ceket se universiteti më i madh në vend, dikur i njohur si Universiteti i Prishtinës, ndërsa tani Universiteti ‘Hasan Prishtina’ që nga pas lufta kurrë nuk u rehatua me rektorë, asnjëherë nuk u ndalën akuzat dhe kundër akuzat ndaj të parit të Universitetit dhe stafit akademik. E çfarë kualiteti pritet nga një institucion i tillë arsimor, i cili nuk arrin ta arsimojë në radhë të parë vetveten.


 


Në anën tjetër, kriza në parlament po vazhdon edhe më tej madje ajo vjen duke u shkallëzuar. Në institucionin më të lartë të vendit po hidhet gaz lotsjellës, po pamundësohet mbajtja e seancave, po shpërthejnë deputetët duke sharë e fyer njëri-tjetrin në formën më të ultë njerëzore. Aty po tregohet niveli i stërulët i kulturës dhe edukatës qytetare të “të zgjedhurve të popullit”. Në fakt ky realitet po reflekton si në pasqyrë gjendjen reale të asaj që jemi ne si popull, në çdo fushë, e në veçanti realitetin e pashmangshëm të përditshmërisë së fjalorit banal. Nuk mendoj se ky popull ndonjëherë e ka pasur shprehi sharjen e fyerjen deri në këtë shkallë, madje as kur ka qenë në përvuajtjet më të mëdha të okupimit. Druaj se ky është rezultat i ndikimit të ish-okupatorëve serbo-sllavë, të cilët përdornin fjalorin më të pistë ndaj vendasve. Si duket ky virus tashmë është transferuar tek ne, andaj mendoj se na duhet shumë punë për ta përmirësuar këtë dukuri. Fatkeqësisht, ky është një reflektim real i gjendjes se shoqërisë sepse fjalori i papastër i një shoqërie është pasqyrë kulturore e asaj shoqërie.


 


Për derisa deputetët tanë po hahen e shahen mes vete, në veri të vendit serbët po fshijnë çdo gjurmë shqiptare. Ura e Ibrit, e cila e ndan Mitrovicën në dy pjesë, po i përngjanë ‘Urës së Shenjtë’ të cilën e mësonim dikur nëpër përralla e legjenda për fëmijë. Ajo që ndërtohet gjatë gjithë ditës, me djersë e me mund, prishet gjatë natës me hile e dredhi. Kështu edhe qyteti i ndarë i Mitrovicës, pjesën veriore e sundojnë serbët të cilët luajnë me fatin e saj por edhe të Kosovës si të duan dhe kur të duan. Ndërsa sa i përket pjesës jugore, edhe pse në duart e shqiptarëve, ajo është stërkequr nga varfëria dhe ka mbetur peng e pjesës veriore pasi që rezervat, minierat dhe pothuajse tërë burimet natyrore kanë mbetur matanë.


 


Sido që të jetë, menjëherë matanë urës deri në luftën e fundit ekzistonte një xhami e njohur si Xhamia e Ibrit, të cilën serbët e dogjën dhe e rrënuan gurë me gurë gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht në Prill të vitit 1999. Sikur në hilet e legjendës së ‘Urës së Shenjtë’, ‘zanat serbe’ mbi rrënojat e kësaj xhamie ndërtuan një park. Natyrisht parku është një simbol i paqes dhe mirëqenies, ndërsa për të mbuluar krimet serbet janë mjeshtër. Andaj njësoj siç vepruan në Banjallukë e shumë vende tjera të Bosnjës ku qindra xhami i bënë rrafsh me tokë dhe në vend tyre ndërtuan parqe, serbet të frymëzuar nga atje po ndjekin të njëjtat direktiva edhe tek ne.


 


E tërë kjo nuk është shumë e çuditshme, sepse nga serbët ortodoksë fanatikë nuk pritet tjetër, por çudia më e madhe është heshtja totale nga qeveria e Kosovës e cila po negocion me qeverinë e Beogradit në Bruksel në lidhje me largimin e asaj barrikade. Dihet botërisht se kjo barrikadë u vendosë mbi urën e Ibrit që nga lufta, 16 vite më parë, që nga atëherë qyteti i Mitrovicës u nda në dy pjesë dhe mbeti i bllokuar. Politik-bërësit tanë kinse ranë në dakord me palën serbe që të largohet ajo pengesë, të lidhen dy anët e Mitrovicës e të sigurohet qarkullimi i lirë i njerëzve, me ndërmjetësimin e BE-së. Madje u planifikua që në vend të atij parku të ndertohen fusha sporti kinse për t’i bashkuar të dy komunitetet atë serb dhe shqiptar, me pretendim se sporti bashkon njerëzit pavarësisht racave e kombeve.


 


Pa dyshim këto përpjekje për ta stabilizuar gjendjen dhe për ta rikthyer qytetin në gjendje normale janë pozitive. Por për çudi, si gjithherë më parë, në ato negociata e bisedime askund nuk u përmend se aty ka pasur dikur një xhami dhe se ajo tokë është e xhamisë andaj nuk ka të drejt askush të manipuloj me të, sepse nëse xhamia është tretur të paktën ka mbetur prona e saj. Këtë nuk e ceku askush, bile këtë nuk e ceku as Këshilli i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, edhe pse Kryesia e BIK në Prishtinë, me sa kam njohuri, doli me një deklaratë të vonuar, si zakonsiht. A thua vallë, deri kur do heshtim ndaj të drejtave tona, ndaj pronave tona që na i lanë amanet gjyshër e stërgjyshër?! A mbrohen kështu të drejtat e qytetarëve, të drejtat e komunitetit musliman, më të madhit në vend?! Shtrohet pyetja: po të kishte qenë në vend të asaj xhamie ndonjë kishë katolike fjala vjen, e lerë më ortodokse çka do bëhej, a do kishin heshtur politikanët ndaj saj?! Jo vetëm që nuk do të heshtnin por do të reagonte edhe UNESKO sikur që bëri me një grumbull të madh kishash e manastiresh anekënd vendit tonë. Andaj pse për xhami një heshtje e tillë?! A mos vallë edhe politikanët kanë rënë viktimë e idesë që vet e sajuan, ‘Ekstremizmin islamik’. A mos edhe vakëfet, xhamitë dhe pronat e përgjithshme të qytetarëve do t’i lëmë të humbasin nga frika se mund të llogaritmi brenda “ekstremizmit të dhunshëm”, të cilin duhet luftuar me çdo kusht?! Vërtetë ironike, por kjo është gjendja dhe pabesia e kësaj gjenerate të udhëheqësve tanë.


 


 Dikur patrioti shqiptar, Pashko Vasa (Vaso Pasha), duke parë rrezikun e manipulimit grek mbi Shqipërinë nëpërmjet ortodoksisë, i drejtua kombit duke thënë: ‘Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është Shqiptaria’. Duke parë rrethanat në të cilat gjendet populli ynë, jam shumë i bindur se, po të ishte Pashko Vasa gjallë do tu thoshte: ‘Mos manipuloni me kisha e as xhamia se do tu vret Zoti e do tu mallkojë Shqiptaria’. Zoti e ruajt popullin tonë dhe e ndërroftë gjendjen e vendit tonë në mënyrën më të mirë.     

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …