Shaqir Shaqiri

Dr. Shaqir Shaqiri: ÇLIRIMTARËT U SHNDËRRUAN NË GRABITËS

-Çlirimtarët u shndërruan në grabitës dhe u zhveshën nga gjithçka është njerëzore. Harruan atdheun, bashkëkombësit, bashkëluftëtarët… U shndërruan në gllabërues qyqarë dhe për interesa të ulëta personale shesin atdheun.

-Fatkeqësisht, shumë nga ata që dikur ishin të gatshëm për çfarëdo sakrifice, u shndërruan në larashë dhe morën rrugën e krimit të organizuar, korrupsionit, hajnisë së paskrupullt… Me fjalë të tjera, tek ne ndodhi ajo nga e cila kemi druajtur dhe e cila kishte ndodhur më herët në shumë vende të tjera (e sidomos në vendet e Amerikës Latine): Çlirimtarët u shndërruan në robërues!

(Pjesë nga një letërkëmbim më i gjatë)

1.

Kur flitet për situatën e sotme në trevat tona e ke vështirë të gjesh ndonjë pikë të ndritshme… Zi e terr gjithandej. Zhgënjimet e tua dhe ofshamat e popullit janë shprehje e realitetit të zymtë, e këtë realitet e krijuan ata tek të cilët dikur shikonim virtytet e atdhedashurisë dhe gatishmërinë për t´u flijuar për liri. E kjo, siç thua edhe ti, dhemb edhe më shumë. Çlirimtarët u shndërruan në grabitës dhe u zhveshën nga gjithçka është njerëzore. Harruan atdheun, bashkëkombësit, bashkëluftëtarët… U shndërruan në gllabërues qyqarë dhe për interesa të ulëta personale shesin atdheun.

2.

Ke plotësisht të drejtë kur thua se “po duket se edhe ky shekull, për shqiptarët, do ta përsëritë shekullin që la pas…”. Por, unë fajin nuk ua lë vetëm Fuqive të Mëdha. Pjesën më të madhe të fajit e kemi vet ne. Ne jemi ata që pas çlirimit (gjysmak) vetëm aminuam dhe u pajtuam me gjithçka që na u shtrua mbi tavolinë. Elita pushtet mbajtëse u tregua tejet frikacake dhe tejet naive… Dhe, më e keqja, nuk mësuam nga e kaluara jo fort e largët: Fuqitë e Mëdha filluan të na përkrahin vetëm kur dëshmuam se jemi të gatshëm të flijojmë gjithçka për lirinë. Deri atëherë bota qe ngopur me “pallavra” dhe “rezistencë paqësore” dhe vetëm bënte sehir. Të ligun e frikacakun s’e do askush!(…).E gjithë bota është e pranishme në Kosovë dhe përcjellë gjithçka. Bota, tashmë, është e vetëdijshme se me kë ka të bëjë dhe vepron sipas kutit që ia kemi “vizatuar” ne! Fundja, është thënë gjithmonë: Një popull e meriton fatin që ka! Edhe ne, të mishëruar me shpirtin e robit, e merituam robërinë dhe nëpërkëmbjen e tmerrshme të çdo gjëje që ishte dashur të jetë e shenjtë për njeriun! Dhëntë Zoti të mbushemi mend!

3.

Shqetësimet tua janë me bazë dhe prekin thellë shpirtin e secilit prej nesh. Këto shqetësime janë shqetësimet e secilit shqiptar që mbanë në vete sadopak nga idealet e shenjta për një atdhe të prosperuar dhe për një atdhe jo të copëtuar në territore dhe ku do të zotëronin të diturit dhe të përkushtuarit për çështjen e madhe të Atdheut! Kjo, siç thua edhe ti, nuk po ngjet sot. Kudo që vështron njeriu, qoftë në Kosovën martire, qoftë në vendin amë, qoftë në Maqedoni, vëren vetëm përçarje dhe ngarendje pas pasurisë materiale. Dhe, nuk e di pse, ne si komb (në përgjithësi) vuajmë nga amnezioni total! Harrojmë shumë shpejt (dhe falim, pa të drejtë) krimet më barbare që janë bërë mbi popullin tonë qoftë para 100 e sa vitesh, qoftë para 14-15 vitesh! Dhe, është lehtë fajin t´ua lëmë Fuqive të Mëdha apo ndonjë vendi që kemi konsideruar si vend mik dhe kemi pritur përkrahje më të madhe. Por, është një e vërtetë e madhe në atë thënien e moçme të kuluareve diplomatike se “Vendet nuk njohin miqësi – Vendet i lidhë interesi!”. Kurse elita pushtetmbajtëse në Atdhe, e dhënë pas korrupsionit dhe interesave vetjake, nuk pat çka t´u ofronte atyre që kanë dashur (dhe kanë mundur) të na ndihmojnë. Këtë zbrazëtirë e shfrytëzuan (dhe po e shfrytëzojnë) fort mirë fundërrinat e Karpateve. (…). Fatkeqësisht, shumë nga ata që dikur ishin të gatshëm për çfarëdo sakrifice, u shndërruan në larashë dhe morën rrugën e krimit të organizuar, korrupsionit, hajnisë së paskrupullt… Me fjalë të tjera, tek ne ndodhi ajo nga e cila kemi druajtur dhe e cila kishte ndodhur më herët në shumë vende të tjera (e sidomos në vendet e Amerikës Latine): Çlirimtarët u shndërruan në robërues!

4.

Ti, vëllaçko, thua:”Të kam çmuar shumë për qëndresën e mirë në burg, por tashti të çmoj edhe më shumë për qëndresën e papërkulur në rrugën e vështirë por të lavdishme të idealeve të Atdheut dhe të Kombit. Them kështu sepse shumë figura, dikur të çmuara të kombit, të dashura edhe për mua, gjatë rrugës së përgjakshme të lirisë, të mashtruar nga kolltuku dhe të mirat personale që sjell pushteti (paraja, mirëqenia, fama), kanë rënë në provimin e madh historik.” Unë e pata lehtë të mos bie në provim (apo të zhytem në ujërat e fëlliqura) sepse me kohë vërejta se kah po ia mbanin shumë nga shokët e idealit dhe kisha mësuar nga përvoja e vendeve të tjera. Në pamundësi që në këto rrethana të bëj diçka më shumë, munda të zgjedh, dhe zgjodha të tërhiqem në qetësi dhe të bëj jetën e idealistit të heshtur dhe të panënshtruar me ndërgjegjen e pastër (ashtu siç po bën edhe ti).

(Nga libri: Kadri Rexha: Thirrjet e kohës, RKL, Prishtinë, 2014)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …