Disa ditë më parë pas syfyrit u nisa për në xhami për ta falur namazin dhe për të mbajtur një ligjëratë. Sapo dolëm nga xhamia një mik i imi me tha: ‘duke ardhur në xhami i pashë hajdutët që kishin thyer postën e po plaçkitnin brenda, kur e panë se po i shikoja e ulën kokën për të mos me i vërejtur’. I thashë: po a nuk lajmërove policinë? Po tha, i thirra, si jo. Dhe ende pa përfunduar bisedën arritëm tek lokali i thyer ku tashmë veç kishte arritur policia. Pasi që u dhamë selam iu drejtova njërit prej tyre e i thashë: ky miku im është ai u ka telefonuar në lidhje me këtë rast. Polici tha: faleminderit or djalë, të lumtë. Populli e ruan shtetin. Unë ia prita: po, ashtu është populli e ruan, por edhe policia duhet ta ruaj atë. Vjedhësit duhet ndëshkuar rëndë. Polici ma ktheu: po, ashtu është por çka t’i bësh që nuk po kemi të drejtë, nuk kemi kompetenca. Madje jo rrallë ndodhë që ne i kapim hajdutët, i dërgojmë në stacion dhe ende pa kaluar mirë pragun e stacionit, ata lirohen dhe na takojnë në qytet e na përqeshin. Po ti thuash dikujt se kjo është e vërtetë mbase nuk do besonte, madje edhe vet e kisha të vështirë ta besoja në fillim derisa e dëgjova radhazi nga policë të shumtë. Disa madje rrëfejnë se sa të vështirë e kanë derisa t’i kapin disa hajdutë, madje jo rrallë herë edhe duke venë jetën e tyre në rrezik, e më pas, pas një dite apo më pak hajdutët lirohen thuajse s’kanë bërë asnjë të keqe. Gjatë kësaj jave u publikua edhe një statistikë se vjedhjet në Kosovë këtë vit kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar dhe se çdo vit vjedhjet shënojnë rritje. Vjedhje të makinave, thyerje të banesave e shtëpive private, sulme ndaj qytetarëve e deri tek vrasja e banorëve të shtëpive, siç ishte rasti në Gjilan para një kohe ku njeriu doli për ta mbrojtur shtëpinë e të vëllait ngahajdutët, mirëpo i kushtoi me jetë. Vjedhje në Kosovë, vjedhje e plaçkitje në Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka shqiptarë. Në diasporë burgjet janë të mbushura me hajdutë shqiptarë, saqë të vije keq të deklarohesh se je shqiptar sepse është krijuar një bindje se këta njerëz janë të mirë vetëm për një gjë, për vjedhje. Mjerë për ne se në çfarë gjendje kemi ardhur. Ku qëndron problemi? Mendoj se kjo duhet shikuar nga dy aspekte: Së pari: pos edukimi i mirëfilltë, mungesa e edukimit shpirtërorë, mungesa e kalitjes se zemrës dhe shpirtit ashtu siç parasheh plan-programi fetarë. Ngase asgjë nuk ndikon më pozitivisht në vetëdijesimin dhe ngritjen e njeriut, përmirësimin e sjelljeve dhe karakterit të tij sesa bindja fetare respektivisht praktikimi i besimit. Është fakt i pamohueshëm se një shoqëri sa më shumë të jetë e lidhur me fe, në veçanti atë Islame, aq më pak ka dukuri negative, aq më pak hajni do të ketë në atë shoqëri. Sa për ilustrim le ta marrim Arabinë Saudite ku vjedhjet janë në nivelin më të ultë në botë. Atje nuk bisedohet për vjedhje, nuk bisedohet si t’i sigurojnë makinat, banesat, dyqanet apo depot nga vjedhësit. Atje veturat pothuajse nuk i mbyllin fare, madje edhe dyqanet përplot mall shumë herë i lënë hapur. Ngjashëm me këtë kamë parë edhe në Siri, Jordani, Kuvajt, Katar etj. edhe ne shqiptarët sa kemi pasur kulturë dhe traditë fetare shumë pak kemi vjedhur, për të mos thënë fare. Se dyti: ligji i butë, mos aplikimi i dënimeve për vjedhësit. Imagjinojeni hajni kapet me mall shumë të çmuar në dorë dhe pas disa ore lirohet. Dhe procedurat vazhdojnë. Kjo i bije tallje me ligjin, respektivisht inkurajim për vjedhje. Mendoj se njeriun që nuk e edukon fjala, sjellja e mirë dhe vetëdijesimi e edukon dajaku. Po të nderuar, duhet përdorur forcën ashtu siç bëjnë shtetet më të moderuara në botë kur është në pyetje mbrojtja e pronës qoftë shoqërore apo private. Madje mu për këtë ekziston policia, gjyqësori e burgu, për t’i parandaluar dhe zvogëluar krimet, nëse qendra korrektuese-burgu dikujt nuk i bënë dobi atëherë përdorimi i dajakut sigurisht do të ishte alternativë. Dikush mund të thotë: po ku është mëshira dhe respektimi të drejtave të njeriut?! Ne themi po, mëshira duhet të jetë por nëse e mëshirojmë krimin dhe kriminelin atëherë ne i kemi hapur rrugët atij/asaj për të manifestuar publikisht krimet e tij/saj. Pra për kriminelët nuk vlen mëshira përkundrazi ata vetëm ndëshkimi i sjellë në vete. Pra ngjashëm me fëmijën apo nxënësin kur e ndëshkojmë apo e qortojmë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi mëshirë ndaj tyre por përkundrazi ndëshkimi apo qortimi do ti bëjë ata me vigjilent dhe më të vëmendshëm. Dhe së dyti duke ndëshkuar vjedhësit ne kemi mëshiruar publikun, qytetarët dhe popullin në tërësi ngase i kemi ruajtur pasuritë e tyre. Përndryshe nëse dikush mendon se edhe vjedhësi apo cilido njeri i dëmshëm për shoqërinë është qytetar që meriton mëshirën e shtetit dhe si i tillë duhet lënë i lirë, atëherë kjo lenë të kuptohet se në një shtet të këtillë nuk funksionin ligji, por është shtet i bandave e mafive dhe aty nuk ka berqet. Ka ndodhë shpesh të me kërkojnë qëndrim fetar/fetva në lidhje me përdorimin e forcës nga policia për të kapur por edhe ndëshkuar hajnat, dhe unë kam thënë se ata i sjellë në vete vetëm shkopi. Vetëm burgimi nuk mjafton, veçanërisht në burgjet tona që për disa janë më luksoze sesa shtëpitë e tyre. Nëse dikush më akuzon për rigorozitet e ashpërsi, atëherë do të ‘lutesha’ që inshAllah atyre ua vjedhin makinën apo shtëpinë, e pastaj të bien ndërmend fjalët e mia dhe do të shohim se si do të reagojnë. Të themi se duhet mëshiruar vjedhësin është njësoj sikur të themi se duhet të kemi mëshirë ndaj sëmundjes. Njeriu vuan nga sëmundje të ndryshme, ka dhimbje të mëdha, e ne i themi mjekut: të lutëm mos e bëjë operacion se gjynah, mos ia këput këmbën apo gishtat e këmbës sepse me këtë po shkelim të drejtat e pacientit për të pasur gjymtyrë. Mendoj se udhëheqësit tanë duhet sa më parë të mendojnë pozitivisht si t’i kundërvihen seriozisht këtij fenomeni. Lënda fetare nëpër shkolla do të ishte një alternativë e mirë edukuese dhe një shtytës për reflektim shpirtëror tek të rinjtë. Po ashtu gjyqësori duhet të jetë më syçelë, serioz dhe më i rreptë ndaj kësaj dukuria dashakeqe e shkatërruese e cila dita ditës po e shndërron Kosovën në një ‘Bogotá të Kolumbisë’. Allahu e drejtoftë popullin tim, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Çfarë po e pengon (mos)integrimin e Kosovës?
Kosova tashmë ka një indeks problemesh, ku jo vetëm që është bërë evidentimi i tyre, por janë identifikuar edhe shkaqet e tyre. Ndaj, tashmë adresa e problemeve është e ditur dhe identifikuesit e këtyre problemeve janë vet populli.
Heshtjes ndaj këtyre problemeve sikur po i vjen fundi. Populli nuk do të mund të durojë më gënjeshtrat se kinse vendi po vuajtka nga ekstremizmi fetar, “vehabizmi” apo pëshpëritjet se kinse Evropës nuk po iu dashka një Kosovë “talibaneskë”. Kosovarët, të rinjtë në veçanti, nuk po e braktisin vendin për shkak se ekstremizmi fetar ua ka ngulfatur jetën. Ata kanë identifikuar problemet që ua kanë ngulfatur jetën dhe ua kanë shuar shpresat për një të ardhme vitale në jetën e tyre dhe rrjedhimisht i kanë detyruar të marrin edhe vendime të rënda si braktisja e mëmëdheut.
Papunësia, më e larta në Evropë dhe Ballkan, dhe nepotizmi në punësime në njërën anë, dhe korrupsioni i shprehur më së shumti tek politika dhe gjyqësia në anën tjetër, kanë shuar çdo shpresë për përmirësim të jetës dhe kështu po ndodhë ajo që frikësoheshim në vitet nën okupim: boshatisja e vendit.
Se këndejmi, deklaratat e politikanëve për kinse kthim në vendlindje të emigrantëve tanë apo riatdhesim të tyre, gjersa vet jetojnë në maje të luksit, shihen si tallje dhe përqeshje me bashkatdhetarë. Lehtë është t’u thuash njerëzve se “do t’i kthejmë të gjithë azilkërkuesit”, por siç thotë populli, “provo të hysh në lëkurën e tyre e pastaj do ta shohësh”.
Nëse kthehen, çfarë kushtesh për jetesë do tu mundësohen? A mos vallë mendon apo merret kush me ta? Sikur dikush të kujdesej më shumë për ta ata nuk do të shpërnguleshin fare. Prandaj, kthimi i tyre dhe trumbetimi se në Evropë nuk hyhet me azilantë, do të ketë pasojat e veta.
Në Evropë nuk hyhet as me korrupsion, por askush nuk flet e as që çanë kokën për këtë. Sa herë që politikanët evropianë vizitojnë vendin tonë nuk largohen nga vendi pa potencuar këto dy-tri defekte të mëdha: papunësia e cila është rezultat i mos zhvillimit ekonomik, korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar. Kurse, politikanët tanë sikur bëjnë sehir mundohen ta kthejnë kursorin drejt problemeve jo ekzistuese si ekstremizmi, “vehabizmi” apo shoqëria “talibaneskë” e Kosovës, thuajse populli është në gjumë dhe nuk kupton fare.
Me duhet të vë në spikamë se kthimi i njerëzve nga një shoqëri e integruar mirë në një shoqëri të paintegruar dhe pa mundësi për mirëqenie, do të shkaktojë pasoja, por edhe kaos siç pohojnë sociologët. Kjo ngase të “riatdhesuarit” në pamundësi të gjetjes së një vendi pune, për të fituar kafshatën e gojës, do t’i hyjnë botës së krimit të organizuar ose do t’i përvishen aradheve të politikanëve, pasi që politika në Kosovë po na shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga mënyrat më të lehta të pasurimit.
Personalisht, jam kundër migrimit. Nuk do të dëshiroja që aseti ynë më i çmuar, rinia, të na ikën nga vendi. Ndaj publikisht u bëj thirrje të gjithëve që, përkundër problemeve të mëdha e të shumta, të kenë durim dhe të përpiqen të gjejnë veten këtu, ngase vendi ka nevojë për ta.
Ne kemi mundësi ta ndryshojmë këtë gjendje dhe mund t’i ndëshkojmë ashpër mashtruesit, të korruptuarit, shpifësit, kriminelët, haraçvënësit, me votën tonë. Koha po afron. Ndaj le tu japim një mësim jo vetëm këtyre mashtruesve, por edhe të gjithë të tjerëve që mendojnë ta ndjekin rrugën e tyre të devijuar.
Populli duhet vetëdijesuar. Nuk duhet zgjatur jetën krimit, përkundrazi atë duhet shkurtuar. Po kështu, do të doja t’i bëj thirrje politikanëve që të mos mundohen t’i hedhin hi syve popullit, ngase nuk janë një palë sy, por miliona sy. Këta sy shohin madje edhe kur u maskohet e vërteta. Ata dinë edhe të ndëshkojnë. Dhe këtë pres ta bëjnë.
Le t’i heqim qafe me votën tonë mashtruesit tanë dhe kështu mund të realizohet thënia: “Populli voton, Populli sundon”.
Zoti na çoftë në hair të gjithëve.
Doktor, Shefqet Krasniqi uron besimtarët islamë me rastin e fillimit të Ramazanit
Besimtarë të nderuar,
Vëllezër dhe motra,
Na ndajnë vetëm edhe pak çaste nga muaji i madhërishëm i Ramazanit, muajit më të rëndësishëm për besimtarët myslimanë. Është ky muaji, ditët e të cilit jemi të obliguar t’i agjërojmë ndërsa netët t’i ngjallim me namaz, adhurim dhe lutje. Rëndësia e këtij muaji është e madhe edhe për shkak të asaj se ai është muaji i ngjarjeve më madhështore që ka përjetuar njerëzimi ndonjëherë. Ai është muaji kur Kur’ani Famëlartë filloi të shpallej, ky Libër që udhëzon në atë që është më e drejta dhe më e qëlluara.
Ramazani është muaj i dashur edhe për shkak të dimensioneve sociale që ka. Ai është një muaj që afron zemrat dhe i pastron ato, sikur që bën që besimtari të jetë më afër vëllait të tij se kurdoherë më parë.
Më qenë se ky muaj dallohet për shkak të mëshirës/rahmetit që bartë me vete lusim Allahun fuqiplotë që ta bëjë atë të begatshëm për muslimanët anekënd botës dhe gjithashtu lutemi që i madhi Allah të na i falë mëkatet tona, të na i pranojë lutjet tona dhe të na shtojë rehatinë, paqen, tolerancën dhe harmoninë në mes vete.
Duke parë dhunën dhe konfliktet e tepruara gjithandej globit lusim Zotin fuqiplotë, krijuesin dhe mbikëqyrësin e qiejve dhe të tokës, të kursej gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe ti zbus zemrat ashtu që njerëzit të pendohen tek Ai e tu shmangem padrejtësive e mëkateve.
Në fund, më lejoni që nga thellësia e zemrës t’iu uroj të gjithë juve, vëllezër dhe motra, kudo që jeni brenda dhe jashtë vendit. Do të doja të veçoj diasporën tonë, ata që krahas vuajtjes së urisë dhe etjes kanë edhe vuajtjet e mërgimit. Zoti ua shtoftë të mirat dhe ua lehtësoftë përballimin e agjërimit!
Edhe një herë, urime dhe për hajr muaji i Ramazanit!
nga zemra Dr. Shefqet Krasniqi
Dr. Shefqet Krasniqi: Demokraci apo hipokrizi, ose kujt po i konvenon destabilizimi
Bota muslimane vazhdon të jetë e destabilizuar edhe pse destabilizimi i saj vazhdon të mbetet enigmatik. Duke mos dashur të merremi me vendet që nuk kanë kaluar tranzicionin do të dëshiroja të fokusohem te dy rastet më të fundit, Turqia dhe Egjipti, të cilat jo vetëm që kaluan tranzicionin por kanë kapacitet të ndërtojnë një rend të lakmueshëm demokratik. Po mos të ishin ndikimet nga jashtë, dhuna dhe protestat pothuajse veç patën marrë fund. Siç dihet, këto dy vende, e me theks të veçantë Turqia, kanë shënuar progres dhe zhvillim. Të dy qeveritë erdhën në pushtet përmes votës së lirë të pranuar ndërkombëtarisht madje edhe nga vet OKB.
Sido që të jetë, kohëve të fundit ato u trazuan. Përderisa zhvilloheshin protestat, absolutisht të paarsyeshme në Turqi, atu filluan befas edhe në Egjipt. A thua çfarë rëndësie a ngjashmërie kanë këto dy vende? Përse do të duhej të kundërshtoheshin qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike? Apo mos vallë po shfaqet fytyra tjetër e medaljonit të njohur si demokraci. Zhvillimet aktuale po na dëshmojnë se edhe demokracia, shikuar
nga prizmi tjetër, po nënkuptuaka shtypje e vullnetit të popullit. E them këtë sepse nuk arrijë dot t’i gjejë emër tjetër thirrjes perëndimore, besa edhe vendore e rajonale, për një qeveri demokratike kur qeveria e Mursit veç ishte e tillë.
Përse bota bashkëkohore nuk mund të bëjë ballë e ta pranoj realitetin e ri të krijuar, ashtu siç në të vërtetë kërkon demokracia? Përse janë kundër ‘islamistëve’? A mos vallë kanë harruar të saktësojnë edhe tekstualisht se e” drejta” është nga vet natyra ekskluzive, pra kur kemi të bëjmë me muslimanët, atëherë ‘e drejta” qoftë edhe ndërkombëtare nuk na qenka e garantuar.
Deri kur do të vazhdohet me sjelljet sa më jodemokratike të mundshme nën pretekstin se të tjerët kur të
vijnë në pushtet, qoftë edhe në mënyrë demokratike, nuk do të udhëheqin në mënyrë demokratike. Është ky iluzion apo diskriminim, po pyesja veten gjersa po shkruaj këta rreshta. Përse nuk ka
gatishmëri qytetare dhe politike që të pranohet e vërteta? Konsideroj se përgjigjen asnjëherë nuk duhet ta kërkojmë tek protestat dhe protestuesit.
Këta janë veglat e manipuluara që, me ose pa vetëdije, po manipulohen nga akterët në prapaskenë. Nuk kam as dyshimin më të vogël se prapa protestave dhe kësaj dhune qëndrojnë ata që nuk e duan botën muslimane të zhvilluar e të organizuar. Skenarët e vjetër për mbajtjen e vendeve muslimane të ‘okupuar’ janë ende në
përdorim, kjo nuk është për çudi. Por çudia më e madhe është se demokracia është sendërtuar mbi baza të vullnetit të lirë (free will) dhe është vërtetë ironike kur sheh se si bashkohen të gjitha forcat për të përmbysur një vullnet të lirë të shprehur përmes mekanizmit të mirënjohur si vota e lirë dhe demokratike.
Bota demokratike në vend se të kritikonte protestat e panevojshme në Turqi ajo mbështeste protestuesit dhe kritikonte qeverinë. Kështu nuk reagonte demokracia kur Franca përballej me protesta disa vite më parë, atje nuk kërkohej rrëzimi i presidentit e as përmbysja e qeverisë.
Ndaj përmbysja kaq e shpejtë e qeverisë egjiptiane, që pa më të voglin dyshim është zbatim i përpiktë i një
strategjie famëkeqe të vënë kohë më parë, vendosi para një dileme edhe besimin në botën demokratike dhe vet sistemin demokraci.
Demokracia që solli dr. Mursi ishte origjinale që nuk kishte pasur asnjëherë më parë në Egjipt, dhe mundet Zoti por nuk e besoj se do të vijë ndonjëherë. Presidenti i parë arab i zgjedhur me votën e lirë e demokratike, përmbyset pamëshirshëm vetëm se disa laik e jofetarë nuk e përballonin dot. Ata, bashkë me akterët në
prapaskenë, shkelën mbi suksesin më të madh të arritur ndonjëherë në botën arabe. Unë kam bindjen e plotë se pas puçit ushtarak qëndrojnë të huajt, të cilën nuk e deshën qeverinë me qasje islame asnjëherë. Ata nuk deshën që Egjipti të jetë lider në rajon. Egjipti ishte dështimi i tyre dhe shembull potencial për Sirinë pas Asadit. Edhe pse të matur politikisht, megjithatë edhe liderëve me famë botërore iu doli boja ngase pa dashje jepnin iniciale se nuk mund të lejojmë një Egjipt të dytë në Siri. Në fakt pësoi edhe Egjipti i parë.
Do të dëshiroja të potencojë se rrëzimi i Presidentit Mursi po nxjerrë në shesh anën tjetër të ‘medaljonit’ të quajtur demokraci. Shpresoj që kjo të mos jetë fytyra reale e këtij sistemi për ndryshe a thua vallë kaq i vlefshëm na qenka rrëzimi i ‘islamistëve’ nga pushteti, sa që të justifikoj edhe humbjen e qindra-mijëra jetëve të pafajshme.
Le të mos harrojmë, Presidenti Mursi përveç se ishte doktor shkencash ishte edhe lideri i parë arab që u zgjodh me votën e lirë, ai madje e di Kur’anin përmendësh, ndërsa ata që po i gëzohen rrëzimit të tij nuk dinë
madje as shkrim-lexim. A mos vallë stabiliteti i mundshëm ekonomik në Egjipt, sikur ai në Turqi, do t’ia jepte edhe një grusht të rënde politikave manipuluese ekonomike dhe standardeve të dyfishta të pretenduesve të demokracisë. Dhe mu për këtë regjimin e instaluar më vonë në Egjipt, sado demokratik të quhet, nuk di si ta emërtojë më mirë demokraci apo hipokrizi.
Në fund do të doja që të gjithë ta kuptojnë se, pavarësisht propagandës mediale dhe manipulimeve politike, Egjipti është vendi ku për një kohë të shkurtë lidershipi dhe populli frymuan lirshëm, politikisht dhe fetarisht. Mu për këtë sheh miliona njerëz tek lotojnë përderisa shohin me sy se si keqpërdoret vullneti i tyre i shprehur lirshëm përmes mekanizmave bashkëkohorë. Për këtë Mursi ka hyrë në histori dhe se nëse tentohet të mendohet se muslimanët, e pse jo edhe Islamin, i kemi nxjerrë nga loja le të dihet se këto aktualitete ia ka nxjerrë gjumin një pjesë të madhe të botës. Islami është program jete. Ai synon paqen dhe
rehatinë e trupit, mendjes, shpirtit, individit dhe mbarë shoqërisë, qoftë në këtë apo në botën tjetër.
Dr. Shefqet Krasniqi: Kush kë po e fyen dhe të drejtat e kujt po shkilen?
Deklarata e liderit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në lidhje me lejimin e shamisë në shkolla publike dhe të mësim-besimit, derisa është pritur mirë nga shumë zemra që s’duan gjë tjetër përpos që të ndjehen të barabartë me të tjerët. E që ishte një deklaratë e rrallë, e cila, të paktën, reflekton një maturi dhe vetëpërmbajtje të një grupi politik. Në anën tjetër ka të atillë që i ka zhgënjyer, ku në mesin e tyre është edhe deputetja Alma Lama, e cila për çudi është nga vet radhët e LVV-së. Znj. Lama, e cila fare pa nevojë qe përfshirë në një debat për fenë, ku doli kundër shamisë me tërë fuqinë e saj, dhe atëherë kur lideri i saj u shpreh në favor të përmbushjes së këtyre të drejtave, ajo reagoi kundër, duke përgjithësuar kësaj radhe problemin se kinse ata që kanë fyer Almën, kanë fyer një pjesë të kombit.
Sigurisht se çdo njeri ka këndvështrimin e vet të gjërave, konceptet dhe parimet të cilave u përmbahet, dhe në një shoqëri normale është e natyrshme të ketë shumëllojshmëri mendimesh, përplasje mentalitetesh dhe polemikash
konstruktive.
Në lidhje me këtë thotë Allahu: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje –të një bindjeje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete)” (Hud:118). Ky fakt sikur na e sjell ndërmend se ne jemi nga e njëjta origjinë, andaj edhe sado që mund të kemi dallime mes vete qoftë fizike, intelektuale, mjedisore etj. përsëri kemi respekt dhe tolerancë për njëri-tjetrin duke qenë se gjithsesi që ndajmë edhe vlera të përbashkëta. Në
këtë kontekst ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë keq, ta ofendojmë apo diskriminojmë askë që mban qëndrim ndryshe.
Mirëpo problemi qëndron kur një bindje njëdimensionale merr fuqi ekzekutive dhe shkel mbi të drejtat elementare të njeriut duke u thirrur padrejtësisht në nacionalizëm, në sigurinë publike apo laicitetin e shtetit. Për më tepër, përdorë çdo mjet për të krijuar një klimë propaganduese të kësaj padrejtësie.
Them padrejtësi, sepse në qoftë se praktikimi i fesë në jetën publike do të ishte në kundërshtim me vlerat kombëtare, me sigurinë publike apo laicitetin e shtetit, atëherë bota me gjasë do të ndahej në shtete teokratike dhe ateiste, ndërsa demokracia nuk do të ekzistonte as si term.
Të shprehësh shqetësim për përhapjen e një ekstremizmi të mundshëm fetar nuk na jep të drejtë për të përgjithësuar problemin, për ta fajësuar fenë dhe për të mohuar çdo identifikim fetar, sepse kjo i bie sikur ta fajësojmë ligjin e komunikacionit për shkak të aksidenteve dhe ta etiketojmë çdo ngasës automjeti si të dëmshëm për shkak të papërgjegjësisë së disave. Prandaj çdo kush që ka si brengë të sinqertë mbrojtjen e shoqërisë nga fryma polarizuese
duhet të jetë i kujdesshëm që këtë shqetësim të mos e shpreh në atë formë që e tensionon edhe më tepër shoqërinë e të jap përshtypjen e një të kompleksuari islamofob.
Ngjashëm sikurse çdokush që ka qasje tjetër për vlerësimin e kontributit të një figure historike duhet të jetë i kujdesshëm që të mos lë hapësirë që kjo të interpretohet si dëshirë për përçarje të kombit në baza fetare kur vet Zoti e bëri ligj bashkëjetesen e feve në paqe e harmoni. Prandaj unë i bëj thirrje zonjës Lama, po edhe çdokujt që ka konceptin e saj, që ta zgjerojnë vizionin e tyre e të mos bien në kontradiktë me vetveten duke mbajtur standarde të dyfishta.
A nuk është turp që përveç largimit të një vajze nga shkolla shkaku i mbulesës së saj, të krijojnë edhe ambient të rëndë piskologjik për të, me shpifje, fyerje dhe etiketime të ulta dhe pastaj të thonë se ne preokupohemi për ngritjen e femrës! A duke ua pamundësuar shkollimin dhe punësimin femrave me mbulesë i mbrojnë ato nga “nënshtrimi”?! Si mund të tentohet të paraqitet imazhi i një mashkulli musliman si robërues, kur ai nuk e ngrit zërin për lejimin e mbulesës mbi kokën e gruas, vajzës apo motrës së tij, sepse këtë nuk mund t’ia ndalojë askush, por ngrit zërin pikërisht për arsimimin dhe punësimin e saj, meqë shkaku i mbulesës asaj i mohohen këto të drejta!
Nëse pjesë e paragjykimeve të ndokujt është ta shohë mbulesën si “nënshtrim të femrës”, po ana e anasjelltë a mund të mendohet?! Nëse në demokraci e “vërteta” nuk mund të monopolizohet nga një grup i caktuar, atëherë me çfarë të drejte e shndërrojmë moralin jofetar në kod të përgjithshëm dhe themi se mbulesa është “veshje jo e duhur”. A jemi të interesuar të krijojmë një shoqëri ku çdo njëri frikësohet nga tjetri, apo një shoqëri që përkundër dallimeve funskionon si një familje, ku secili përpiqet ta mbajë atë të bashkuar, të shëndoshë dhe të lumtur?!
Duke qenë se formimi intelektual dhe shpirtëror është një proces i vazhdueshëm për çdo njeri pavarësisht bindjes që ka, mbesim me shpresë se të gjithë do të bëjmë progres në këtë rrugëtim, për të mirën e përgjithshme. Ngase vetëm me njerëz të hapur, të sinqertë, bëmirës, altruist e të drejtë mund të ndërtohet një shtet i fortë dhe stabil.
Për fund, le ta kujtojmë fjalën e Allahut i Cili thotë: “Ne nuk e ndryshojmë gjendjen e një populli derisa ata të mos e ndryshojnë vetveten” (Rread:11). Deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Koha e fundit për të reaguar në Siri
Siria vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes, jo vetëm për krimet makabre me të cilat po vazhdon regjimi
i egër sirian, ku numri i viktimave deri më tani ka tejkaluar shifrën prej mbi 100.000 të vrarë, shumica absolute prej të cilëve janë civilë të pafajshëm, ndër të cilët edhe foshnja të porsalindura. Kemi menduar se masakrat e çetnikëve serbë ndaj myslimanëve të Bosnjës dhe Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar nuk do të përsëritën më, por ja që ato serish po ndodhin madje me një egërsi dhe shtazëri edhe më të madhe. Në Bosnjë dhe Kosovë nuk kemi parë numër kaq të madh të fëmijëve të vegjël të prerë në qafë bile edhe atë duke i fotografuar e incizuar sesi theren me thikë. E sa për të rritur, gra e burra mos pyet fare. Krejt kjo po ndodh para syve të botës së “civilizuar”, para këshillit “për të drejtat e njeriut”, para organizatave për “mbrojtjen dhe lirinë e njeriut” etj.
Siria vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes edhe për një aktivitet diplomatik të shtuar për zgjidhjen e
këtij problemi. Ishte takimi i dijetarëve myslimanë në Egjipt nga mbarë bota, në mesin e të cilëve isha edhe unë, takim ky i organizuar nën patronatin e Presidentit Muhammed Mursi, ku për dy ditë me radhë u diskutua çështja e popullatës civile në Siri si dhe format e reagimit për të shpëtuar ata nga kthetra e regjimit. U mor vendim i përbashkët për luftë kundër regjimit. I tërë populli sirian duhet të ngritët në luftë kundër regjimit ndërsa besimtarët jashtë Sirisë janë të obliguar të veprojnë me tërë atë që kanë mundësi që t’iu dalin në ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre në Siri.
Me Sirinë tanimë po merret edhe G8. Edhe bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se regjimi ka shkelur çdo kufij të njerëzores. Ata, siç është vërtetuar tashmë, kanë përdorur edhe armë kimike, ndërsa problemi vazhdon të përshkallëzohet për shkak të përfshirjes në konflikt edhe të palës shi’ite, qoftë nga Libani, apo edhe nga Irani. Hizbollahu ka kohë që po i del në ndihmë Esedit, ndërsa një gardë revolucionare
e përbërë nga 4000 ushtarë thuhet të jetë bërë gati për t’iu bashkëngjitur regjimit kundër popullit të vet. Të gjitha këto në njërën anë, ndërsa në anën tjetër zvarritja dhe neglizhenca e faktorit ndërkombëtar ndikuan që kriza të thellohet dhe ky revolucion nga iniciativa për ta rrëzuar pushtetin mizor dhe për ta shijuar lirinë si krejt popujt tjerë të botës, u shndërrua në një luftë fetare rajonale mes popullatës duarthatë synite dhe aleancës shi’ite.
Përfshirja e shi’itëve në këtë konflikt është problem që nuk duhet nënvlerësuar. Për këtë shkak edhe boshti i bisedës së konferencës së dijetarëve mysliman të mbajtur në Kairo ishte rreth përfshirjes së shi’itëve në këtë konflikt, masakrave të tyre dhe luftës dhe përpjekjes së tyre për t’i përhapur idetë e tyre ekstremiste dhe
radikale.
Shi’itët sipas të gjitha gjasave janë mu ata që qëndrojnë po ashtu edhe prapa protestave në Turqi, në mënyrë që vëmendja të shpërqendrohet nga Siria, e kështu ta kenë më të lehtë realizimin e misionit të tyre shfarosës. Aktivitetet e tyre të gjithanshme anembanë botës, e veçanërisht nëpër vendet islame, kanë për synim që ta ngritin elementin shi’it dhe ta shfaqin në skenën ndërkombëtare duke e bërë faktor vendimarrës në çështjet kyçe. Kjo u pa në ngjarjet që ndodhën mes Hezbollahut në Liban dhe Izraelit, pastaj involvimi i tyre në Pranverën Arabe, ngjarjet në Bahrejn, e tashmë edhe në Siri, e së fundmi edhe në Turqi.
Është koha e fundit që Bashkësia Ndërkombëtare të reagojë, ndryshe katastrofa njerëzore veç po ndodh në Siri.
Deri në javën e ardhme me një temë tjetër, selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Kur bëhen përpjekje për ta manipuluar të vërtetën
Pa dyshim se periudha në të cilën jetojmë është periudhë e sprovave, testimeve, turbulencave e jo-stabilitetit. Për shkak të ndikimit të fuqishëm, më shumë negativ sesa pozitiv, të medieve dhe qarqeve të ndryshme masat shpeshherë vihen në siklet dhe nuk dinë se kujt t’i besojnë apo kah të orientohen.
Shpesh ndodhë që diçka që më së paku ka rëndësi të rritet, stërmadhohet e alarmohet, deri në atë masë, saqë mund të shkaktojë frustrim të përgjithshëm masiv, madje edhe në nivel shtetëror apo kombëtar. Kështu po ndodhë edhe kohëve të fundit kur një “lajthitje e gjuhës” arrin të portretizohet si rrezik potencial, madje sipas disave edhe të sigurisë së përgjithshme kombëtare.
Kështu, mediet dhe qarqet prapa tyre arritën që një ligjëratë fetare javore të mbajtur muaj më parë ta ri-aktualizojnë në momente të caktuara, varësisht nga interesat në prapaskenë, e të shkaktojnë rrëmuja të panevojshme dhe huti e tollovi në masë.
‘Skandali i Hoxhës’ siç u portretizua nga mediet tona, madje për fat të keq edhe ato publike, arriti të tërheq zvarrë pas vetes edhe personalitete të larta të politikës, përfshirë ministre e grup deputetesh, që pa të drejtë, pa arsye dhe pa nevojë e bënë këtë lajm temë bosht të javës, që për pasojë nxori shumë debate e diskutime pro et contra. Për shkak se turbulencat nuk kanë të ndalur, dhe se lajm kryesor i ditës po bëhet diçka që ka shumë pak apo fare rëndësi, në krahasim me problemet reale që ballafaqohet vendi ynë, vendosa t’i rrekem punës e ta plasojë këtë shkrim.
Do të doja që, para se të filloj trajtimin tim, të bëj disa pyetje, që mendojë se do të vënë baza për zhvillimin e debatit në vijim:
Përse po trajtohet një “problem” i vjetër?
Përse nuk diskutohen problemet aktuale?
Përse pikërisht në këtë kohë të zhvillimeve kaq të ndjeshme për vendin diskutohet për një çështje me të cilën do të mund të merreshim edhe më vonë, pasi që veç vonë është duke u trajtuar. Apo edhe po të mos merreshim fare nuk do të bëhej kiameti!
Vërtetë mbeta i shtangur kur pashë gjithë atë energji të medieve për këtë çështje ndërsa kanë harruar të merren me gjërat që po e dërgojnë shtetin në vdekje klinike. Kosovës, me zhvillimet e fundit, nuk i është ngulfatur vetëm e tanishmja mirëpo po i luftohet edhe e kaluara.
Arrestimi i komandantëve ushtarakë dhe gjykimi e dënimi i tyre, siç ishte rasti me ‘Grupin e Llapit’ është një
gjë, që do të duhej ta shqetësonte politikën kosovare, në radhë të parë, e më pas edhe mediet si përgjegjës për bartjen e së vërtetës tek populli. Të arrestohen figurat më të rëndësishme të luftës e çlirimit dhe tash të politikës e diplomacisë e të mos ketë reagime është e neveritshme dhe për keqardhje.
Mediet, në vend të fjalorit të Hoxhës, do të duhej të merreshin me këtë ofendim. Ose, do të duhej t’ia zbulojnë të vërtetën opinionit për marrëveshjet dhe ndryshimin e 50 ligjeve, për Trepçën dhe fatin e saj, për KEK-un, për PTK-në, për atë se si BE ka ripërsëritur tash e sa herë se shkaku për zvarritjen e proceseve nuk është pse ne jemi “talibaneskë”, siç vetëkënaqet të na quajë dikush, por për shkak të korrupsionit. Në vend të diskutimeve shterpe për gjuhën e dikujt, pse nuk merren me dukurinë e analfabetizmit të kosovarëve që janë hiç më pak se 137.000 veta ose mbi 7% e popullsisë së përgjithshme.
Përse nuk është kërkuar llogari për këto gjëra, të cilat, në vende normale, do të paraqisnin bazë së paku për dorëheqje morale? Ose, përse mediet nuk u morën fare edhe me reagimet kundër Hoxhës? Përse nuk u morën me fjalorin banal dhe shumë amoral të një prezantuesi në Videofest?
Përse nuk u morën me akuzat e Alma Lamës, e cila fyeu në baza fetare?
Përse nuk u morën me dokrrat e disa pseudo-politikanëve, të cilët, në këtë vorbull problemesh, gjetën hapësirën të deklarohen se e kanë pasur me vend kur kanë fyer muslimanët?
Përse nuk u morën me deklaratën e Ministres Çitaku, e cila thotë se Kosova na qenka një vend Talibanësh.
Përse asnjë medie nuk u mor me gratë deputete, atëherë kur ato ishin kundër ligjit që garanton të drejtën esenciale të shkollimit të barabartë për të gjithë, dhe u hodhën kundër lejimit të shamisë në shkolla?
Për hire të së vërtetës, unë jam kundër atyre që në emër të forumeve të caktuara, të panjohura për mua dhe shumë të tjerë, kanë reaguar dhe kërcënuar.
Ata nuk na përfaqësojnë neve. Ata, që fshihen pas identiteteve të rreme, e që në fakt mund të jenë edhe vet urrejtje-nxitësit e provokuesit, së paku nuk do të duhej të vënë politikën dhe mediet në këtë lojë.
Po kështu, për hir të opinionit, me duhet të them se atë që ka shpjeguar Hoxha është në përputhje me fenë. Kontaktet intime jashtë kurorës martesore, pavarësisht se a bëhet fjalë për beqarë apo të martuar, konsiderohen ‘zina’ – amoralitet, që në fenë tonë, por edhe në ato të të tjerëve, janë të papranueshme dhe llogariten ndër mëkatet më të mëdha. Ashtu siç e ka shqetësuar Hoxhën, më shqetëson edhe mua dhe duhet ta shqetësojë çdo musliman. Unë e di se ka dhe të atillë që virgjërinë nuk e konsiderojnë të rëndësishme, por, ua përkujtoj se nëse ata kanë të drejtë ta kenë këtë mendim, atëherë përse nuk na
e njohin të drejtën të mendojmë ndryshe?
Nuk di a e kam me vend, dhe lutem që të mos e kam me vend, por unë çdo ditë e më tepër fundamentalizmin laik/sekular, të kompozuar nga politika e të orkestruar nga mediet, e shoh si kërcënimin e vetëm të Kosovës. A thua vallë a nuk po manipulohet e vërteta dhe së bashku me të edhe populli ynë i stër-zhytur në varfëri e probleme reale?
Mund të mos pajtoni, por nuk besoj se mund të ma mohoni të drejtën e shprehjes së lirë. Deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum!
Dr. Shefqet Krasniqi: Të flaket fanatizmi që shpie në radikalizëm
Janë për t’u dhimbsur ata që revoltohen, në vend se të kënaqen kur popullit i ofrohet strehim shpirtëror…ata që me gjithë qenien e tyre përkushtohen të luftojnë “armikun e rrezikshëm” të cilit ia ndryshojnë etiketimet çdo ditë për ta paraqitur me imazh sa më të keq dhe kështu janë përherë në opozitë me atë që nuk e njohin, gjë që ngjason me shpifjen ndaj grave të ndershme thjesht nga paragjykimi.
Sido që të jetë, nuk mund ta imponojmë askënd ta ndryshojë këndvështrimin, siç thotë Allahu: “Ju jeni vetëm këshillues e qortues, e nuk jeni mbizotërues ndaj tyre”. Parim ky me të cilin Krijuesi na mëson se liria e bindjes, e mendimit dhe e shprehjes janë të garantuara për çdo njeri dhe se diversiteti e pluralizmi janë vlera pozitive derisa me to nuk e dëmtojmë tjetrin. Por neve themi se të mos pajtohesh me dikë e të mos dëshirosh të ndërtosh ura komunikimi e afrimi është diçka tjetër, ndërsa ta pengosh tjetrin në ushtrimin e së drejtës së tij është diçka krejt tjetër.
Si është e mundur të pretendohet zhveshja e njeriut nga identiteti fetar kur historia nuk mban mend popull pa besim?!… A mund të arsyetohen tendencat që të mos i jepet fare hapësirë edukimit të shpirtit ndërkohë që gjithçka sillet rreth tij?!…Deri kur do të stërmbushen gazetat tona me materiale islamofobike?!…a nuk mjafton diskriminimi në të drejtat elementare si arsimi e punësimi që bëhet për shkak të manifestimit të bindjes fetare në publik apo mos vallë duhet edhe të ushtrohet dhunë psikologjike pandërprerë?!
Këto dhe pyetje tjera ma përshkojnë mendjen në këtë kohë kur tashmë ka filluar të konsiderohet pengesë edhe ajo hapësirë e pakët modeste e edukimit fetar në media. Në TV-të tona ka vend edhe për emisionet më të kota, jo-edukative, madje edhe amorale por ato nuk na alarmojnë, ndërsa çfarëdo emisioni me përmbajtje fetare qenka jo legjitim ndonëse aty ngritët zëri për dituri, moral, nderë, produktivitet e devotshmëri.
Nuk di se për çfarë tolerance mund të krenohemi e për çfarë demokracie mund të flasim kur shkelim me dy këmbë çdo parim të drejtësisë dhe mirëkuptimit ndër-njerëzor! Nuk ndalet derdhja e mllefit të zemrave të sëmura, që asgjë tjetër pos dëmtimit të shëndetit të tyre nuk mund të fitojnë, por ne edhe kur pësojmë për shkakun e tyre prapë jemi të qetë se më mirë është të jesh viktimë se sa agresor.
Vërtetë do të doja të besojë se e tërë kjo luftë është nga frika e një “ekstremizmi”, rrezikut të cilit i frikësohemi dhe ndjejmë nevojë ta parandalojmë, sepse kjo brengë në esencë është e lavdëruar edhe nga këndvështrimi fetarë ngase njeriu i mirë nuk e do përçarjen e as shtrëngimin e gjërave ashtu siç thotë Allahu: “Lehtësoni e mos vështirësoni” dhe ”Bashkëpunoni në punë të mira e devotshmëri e mosni në mëkate e armiqësi”. Mirëpo metodat poshtëruese që përdoren përgjatë kësaj lufte flasin për njerëz që nuk janë sinqerisht të interesuar për të zgjidhur probleme sepse ‘radikalizmi’ nuk luftohet me radikalizëm edhe më të madh se ai dhe kjo krijon përshtypjen që sikur disa njerëz i kanë vënë vetes qëllim ta shtojnë mjegullën sa më shumë në shoqëri vetëm e vetëm që ata të përfitojnë e ta kënaqin egon e tyre qoftë kjo edhe mbi kurriz të popullit.
Në fund me urimin që të flaket tutje fanatizmi i cili fshehët prapa ujërave të papastra ndërkohë që Krijuesi pyet: “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!”, duke u lutur që ndihma e Tij të jetë pranë çdo shërbyesi për të mirë të shoqërisë, ju përshëndes me selamu alejkum – paqja e Allahut qoftë mbi ju.
Dr. Shefqet Krasniqi: Çka po ndodh në Turqi
“Thënë të drejtën, jo çdo ditë, por çdo orë e zhvillimit të protestës zbulonte gjithnjë e më shumë të vërtetën që qëndronte prapa saj. Protestuesi nuk kursyen as Xhamitë. Protesta eskaloi. Ajo u shndërrua në dhunë. Motoja e tyre për ta ruajtur ambientin e gjelbër u zhduk.”
Protestat që filluan vikendin e javës që lamë pas dolën të ishin më shumë se një revoltë qytetare kundër një projekti qeveritar për ndërtimin e një qendre të madhe tregtare në Stamboll. U tha se ishte një pakënaqësi e qytetarëve kundër qeverisë që kinse po ua zvogëluaka gjithnjë e më shumë hapësirën e gjelbëruar, por, jo vetëm nga vazhdimi i protestës por edhe nga forma e ushtrimit të saj dhe tendencës për përhapje të saj në të gjithë vendin u kuptua se sheshi taksim ishte vetëm pretekst.
Protesta evoluoi nga një pakënaqësi kundër një projekti qeveritar në pakënaqësi kundër tërë qeverisë. Thënë të drejtën, jo çdo ditë, por çdo orë e zhvillimit të protestës zbulonte gjithnjë e më shumë të vërtetën që qëndronte prapa saj. Protestuesi nuk kursyen as Xhamitë. Protesta eskaloi. Ajo u shndërrua në dhunë. Motoja e tyre për ta ruajtur ambientin e gjelbër u zhduk.
Por, nuk është kjo gjëja e vetme që u zbulua. E vërtetë, protestuesit me djegien e veturave, me demolimin e lokaleve, me përdhosjen e xhamive, me shkatërrimin e pronave publike, me shishet e birrave në duar dëshmuan se janë shkatarraqët e vërtetë. Por, krahas kësaj, u vërtetua se ata nuk janë tjetër vetëm se mjet. Populli i gjorë nuk e kanë idenë se çfarë po ndodhë. Për të vërtetuar atë që Kryeministri Erdogan thotë se prapa kësaj qëndrojnë të tjerë, do të doja që këtë çështje ta shtjelloj me lexuesit si një
diskutim virtual. Do të doja të pyesja:
1) Përse mllefi ndaj një projekti qeveritar u shndërrua në protestë kundër tërë qeverisë?
2) Çfarë simbolizojnë shishet e birrave në duart e protestuesve?
3) A është motiv i protestave gjendja e rëndë ekonomike?
4) Përse nuk respektohen parimet demokratike:
zgjedhjet si mjet i ndërrimit të pushtetit?
Unë kam përgjigjet, të cilat me kënaqësi do tua thosha, por në vend të kësaj dua që t’ua përkujtoj disa gjëra, të cilat do të doja t’i kini në konsideratë shumë para se të nxitoni me përgjigjet tuaja. Turqia është një ndër vendet e vetme, që për një dekadë ka arritur ta përmbys mjerimin ekonomik dhe shoqëror, duke bërë jo vetëm që vendi të lulëzojë ekonomikisht, por edhe të merret si model se si, në kohën kur ekonomi të mëdha
botërore zhyten në recensione, ajo shënon rritje të sigurt dhe sistematike. Sipas parashikimeve të bëra për vitin 2013, rritja ekonomike do të jetë hiç më pak se 4% ndërsa për vitet 2014-2015 është parashikuar të bëhet në 4.5% respektivisht 5%.
Turqia, nën administrimin e AKP-së, ka arritur që, përkundër dyerve hermetike të Evropës, të hap dyer në tërë botën. Turqia është e pranishme kudo në botë. Ajo ka shënuar edhe përparime në fushën e të drejtave. Mbulesa e diskutuar për dekada, ka arritur më në fund të njihet si e drejtë. Është luftuar maksimalisht kundër dukurive devijante. Turqia ka arritur që të zgjidhë edhe një problem që për dekada ka ngulfatur vendin. Konfliktit me kurdët i është dhënë fund dhe shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes.
Turqia nuk është ndalur vetëm me zhvillimin e brendshëm. Ajo ka luajtur një rol të madh dhe vazhdon ta luajë edhe sot në botën islame në përgjithësi. Përkrahje e saj për revolucionet çlirimtare kanë dhënë sinjalin se mbi të gjitha objektivë e kësaj qeverie në pushtet është humanizmi. Turqia, në vend të homoseksualëve, vëmendje i ka kushtuar familjes; në vend të shthurjes, vëmendje i ka kushtuar nderit; në vend të dhunës,
vëmendje i ka kushtuar shërbimit. Si mund ta quajnë diktator njeriun që me modestinë e tij arriti ta mahnitë botën?!
Natyrisht, përparimet e bëra dhe progresi i shënuar nuk kanë qenë lajm i mirë për partitë sekulare, për shkak se, në një farë forme, ato kanë reflektuar edhe dobësinë dhe dështimin e tyre politik, ekonomik dhe shoqëror. Sekularistët, jo vetëm që rrënuan superfuqinë botërore, porse nuk u ndalën ta luftojnë identitetin më të theksuar të Turqisë, derisa përfundimisht e dobësuan atë duke e bërë një ndër shtetet më të varfra, më të korruptuara dhe më agresive e diktatoriale në botë. Ardhja e islamistëve në pushtet ia ndërroi kahjen Turqisë, fitoi simpatinë e qytetarëve të saj e më pas edhe të tërë botës së civilizuar. Sot Turqia merret shembull për përparimin dhe menaxhimin e suksesshëm. Në kohën kur ekonomitë më të mëdha botërore po zhyteshin thellë në recension, Turqia po shënonte rritje sistematike të ekonomisë. Këtë gjë e kanë dëshmuar edhe perëndimorët. Portali gazetaexpress.com publikoi një shkrim nga The Economist ku, ndër tjera, për partinë në pushtetin dhe politikën e saj u thanë këto fjalë: “Një dekadë e pushtetit të PZHD ka sjellë prosperitet të paprecedent. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, eksportet janë rritur me pothuajse dhjetëfish dhe bankat turke gëzojnë shëndet të plotë. Nisma guximtare e Erdoganit për t’u dhënë fund dekadave të konfliktit me kurdët po ecën përpara. Partitë e opozitës (përjashto kurdët) mbeten të dobëta dhe të përçara.” Revoltimi i laikëve në Turqi nuk ndryshon shumë nga ajo që po vazhdojmë ta shohim në botën arabe, me theks të veçantë në Egjipt dhe Tunizi, ku, për shkak të etjes së madhe për pushtet, ata destabilizojnë shtetin dhe dëmtojnë rëndë interesin shoqëror.
Për fund, nuk do të doja të keqkuptohem sikur jam kundër protestave, që në sistemin demokratik janë formë e shprehjes së pakënaqësisë, jo, unë jam vetëm kundër atyre që dhunojnë të drejtat, porse në rastin e protestuesve turq e vërteta nuk qëndronte në anën e tyre. Ndërrimi i pushtetit në një vend demokratik bëhet me votë, por, siç duket, ata kanë frikë votën, ngase, sipas disa anketave, sikur të organizoheshin zgjedhjet tani, AKP-ja do të merrte hiç më pak se 50.3% të votave të përgjithshme.
Zoti i ruajt të gjithë ata që mundohen për të mirën e shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.
Mirë u takofshim javën e ardhshme! Deri atëherë, Selam alejkum!