Është vërtetë qesharake por edhe ironike tek sheh disa media tona tek reklamojnë një grup të rinjsh tanë, të ashtuquajtur të rinjtë (lexo: të manipuluar) e PDK-ës tek dogjën disa pankarta kinse simbolikë e flamurit të (keq)përdorur nga ISIS. Vërtetë kur pashë aty dëshminë e islamit-shehadetin, të cilit edhe vetë të rinjtë i besojnë, më përshkoi një shqetësim dhe thash me vete: a thua vallë a e kuptojnë këta bijë dhe bija se çfarë po bëjnë, apo thjesht i ka manipuluar dikush, pa bërë asnjëfarë analize a logjikimi?! A thua vallë kjo është hallka tjetër e zinxhirit të provokimeve që disa shkurt-pamës e urrejtje-nxitës kanë ndërmarrë kohëve të fundit kundër muslimanëve në vendin tonë? Ashtu i shqetësuar shikoja sesi digjej emri i Allahut dhe emri i Pejgamberit Muhamed alejhi selam pa fije mëshire dhe pa asnjë konsideratë, ani pse vetë djelmoshat besojnë në shenjtërinë e këtyre dy emrave. I thash vetes se nuk besoj dhe nuk dua të besoj se këta të rinj e kanë kuptuar se çka shkruan aty se për ndryshe nuk do ta digjnin një fjali të atillë? Jam i vetëdijshëm se politikisht ai ‘flamur’ tingëllon keq, pasi që disa të papërgjegjshëm, injorant e jokompetent po keqpërdorin simbolet e islamit në themelimin e një shteti të fantazuar Islam, e kur shikojmë veprimet e tyre na dalin se ata po ndërtojnë një ‘shtet’ gjakderdhës për vet banorët e vetë, shtet me të cilin po qeshë tërë bota. Mirëpo, nga ana tjetër, shehadeti është simbol ekskluziv i Islamit e jo i ISIS-it. Ai flamur nuk është zyrtar, atë shtet të vetëshpallur nuk e njeh askush dhe e kanë dënuar të gjithë dijetarët musliman pa-dallim, përfshirë edhe neve. Mirëpo, a nuk tingëllon po ashtu e keqe edhe lëndimi i ndjenjave fetare, nxitja e urrejtjes dhe provokimi. Djegia dhe shkatërrimi a janë mjete ISIS-iane apo demokratike. Deri kur disa nga ne do të behën aq të palogjikë sa të mundohen të shprehin kundërshtinë e tyre ndaj grupeve të ndryshme terroriste me po të njëjtat mjete dhe metoda të vet atyre. Pjesëtarët e ISIS kohë më parë, në mënyrë primitive, digjnin pasaportat dhe dokumentet e Kosovës dhe tash dalin të rinjtë e PDK-së me të njëjtin mentalitet djegin atë që e quajnë ‘flamur’ të ISIS, çfarë ironie!. Ky artikull nuk synon të përkrahë të vetëquajturin ‘Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit-ISIS’, siç do të mundohen ta keqpërdorin këtë artikull disa portale torollake, por artikulli synon të vë në spikamë se askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë simbolet bazë të islamit, sikur që është shehadeti-dëshmia e të qenit musliman, sepse ky është parimi i parë i besimit islam. Nuk ka dyshim se ISIS nuk i solli asgjë të mirë Botës Muslimane, në veçanti Lindjes se Mesme, përveç trazirave, djegieve, dhunës, gjakderdhjes dhe të qenit në shërbim të të huajve. Mirëpo, përderisa askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë e t’i keqpërdorë simbolet islame sikur shehadeti në këtë rast, gjithashtu askush nuk ka të drejtë të djegë shehadetin-dëshminë pasi që kjo fjali LA ILAHE IL-ALLAH MUHAMED RESULULLAH (nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij), në fakt, është fjalia më e ëmbël dhe më e shtrenjtë. Fjali kjo për të cilën është krijuar toka dhe qiejt, pa të cilën nuk do kishte jetë në këtë gjithësi. Fjali kjo pa të cilën nuk mund të konsiderohej musliman askush, pa të cilën nuk hapen dyert e Xhenetit. Fjali kjo e cila flenë në zemër të çdo muslimani, pavarësisht keqpërdorimeve të saj. Në fjalorin tonë fetarë nuk ka fjali më të shtrenjtë dhe më të shenjët sesa La ilahe il-Allah, ndaj edhe nuk ka diçka që i provokon muslimanët më shumë sesa tallja, nënçmimi, nëpërkëmbja dhe përbuzja e kësaj fjalie. Me pohimin dhe besimin e kësaj fjalie njeriu hyn në fe dhe me mosbesimin dhe mohimin e saj njeriu del prej feje/Islamit. Nuk arrijmë ta kuptojmë dot ‘iritimin’ kaq të madh të rinis së PDK-ës në lidhje me veprimet e ISIS, kur dihet se veprimet e tyre i kanë dënuar të gjithë shqiptarët e të gjithë muslimanët. Madje të gjitha autoritetet fetare në Kosovë, Ballkan e më gjerë, kanë dhënë qëndrimin e tyre në lidhje me veprimet e atij grupi njerëzish, duke mbajtur qëndrim kundër ISIS dhe duke u distancuar nga çdo veprim i tyre që e bëjnë padrejtësisht në emër të Islamit. Për fund, nëse dikush dëshiron të kundërshtoj veprimet e dhunshme të dikujt të mos përdorë mjete dhune dhe urrejtje-nxitëse, djegia e fjalës La ilahe il-Allah nuk nënkupton kundërshtim i ISIS-t sepse shehadeti është simbol i Islamit e jo i ISIS-t. Ai padrejtësisht por keqpërdoret nga ISIS. Rinia e PDK-ës ka qindra e mijëra metoda tjera për ta kundërshtuar ISIS, sikur se shpërndarja e ndonjë ligjërate, fletushke apo libri në të cilin paraqitet realiteti i atij grupi, qëndrimet e dijetarëve musliman dhe jo-musliman karshi atij grupi, pastaj qëndrimi i Islamit ndaj shenjtërisë së gjakut të njeriut, tolerancës së Islamit e të ngjashme. Andaj të rinjtë tanë të mos bien viktimë e disa udhëheqësve të padenjë politik, të cilësdo parti qofshin, e të mundohen të behën “më katolik se papa”, kinse ata po i prijnë punëve të hairit në shërbim të atdheut. Jo të nderuar, nuk shërbehet atdheu e shoqëria duke provokuar shumicën e banorëve të vendit, dhe vetveten në këtë rast, pasi që edhe ata djem e vajza vet janë muslimanë. Ekzistojnë forma tjera më të mira, më të mençura, më demokratike dhe më të ndershme për t’i shërbyer atdheut. Djegia është rrënim, mjet i dhunës e jo shërbim e as simbol i paqes. Lus Zotin fuqiplotë që ky gjest i indoktrinuar politik të mos përsëritët më dhe ata djem e vajza të pendohen për mëkatin që kanë bërë, madje nëse e kanë ditur se çka shkruan në atë flamur dhe e kanë bërë me paramendim kjo i vë në pikëpyetje dhe besim dhe fenë e tyre, e nuk ia vlen barra qiran. Edhe pse disa portale torollaqe vazhdojnë të deformojnë çdo reagim që erdhi kundër kësaj djegie të panevojshme, megjithatë, falë Zotit, reagimet ishin të shpejta nga shumë njerëz të mençur e të ndershëm, duke filluar nga kryesia e BIK-ut e deri tek intelektualë dhe politikan të ndyshëm. Madje, e konsideroj akt të mirë takimin e disa djelmoshave të atij grupi nga të rinjtë e PDK-së me Muftiun e Kosovës, Mr. Naim Ternava, ku në një farë mënyre pranuan se ganë gabuar. E kush nuk është gabimtar në këtë botë!, por gabimtari më i mirë është ai që pendohet apo largohet nga gabimi. Ata djem u tërhoqën dhe bënë mirë, por lus dhe u kërkojë të gjithëve mos ti perserisim veprimet e këtilla, sepse ato më së paku i shërbejnë vendit dhe shoqërisë sonë. Zoti na drejtoftë e na udhëzoftë të gjithëve, i madhi Zot e ruajt këtë popull e këtë vend nga çdo mendim dhe veprim i lig që bëjnë njerëzit. Amin, ve selam alejkum – paqja, mëshira dhe rehatia gjithmonë qoftë mbi vendin tonë.
Dr. Shefqet Krasniqi : Fenomeni dhunë dhe pasojat e saj në familje e në shoqëri
Interesimi për të studiuar dhunën dhe shkaqet e saj ka qenë i kahershëm. Megjithatë, duke parë pasojat e dhunës tek individët, familjet dhe shoqëritë ky interesim po rritet për ditë e më shumë. Kjo për faktin se, me kalimin e kohës, dhuna, terrori, vrasja, përleshjet dhe mospajtimet e shumta në nivel ndërkombëtar vetëm sa po shtohen. Qoftë nga grupe e individë të ndryshëm apo edhe shtete e qeveri diktatoriale të cilat nuk lënë metodë e as mjet pa përdorë vetëm e vetëm t’i mbajnë diktatorët në pushtet. Këto forma të dhunës dhe keqpërdorimit po çojnë çdo ditë drejtë krizave të mëdha sociale, ekonomike, morale e fetare pothuajse në çdo cep të botës. Këto dhe shkaqe të tjera po ndikojnë në një apo formë tjetër që dhuna të përhapet në të gjitha rrafshet, e më e rrezikshmja është se dhuna po kaplon edhe familjen.
Sipas sociologëve dhuna zakonisht shfaqet si rezultat i pamundësisë së individit për të shprehur, realizuar apo praktikuar atë që dëshiron apo që mendon se është e drejtë e tij. Kur njeriu nuk mund ta realizoj këtë në mënyrë të ligjshme atëherë ai ndjek rrugën e dhunës. Ky si rregull i përgjithshëm, gjithherë, me përjashtime ngase njeriu si krijesë sociale di të jetë i dhunshëm edhe pa ndonjë shkak apo arsye të mirëfilltë, por thjeshtë vetëm pse dhunën e ka në gjak pasi që njeriu mund të posedojë edhe veti shtazarake. Përveç që mund të ketë veti shtazarake njeriu, po ashtu, mund të ketë edhe veti të djallit të mallkuar si urrejtja, xhelozia, smira, inati, bartja e fjalëve, shpifja etj. Nga ana tjetër, njeriu gjithashtu mund të posedojë edhe veti të melaqeve si butësia, urtësia, mençuria, kujdesi, respekti, afërsia, lutja etj.
Sido që të jetë dhuna në familje e cila zakonisht manifestohet kundër femrës si gjini e butë, qoftë ajo nënë apo grua, është një dukuri e cila është mjaftë e përhapur gjithandej botës. Ajo manifestohet në forma të ndryshme si psikike, emocionale, fizike e deri të abuzimi seksual. Kjo dukuri gjithsesi nuk mungon edhe në vendin tonë. Ajo po përhapet çdo ditë e më shumë, në veçanti, kur kihet parasysh rritja e problemeve sociale, shtimi i varfërisë, papunësia e madhe, jeta e vështirë ekonomike. Kërkesat e shumta të anëtarëve të familjes, pamundësia e të zotit të shtëpisë për t’iu përgjigjur gjithë atyre kërkesave, që shpesh mund të jenë edhe pavend, si dhe paaftësia e tij për t’i përmbushur gjithë ato nevoja shpesh herë shkakton zënka brenda familjes.
Të gjitha këto probleme, në njërën anë, pastaj mos durimi apo sabri, ngutia, imitimi i të tjerëve, në anën tjetër, ndikojnë që prindi pa një pa dy, të ushtrojë dhunë kundër fëmijëve, burri kundër gruas, vëllai kundër motrës, e kështu me radhë. Rasti fundit i ushtrimit të dhunës në familje, ku një burrë pasi që rrahu gruan e tij bëri që ajo të abortojë foshnjën tetëmuajshe, tronditi mbarë vendin tonë. Mendoj se shoqëria jonë, në veçanti institucionet përkatëse, duhet të marrin masa parandaluese të kësaj dukurie e cila jo vetëm që shkatërron familjen, e lënë pasoja të rënda në shoqëri, por edhe i jep imazh të keq tërë vendit tonë. Kam bindjen e thellë se, përpos faktorëve të lartpërmendur, në përhapjen e kësaj dukurie ndikon negativisht edhe mos-edukimi i mirëfilltë fetar, respektivisht mos trajtimi i gruas me respekt si bashkudhëtare e jetës sipas mësimeve të Islamit.
Po që se i lexojmë me vëmendje porositë e Islamit shohim se Islami e ngriti dhe privilegjoi gruan më shumë se çdo shoqëri tjetër në dynja. Pejgamberi alejhi selam foli dhe porositi shumë në lidhje me vlerën dhe peshën që ka gruaja, për obligimin e burrit ndaj saj dhe sjelljen e trajtimin e saj si krijesë shumë të çmuar e të respektuar. Ka thënë ai Zotëri, paqja qoftë mbi të, “Ju këshilloj të silleni mirë ndaj grave tuaja, sepse ato janë nën mbikëqyrjen tuaj”. Janë amanet në dorën tuaj, janë në shërbim tuajin, andaj silluni mirë me to. Çka jep të kuptojmë se vërtetë gratë janë amanet i burrave të tyre dhe se ata kanë përgjegjësi të madhe ndaj tyre dhe do të pyetën për to ditën e kiametit. Muhamedi alejhi selam gjithashtu ka thënë: “Imanin (besimin) më të fortë e ka ai besimtar që e ka moralin më të mirë. E më i miri prej jush është ai që sillet më së miri ndaj gruas së tij”. Me sjelljen e mirë ndaj saj, me trajtimin e saj si krijesë e Zotit, bashkudhëtare e jetës, përkrahëse e krah i djathtë në çështjet e dynjasë dhe ahiretit fiton dashurinë dhe respektin e saj edhe më shumë. Kjo pa dyshim ndikon drejtpërdrejtë në lumturinë familjare sepse pa qenë i qetë me gruan nuk mundesh me qenë i lumtur. Përpos lumturisë në këtë botë nëpërmjet mirësjelljes ndaj saj njeriu fiton edhe sevap të madh te Zoti fuqiplotë.
Shumë burra gabojnë kur mendojnë se sjellja e mirë me gruan, butësia, të ndihmuarit e saj në punët e shtëpisë do të thotë ulje burrërisë, pra nuk është burrë ai që bie në këtë pozitë. Ky paragjykim është tejet gabim i madh sepse burrëria e njeriut nuk shfaqet dhe nuk do të duhej të manifestohet me sjellje të vrazhdë ndaj gruas, por burrëria duhet të manifestohet me sjelle dhe karakter të mirë brenda shtëpisë dhe jashtë saj.
Shumë burra jo vetëm që nuk bëjnë sabër ndaj grave por mezi nuk presin t’i rrahin, lëndojnë, fyejnë apo poshtërojnë e nënçmojnë. Një gjë e tillë është e ndaluar rreptësisht ngase Pejgamberi ka thënë “Mos e rrih…. as mos e fyej gruan”. Mendoj se përveç tjerash edhe lënda edukative fetare nëpër shkolla do të ndihmonte në edukimin e drejtë të brezave. Zoti na udhëzoftë e na ruajt këtë shoqëri nga çdo e ligë. Amin. Deri në javën tjetër, eselamu alejkum!
Dr. Shefqet Krasniqi: Kemi ftuar dhe vazhdojmë të ftojmë në tolerancë, mirëkuptim e respekt…
Një ndër parimet bazë të fesë së natyrshme Islame është që njerëzit të jenë sa më afër njeri tjetrit, sa më të bashkuar, në veçanti ata të një vendi, të një mjedisi, apo të një bashkësie a shteti ku jetojnë. Rëndësia e këtij uniteti bëhet edhe më e madhe kur numri i asaj shoqërie është i vogël, siç është rasti me ne në Kosovë, e pse jo edhe me shqiptarët si tërësi. Natyrisht se nuk është e mundur që të gjithë njerëzit të jenë të njëjtë, të mendojnë njëjtë, e të mos kenë mospajtime e divergjenca, në mendime, mes vete. Për këtë nuk mund të fajësohen sepse kështu i ka krijuar i madhi Zot, siç ka thënë i lartmadhërishmi: “Sikur të kishte dashur Zoti, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të ndarë/dalluar…. për këtë qëllim ai i krijoi njerëzit” (Hud, 118-119). Ata do vazhdojnë të kenë mospajtime mes vete, qasje të ndryshme, dallime në të menduar apo divergjenca. Një gjë e këtillë e bënë jetën njerëzore më interesante, më aktive, më produktive. Përndryshe imagjino sikur të gjithë njerëzit të ishin të të njëjtit nivel të dijës, të mendonin njëjtë, të vepronin njëjtë, pa dallime, pa kundërshtime, pa debate, pa divergjenca etj, si do të dukej kjo botë? Mendoj se shumë më e pakuptimtë, shumë e ftohët, parazite, pasive. Njeriu i mençur nga divergjencat dhe mospajtimet me të tjerët mëson dhe përfiton shumë, njerëzit e plotësojnë njeri-tjetrin, por edhe ngritën dhe përmirësohen nga tjetri në rast gabimi.
Kështu Zoti e mësoi të dashurin e tij Muhamedin alejhi selam dhe këtë parim ai i bekuar ua përcolli shokëve të tij, të cilët e praktikuan me besnikëri këtë amanet. E di që shumë kush nuk do të pajtohet me mua, por u bëjë me dije se vërtetë pak shoqëri kanë ekzistuar që kanë pranuar divergjencat, mendimet e kundërta dhe kanë respektuar më shumë mendimin e tjetrit sesa shoqëria e hershme Islame. Pejgamberi alejhi selam ishte njeri i mbrojtur nga gabimet, por megjithatë konsultonte shokët e tij dhe herë-herë merrte mendimin e tyre, çka do të thotë se i jepte përparësi mendimit të tjetrit, mendimit të kundërt. Me këtë Muhamedi alejhi selam u bë mostër dhe donte që edhe ndjekësit e tij ta pasojnë atë, në veçanti paria apo udhëheqësit shtetëror, mos të ngulin këmbë në vendimin e tyre me çdo kusht, por ta shikojnë edhe mendimin e kundërt. Nga ky kontekst gjejmë kalifët pas Muhamedit alejhi selam, si Omeri, për shumë çështje në veçanti për ato që nuk ishin shumë të sigurt apo për çështje madhore mblidheshin me shumë shokë dhe hapnin debate ashtu që vendimi final merrej vetëm se pas shumë konsultave dhe përpunimit të kujdesshëm të ideve të ndryshme të udhëheqjes.
Padyshim, kjo është një ndër shkaqet kryesore pse udhëheqësit muslimanë, apo prijësit e tyre, ishin ndër njerëzit më të ruajtur dhe pushteti i tyre ishte më frytdhënësi dhe produktivi në botë. Nuk njeh historia pushtete të mëdha që kanë sunduar botën me shekuj e që kanë pasur më pak gabime dhe lëshime sesa shteti i hershëm Islam. Këtë parim, të konsultimit dhe debatit, e ruajnë me përkushtim edhe shumë shtete sot të cilat vërtetë ia donë të mirën shoqërisë së tyre. Ato për çështje të interesit madhor, kombëtar apo shtetëror, hapin debate, filtrojnë ide duke respektuar mendimin e secilit, nuk anashkalojnë ndonjë shtresë shoqërore, por përfitojnë nga çdo ide e diskutim derisa të gjendet zgjidhja më e mirë për problemin e caktuar. Këto shtete pikërisht kanë përparuar ngase ato nuk paragjykojnë të tjerët vetëm për faktin i përkasin ndonjë feje/besimi të caktuar, ideologjie, partie, shtrese etj.
Eh, sa mirë do ishte që edhe në Kosovën të vetëdijesohemi e ta promovojmë një kulturë të këtillë, e cila fatkeqësisht tek ne ende nuk ekziston. Besoj se njëri prej faktorëve kryesor për mosekzistimin e kësaj kulture janë pasojat e pushtetit komunist i cili kurrë nuk ka pranuar divergjenca, por ka ndjekur njëanshëm vetëm teket e veta gjithmonë duke i heshtur kundërshtarët. Sipas këtij sistemi kundërshtarët nuk bënë as të flasin e lëre më të debatojnë apo të merret parasysh mendimi i tyre. Për fat të keq edhe sot po vazhdohet me të njëjtin avaz dhe dihet se ku do të përfundojmë. Ne gjithmonë kemi ftuar dhe vazhdojmë të ftojmë në tolerancë, mirëkuptim e respekt të mendimit të tjetrit, ashtu që ta ndërtojmë një shoqëri të moderuar. E më pas dikush medoemos e ka më mirë se tjetri por të paktën secili ka të drejtë të shpreh mendimin e tij/saj dhe në mënyrë reciproke secili të ndihet i respektuar e të vendos ashtu siç bindet apo ia merr mendja e vet. Besoj se kjo është pjesë e kulturës së ndërtuar mbi divergjencë, mendim ndryshe apo mendim kritik. Zoti na ndihmoftë të gjithëve dhe na çoftë në hair. Amin, deri në shkrimin e radhës eselamu alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Njeriut të vyer nuk i duhet shumë për të triumfuar
Bota ka pasur gjithherë njerëz të mëdhenj. Ata kanë bartura epitete të ndryshme, si perandorë, mbretër apo sulltanë. Por njerëzit më madhështorë ishin dhe do të jenë gjithmonë ata që kanë për qëllim tu bëjnë dobi njerëzve. Ata që veten e vendosën në shërbim të plotë të qytetarit, të përkushtuar të ofrojnë paqe, rehati dhe lumturi sa të vazhdojë jeta e kësaj bote, e padyshim se ata do të gjejnë paqe edhe në botën e përtejme. Historia mbanë mend që në këtë botë ka pasur njerëzit më të mirë të cilët përhapin vlera mes njerëzve, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga të këqijat. Natyrisht secili brenda mundësive dhe kapaciteteve të veta, aq sa i dëgjon dhe i respekton masa.
Nuk ka dyshim se në krye të këtyre njerëzve gjithsesi ishin Pejgamberët e Zotit. Ata përgjatë gjithë veprimtarisë së tyre u thoshin popullit të vet: “Unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm Atij i jam drejtuar!” (Hud, 88). Ata nuk donin tjetër pos ta përmirësojnë gjendjen e zymtë që e krijonin njerëzit e ligë e keqdashës, ata donin ta largonin të keqën të cilën e kishin instaluar njerëzit që bollëkun e donin vetëm për vete e jo edhe për të tjerët. Ndaj Pejgamberët e Zotit, si përmirësues dhe reformatorë në shoqëri, nuk kërkonin shpërblim e as kompensim për veprimtarinë e tyre, ata e zhvillonin atë aktivitet vetëm për hir të Zotit, siç përshkroi Zoti fuqiplotë njërin prej tyre duke thënë: “Unë prej jush nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim, shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve” (Shuara, 109). Mirëpo këta njerëz jo gjithherë u mirëpritën, jo gjithherë arritën të realizojnë synimin e tyre, sepse shpesh u penguan nga keqdashësit. Madje Pejgamberët jo rrallë herë edhe u persekutuan, u përndoqën madje disa prej tyre edhe u vranë. Çka do të thotë se rruga e ndryshimeve pozitive është më e rënd sesa ajo e ndryshimeve negative, me fjalë tjera e keqja përhapet shpejt kurse e mira ngadalë, siç shprehet populli. Por kjo assesi nuk ka ndikuar që ata burra të mëdhenj të zmbrapsen nga misioni i tyre.
Burra të këtillë, edhe pse jo për nga grada, ka edhe në këtë zaman dhe do ketë sa të jetë bota me njerëz. E ndër ata burra të mëdhenj të cilët tërë jetën e tyre ia kushtuan përmirësimit të gjendjes së shoqërisë në këtë zaman është edhe Recep Tayyip Erdogan, tashmë president i Republikës së Turqisë apo siç e quajnë ndryshe turqit Sulltani i shek. XXI. Person ky i cili ishte shkaktari kryesor, me ndihmën e Zotit, që Turqia të dal nga një errësirë shekullore e shkeljeve të të drejtave të njeriut, vëllavrasjeve, abuzimit me pasurin e shtetit e të shoqërisë, drejtë një Turqie moderne mostër për së miri në shumë aspekte. Ai nuk është Pejgamber, është njeri i thjesht, por i sinqertë, i drejtë dhe punëtor, modest e i thjesht, i afërm me të gjithë. Ai u mundua të jetë një lider shembull duke përfituar zemrat e njerëzve, duke u ofruar atyre çdo ndihmë të mundshme, duke ua plotësuar çdo kërkesë të mundshme. Ai arriti t’i përfitojë zemrat e miliona njerëzve jo vetëm në Turqi, por gjithandej nëpër botë, e ndër ta edhe të një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve. Me punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm, ai arriti të jetë një ndër njerëzit më me ndikim në botë, mu ashtu siç ishin disa sulltanë në kohën e Perandorisë Osmane. Ai vërtetë është një model i shkëlqyeshëm i një prijësi dhe lideri bashkëkohorë, andaj nga zemra ia urojmë atij burri të madh atë post të madh, duke lutur Zotin e plotfuqishëm që njerëz të këtillë të ketë më shumë gjithandej botës. Ashtu që dredhitë, dallaveret, mizoritë dhe maskarallëqet të jenë sa më pak apo të zhdukën fare. Shumë shpresojmë se atij burri do ja sheh hairin mbar njerëzimi e pse jo edhe ne. Dashtë Zoti që edhe neve të na nderoj Zoti me njerëz të këtillë, Zoti i ruajt dhe u ndihmoftë të gjithë atyre që punojnë dhe mundohen për të mirën e vendit dhe popullit, Amin! Deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.