Bota demokratike gjithmonë i është frikësuar kaosit dhe ka bërë të pamundurën për t’i shmangur çdo situate kaotike. Pothuajse gjithmonë kaosi është përfytyruar të ndodhë nga fanatikët, ekstremistet e fundamentalistët që shtypi botëror, ai perëndimor në veçanti, ka tentuar gjithmonë t’i identifikojë me muslimanët. Aktualisht e ashtu njohura si Lindje e Mesme po përjeton njëkaos të vërtetë. Krahas tragjedisë njerëzore afro trevjeçare në Siri, ku bota demokratike vuri ‘veshët në lesh’, Egjipti po përjeton kaosin më të madh të periudhës së vet bashkëkohore. Shteti tashmë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Mijëra civilë të vrarë e të plagosur, nga dora gjakatare e puçit ushtarak, e cila pamëshirshëm godet bijtë dhe bijat e Egjiptit, që kanë dalë tash e sa kohë gjithandej nëpër rrugë duke kërkuar kthimin e autoriteteve legjitime, të cilat i zgjodhën për herë të parë pas dekada shtypjeje nga regjimi diktatorial i Mubarakut. Pak ditë më parë, gjersa në pushtet ishte presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi, mbretëronte një klimë krejtësisht tjetër. Njerëzve iu kishte kthyer shpresa për ditë të mira në Egjipt. Kishin filluar nisma të shumta që Egjipti njëmend të bëhej i pavarur. Gazetari i mirënjohur arab, Ahmed El Mensur, në një artikull të publikuar kohë më parë, në mënyrë të thuktë përmend disa nga të arriturat e Mursit, ndonëse nuk qëndroi në pushtet më gjatë se një vit: 1) Mursi ia ktheu Egjiptit vetëmjaftueshmërinë me bukë për 70 %. 2) Mursi filloi projektin e investimit në kanalin e Suezit, i cili do t’i rriste të hyrat nga 3 miliardë në 100 miliardë dollarë në vit. 3) Mursi hapi dy zona industriale të nivelit të lartë, njërën nën mbikëqyrjen e Katarit e tjetrën nën mbikëqyrjen e Turqisë. 4) Mursi hapi degën e kompanisë Samsung për prodhim, jo për tregti, e cila do të siguronte mundësi punësimi për egjiptianët. 5) Mursi është përkujdesur për prodhimin e I-Pad-ve vendorë egjiptian, me karakteristika të veçanta sipas nevojave egjiptiane. Por, kjo dritare shprese për Egjiptin u mbyll shumë shpejtë. Dhuna dh kaosi kapluan tërë vendin. Po ta dëgjonim këtë lajm pa pasur pak njohuri për Egjiptin mendja do të na shkonte te ‘fanatikët islamik’, kështu jemi mësuar të dëgjojmë gjithherë nga mediet tona kur përmendet kaosi. Por ja që kësaj radhe gjendja është tërësisht ndryshe. Në fakt, ajo që popullit egjiptian ia përplasi dritaren e shpresës për fytyre është ushtria. Pra, udhëheqësit ushtarak, që sipas të dhënave dhjetë apo dymbëdhjetë më kryesorët prej tyre së bashku arrijnë moshën 950 vjet, u munduan dhe po mundohen ta shuajnë shpresën për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt të Egjiptit. E gjithë kjo në emër të demokracisë, dhe demokracia heshtë. Pa dyshim se grushtetin e përkrahen partitë politike laike nga brenda dhe e ndihmuan grupe të interesit të caktuar, përfshirë edhe qeveri, nga jashtë. Në këtë drejtim ndoshta kanë mundur të kontribuojnë edhe disa lëshime të Presidentit Mursi, i cili dorën në zemër nuk kishte shumë përvojë politike. Por ato ‘lëshime’ assesi nuk arsyetojnë ndërhyrjen me dhunë të ushtrisë për të përmbysur presidentin dhe qeverinë e zgjedhur nga vet populli. Sa e sa herë janë etiketuar e qortuar muslimanët se forma e ndryshimeve nuk është përdorimi i forcës e lerë më dhunës, por ja tash kur kjo ndodhë nga laikët apo sekularët bota heshtë. Kulmi i dhunës ‘demokratike’ u arrit kur ushtria dhe policia po hapin zjarr ndaj protestuesve civilë e të pambrojtur duke i larguar ata nga sheshet e ndryshme. Të rinjtë e të rejat vriten e plagosen në emër të rendit dhe sigurisë. Egjipti është në prag të luftës civile, në prag të asaj që ka ndodhur më parë, me vite, në Liban e Irak dhe asaj që është duke ndodhur aktualisht në Siri. Si duket ata që nuk arritën ta ndalin pranverën arabe në ato vende tash po bëjnë çmos që ato vende t’i fusin në luftëra civile dhe kaos politik. Pranvera arabe, e cila veç patë filluar t’i japë frytet e saj, tashmë po rrezikohet për asgjësim. Akoma pa dalë mirë lulet e para të asaj pranvere të shumëpritur ‘dashamirët e lirisë dhe demokracisë’ ndërhynë për t’i shuar ato lule, duke e kthyer kështu këtë pranverë në një vjeshtë të tharë ku çdo gjë sinjalizon fundin. Akoma më shqetësuese mbeten qëndrimet e organeve ndërkombëtare, të cilat janë mjaftuar me një mori murmuritje për keqardhje, apele për ndalje të dhunës madje ‘nga të gjitha palët’ gjersa nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret. Madjenjë raport nga zyra e kryeministrit Erdogan potencon se qëndrimi i botës ‘së civilizuar’ ndaj grushtetit ushtarak nxiti ushtrinë e policinë egjiptiane të bëjnë masakra ndaj popullatës së vet, e i njëjti raport i bënë thirrje urgjentefaktorit ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndalur dhunën në Egjipt.[1] Erdogan ishte më i zellshmi në kritikat e tij kundër përdorimit të dhunës nga forcat egjiptiane por thirrjet e tij hasën në veshë të shurdhër të aleatëve ndërkombëtarë. Vërtet e çuditshme dhe e neveritshme të shohësh tek tolerohen dhe përkrahen grushtetët nga ushtria, të largohen njerëzit e zgjedhur nga populli, kryekomandantët e forcave ushtarake të burgosen nga ‘ushtarët’ e vet, e pastaj të shpartallohen protestuesit me tanke e helikopterë duke zbrazur breshëri automatikësh mbi turmat e civilëve duarthatë të cilët vetëm shprehin pakënaqësinë e tyre, të vriten qindra mijëra gra e fëmijë, pleq e të rinj dhe prapë bota ‘demokratike e paqedashëse’ të qëndroi duarkryq! Kjo është vërtetë e pa pranueshme. Por si duket demokracia bashkëkohore nuk është asgjë më tepër se interes. Ajo për dikë di të jetë ‘nënë’ e për dikë ‘njerkë’. Por Zoti është i Madh, Ai sheh dhe dëgjon. E siç thotë Allahu: “Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) në mes njerëzve” (Ali Imran:140). Apo siç thekson fjala e urtë “Bota është e rrumbullakët (rrotë) dhe së bashku me kohën ajo sillet, herë përkrah e herë kundër teje”. Çka të themi tjetër pos siç ka thënë Ibrahimi alejhiselam kur tërë bota u vu kundër tij “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” (Ali Imran: 173). Edhe ne themi të njëjtën, popullit të Egjiptit dhe gjithë të tjerëve ju mjafton Allahu, Ai di më së miri të sjellë: buzëqeshje pas lotëve, siguri pas frikës, paqe e rehati pas luftërave e vuajtjeve dhe lehtësim pas vështirësive. Ndërsa ushtria egjiptiane dhe (pa)udhëheqësit politikë nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit pas kësaj masakre e gjenocidi ndaj popullit të vet. Ata nuk do të mund ta sfidojnë vullnetin e dhjetëra miliona egjiptianëve. Madje as dorëheqjet e tyre nuk do të bëjnë punë. Mallkimi i popullit do t’i ndjek edhe në varr e në amshim. Ndërsa populli egjiptian dhe ai musliman në përgjithësi nuk do t’ia harrojë botës ‘së civilizuar’ këtë ‘favor’ që po bën gjerë me tani karshi Egjiptit. Secili udhëheqës mund të bëhet i udhëhequr një ditë. O Zot bëjë hair çdo ndodhi në botë, vetëm Ti di t’i kthesh të këqijat në të mira dhe negativet në pozitiv. Deri javën tjetër Es selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Debati per fenë dhe shoqeria e Kosovës
Gjatë këtyre ditëve në Kosovë po organizohet një program për “Fenë dhe Politikën e Jashtme” nga Tony Blair Faith Foundation dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ballkan Institute dhe Universitetin e Prishtinës. Sipas informatave në dispozicion për publikun në këtë program po marrin pjesë 26 pjesëmarrës nga mese 15 shtete të ndryshme të botës. Përgjatë dy javëve aty do të debatohet për rolin e fesë në transformimin konfliktuoz dhe post-konfliktuoz.
Edhe pse tematikë shumë interesante dhe e rëndësishme për një vend në ‘tranzicion’ si Kosova, megjithatë, tingëllon mjaft ironike kur nuk sheh aty as përfaqësuesit e as akademikët fetarë, qoftë nga BIK-u si institucioni më i madh fetar në vend, qoftë nga Fakulteti i Studimeve Islame që tashmë zyrtarisht, së paku në letër, është pjesë e Universitetit të Prishtinës. A thua vallë si do të mund të flasim për fenë dhe rolin e saj në shoqëri e politikë pa përgjegjësit dhe intelektualët fetarë!
Sidoqoftë, shyqyr o Zot që po ju bie ndërmend ndërkombëtarëve të organizojnë tribuna dhe debate të tilla, për rolin e fesë në shoqëri, edhe në Kosovë e kështu po ua kujtojnë edhe politikanëve tanë se duhet të bisedohet edhe për fe, se edhe feja e ka rolin e vet madje shumë të madh në jetën e njeriut.
Ashtu siç po ua qesin ndërmend se popullit të vet, me shumicë muslimane, duhet uruar Bajramin, ku për çdo vit Presidenti Amerikan, pastaj Sekretarja e shtetit e shumë të tjerë po ua kujtojnë homologëve të tyre kosovarë se jetojnë në një shtet me shumicë absolute muslimane, duke qenë edhe vet musliman, së paku siç njihen ndërkombëtarisht. Andaj edhe po ua urojnë festën e Bajramit atyre dhe popullit të tyre.
Kështu, udhëheqësve tanë sikur po u bie ndërmend se paska festa fetare vetëm pasi po vihen në siklet nga urimet ndërkombëtare, e pastaj edhe këta po i bashkëngjitën urimeve ndaj popullit. Përndryshe, politikanët tanë sikurse as që duan të dëgjojnë për fe e lëre më të organizojnë programe të ndryshme e të na urojnë festën e Bajramit.
A thua vallë kush mund ta mohojë rolin e fesë në shoqëri, përpos dy kategori njerëzish: i padituri-injoranti i cili nuk ka fare njohuri rreth asnjë feje, madje as fesë së vet, dhe mohuesi-kryeneçi, e që në këtë rast nënkupton neo-komunistin i cili nga bindja e tij ateiste mohon fenë tërësisht duke mohuar edhe rolin dhe
rëndësinë e saj në shoqëri. I pari mund të justifikohet deri diku, derisa të mësojë apo të informohet drejtë, ndërsa i dyti Allahu na ruajt prej sherrit tij.
Se këndejmi, disa politikanë tanë edhe pse kanë veshur gëzofin e demokracisë dhe plotë gojën e kanë liri, demokraci e prosperitet, megjithatë, sa i përket aspektit fetar ata akoma kanë mbetur të pa civilizuar e (neo)komunistë. Çuditërisht, një politikë ateiste e anti-fetare po ndjek edhe vet krye-diplomati kosovar i cili, edhe pse dorën në zemër nuk duket t’i përket periudhës komuniste, megjithatë ai sa ishte ministër i arsimit nxori udhëzime administrative të tipit ‘ENVER HOXHA’, pra partia mendon për juve, duke ndaluar bartjen e
shamisë nëpër shkolla fillore e të mesme, duke i detyruar vajzat të largohen nga shkolla dhe duke bërë kështu shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut. Nuk i di motivet, por duket shumë ironike ‘lufta’ e tij ndaj fesë dhe shtrydhja e ndjenjave fetare edhe pse pretendon të jetë një evropian liberal e
i moderuar.
Nga ana tjetër, njerëzit më me ndikim në botë siç është edhe vet Tony Blair, shefi i fondacionit në fjalë, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, të cilin vet politikanët tanë, ndoshta sa për sy e faqe, e patën cilësuar si ‘Hero i Kosovës’ për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e krizës së Kosovës, dhe shumë të tjerë, jo vetëm që e respektojnë dhe praktikojnë fenë e vet, por e respektojnë dhe e çmojnë lartë edhe Islamin dhe rolin e tij në botën bashkëkohore, në të gjitha shoqëritë duke mos përjashtuar vet shoqërinë britanike por edhe shoqëritë tjera evropiane. Sugjeroj që krye-diplomati Hoxhaj tu tregojë mysafirëve se muslimanët në Kosovë nuk kanë asnjë të drejtë më të madhe sesa që kanë pasur nën pushtetin
titist komunist dhe se qeveria e tij për çdo ditë po i shkel dhe diskriminon muslimanët sikur të ishin kategori e dorës së dytë apo tretë në shoqëri. Mysafirët e nderuar duhet ta kuptojnë se ‘ENVERI’ me qeverinë e tij i kanë lënë shumë vajza pa shkollë, u kanë mohuar të drejtën e shkollimit shkaku i një lecke, arni, që vendoset në kokë, e që për muslimanen është bindje dhe parim fetar i pa kontestueshëm, i pa kompromis.
Kryediplomati ynë si duket ka probleme edhe me terme filozofike e politike ngase ai në njërën anë deklaron se “Kosova gjithmonë do të jetë shtet laik (laicite)” ndërsa në anën tjetër tregon se Republika e Kosovës mbështet mbi tri shtylla: demokracinë, multietnicitetin dhe sekularizmin” e nuk e di sipas kryediplomatit a kanë dallim këto dy terme, apo tek ai janë të njëjta, dhe besoj se ai duhet të dijë më mirë këto punë?! Mendoj
se kryediplomati gabon rënd kur pohon me ngulmë se “Kosova gjithmonë do të jetë shtet laik”. E di se kryediplomati është i vetëdijshëm se proceset politike nuk pranojnë ngurtësi dhe se asgjë në këtë botë nuk mbetet për gjithmonë.
Përgjithmonë është vetëm Zoti dhe askush tjetër. Ndoshta diplomati ka dëshirë të jetë ashtu, apo ndoshta është edhe duke shprehur qëndrim politik, por ja që ka pasur të atillë, shumë kohë para tij, që kanë ëndërruar që Kosova të mbetet komuniste përgjithmonë, por nuk ju zgjati shumë. Mendoj se edhe filozofia e Hoxhaj dikur do të marrë fund, sikur çdo filozofi e ideologji tjetër para tij, por çështja është çfarë përfiton kryediplomati dhe shokët tij nga diskriminimi që i bënë muslimanëve, e në veçanti të rejave që i lanë pa shkollë. Allahu e drejtoftë qeverinë tonë dhe tërë këtë shoqëri. Amin, ve selamu alejkum
Dr. Shefqet Krasniqi: Urime Fitër Bajrami !
Me rastin e përfundimit të muajit të bekuar të Ramazanit, pas përmbushjes se obligimit të agjërimit dhe përkushtimit të plotë ndaj të madhit Zot, gjatë këtij muaji, lutëm që Zoti tua ketë pranuar agjërimin dhe të gjitha veprat e të mira e të sinqerta, të gjithë atyre që i kanë kryer këto vepra gjatë këtij muaji të bekuar.
Po ashtu shfrytëzoj rastin që të gjithë vëllezërve e motrave tona, shqiptarë muslimanë, anekënd botës kudo që janë, e në veçanti mërgimtarëve tanë, të ua urojë festën e Fitër Bajramit duke ju dëshiruar suksese dhe të gjitha të mirat në jetë.
Sinqerisht
i Juaji,
Dr. Shefqet
Krasniqi
Prishtinë
Dr. Shefqet Krasniqi: Dituria – rrugë e sigurt drejtë zhvillimit
Ndërlidhjet analitike ndërmjet aspekteve materiale të jetës me ato fetare e shpirtërore janë elemente që garantojnë zhvillim dhe stabilitet shoqëror, ekonomik e politik të një vendi. Jemi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, pjesën në të cilën ka filluar shpallja e Kur’anit. Sikur që e dini, para më shumë se 1430 vitesh, në shpellën Hira, në Mekë, atje ku Muhamedi (Paqja dhe mëshira qofshin më të!) vetmohej për adhurim, filloi shpallja e fjalëve të para hyjnore: “Lexo me emrin e Zotit tënd!” (El-Alek, 1).
Me këto fjalë filloi kontakti ndërmjet Qiellit dhe Tokës për t’i treguar gjithë njerëzimit, myslimanëve në veçanti, se rruga që duhet ndjekur është ajo e dijes. Për të dëshmuar këtë shpirt dije dhe shkence të islamit, edhe në mesin tonë, pata nderin që më 31.07.2013 të bëjë edhe promovimin e dy veprave të mia, “Shtatë grupet e lumtura në ditën e gjykimit” dhe “Djaloshi më i bukur në botë”. Përmes këtij promovimi, gjatë një iftari modest, me mysafirë e dashamirë të shumtë u munduam të përçojmë mesazhin se islami është fe e mendjes, arsyes së çiltër dhe diturisë.
Falënderoj shumë të gjithë pjesëmarrësit, e në veçanti anëtarët e panelit, për diskutimet, këshillat dhe sugjerimet e tyre. Ishte një konkludim i përbashkët se rruga jonë drejt zhvillimit, padyshim, është dituria. Myftiu Naim Tërnava ua përkujtoi besimtarëve dhe gjithë të tjerëve se ky islam, i cili po etiketohet dhe njolloset nga ata që nuk kanë lexuar madje as dy tituj rreth tij, nuk ka të bëjë fare me akuzat që po i vishen. Një fe, që në esencë nënkupton paqe dhe që për fjalë dhe urdhër të parë ka diturinë, nuk ka mundësi të jetë e dhunshme. Kësisoj, islami dhe ekstremizmi janë dy gjëra tërësisht të ndryshme, rrënjësisht të kundërta, absolutisht të papërputhshme.
“Janë të kthyera shpinë për shpinë, pra diametralisht të kundërta, që nuk mund të takohen kurrë”, u shpreh Myftiu Tërnava. Se islami nuk është ekstrem, se përkundrazi ai ka traditë me rrënjë dhe rrjedhimisht edhe merita të mëdha në zhvillimin tonë kombëtar dhe kulturor, foli edhe akademik Nexhat Daci. Ai tha fjalë të arta, fjalë të ëmbla e të mëdha, të cilat do të doja shumë sikur t’i kishin dëgjuar “të diturit”. “Kosova mëton Evropën, por kurrë në kurriz të kulturës sonë. Në Evropë mund dhe duhet të shkojmë kështu siç jemi, shqiptarë myslimanë. Rruga jonë nuk është me emra e slogane, por me punë dhe dije”. E, për dijen dhe rëndësinë që i kushton asaj islami, foli edhe ministri Ferid Agani. Thjeshtë, që të tre mysafirët e nderuar diturinë e përshkruan si rrugë të vetme drejtë përparimit e avancimit. Ne nuk do të zhvillohemi në mënyrë magjike nëse vetëm hyjmë në Evropë. Nëse, sipas disa analizave, standardi ynë është larg atij evropian për 80 vite, atëherë në vend të llastimeve e deklaratave boshe, ne duhet të punojmë shumë më shumë. Jemi larg aq shumë sa që kërkohet shumë punë e angazhim. Vetëm avancimi shkencor e edukativ dhe dituria e hairit mund të na e shkurtojë këtë rrugë.Këtë rrugë jam munduar ta përshkruaj pikërisht në këto dy vepra të botuara së fundi. E vërteta është se ato janë kryesisht fetare, por, siç shpjeguan edhe anëtarët e nderuar të panelit, ato përmbajnë mësime të dobishme që ndihmojnë zellshëm në formimin sa më të mirë të myslimanëve, qoftë si individë, por edhe si shoqëri.
Ndërlidhjet analitike ndërmjet aspekteve materiale të jetës me ato fetare e shpirtërore janë elemente që garantojnë zhvillim dhe stabilitet shoqëror, ekonomik e politik të një vendi. Këtë element të rëndësishëm e kishte kuptuar për mrekulli ministri Agani, kur gjatë fjalimi të tij shkoqiti me theks të veçantë ajetin kuranor: “Me të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut ia kanë frikën më se shumti dijetarët!” (Fatir, 28). Gjatë elaborimit të librave në fjalë, ne nuk u mjaftuam vetëm me analizim të ajeteve të Kuranit, por kemi sjellë edhe shembuj praktik nga historia personaliteteve të ndryshme myslimane. Në fakt, kemi veçuar një libër të tërë për të treguar se si pjekuria shpirtërore është element stabilizues, jo vetëm në jetën individuale të njeriut, por edhe në atë shoqërore. Pra, ky është libri që flet për të Dërguarin e Allahut, Jusufin (alejhi selam) dhe shëmbëlltyrën e tij të pastër. Ai është model për besimtarin si individ, për sprovat dhe problemet me të cilat mund të ballafaqohet njeriu gjatë jetës, sikur që është model për besnikërinë dhe përgjegjësinë që duhet treguar besimtari në detyrat me të cilat është i ngarkuar. Ky libër sjellë prova historike se si formimi fetar është i pazëvendësueshëm. Ky libër na sjellë në kujtesë se populli ka nevojë imediate të përfitojë nga përjetimet, eksperiencat dhe rrugëdaljet e Jusufit (alejhi selam).
Ne jemi dëshmitarë të korrupsionit, vjedhjeve, vrasjeve dhe shumë e shumë krimeve tjera, por, mjerisht nuk na jepet rasti e as mundësia që t’ua dëshmojmë të gjithëve se kontributi ynë në parandalimin e këtyre dukurive mund të jetë akoma më i madh. Islami është fe që reflekton prosperitet, andaj duhet ndjekur rrugën e tij për të realizuar qëllimet tona. Le të jetë moto dhe mesazh i këtij promovimi se “vetëm me dituri të mirëfilltë ne mund të ecim para e të zhvillohemi”!
Shefqet Krasniqi: Kur” manjaku” të quan manjak
Sikur që është e ditur, jo shumë kohë më parë disa njerëz të politikës patën shfryrë mllefin e tyre, prej axhamish, në adresën tonë jo vetëm ndaj nesh si imam por edhe ndaj Bashkësisë Islame si Institucion i rëndësishëm në vend. Megjithatë, kohëve të fundit shohim se po të njëjtit axhami shkojnë dhe hanë nga sofra e bereqetshme e BIK-ut. Kështu, së fundi, bëri edhe Burim Ramadani i cili tenton që më këtë akt kinse të përmirësoj axhamillëqet e tij me një të ngrënë iftari e me një foto të postuar në facebook.
Natyrisht ai dhe subjekti i tij partiak synojnë të rregullojnë imazhin e tyre tashmë të rrënuar në sytë e muslimanëve, por a thua vallë a do të ju kryej punë një shtirje e këtillë, për këtë më së miri do të na dëshmojnë zgjedhjet që nuk janë edhe aq larg. Sfida më e madhe në këtë rast është se ata që u ofenduan rëndë duke përshkruar hoxhen e tyre si ‘maniak’ janë shumë dhe se kanë një rol më rëndësi në hedhjen e votave.
Në islam, pendimi është mjaft i inkurajuar, fundi i fundit më mirë është të pendohesh më vonesë sesa të vazhdosh me kryeneçësi gabimet dhe mëkatet, mirëpo pendimi sa për sy e faqe e dyfytyrësi jo që nuk ka vlerë në fenë tonë por përkundrazi gjesti i tillë fundos edhe me tej kryerësin e atij veprimi. Kjo në sytë e njerëzve, por a thua vallë çka do të ndodhë kur të kthehemi te Zoti?
Prof. Ass. Dr. Shefqet Krasniqi: Muaji i Ramazanit dhe plazhet e zbrazura
Shumë kush pati thënë se këtë vit, për shkak se ditët do të jenë të gjata dhe temperaturat e larta, shqiptarët nuk do të agjërojnë, por nuk doli ashtu. Agjëruesit vetëm sa janë shtuar. Po deshët provë, dilni në kohën e iftarit në rrugët e Prishtinës, do të bindeni!
Është ora shtatë e mbrëmjes. Jemi gati për të ateruar në Medinën e Ndriçuar. Stjuardesa duke na kujtuar për lidhjen e rripit, na informon edhe për temperaturën që është jashtë. Është hiq më pak se 47 gradë celsius. Thashë më vete: O Zot! nëse kjo është temperatura gjatë natës, a thua vallë sa do jetë gjatë ditës?! Si agjërojnë këta njerëz në këtë vapë të madhe?!
Mbërritëm në Medinë. U akomoduam. Të nesërmen për iftar shkuam tek një ish-profesor imi, i cili, përveç tjerash, më pyeti edhe për atmosferën e Ramazanit, sa agjërojnë njerëzit, si e presin Ramazanin, sa frekuentojnë xhamitë, sa ndihmojnë të varfrit, e pyetje që kryesisht kanë të bëjnë me natyrën e këtij muaji të madh në të cilin Zoti, zbriti të gjitha shpalljet e Tij qiellore, pra edhe Kur’anin Famëlartë.
Kjo edhe më shtyri të zhytem në meditim.
U ndala dhe mendoja: sa e çuditshme është kjo puna e myslimanit, ai posa fillon rrugëtimin e njohjes së Krijuesit të vet, lidhet me Të me dashuri të atillë sa që është përherë në gatishmëri t’i zbatoj urdhrat e Tij, qoftë kjo edhe të privohet nga disa kënaqësi të cilat i do organizmi siç janë ushqimi dhe uji!
Por, natyrisht, obligimet me të cilat i ngarkon Zoti krijesat e Tij janë tërësisht në dobi të tyre andaj edhe sa më shumë që zbulohen urtësitë madhështore të cilat fshihen pas çdo adhurimi ndaj Zotit, aq më tepër myslimanietet për Xhenetin e Tij ndërsa sakrificat, lodhjen e mundin në këtë rrugë të ndriçuar i përjeton si përvoja të ëmbla që e kalisin dhe e lartësojnë shpirtërisht.
Prandaj edhe ne sot po shohim se si në këtë vapë të madhe, në këtë shkretëtirë, muslimanët qëndrojnë tërë ditën pa ushqim dhe pa ujë, e nuk ankohen aspak sepse janë plotësisht të përkushtuar të përfitojnë sa më shumë nga edukimi shpirtëror që ofron agjërimi si shkollë devotshmërie. Sigurisht se këtë privim nga kënaqësitë trupore nuk e bëjnë vetëm këta muslimanë këtu, por e bëjnë gjithashtu edhe muslimanët tjerë anë e kënd botës, madje edhe shqiptarët tonë.
Shumë kush pati thënë se këtë vit, për shkak se ditët do të jenë të gjata dhe temperaturat e larta, shqiptarët nuk do të agjërojnë, por nuk doli ashtu. Agjëruesit vetëm sa janë shtuar. Po deshët provë, dilni në kohën e iftarit në rrugët e Prishtinës, do të bindeni! Madje sipas një sondazhi të bërë nga instituti “The Pew Forum” del se myslimanët në Kosovë agjërojnë 76 për qind, ata në Shqipëri 44 për qind, në Maqedoni 80 për qind, ndërsa ata në Bosnjë e Hercegovinë 75 për qind. Këtë lajmë e ka publikuar agjencia turke e lajmeve Anadolia. (shkruar në telegraf.24/7/2013).
Kjo padyshim se flet për rëndësinë dhe pozitën që Ramazani ka në shoqërinë tonë. Dhe, nuk është vetëm Prishtina dhe rrugët e saj që boshatisen, por janë edhe plazhet e Ulqinit dhe Durrësit, duke dëshmuar botërisht për përkushtimin e shqiptarëve, si komb, ndaj muajit të madhërishëm të Ramazanit. Gjatë javës së kaluar, derisa isha në Medinë, pash një shkrim në Bota Sot (16/7/2013) dhe disa mediume tjera se “Plazhi i Durrësit zbrazët nga pushuesit në pikë të sezonit turistik. Tetëdhjetë për qind e kosovarëve dhe maqedonasve janë larguar për të festuar muajin e Ramazanit në vendlindjen e tyre” – shkruante artikulli.
Më besoni, shumë u gëzova, falënderova Zotin shumë dhe me lot në sy u luta që edhe zemrat tona të zbrazen nga çdo gjë që ua dëmton shëndetin. Sepse të gjithë kemi nevojë t’i kthehemi vetvetes, të gdhendemi me daltën e Fjalës së Zotit, të mbushemi me dritën e Tij të pafundme dhe të reflektojmë vetëm mirësi. Prandaj, përfillja e agjërimit është thjeshtë përndritje e intelektit që natyrshëm dëshiron të funksionoj në harmoni me
nevojat e shpirtit i cili nuk mundi të gjen askund paqe përpos te Krijuesi i vet, i Cili plotësoi dhe përsosi për njerëzimin një fe me emrin Islam, emër ky që derivon nga fjala ‘paqe.’
E bukura është se kjo paqe nuk është aspak iluzionare por është e vërtetë sa dhe drita e diellit në qiell, prandaj edhe rrezet e saj përhapen vetvetiu kudo nëpër botë duke sjellë dëlirësi, jetë, dashuri e gjallëri, shenja këto që po karakterizojnë edhe Ramazanin në trojet tona.
E derisa ne i gëzohemi ndriçimit të syve vizionar të rinisë sonë që po përpiqet ta shijoj jetën me gjitha ngjyrat e saj me të cilat e veshi Krijuesi i botës, ka të tjerë që preferojnë ta vështrojnë botën nën syzet e zeza. E nëse është kështu atëherë gjithsesi se prej të tillëve nuk mund të presim mbështetje në misionin e promovimit të vlerave por as kritika konstruktive e këshilla dashamirëse që do të na ndihmonin në këtë rrugëtim por vetëm përgojim, shpifje, mllef, xhelozi, etiketime, urrejtje dhe përbuzje deri në tallje e nënçmim.
Kjo nuk do të ishte aq tragjike sikur të mbetej me kaq, sepse në fund të fundit çdokush e reflekton moralin e vet por më e dhimbshmja është kur vetpëlqimi dhe këndvështrimi i tyre i ngushtë e fanatik, jo vetëm që u jep guxim për të bërë edhe përgjithësimet më trashanike, si p.sh “islami fashist”, “islami minimal e maksimal” etj por edhe sikur u fal kënaqësi poshtërimi i të tjerëve dhe diskriminimi i tyre në baza fetare. Nuk di se çfarë
mëtojnë të arrijnë me këtë metodë cinike përpos të tendosin këtë shoqëri edhe më shumë se sa është, derisa të vijë një kohë ku secili do i frikësohet hijes së vet ndërsa vëllazëria fetare, kombëtare apo njerëzore nuk do njihet as si term për shkak se të gjithë janë armiqësuar. Allahu na ruajt!
Është qesharake të akuzohen prijësit shpirtëror që janë bijë të këtij vendi për shpërlarjen e trurit të popullit
duke i blerë bindjet e tyre me materializëm kur dihet fakti se po të ishte kjo punë parash, ne do mbeteshim të fundit dhe ky Islam do ishte harruar që moti.
Për më tepër, edhe shqetësimi i këtyre gjuhëve të zjarrta islamofobe për çfarëdo hapësire mediale që na ofrohet neve si prijës fetar, vetëm sa demaskon shpirtin e tyre prej “demokrati.” Sepse, siç dihet, demokracia është një treg i hapur për të gjithë qytetarët, që t’i ekspozojnë idetë dhe qëndrimet e tyre.
Figurat publike nuk mund të përcaktojnë se kush e çka duhet të zgjedh por kjo u mbetet qytetarëve që me mendje të hapur analizojnë e studiojnë dhe në fund bëjnë zgjedhjen që dëshirojnë. Duke qenë se njerëzit nuk u imponuan në zgjedhje as nga Krijuesi i tyre, atëherë s’ka pse të jetë ky pluralizëm i papranueshëm
për askënd.
Por problemi ngelet tek kufiri i lirisë së shprehjes, i asaj që e drejta ime mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit. Ky patjetër që është parim i drejtë për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë shoqërore ngase padyshim se njerëzit duke qenë euforik nga natyra shpesh dinë ta shkelin këtë kufi mirëpo ajo që duhet të merret parasysh është se detektimi i kësaj shkelje është dobësi të shikohet me llupë sikundër është turp që në këtë vlerësim të ketë standarde të dyfishta ashtu siç edhe mjerisht po ndodhë.
Personalisht, jam etiketuar dhe njollosur, madje më kanë deformuar imazhin aq sa po mundohen të më paraqesin si të rrezikshëm, madje deri në atë nivel saqë Kryetari i BIK-ut duhet të intervenojë në mënyrë imediate. Unë kam ngelë i shokuar. U habita fare. Nëse e rrezikshme qenka të jesh i lirë për ta adhuruar Zotin dhe për ta shprehur atë praktikisht duke u trajtuar barabartë me njerëzit e tjerë të çfarëdo bindje qofshin, atëherë unë do kërkoja të ma gjejnë dallimin mes një sistemi të tillë nga ai komunist!
Sigurisht, për këtë temë ka çka të flitet mjaftë, megjithatë konsideroj se mënyra më e mirë për të mbyllur këtë shkrim duke qenë në Ramazan si muaj i mëshirës, është ftesa për respekt, tolerancë, mirëkuptim, falje, unitet dhe harmoni. Le të kalojmë të gjithë së bashku nga tendosja në relaks dhe ta bëjmë mirësinë e lumturinë traditë. Për fund, nga vendi i shenjtë i Mekës, i përshëndes të gjithë bashkëkombësit e mi dhe lutem për ta e për vete që të jemi të qëndrueshëm përherë në të Vërtetën!
Zoti na udhëzoft të gjithëve në rrugën e drejtë, e deri në shkrimin e ardhshëm, we selam alejkum,
paqja e Zotit qoftë mbi ju.
Dr. Shefqet Krasniqi: A po shndërrohet Kosova në shtet hajnash?
Disa ditë më parë pas syfyrit u nisa për në xhami për ta falur namazin dhe për të mbajtur një ligjëratë. Sapo dolëm nga xhamia një mik i imi me tha: ‘duke ardhur në xhami i pashë hajdutët që kishin thyer postën e po
plaçkitnin brenda, kur e panë se po i shikoja e ulën kokën për të mos me i vërejtur’. I thashë: po a nuk lajmërove policinë? Po tha, i thirra, si jo. Dhe ende pa përfunduar bisedën arritëm tek lokali i thyer ku tashmë veç kishte arritur policia. Pasi që u dhamë selam iu drejtova njërit prej tyre e i thashë: ky miku im është ai u ka telefonuar në lidhje me këtë rast.
Polici tha: faleminderit or djalë, të lumtë. Populli e ruan shtetin. Unë ia prita: po, ashtu është populli e ruan, por edhe policia duhet ta ruaj atë. Vjedhësit duhet ndëshkuar rëndë. Polici ma ktheu: po, ashtu është por çka t’i bësh që nuk po kemi të drejtë, nuk kemi kompetenca. Madje jo rrallë ndodhë që ne i kapim hajdutët, i dërgojmë në stacion dhe ende pa kaluar mirë pragun e stacionit, ata lirohen dhe na takojnë në qytet e na përqeshin. Po ti thuash dikujt se kjo është e vërtetë mbase nuk do besonte, madje edhe vet e kisha të vështirë ta besoja në fillim derisa e dëgjova radhazi nga policë të shumtë. Disa madje rrëfejnë se sa të vështirë e kanë derisa t’i kapin disa hajdutë, madje jo rrallë herë edhe duke venë jetën e tyre në rrezik, e më pas, pas një dite apo më pak hajdutët lirohen thuajse s’kanë bërë asnjë të keqe. Gjatë kësaj jave u publikua edhe një statistikë se vjedhjet në Kosovë këtë vit kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar dhe se çdo vit vjedhjet shënojnë rritje. Vjedhje të makinave, thyerje të banesave e shtëpive private, sulme ndaj qytetarëve e deri tek vrasja e banorëve të shtëpive, siç ishte rasti në Gjilan para një kohe ku njeriu doli për ta mbrojtur shtëpinë e të vëllait ngahajdutët, mirëpo i kushtoi me jetë.
Vjedhje në Kosovë, vjedhje e plaçkitje në Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka shqiptarë. Në diasporë burgjet janë të mbushura me hajdutë shqiptarë, saqë të vije keq të deklarohesh se je shqiptar sepse është krijuar një bindje se këta njerëz janë të mirë vetëm për një gjë, për vjedhje. Mjerë për ne se në çfarë gjendje kemi ardhur.
Ku qëndron problemi?
Mendoj se kjo duhet shikuar nga dy aspekte:
Së pari: pos edukimi i mirëfilltë, mungesa e edukimit shpirtërorë, mungesa e kalitjes se zemrës dhe shpirtit ashtu siç parasheh plan-programi fetarë. Ngase asgjë nuk ndikon më pozitivisht në vetëdijesimin dhe ngritjen e njeriut, përmirësimin e sjelljeve dhe karakterit të tij sesa bindja fetare respektivisht praktikimi i
besimit. Është fakt i pamohueshëm se një shoqëri sa më shumë të jetë e lidhur me fe, në veçanti atë Islame, aq më pak ka dukuri negative, aq më pak hajni do të ketë në atë shoqëri. Sa për ilustrim le ta marrim Arabinë Saudite ku vjedhjet janë në nivelin më të ultë në botë. Atje nuk bisedohet për vjedhje, nuk bisedohet si t’i sigurojnë makinat, banesat, dyqanet apo depot nga vjedhësit. Atje veturat pothuajse nuk i mbyllin fare, madje edhe dyqanet përplot mall shumë herë i lënë hapur. Ngjashëm me këtë kamë parë edhe në Siri,
Jordani, Kuvajt, Katar etj. edhe ne shqiptarët sa kemi pasur kulturë dhe traditë fetare shumë pak kemi vjedhur, për të mos thënë fare.
Se dyti: ligji i butë, mos aplikimi i dënimeve për vjedhësit. Imagjinojeni hajni kapet me mall shumë të çmuar në dorë dhe pas disa ore lirohet. Dhe procedurat vazhdojnë. Kjo i bije tallje me ligjin, respektivisht inkurajim për vjedhje.
Mendoj se njeriun që nuk e edukon fjala, sjellja e mirë dhe vetëdijesimi e edukon dajaku. Po të nderuar, duhet përdorur forcën ashtu siç bëjnë shtetet më të moderuara në botë kur është në pyetje mbrojtja e pronës
qoftë shoqërore apo private. Madje mu për këtë ekziston policia, gjyqësori e burgu, për t’i parandaluar dhe zvogëluar krimet, nëse qendra korrektuese-burgu dikujt nuk i bënë dobi atëherë përdorimi i dajakut sigurisht do të ishte alternativë. Dikush mund të thotë: po ku është mëshira dhe respektimi të drejtave të njeriut?! Ne themi po, mëshira duhet të jetë por nëse e mëshirojmë krimin dhe kriminelin atëherë ne i kemi hapur rrugët atij/asaj për të manifestuar publikisht krimet e tij/saj. Pra për kriminelët nuk vlen mëshira
përkundrazi ata vetëm ndëshkimi i sjellë në vete. Pra ngjashëm me fëmijën apo nxënësin kur e ndëshkojmë apo e qortojmë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi mëshirë ndaj tyre por përkundrazi ndëshkimi apo qortimi do ti bëjë ata me vigjilent dhe më të vëmendshëm. Dhe së dyti duke ndëshkuar vjedhësit ne kemi mëshiruar publikun, qytetarët dhe popullin në tërësi ngase i kemi ruajtur pasuritë e tyre. Përndryshe nëse dikush mendon se edhe vjedhësi apo cilido njeri i dëmshëm për shoqërinë është qytetar që meriton mëshirën e shtetit dhe si i tillë duhet lënë i lirë, atëherë kjo lenë të kuptohet se në një shtet të këtillë nuk funksionin ligji, por është shtet i bandave e mafive dhe aty nuk ka berqet.
Ka ndodhë shpesh të me kërkojnë qëndrim fetar/fetva në lidhje me përdorimin e forcës nga policia për të kapur por edhe ndëshkuar hajnat, dhe unë kam thënë se ata i sjellë në vete vetëm shkopi. Vetëm burgimi nuk mjafton, veçanërisht në burgjet tona që për disa janë më luksoze sesa shtëpitë e tyre. Nëse dikush më akuzon
për rigorozitet e ashpërsi, atëherë do të ‘lutesha’ që inshAllah atyre ua vjedhin makinën apo shtëpinë, e pastaj të bien ndërmend fjalët e mia dhe do të shohim se si do të reagojnë.
Të themi se duhet mëshiruar vjedhësin është njësoj sikur të themi se duhet të kemi mëshirë ndaj sëmundjes. Njeriu vuan nga sëmundje të ndryshme, ka dhimbje të mëdha, e ne i themi mjekut: të lutëm mos e bëjë operacion se gjynah, mos ia këput këmbën apo gishtat e këmbës sepse me këtë po shkelim të drejtat e pacientit për të pasur gjymtyrë.
Mendoj se udhëheqësit tanë duhet sa më parë të mendojnë pozitivisht si t’i kundërvihen seriozisht këtij fenomeni. Lënda fetare nëpër shkolla do të ishte një alternativë e mirë edukuese dhe një shtytës për
reflektim shpirtëror tek të rinjtë. Po ashtu gjyqësori duhet të jetë më syçelë, serioz dhe më i rreptë ndaj kësaj dukuria dashakeqe e shkatërruese e cila dita ditës po e shndërron Kosovën në një ‘Bogotá të Kolumbisë’. Allahu e drejtoftë popullin tim, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Çfarë po e pengon (mos)integrimin e Kosovës?
Kosova tashmë ka një indeks problemesh, ku jo vetëm që është bërë evidentimi i tyre, por janë identifikuar edhe shkaqet e tyre. Ndaj, tashmë adresa e problemeve është e ditur dhe identifikuesit e këtyre problemeve janë vet populli.
Heshtjes ndaj këtyre problemeve sikur po i vjen fundi. Populli nuk do të mund të durojë më gënjeshtrat se kinse vendi po vuajtka nga ekstremizmi fetar, “vehabizmi” apo pëshpëritjet se kinse Evropës nuk po iu dashka një Kosovë “talibaneskë”. Kosovarët, të rinjtë në veçanti, nuk po e braktisin vendin për shkak se ekstremizmi fetar ua ka ngulfatur jetën. Ata kanë identifikuar problemet që ua kanë ngulfatur jetën dhe ua kanë shuar shpresat për një të ardhme vitale në jetën e tyre dhe rrjedhimisht i kanë detyruar të marrin edhe vendime të rënda si braktisja e mëmëdheut.
Papunësia, më e larta në Evropë dhe Ballkan, dhe nepotizmi në punësime në njërën anë, dhe korrupsioni i shprehur më së shumti tek politika dhe gjyqësia në anën tjetër, kanë shuar çdo shpresë për përmirësim të jetës dhe kështu po ndodhë ajo që frikësoheshim në vitet nën okupim: boshatisja e vendit.
Se këndejmi, deklaratat e politikanëve për kinse kthim në vendlindje të emigrantëve tanë apo riatdhesim të tyre, gjersa vet jetojnë në maje të luksit, shihen si tallje dhe përqeshje me bashkatdhetarë. Lehtë është t’u thuash njerëzve se “do t’i kthejmë të gjithë azilkërkuesit”, por siç thotë populli, “provo të hysh në lëkurën e tyre e pastaj do ta shohësh”.
Nëse kthehen, çfarë kushtesh për jetesë do tu mundësohen? A mos vallë mendon apo merret kush me ta? Sikur dikush të kujdesej më shumë për ta ata nuk do të shpërnguleshin fare. Prandaj, kthimi i tyre dhe trumbetimi se në Evropë nuk hyhet me azilantë, do të ketë pasojat e veta.
Në Evropë nuk hyhet as me korrupsion, por askush nuk flet e as që çanë kokën për këtë. Sa herë që politikanët evropianë vizitojnë vendin tonë nuk largohen nga vendi pa potencuar këto dy-tri defekte të mëdha: papunësia e cila është rezultat i mos zhvillimit ekonomik, korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar. Kurse, politikanët tanë sikur bëjnë sehir mundohen ta kthejnë kursorin drejt problemeve jo ekzistuese si ekstremizmi, “vehabizmi” apo shoqëria “talibaneskë” e Kosovës, thuajse populli është në gjumë dhe nuk kupton fare.
Me duhet të vë në spikamë se kthimi i njerëzve nga një shoqëri e integruar mirë në një shoqëri të paintegruar dhe pa mundësi për mirëqenie, do të shkaktojë pasoja, por edhe kaos siç pohojnë sociologët. Kjo ngase të “riatdhesuarit” në pamundësi të gjetjes së një vendi pune, për të fituar kafshatën e gojës, do t’i hyjnë botës së krimit të organizuar ose do t’i përvishen aradheve të politikanëve, pasi që politika në Kosovë po na shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga mënyrat më të lehta të pasurimit.
Personalisht, jam kundër migrimit. Nuk do të dëshiroja që aseti ynë më i çmuar, rinia, të na ikën nga vendi. Ndaj publikisht u bëj thirrje të gjithëve që, përkundër problemeve të mëdha e të shumta, të kenë durim dhe të përpiqen të gjejnë veten këtu, ngase vendi ka nevojë për ta.
Ne kemi mundësi ta ndryshojmë këtë gjendje dhe mund t’i ndëshkojmë ashpër mashtruesit, të korruptuarit, shpifësit, kriminelët, haraçvënësit, me votën tonë. Koha po afron. Ndaj le tu japim një mësim jo vetëm këtyre mashtruesve, por edhe të gjithë të tjerëve që mendojnë ta ndjekin rrugën e tyre të devijuar.
Populli duhet vetëdijesuar. Nuk duhet zgjatur jetën krimit, përkundrazi atë duhet shkurtuar. Po kështu, do të doja t’i bëj thirrje politikanëve që të mos mundohen t’i hedhin hi syve popullit, ngase nuk janë një palë sy, por miliona sy. Këta sy shohin madje edhe kur u maskohet e vërteta. Ata dinë edhe të ndëshkojnë. Dhe këtë pres ta bëjnë.
Le t’i heqim qafe me votën tonë mashtruesit tanë dhe kështu mund të realizohet thënia: “Populli voton, Populli sundon”.
Zoti na çoftë në hair të gjithëve.