Dr. Shefqet Krasniqi: Kongresi botëror i dijetarëve islamë

 


Në javën e kaluar, më konkretisht nga data 1-4/03/2011 u mbajt kongresi i ligës së dijetarëve islamë në Stamboll, në të cilin morën pjesë mbi njëqind dijetarë nga tërë bota, e në mesin e tyre isha edhe unë, duke pasur parasysh që unë jam edhe anëtar i kryesisë së asaj lige botërore të dijetarëve islamë. Tema kryesore rreth së cilës u diskutua ishte “ Dijetarët dhe vetëdijesimi i shoqërisë –umetit)”.


Natyrisht ky është edhe njëri ndër obligimet kryesore të dijetarëve që kanë në këtë botë, ngase shoqëria në këtë  kohë ka nevojë për dijetarët e saj më shumë se kurdo herë më parë. Përmes dijetarëve ata e kuptojnë të vërtetën, përmes dijetarëve e ndriçojnë rrugën e tyre. Dijetarët janë krahët me të cilët fluturon shoqëria dhe ngritet lart për ta tejkaluar e përballuar çdo sfidë me të cilën ballafaqohet gjatë jetës. Nga ky kontest edhe obligimi i dijetarëve është më i madh sesa i masës së gjerë, andaj për ta dërguar këtë obligim në vend, sado pak, ne kishim zgjedhur këtë temë që të jetë temë debati e bisede mes gjithë atij numri dijetarësh e ulemash, ku me disa tribuna të njëpasnjëshme u diskutuan shumë çështje për rolin e vetëdijësimit të shoqërisë, pastaj për mënyrën më të mirë se si të vetëdijësohet dhe të ngritet lart shoqëria, pastaj pozita e shoqërisë apo qëndrimi i saj pranë të arriturave të shumta tekniko-teknologjike dhe në fushat tjera, mënyrën e ruajtjes së unitetit të shoqërisë dhe shumë gjëra tjera të këtij rangu. 


U mbajt ky kongres në një kohë kur bota islame po përjeton ndryshime rrënjësore, ndryshime këto, efektet e të cilave patjetër se do të kenë ndikim në tërë botën, e në veçanti në rajon. Për këtë shkak një pjesë e madhe e atij kongresi iu kushtua edhe atyre zhvillimeve, ku u bisedua për secilin shtet veç e veç dhe të gjithë folësit dhe diskutuesit ranë dakord se këto revolucione kanë ardhur si rezultat i zullumit të madh që është zhvilluar me dekada ndaj asaj popullate, ashtu siç ranë dakord se ato ndryshime rrënjësore që po ndodhin atje janë në interes të atyre popujve, ashtu siç janë në interes të të gjithë njerëzve të botës të cilët e dëshirojnë paqen dhe si të tilla, liga e dijetarëve islamë i përkrah me tërë fuqinë e saj dhe nxiti uleman e atyre vendeve të jenë sa më afër popullit në mënyrë që të jenë sa më syçelur në ndërmarrjen e hapave të mëtejmë.


Ashtu siç nxiti udhëheqësit arabë që t’i respektojnë të drejtat e popullit të tyre dhe t’u përgjigjen kërkesave të tyre, qofshin ato kërkesa edhe me kërkim largimi nga pushteti, ne shfrytëzuam rastin dhe biseduam me dijetarë të vendeve të ndryshme të botës për Kosovën tonë, gjendjen e saj si nga ana politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, fetare etj, por natyrisht njëherë vështirë të pritet ndonjë njohje e re nga ato vende përderisa të qetësohet gjendja atje.


Ky kongres ndodhi në kohën dhe në vendin ku vdiq një nga njerëzit e mëdhenj jo vetëm të popullit turk, por edhe të tërë shoqërisë apo umetit islam dhe më gjerë, Nexhmudin Arbakani, i cili tërë kohën e tij ia kushtoi vetëdijësimit dhe ngritjes së shoqërisë islame në përgjithësi, e asaj turke në veçanti, si nga ana shkencore, ashtu edhe nga ana shpirtërore duke u përpjekur që ti afrojë njerëzit sa më afër Zotit të tyre.


Nexhmudini, një shkencëtar i fortë i cili arriti të bëjë zbulime të reja në fushën e makinerisë ku bëri përparim në tanket gjermane të cilat deri atëherë ecnin vetëm me naftë, e ky arriti t’i bëjë ato tanke të ecin me të gjitha derivatet. Këtë e bëri sa ishte me qëndrim të përkohshëm në Ahen të Gjermanisë ku edhe doktoroi në fushën e makinerisë, e më pas, pasi u kthye në Turqi vazhdoi zbulimet e tij derisa u kyç në politikë në fillim të viteve të shtatëdhjeta, ku për herë të parë filloi t’ia lëkundë rrënjët laicizmit të Atataurkut.


Jo rrallë herë atë edhe e akuzuan për fundamentalizëm dhe rrezikim të parimeve ataturkiane me çka edhe e burgosën, e herë-herë edhe ia ndaluan aktivitetin e tij politik, por ai nuk u dorëzua, formonte parti të reja me çka arriti të bëhet edhe kryeministër i vendit, e që më pas të formohet partia e cila është sot në pushtet, parti e cila është prej bereqetit dhe mundit të tij. Të gjithë liderët e pushtetit të sotshëm në Turqi janë nxënës të Nexhmudinit, të gjithë të cilët morën pjesë në varrim. Ky njeri përpos nga ana politike dhe shkencore, gjithashtu, punonte pa lodhshëm që të jetë sa më afër popullit, që ta vetdijësojë popullin, kishte diapazon të gjërë të njohurive të ndryshme, atë e numëruan miliona turq si lider shpirtëror të këtij dhe shekullit të kaluar. Unë –deshi Allahu- mora pjesë në varrimin e tij në lagjen Fatih të Stambollit me disa shokë të ligës së dijetarëve islamë. Dukej thuajse i tërë Stambolli ishte ngritur në këmbë për ta varrosur atë person, të gjitha rrugët ishin mbyllur, me miliona njerëz ishin mbledhur për t’ia dhënë përshëndetjen e fundit njeriut të madh. Eh, sa vështirë është të bëhesh i madh! Duhet punuar shumë, duhet pajisur me cilësi e virtyte të mëdha, zaten për atë shkak edhe njerëzit e mëdhenjë janë pak, e në veçanti ata të cilët mundohen që ithtarëve të tyre tua rregullojnë të dy botët, edhe këtë edhe botën tjetër, sepse vetëm kjo botë pa tjetrën, asgjë nuk na hyn në punë. Sa duaja është bërë për atë njeri, sa loti është derdhur për të! Lumë për të dhe lumë për çdo njeri që punon për popullin e tij, për dynjanë dhe ahiretin e tij dhe të popullit të tij. Allahu na bëftë nga ta ja Rabbi. Amin!


Deri në javën e ardhshme, selam alejkum. 


                         


***


 


Pas një procesi zgjedhor aq të përfolur e të zhagitur, i cili na mori mjaft kohë dhe na kushtoi aq shumë derisa përfundoi tërësisht, një proces i cili qiti në pah se ne si shoqëri ende duhet të vetëdijësohemi në shumë çështje,  edhe atë se vota është një amanet shumë i madh për të cilin ke për t’u pyetur para Allahut xh.sh. nesër në ditën e gjykimit. Andaj duhet pasur kujdes se kujt po ia jap votën, ashtu siç duhet ruajtur atë nga keqpërdorimi. Mendoj duhet të jetë votimi korrekt dhe i drejtë, dhe këtë  jo vetëm nga ana fetare por edhe nga ana e kulturës dhe civilizimit para botës së civilizuar dhe demokratike.


Pas tërë këtij procesi erdhi deri tek formimi i qeverisë, e cila mezi u formua, ngase thuajse të gjitha partitë opozitare ishin të interesuara që të shkojnë edhe një herë në zgjedhje të reja, duke mos llogaritur harxhimet e mëdha që do të bëheshin për ato zgjedhje. Për këtë arsye edhe kundërshtuan formimin e qeverisë duke bojkotuar edhe kuvendin në seancën e formimit të qeverisë, që sipas mendimit tim personal ishte një gjest shumë i ulët i  i atyre burrave të cilët përfaqësojnë popullin. Me këtë u kuptua se ata nuk ia kanë besën njëri-tjetrit, ani pse janë në një parti duke pasur frikë se dikush nga anëtaret mund edhe ta “tradhtojë” grupin parlamentar. Nga ana tjetër u treguan të ligj para popullit dhe faktorit ndërkombëtar, sepse edhe një herë doli në pah urrejtja e madhe që kanë mes veti, në veçanti krerët partiakë, apo figurat kryesore të partive politike. Për inat të një apo dy individëve e bënë tërë atë rrëmujë para tërë botës, e që u kuptua qartë se tek ta interesi partiak është shumë më i madh sesa ai shtetëror. Por, me gjithë ato kundërshtime të shumta, prapseprap presidenca dhe qeveria u zgjodhën, sepse ishte caktam nga Allahu ngase pa thënë Ai asgjë nuk bëhet. Ka thënë Allahu xh.sh. : “Thuaj: “O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë” (Ali Imran: 26).   Ani pse atij që ia jep pushtetin apo që ia merr asnjëherë nuk do të thotë se Ai e do atë person apo se ai e meriton atë. Ngase më herët ia pat dhënë pushtetin edhe Faraonit në kohën e Musaut a.s. e më pas ia mori pushtetin duke e fundosur në det me tërë pushtetin e tij. Ia patë dhënë edhe  Davudit e më pas birit të tij Sulejmanit a.s., e ky i fundit sundoi tërë botën, por dallim i madh mes këtyre dyve dhe atij të parit. Këta të dy me pushtet fituan kënaqësinë e Allahut në qiell dhe atë të njerëzve në tokë, sepse pushtetin e numëruan përgjegjësi e jo privilegj dhe pronë të tyre personale. Ishin në shërbim të popullit tërë kohën, ndërsa Faraoni mendonte se vërtet e meritonte atë pushtet dhe se është pronë e tij, duke e konsideruar veten si “absolut” e të paprekshëm. Ai harroi se Allahu është më i madh sesa ai.


Në këtë kohë bashkëkohore Allahu i ka dhënë pushtet  Gadafit dhe shokëve të tij, por i ka dhënë edhe Tajib Ordoganit. E dallimi është i madh mes njërit dhe tjetrit. Të parin e mallkojnë krijesat e qiellit para se ta mallkojnë e ta kundërshtojnë krijesat në tokë. Ndërsa për të dytin luten të gjithë.


Andaj ju president e kryeministër, dhe ju qeveri e nderuar, dijeni se Allahu ju ka sjellur aty ku jeni për t’ju sprovuar se si po e mbani pushtetin, sa po ja jepni hakun, si do të silleni me popull, etj. Kujtojeni Ditën e Gjykimit ku duhet të dalim para Allahut të Madhëruar, Pushtetarit të plotë dhe absolut, para të cilit duhet dhënë llogari për çdo vepër dhe sjellje tuajën. Ju keni rast të ngriteni shumë lart në këtë botë dhe në botën tjetër, por në të njëjtën kohë ka mundësi shumë të madhe që të uleni e të nënçmoheni në këtë botë, e lëre më në botën tjetër kur do të dilni para Allahut xh.sh. Historia do të shkruaj për ju, por çka do të shkruaj?! Varet prej veprave dhe sjelljeve tuaja. Të gjithë presin nga ju, i tërë populli i ka sytë drejt jush, ndaj të gjithëve keni obligim, andaj mundohuni që të gjithëve tua jepni hakun dhe të drejtat që i meritojnë. Fukaratë donë bukë, të rinjtë donë vende pune, myslimanët donë lirinë e mbajtjes së shamisë, donë mësim-besimin nëpër shkolla fillore e të mesme, si dy fundamente tepër të rëndësishme për ta, gjë që edhe ua keni premtuar, dhe me votën e tyre keni ardhur aty ku jeni,etj.


Andaj përvishjuni punës se nuk ka kohë për të humbur. Fillojani me bismilah duke kërkuar ndihmë nga i Madhi Allah, duke qenë të sinqertë dhe duke vepruar drejt, duke u munduar ta qoni amanetin që e keni pranuar në vend, e Allahu ka për t’ju ndihmuar. Ndërsa ne si qytetarë mendoj se duhet tashmë të pranojmë se ata janë prijësit tanë legjitimë. T’ua japim rastin të punojnë e t’a tregojnë veten e tyre, të shohim se çka do të bëjnë. Nëse veprojnë mirë dhe ndershëm, duhet t’i përkrahim e të qëndrojmë krah tyre. Por nëse e devijojnë rrugën e drejtë duke e shkelur amanetin që e kanë marrë dhe duke i shkelur premtimet që i kanë dhënë, patjetër  se duhet t’i këshillojmë, bile pse jo edhe t’i kritikojmë here-herë. Ne si muslimanë presim shumë nga këta udhëheqës, përndryshe nuk dyshoj aspak se besimtarët do të detyrohen ta ngrisin zërin kundër tyre duke ngulur këmbë në realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Dhashtë Zoti që ato kërkesa dhe të tjera të na i realizojnë e plotësojnë ata vetë, në mënyrë që të mbesin me nder e të shenohen si njerëz të mirë. Amin.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Kongresi i myslimanëve të Zvicrës, një sqarim për opinionin


 


Për t’i sqaruar gjithë opinionit publik po e bëjë të ditur se mora pjesë në kongresin e myslimanëve në shtetin e Zvicrës, me ç’ rast edhe i përfaqësova shqiptarët. Pse pati spekulime në disa medie të caktuara rreth asaj se autoritete zvicerane nuk do ta lejojnë Krasniqin të hyjë në Zvicër një gjë e tillë nuk ndodhi, por ndodhi e kundërta, më pritën shumë mirë dhe më respektuan shumë. Sa ishin të vërteta ato spekulime, u pa?! Pse gjithë herë bëhen spekulime rreth islamit dhe personaliteteve islame në Kosovë? Në dobi të kujt shkon tërë kjo fushatë antiislame dhe antikombëtare?!


S’jam duke kërkuar që të më mbroj askush sepse asgjë nuk kam gabuar, por kërkojë që mos të spekulojnë, mos të shpifin, mos të bëjnë dizinformata sepse një gjë e tillë nuk i shkon në dobi askujt, pos armiqve të kombit dhe të fesë. Përpjekjet e tyre tërësisht janë kundër fesë, kundër kombit dhe kundër proceseve në të cilat po kalojmë. Ata me sjelljet e tyre tregojnë qartë sesa e duan këtë shtet dhe këtë popull, tregojnë armiqësinë që kanë ndaj islamit, duke harruar se vet janë bijtë e myslimanëve. Ju kujtojmë se islami nuk është i sotit, por është fe e cila është futur thellë në gjakun e shqiptarëve dhe se për çdo ditë ai po forcohet e po shtohet.


Në javën e kaluar në Zvicër më saktësisht në qytetin  Biel Bienne, në kantonin e Bernit u mbajt një kongres gjithë përfshirës i myslimanëve të Zvicrës i cili u cilësua si kongresi më i madh i mbajtur ndonjëherë në Zvicër. Ky kongres u organizua nga vetë myslimanët e zviceran të konvertuar në islam e që numri i tyre për çdo ditë po vije duke u rritë. Mysafirë kishte nga vende të ndryshme të botës, e në mesin e tyre isha edhe unë si përfaqësues i shqiptarëve pasi që shumica dërmuese e shikuesve pritej të ishin nga komuniteti shqiptar për faktin se shqiptarët për nga numri janë komuniteti më i madh i të huajevë që jetojnë në Zvicër. Tema rreth së cilës debatohej ishte “identiteti dhe modernizimi”. Me përhapjen e lajmit për organizimin e këtij kongresi dhe konfirmimin e pjesëmarrjes sime, disa individ që janë kundër integrimit  të huajve në Evropë, e në veçanti kundër myslimanëve kanë quar pluhur duke shënuar nëpër disa gazeta atje në Zvicër kundër meje kinse gjëja po na vije një radikal, një njeri i cili ka fyer Terezën, një njeri i cili nuk njihet për tolerancë e tjerë e tjerë. Bile ka pasur zëra që kanë kërkuar edhe ndalimin e hyrjes sime në Zvicër nga organet qeveritare. E njëjta gjë është përsëritur dy ditë para se të mbahej kongresi, ku serish disa media zvicerane kanë qenë kundër mbajtës së atij kongresi në përgjithësi dhe kundër prezantimit tim në veçanti. Me të dëgjuar mediat tona për këtë lajmë menjëherë mezi nuk kanë pritur që të ngritën kundër meje dhe në faqet e para të shkruajnë se “Shefqet Krasniqit i ndalohet hyrja në Zvicër”. E në anën tjetër unë as që kisha ide se çka është duke ndodhur dhe isha i bindur se ato janë të gjitha vetëm spekulime dhe kanë për qëllim njollosjen e islamit dhe të hoxhallarëve, sepse shumë kujt këtu tek ne i pengon islami dhe përparimi i tij, ashtu siç i pengon dikujt atje në Evropë. Ashtu siç isha i bindur se shteti Zviceran nuk do merret me spekulimet e tilla të djathtistëve apo të majtistëve dhe nuk do ma ndaloi mua hyrjen për në Zvicër ngase ai është i ndërtuar mbi bazat e respektimit të drejtave të njeriut, andaj edhe i mbështetur në Allahun e Madhëruar u nisa për në Zvicër dhe elhamdulilah pa asnjë problem shkova dhe erdha.  Morra pjesë në atë kongres në të cilin pritej të marrin pjesë rreth një mijë veta, e aty erdhën ndoshta rreth tre mijë veta. Me të dëgjuar shqiptarët për pjesëmarrjen time kishin ardhur thuajse nga e tërë Evropa, nga Suedia, Gjermania, Austria, Anglia dhe vende tjera.  Unë gjatë ligjërimit tim fola për identitetin dhe modernizimin duke u munduar ta sqaroi secilën nga tu veç e veç dhe më pas bashkimin e tyre, apo mos kundërshtimin mes njërës dhe tjetrës. Falënderova shtetin Zviceran për mikpritjen që na ka bërë, për mirësjelljen që ka  ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve tjerë, pastaj i këshillova myslimanët që ta ruajnë shtetin në të cilin jetojnë dhe punojnë ngase e kanë obligim fetar. Të jenë shembull i një kulture dhe civilizimi siç e meritojnë. Të mundohen që ta gërshetojnë identitetin e tyre fetarë me të arriturat e asaj bote perëndimore, duke u dhënë atyre diç dhe duke marr nga ta diç, në mënyrë që të ngritën sa më shumë, të jenë sa më të plotësuar, sa më të dobishëm për vetën e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi.


Këtu me këtë rast dua të cekë një çështje: Gjithkund njerëzit i mbrojnë të vetit, çoftë nga përkatësia fetare, qoftë nga ajo kombëtare, qoftë nga ajo partiake tjerë e tjerë. E ne nuk po kërkojmë që të na mbroj askush sepse asgjë nuk kemi gabuar, por kërkojmë që mos të spekulojnë, mos të shpifin, mos të bëjnë dizinformata sepse një gjë e tillë nuk i shkon në dobi askujt pos armiqve të kombit dhe të fesë, përpos atyre të cilët janë të interesuar ta destabilizojnë gjendjen shumë të mirë fetare në Kosovë, ta pezullojnë këtë tolerancë fetare në të cilën të gjithë kemi thirrur dhe e kemi ruajtur. Edhe kësaj radhe sikur edhe më herët disa media në veçanti ato të shkruara u munduan të më dëmtojnë mua si person, a në realitet qëllimi i tyre është që ta paraqesin islamin si të dëmshëm dhe të pa përshtatshëm  për këtë shoqëri. Ti paraqesin hoxhallarët si njerëz të cilët nxisin ekstremizmin, e më vonë edhe urrejtjen fetare, njerëz të cilët nuk e kanë vendin këtu në Evropë. Përpjekjet e tyre tërësisht janë kundër fesë dhe kundër kombit, kundër proceseve të cilat po kalojmë  nëpër tu. ata me sjelljet e tyre tregojnë qartë sesa e donë këtë shtet dhe këtë popull, ata tregojnë armiqësinë që kanë ndaj islamit duke harruar se vet janë bijtë e myslimanëve dhe se islami nuk është i sot-it, por është fe e cila është futur thellë në gjakun e shqiptarëve dhe se për çdo ditë ai s po vije e po forcohet e po shtohet. Ata harrojnë se islami tashmë është fe e pranuar në botën demokratike dhe të civilizuar, është pjesë e kulturës dhe qytetërimit të tyre, duke filluar nga Amerika e Anglia që janë shembull i shkëlqyeshëm i tolerancës fetare deri tek shtet skandinavike dhe gati se në tërë Evropën. Me këtu sjellje antikombëtare dhe antifetare ato media na kujtojnë kohën komuniste ku mendojnë se vetëm ata e kanë mirë dhe se vetëm ata duhet të flasin ndërsa ne të tjerët të heshtim. Atu media i kanë tejkaluar të gjitha liritë e tyre gazetareske duke shpifur dhe spekuluar jo vetëm kundër meje por kundër islamit në përgjithësi. Andaj le ti bien veti masë e le ti paraqesin gjërat ashtu siç i ka hije një gazetari apo gazete duke mos i shtuar e as pakuar gjërat, por duke qenë real ndaj çdo shkrimi që e shkruajnë apo botojnë. Shpresoj shumë që nëse jo ato gazeta, bile qytetarët mos të bien viktimë e atyre spekulimeve të boshe dhe të pabaza. Ngase qytetarët e dinë fortë mirë, e në veçanti ata që më dëgjojnë apo i përcjellin ligjëratat e mia se kush është Shefqeti dhe në çka unë thërras, sa ia duam të mirën qytetarëve të Kosovës dhe të Evropës, sa jemi falënderues të tjerëve për ndihmën që na kanë dhënë dhe po na japin, e tjerë e tjerë. Allahu marrtë hak dhe neve na ruajt nga intrigat e njerëzve keqdashës dhe antifetar e antikombëtarë, amin ja rabb dhe deri javën e ardhshme Selam Alejkum!


 


Dr. Shefqet Krasniqi: U mbushën tri vjet që kur Kosova u bë shtet, dhe atë për herë të parë në historinë e saj


 


U mbushën tri vjet që kur Kosova u bë shtet, dhe atë për herë të parë në historinë e saj. U pavarësua nga shteti serb  i cili për një kohë shumë të gjatë e kishte sunduar  me një sundim barbar e diktatorial, ku pasojat e atij pushtimi do të vazhdojnë të mbesin edhe për një kohë të gjatë në shumë sfera të jetës së këtij populli.  Përderisa shtetet tjera kujtojnë dekada të pavarësisë së tyre, e disa nga to edhe shekuj, ne kujtojmë vetëm trevjetorin e pavarësisë, por me gjithëatë më mirë vonë se kurrë.


Ngase nëse koha e shijimit të lirisë i ka kaluar shumëkujt, ajo nuk i ka kaluar kësaj rinie e cila po i mbush rrugët dhe çdo skaj të vendit.


Derisa i shkruaj këta rreshta, më kujtohet një deklaratë rasti e një qytetari tunizian dhënë një kanali televiziv të huaj, e cili duke shprehur kënaqësinë e madhe që ndjen në shpirtin e tij për lirimin nga diktatori Zejnul Abidin, i cili  sundoi Tunizinë për më shumë se dy dekada  duke shtypur e torturuar çdo njeri që ia turbullonte ujin, thotë: “Tashmë ju erdhi radha juve o  të rinj të bëni për shtetin tuaj, atë që ne nuk kemi mundur  ta bëjmë, ngase ne jemi thinjur  për hir të këtij momenti historik” dhe nuk mund t’i ndalte lotët.  Vërtetë një moment shumë i ndjeshëm. Lotë gëzimi dhe të mërzie. E  ata lotë kur bëhen bashkë janë shumë prekës, ngase njeriu kujton vuajtjet që i ka përjetuar derisa ka ardhur në këtë qast, e në anën tjetër gëzohet për këtë ditë të madhe


. E  a ka ditë më të madhe sesa njeriu ta ndjejë  vetën të lirë dhe të barabartë me të tjerët?  A ka kënaqësi më të madhe sesa të mos kesh frikë se po vije armiku natën apo ditën e po të torturon ty dhe familjen tënde?! Ja se çfarë thotë Pejgamberi a.s. në lidhje me këtë: “Ai i cili gdhihet duke qenë i sigurt në pragun e derës së vet (në shtëpinë e tij), i shëndosh në trupin e tij dhe ka për atë ditë mjaft për të ngrënë, ai është sikur t’ia falte  Zoti dunjanë dhe çka ka në të.”


Ah liria! Sa e shtrenjtë është kjo liri! Vërtetë nuk është mjaft për të me dhënë jetën dhe tërë pasurinë. Zaten jo rastësisht Allahu i Madhëruar radhit të vdekurin për liri në rangun e shehidit, e i lumi ai që vdes shehid, duke e ditur se çfarë ka përgatitur Zoti për të. Ne ia besojmë shumë mire emocionet atij tuniziani ngase kemi vuajtur si ai dhe si shumë të tjerë. Ne ia dijmë vlerën lirisë më shumë se çdo kush tjetër, apo së paku duhet t’ia dijmë.


Të nderuar lexues, vëllezër dhe motra. Vërtetë i kemi shumë borxh këtij vendi, i kemi shumë borxh Allahut i cili na e solli lirine. I kemi borxh edhe atyre miqve që u bënë shkaktarë për t’a realizuar këtë ëndërr shekullore. Më së paku duhet të kujdesemi për veten tone. Obligimi shoqëror është shumë më i madh dhe më primar. Mendoj se gjenerata jonë janë në sprovë shumë të madhe, ngase nëse gjeneratat e ardhshme do të na falënderojnë që u’a kemi sjellur lirinë, kam frikë se ata do të na mallkojnë që nuk ua kemi ruajtur këtë liri dhe nuk kemi punuar për të sa duhet.


Të punuarit për shtet është ibadet, adhurim. Ta ruash pasurinë e shtetit është më e madhe dhe primare sesa ta ruash pasurinë tënde.  Andaj na pret punë e madhe, përgjegjësi e madhe, Allahu na ndihmoftë. Këtë përvjetor të pavarësisë po e kujtojmë me formimin e qeverisë së re e cila është boshti i tërë asaj çka u cek më lart. Prej saj varet sesa ne dijmë ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë liri. Prej saj varet thuajse çdo gjë, andaj mbesim me shpresë shumë të madhe se kjo qeveri e cila pritet që këto ditë të plotësohet dhe të fillojë punën e saj, të jetë më serioze sesa qeveritë e kaluara. Të punoië për të mirën e shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Natyrisht, ne si muslimanë presim shumë nga kjo qeveri, përpos kontributit të përgjithshëm në sferat e ndryshme të jetës, presim që edhe nga ana e të drejtave fetare dhe njerëzore të jetë ma transparente, më tolerante dhe të mos na diskriminojë ashtu siç jemi duke u diskriminuar deri më tani. Ne si shoqëri islame kemi nevoja të mëdha dhe fundamente bazë të cilat na mungojnë siç është lejimi i veshjes islame, futja e lëndës fetare nëpër shkolla, ndërtimi i një xhamie të madhe në kryeqytet, ngase ne ende falemi në shi e bore, dhe gjëra të tjera të cilat na takojnë dhe janë pjesë e kësaj lirie, përndryshe ne do të jemi të privuar nga të shijuarit e plotë të lirisë.


Mbesim me shpresë shumë të madhe që qeveria jonë e ndihmuar nga qytetarët, do të punojë shumë më shumë sesa qeveritë tjera në ndërtimin e vendit dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve. Dhe nuk guxojmë të dyshojmë gjithashtu se do të kalojë edhe kjo qeveri, bile as edhe ky vit, e ne muslimanët mos t’i fitojmë të drejtat tona. Allahu na i zgjedhtë më të mirët për pushtet e na i largoftë të ligët. Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, na bëftë shërbëtorë të popullit e të vendit tonë. E gëzofshim këtë liri të gjithë, e deri javën e ardhshme selam alejkum ve rahmetullah.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Protestat në Lindjen e Mesme


 


“Pse po ndodhin protesta në vendet arabe? A do të kenë protestat sukses në Egjipt  siç patën në Tunizi? Ku është dallimi mes Tunizisë dhe  Egjiptit? A do të përhapen protestat edhe në vendet tjera arabe? A  mos ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore”?!


E tërë bota është duke përcjellur protestat të cilat po zhvillohen kohëve të fundit në botën arabe. Këto protesta kanë kaluar në revolucione, ndërsa kanë për qëllim jo vetëm ndryshimin e gjendjes së tyre sociale apo ekonomike apo për të kërkuar ndonjë të drejtë tjetër, e që zakonisht për këto arsye edhe ndodhin protestat në botë, por thjesht për ta ndërruar pushtetin e tyre tërësisht, në veçanti kryetarin e shtetit. Është interesant se pjesa dërmuese e shteteve arabe kanë pasur një fat jo të mirë sa i përket pushtetarëve të tyre. Ndërsa arsyeja kryesore është se: kur bota perëndimore arriti ta shkatërrojë shtetin e madh islam duke ia pezulluar kalifen (të parin e tyre) e më pas edhe duke i pushtuar ato shtete një nga një, pastaj duke i copëtuar e ndarë në shtete të vogla, dhe pastaj kur erdhi koha për t’u larguar ato koloni dhe për t’ua dhënë “pavarësinë shteteve të reja”, ato nuk u larguan pa vendosur në pushtet dikë që i përshtatej tamam dhe që përfaqëson politikën e atyre  pushteteve koloniale. Kështu që nganjëherë u detyruan të zgjedhin të preferuarin e tyre qoftë edhe nga pakica, siç është rasti me Sirinë.


E më pas pasi u larguan ato koloni, vazhduan t’i vëzhgojnë ato shtete nga larg dhe të qëndrojnë krah pushtetarëve “të përshtatshëm” të cilët faktikisht i kishin vendosur vet, duke i përkrahur dhe mbrojtur ata pushtetarë në veçanti nëse ju kanosej rreziku nga populli i tyre. Ndërsa në anën tjetër, pushtetarët “e devotshëm” krenoheshin se e tërë bota po i përkrah, e ndonjëherë edhe e  kërcënonin perëndimi se nëse tentoni të na largoni, ne do t’ua hapim dyert “islamistëve”, thuajse islamistët janë bisha të egra. Sa për ilustrim, shikojeni Tunizinë dhe Egjiptin dhe do të bindeni për këtë që u tha. E tërë bota e di se çfarë ka bërë ai zullumqar ndaj popullit të vet egjiptas, por megjithatë disa shtete dhe individë ende vazhdojnë  ta përkrahin duke e cilësuar si njeri i cili ka kontribuar shumë, njeri të mirë dhe të dobishëm. etj.


Deri më tani populli ynë nuk e ka pasur edhe aq të qartë se çfarë pushtete diktatore janë në ato vende ku mund të themi se ia kalojnë shumë vendeve  ish komuniste. Për atë edhe shumë herë kanë bërë pyetje ku janë ata arabë që nuk bashkohen, pse nuk i ndihmojnë njëri tjetrit, pse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, etj. E tani kanë filluar ta kuptojnë se populli i tyre ka jetuar dhe jeton sikur gjarpëri nën gur, ndërsa pushtetet janë diktaturë dhe nuk ju intereson aspak për islam e për muslimanë.


Protestat filluan në Tunizi, kaluan në Egjipt, u përcollën edhe në Jemen e Jordani. Ndërsa pritet shumë shpejt të përhapen edhe në vende tjera si në Marok, Algjir, Libi e Siri. Por shtrohet pyetja, pse ato protesta gjithëpopullore i dhanë frytet e veta në Tunizi e ende nuk po i japin në Egjipt? Pastaj, nëse vazhdojnë të përhapën edhe në shtetet tjera, a thua do të kenë sukses edhe atje?!


Nuk është lehtë për t’u përgjigjur kësaj pyetje, ngase nëse shikojmë nga rrafshi horizontal do të gjejmë se aleatët e atyre pushtetarëve nga lindja dhe perendimi do bëjnë çmos për t’i mbrojtur ato pushtete. Nëse jo si persona apo si liderë me emra, atëherë si pushtete ku më së shumti do të telorohet të largohet një Husni Mubarak apo një Gadaf, e të vijë një tjetër vetëm se pak “më i butë”. Ngase po u rrënuan ato pushtete tërësisht, një pjesë e madhe e botës ka frikën se do ta humbë ndikimin e vet që e ka pasur në ato shtete, dhe se situata mund t’ju dal nga kontrolli. Kështu që për ta gjetur një kompromis mes kërkesave të popullit dhe qëndrimit të pushtetit, propozojnë të bëhen përmirësime të mëdha dhe të shpejta në të gjitha fushat e jetës, në veqanti në liritë e njeriut dhe mundësisht të largohet edhe vet kryetari duke lënë pas vete të njejtin pushtet.


Të njejtën politikë por me fytyra të reja, duke menduar se me këtë hap do të qetësohet populli i irituar.


Kur është rasti te Zejnul Abidini dhe te Husni Mubaraku, dallimi mes tyre është shumë i madh, ngase të parin nuk e ka dashur thuajse askush, sepse thjesht nuk kanë pasur shumë interes prej tij. Pastaj edhe vet Tunizia, një shtet me 8.000.000 banorë, jo edhe aq me rëndësi apo ndikimi të veqant në rajon e më gjerë.


Ndërsa të dytin, Husni Mubarakun, e do bota më shumë. Jo pse është njeri e pushtetar më i mirë se Zejnul Abidini, por se ka bërë më shumë për ta. Ngase nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar e deri më tani, nuk u ka shërbyer interesave të jashtme askush nga prijësit arabë më shumë se Mubaraku. Pastaj Egjipti për nga pozita e tij gjeografike është një vand tepër me rëndësi në rajon dhe më gjerë, por edhe për nga numëri i popullatës është shteti më i madh arab, me 80.000.000 banorë. Pastaj është në kufi me Izraelin, e që faktikisht marrëdhëniet e tërë arabëve me ta dihet se në çfarë niveli janë.


Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera, sipas analistëve të shumtë, kanë bërë që e tërë bota të shqetësohet më shumë për Egjiptin sesa për Tunizinë. Por, a thua do t’u kryej punë ky shqetësim aleatëve të Husni Mubarakut përball miliona protestuesve në sheshin e Tahririt dhe kudo gjetiu në qytete e fshatra të Egjiptit?! Mbetet të shohim.  Mirëpo, nëse shikojmë nga rrafshi vertikal, gjejmë se ato pushtete nuk kanë fuqi që do t’i shpëtojë për jetë edhe po të ngritej e tërë bota në këmbë, sepse thjesht u ka ardhur fundi.


Janë mbushur me zullum, e zullumi duhet të shpërthejë. E si duket ka ardhur koha që t’i lajnë disa gjunahe në këtë botë para se të shkojnë në botën tjetër.


Pastaj Kur’ani dhe suneti na tregojnë se Allahu zullumqarin e duron, por kur ta ndëshkon nuk e lëshon. Nuk ka njeri që i shpëton ndëshkimit të Tij, kështu që ashtu siç ju pat ardhur fundi shteteve komuniste e që patën formuar një perandori shumë të madhe dhe ranë një nga një për t’mos u ngritur më kurrë deri në kijamet, edhe shteteve diktatoriale arabe ju ka ardhur fundi. Dhe nuk ka kush që mund t’i shpëtojë, por në pyetje është vetëm koha.  Ne duhet të kemi edhe një gjë parasysh, se kijameti po ofrohet dhe patjetër duhet të bëhen ndryshime të mëdha në tërë botën para se të vijnë shenjat e mëdha. E po më duket se ndryshimet filluan, e na mbetet të presim e të shohim se çka do të bëj Allahu me robërit e Tij në tokë

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …