Gjatë vikendit të kaluar, më konkretisht nga data 23-25 të këtij muaji, isha në Itali për një vizitë zyrtare në një seminar të organizuar nga Unioni i Shqiptarëve Musliman të Italisë, “UAMI”, të mbajtur në qytetin Udine afër Venecisë.
Aty ishin mbledhur shqiptarë nga e gjithë Italia. Shumica e tyre ishin nga Shqipëria. Kishte edhe nga Kosova e Maqedonia. Ata kishin ardhur me familje për ta kaluar pushimin që e kishin për hir të festës së “pashkëve”, e të njëjtën kohë kishin organizuar një seminar në të cilin kishte ligjërata, programe të ndryshme sportive, takime, etj. Kishin ftuar mysafirë nga Shqipëria, e nga Kosova, e nga Kosova i ftuar isha unë, me ç’rast mbajta disa ligjërata. Kaluam shumë mirë, ishim bashkë tërë kohën në ligjërim, ndej, ushqim, shëtitje… Vërtetë një organizim i mrekullueshëm nga çunat e Shqipërisë, të cilët meritojnë një falenderim të veçantë që janë bërë shkak për t’i bashkuar gjithë atë rini dhe ato familje, për t’i kaluar tri ditë bashkë, për t’u ç’mallur, për t’i qarë hallet së bashku, për të diskutuar e debatuar për temat më të ndryshme të cilat i’u interesojnë mërgatës sonë. Një gjë çka më ra në sy e që më pëlqeu shumë ishte numri shumë i madh i studentëve shqiptarë që studionin në Itali në shkenca të ndryshme, e që është ndryshe nga vendet tjera europiane, ku mërgata jonë vetëm punon e shumë pak studion.
Pas ligjërimit një femër mori fjalën, dhe pasi u prezantua, filloi të shprehet në gjuhën italiane ku falënderoi organizatorët, hoxhallarët apo ligjëruesit dhe filloi të flasë disa fjalë për identitetin e femrës myslimane në Itali. Pas përfundimit të ligjëratës, kërkova nga orgazinatorët që të më bëjnë të mundur një takim me te Ajo pranoi me kënaqësi, zhvilluam një bisedë për një orë gati. Ajo quhej Irene Amina Rikotta. Ishte nga Sicilia dhe filloi të tregoi për islamin e saj ku thoshte se: “asnjëherë nuk më ka pushuar zemra në trinitetin e pretenduar nga prijësat tanë fetarë, dhe qysh si e vogël kundërshtoja, dhe vetëm për hatër të familjes e mbaja fenë tonë. Në moshën 23 vjeçare takova një maroken dhe kuptova se ai ishte me ramazan, duke agjëruar. Të njejtën natë pash një ëndërr se edhe unë isha duke agjëruar, derisa në realitet unë nuk dija se çka është agjërimi. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe erdhën disa tunizian afër nesh të banonin. Fillova të kontaktoj me gratë e tyre dhe çuditesha sesi ato ishin aq të qeta e të lumtura. Me gjithë problemet e shumta që kishin, ato falin namazin dhe ishin të devotshme. Në bisedë me to fillova t’i pyes për urtësinë e lumturisë së tyre, e ato më treguan se ajo urtësi gjendet në Kur’an. Bëmë një debat me to dhe ato ma ofruan Kuranin për t’a lexuar. Lexova diç nga surja Bekare dhe çdo gjë ndryshoi tek unë. Më dukej sikur u bëra një tjetër njeri. Shqiptova shehadetin (dëshminë) dhe u bëra muslimane. Më pas fillova të interesohem edhe më shumë për këtë fe, për vlerat e saj dhe çdo ditë zbuloja diç të re në te. Kënaqesha duke lexuar dhe kuptuar madhështinë e kësaj feje. Fillova t’a praktikoj namazin, e më pas vendosa edhe mbulesën. Për këtë të fundit pata shumë vështirësi nga e ëma e cila më kundërshtonte, por i’a arrita fal Zotit. Më lindi ideja ta studioj edhe gjuhën arabe. Studiova arabishten dhe tani flasë ngapak”. Irene tash punon në një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të muslimanëve në Itali në cilësinë e zëvendes presidentës së shoqatës, shoqatë kjo e përbërë nga muslimanët italian. Në këtë shoqatë, mundohen t’i avancojnë muslimanët, t’ju tregojnë organeve të ndryshme shtetërore se nuk ka frikë aspak nga islami dhe se kjo fe ka vlera të mëdha.
Ajo është një fe shumë e përparuar. E, prej obligimeve të islamit është edhe mbulesa, e cila aspak nuk bie ndesh me kushtetutën e vendit. Mbulesa në Itali nuk është e ndaluar me ligj. Atje çdo vajzë që dëshiron, mund të mbulohet si në shkollat fillore e të mesme, ashtu edhe në universitet. Rrallë herë ndodhë të ketë problemë ndonjë vajzë për shkak të mbulesës, dhe atë për shkak të sjelljes së keqe të drejtorit, apo mësuesit, por prapë se prapë gjyqi i jep të drejtën e mbulesës. Kështu që mbulesa në këtë vend europian me shumicë absolute të krishterë, thuajse veç është çështje e zgjedhur, ndërsa tek ne, me mbi 90% të popullit me besim islam, shamia ende mbetet një problem shumë i madh, e që paraqet një diskriminin fatal ndaj femrës muslimane shqiptare.
Deri kur do të mbledhin mend qeveritarët tanë? Edhe sa kohë duhet të kaloi për ta jetuar edhe ne muslimanët të drejtën tonë? A do ta mbaj kjo qeveri e përbërë nga ky koalicion premtimin e dhënë se do ta zgjedhin këtë problem sa më shpejt që është e mundur!? Të gjitha këto pyetje shumë herë po më sjellën në kokë, në veçanti kur dal jashtë vendit dhe shoh liri më të madhe fetare sesa në vendin tim. Nga Italia e deri në Norvegji, e nga Kanadaja e SHBA-t, deri në Japoni, bile duke futur edhe Moskën, femra muslimane ka liri më të madhe sesa te ne në Kosovë. Në të gjitha ato vende ku muslimanët janë të ardhur, nuk janë vendas, kanë më shumë të liri e të drejta fetare sesa tek ne që jemi muslimanë autokton. Muslimanët kanë më shumë liri gati në të gjitha vendet sesa në Kosovën tonë të cilën e çliruam me gjak. E, unë nuk e di atëherë, ku janë vlerat e lirisë, synimeve tona për një Kosovë të lirë, për një jetë të qetë e stabile, ku nuk diskriminohet askush, por të gjithë i gëzojnë liritë dhe të drejtat e veta!? Kjo më bënë të merzitem, por megjithate, nuk do të dëshprohem, sepse jam shumë i bindur që edhe te ne, do të zgjidhet ky problem, dhe atë sa më shpejt. Shumë shpresoj që brenda këtij viti të ndodh kjo, inshaAllah.
Dr: Shefqet Krasniqi: Kur njerëzit nuk e njohin islamin
Gjatë dhjetë ditëve të para të këtij muaji isha për vizitë zyrtare në Skandinavi i shoqëruar me djalin tim hafuz, Jasirin. Fillimisht shkuam në Finlandë, ku mbajtëm një sërë ligjëratash e tribunash me ç’rast patëm rastin të takojmë një numër shumë të madh të shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në atë shtet. Në Finlandë ka rreth dhjetë mijë shqiptarë. Është interesant se shumica dërmuese e tyre janë nga Mitrovica dhe Vushtëria. Ata kryesisht banojnë në regjionin e Helsinkut dhe të Turkut, kanë dy xhami, një në Helsink dhe një në Turko, kanë edhe klube në të cilat organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore si sport e aktivitete tjera të ndryshme. Shkolla shqipe nuk kanë, por shteti Finlandez ua obligon nxënësve të komuniteteve të huaja të mësojnë një orë në javë gjuhë amtare, ashtu që këtë fat e kanë edhe nxënsit tanë shqiptarë.
Kjo gjë është shumë e mirëpritur sepse sado pak do të ndikoi që ata nxënës (fëmijë shqiptar) mos t’a harrojnë gjuhën shqipe. Në Finlandë është obligative edhe lënda fetare, për secilën fe veq e veq, ashtu që edhe nga ky kënd ata janë të priviligjuar, sepse mësimi fetar, përpos që i lidh me Krijuesin dhe u’a ruan pastërtinë e shpirtit, i mbronë ata fëmijë edhe nga asimilimi dhe humbja e identitetit të tyre. Me fjalë tjera, shqiptarët tanë në Finlandë në shumë drejtime i kanë punët mirë. Ajo që më më së shumti i brengos ata, natyrisht është qëndrimi larg vendlindjes. Pastaj klima e rëndë në atë shtet, ftohti shumë i madh, nata shumë e gjatë dimrit dhe dita shumë e gjatë verës, bënë që edhe vet finlandezët të kenë të vështirë të përballojnë këtë fenomen, për çka edhe shumë prej tyre bien në stres dhe detyrohen të marrin medikamente qetësuese. Nga Finlanda shkuam në Danimarkë, konkretisht në Kopenhagë. Atje u takuam me disa miq tjerë shqiptarë. Në këtë shtet skandinav jetojnë rreth dymbëdhjet mijë shqiptarë, ku shumica e tyre janë nga rrethi i Tetovës. Më duket se shqiptarët në Danimarkë janë më pak të organizuar sesa në vendet tjera skandinave. Ata kanë shumë pak xhamia, në tërë kryeqytetin ka vetëm dy xhami dhe atu shumë të vogëla. Së fundi, ishte ndertuar xhamia e tretë, ani pse ende nuk ish futur në funksion të plotë.
Edhe nga ana e mësimit të gjuhës shqipe ata janë shumë mbrapa. Nuk ka shkolla të veçanta, por ata mbajnë mësim plotësues në gjuhën shqipe nëpërmjet një festivali pranveror të fëmijëve që vitin e kaluar shënoi 15 vjeterorin e saj të organizuar nga radio “Projekt 21” e cila është një radio shqiptare me qendër në Kopenhagë. Lëndë fetare islame të veçantë nuk ka, por fëmijët mësojnë lëndë të përgjithshme fetare ashtu si në Suedi. Nga Danimarka shkuam në Suedi, konkretisht në Mallmo, në jug të Suedisë, ku ka një numër shumë të madh të shqiptarëve, rreth dhjetë mijë shqiptarë, ndërsa në tërë Suedinë ka rreth tetëdhjetë mijë shqiptarë. Në Mallmo ka një qendër islame shumë të madhe, më e madhja në Evropë, ku në të punojnë gjashtëdhjetë punëtorë. Ajo ka xhaminë e madhe me dy minare, ka shkollën dhe shumë objekte plotësuese. Në atë xhami kamë falur xhumanë, e më pas kemi mbajtur ligjërata edhe në disa qytete tjera.
Nëpër shkolla mësohet feja si lëndë e përgjithëshme, por Suedia ka një specifikë që lejon shkollat private islame, siç është ajo në qendrën islame të Mallmos, ku përpos fesë mësohen edhe lëndë tjera të përgjithëshme. Ndërsa sa i përket gjuhës shqipe ata e kanë obligative t’ua mësojnë nxënsëve nga dy orë në javë. Nxënsit tanë i mësojnë mësuesit shqiptarë, gati si në Finlandë.
Nga Suedia shkuam në Norvegji. Edhe atje na pritën si është më së miri. Në Norvegji shkova për herë të parë, ndërsa në shtetet tjera skandinave isha edhe më herët. Oslo – kryeqyteti i Norvegjisë- më pëlqeu shumë, më pëlqeu edhe organizimi shqiptarëve atje. Ata kishin një qendër të madhe islame e cila kishte rreth pesë mijë anëtarë. Qendra kishte xhaminë e improvizuar, por tashmë e kishin blerë një ndërtesë prej 1500 metrash katrorë ku e kishin rrënuar gati tërësisht dhe donin ta ndërtonin një qendër shumë të madhe. Qendra e tyre përpos xhamisë kishte edhe radio “Rilindjen”, pastaj po në kuadër të kësaj qendre islamike, funksiononte edhe klubi futbollistik “Rinlindja”, pastaj shkolla shqipe “Naim Frashri” e cila ishte hapur në vitin 1995, ku tani për tani kishte shtatdhjetë nxënës dhe katër mësues të cilët ua mësonin gjuhën shqipe. Vërtetë një punë madhështore dhe shumë e çmuar. Kishte edhe një tjetër xhami në Osllo dhe dy tjera jashtë saj, njëra në Drammen e tjetra në Sarbsborg. Numri i përgjithshëm i
shqiptarëve në Norvegji ishte dymbdhjetë- trembdhjetë mijë, shumica e tyre janë nga Maqedonia. Nëpër shkolla nuk mësohet lënda fetare, por lëndë për fe të përgjithëshme. Myslimanët edhe në Norvegji sikur në vendet tjera skandinave gëzojnë një tolerancë shumë të madhe. Në Norvegji është shumë normale ta shohesh femrën me mbulesë duke vozitur tramvaj, autobus, ta shohësh duke punuar në dyqane, në shkolla si profesoreshë dhe shumë vende tjera publike. Edhe këta shqiptarë, ashtu si në vendet tjera ankohen nga gurbeti dhe jetojnë me mall për atëdheun e tyre. Eh, sa i mirë është atëdheu, sa e mirë është toka shqiptare. Allahu na e ruajt këtë tokë nga pushtuesit e huaj, Allahu i ruajt edhe ata shqiptarë në gyrubet, ua ruajt fenë, gjuhën dhe çdo të mirë tjetër të kësaj dhe botës tjetër, e na takoftë me ta për të mirë! Amin!
Këto ditë qëndrova për një vizitë zyrtare në Finlandë gjatë se cilës takova shumë bashkatdhetar me të cilët kaluam çaste të mrekullueshme. I vizituam ata me kërkesën e tyre për të qenë sa ma afër tyre qoftë edhe për pak ditë. Këta shqiptar i ka sjell nevoja në këtë vend ashtu si edhe në vendet tjera evropiane dhe jashtë saj, vërtet një popull mjaft i shpërndarë, për mos me thënë i shpartalluar, por çka ti bësh, pos të thuash se kështu e kishte pasur fatin, apo kështu kishe qenë caktim, e keqja e së keqës është se ky popull si duket ende nuk ka mbledhur mend, ngase shumë pak punon për vatanin e tij, për popullin e tij, për të mirën e vet, për mos me thën se punon kundër vetës së tij. Kthehemi këtu në Finland gjegjësisht tek komuniteti ynë shqipëtar të cilët shumica e tyre preokupimin kryesorë e kanë si të kthehen ne vendlindje, por si duket një gjë e tillë është mjaft vështir, së paku në kohën e tashme. Si do që të jetë, jetesa e tyre është e qetë dhe stabile për nga të gjitha anët, e problemin e vetëm e kanë “kurbetin”. Gjatë shëtitjes sime nëpër Helsinki me një mik të vjetër timin më ranë në sy disa finlandeze të mbuluara dhe filluam të bisedojmë më pas për këtë dukuri. Më ra në sy sepse Finlanda nuk është një vend islam, përderisa vendi im i dashur Kosova ka mbi 95% mysliman por megjithatë mbulesa ende nuk është e lejuar nëpër institucione të arsimit dhe ato publike. Ashtu që fillova ta pyes atë mikun tim për çështjen e mbulesës në Finlandë në veçanti dhe për islamin në përgjithësi, ku kuptova se këtu ka një tolerancë jashtëzakonisht të madhe sa i përket lirive fetare.
Më pas shkuam te miku në fjalë për dark ku bashkëshorten e kishte mjeke e cila sapo ishte kthyer nga puna dhe na kishte bërë darkën gati, ajo më pas filloi të na tregoi për respektin qe ia bëjnë kolegët e saj në punë, pasi që ajo veç ishte e mbuluar, thotë motra: “Pasi që dorëzova dokumentacionin për punë dhe më thirren në konsultim, i thash kryemjekes: unë si myslimane kam disa rregulla pa të cilat nuk mund të punojë, jam e mbuluar dhe nuk mund ta heq mbulesën, pastaj nuk ju flas meshkujve për dore dhe dua të jem e lirë në faljen e namazit. Kryemjekja me plot kënaqësi i pranoi të gjitha ato kushte dhe shtojë: mbulesa dhe mosdhënia e dorës meshkujve janë në pajtim me rregullat tona mjekësore.
Mbulesa është një element shumë i rëndësishëm për profesionin e mjekut, mbulesa është higjienë, gjithashtu mosdhënia e dorës është higjienë”. Kështu që i pranuan kushtet e mia dhe që dy vjet punoi në atë spital shtetrorë dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme. Aty thotë motra ka edhe finlandeze punëtore të cilat janë myslimane dhe janë të mbuluara”. Nga biseda me mjeken në fjalë, me burrin e saj dhe shqipëtar të tjerë që jetojnë e punojnë në Finlandë kuptova se mbulesa dhe në përgjithësi praktikimi i islamit është shumë normal dhe se finlandezët kanë filluar me të madhe ta pranojnë islamin, në veçanti femrat, ku tashmë ato janë me qindra dhe menjëherë posa ta pranojnë islamin ato mbulohen sepse e kuptojnë rëndësinë e mbulesës dhe se myslimane e mirëfilltë nuk munde të jesh pa e vendosur mbulesën. Vërtet u impresionova shumë nga kjo liri e madhe fetare, nga këto të drejta që i gëzojnë myslimanet në këtë vend mik, e ne anën tjetër u mërzita shumë sepse vendi im ende vazhdon ti diskriminojë femrat e mbuluara, ende vazhdon ti nënçmoi myslimanet, ta luftoi islamin dhe atë në forma të ndryshme, ende jeton nën bindjen ateiste dhe vazhdon ta kultivoi atë bindje. Allahu i drejtoftë udhëheqësit e vendit tim. Mbesim me shpresë që një ditë dhe atë sa ma afër të zyrtarizohet dhe mos të paragjykohet mbulesa edhe në vendim tim, të legjitimohet dhe të zgjidhet ky problem njëherë e përgjithmonë.
Kaq kësaj radhe nga Finlanda e deri javën e ardhshme me një tjetër temë, selam alejkum.
Dr: Shefqet Krasniqi: Sa e njeh populli ynë Kur’anin?
Në javën e kaluar cekëm disa thënie të njerëzve të mençur të cilët kanë folur rreth vlerave të Kur’anit, e më pas cekëm se populli ynë nuk e njehë sa duhet bukurinë e tij, për çka e ndjejmë obligim që të mundohemi tua sqarojmë atyre në pika të shkurtëra, në veçanti “intelektualëve” të cilët marrin guxim dhe e kundërshtojnë këtë libër madhështorë duke e konsideruar si të prapambetur dhe si të ngushtuar vetëm në rrethin e besimit, por jo edhe më shumë.
Thënë të vërtetën Kur’ani edhe është libër fetar dhe se qëllimi kryesor i tij ashtu si i librave tjera të shenjta të mëhershme është të informuarit e njerëzve se kush është Zoti, kush është Krijuesi i njeriut dhe i kësaj gjithësie, pse Ai e dalloi njeriun nga krijesat tjera, pse e solli në këtë botë, çka kërkon nga ai, çfarë obligimi ka njeriu ndaj Tij, çka do bëhet me të pas vdekjes së tij, pse ta ketë jetën e limituar në këtë botë, pse mos të jetë përgjithmonë në të…. a ka botë tjetër pos kësaj, si është realiteti i asaj bote, çka e pret njeriun atje, çka duhet të veproi ai që të jetë i lumtur në të dyja botrat…dhe shumë pyetje tjera përgjigjen e të cilave nuk mund ta gjesh askund pos në Kur’an; pastaj aty gjenden udhëzimet e përsosura se si ta ushqej njeriu shpirtin të cilin e bartë në trupin e tij dhe kurrë nuk arriti ta njoh si duhet, ngase ai është i pa dukshëm dhe i pa prekshëm, por pa të çdo gjë e humb kuptimin! Kur’ani ia mëson njeriut besimin e shëndosh, e ruan atë dhe e largon nga çdo besim i kotë, e mëson sesi duhet ta adhuroi Krijuesin e Tij, në çfarë mënyre duhet ti drejtohet Atij, si ta fitoi kënaqësinë e Tij, etj, për këtë arsye Ai sjellë shembuj të shumtë për ta bindur njeriun se vetëm Ai i ka krijuar njerëzit, se Ai i furnizon ata, Ai ua jap shpirtin dhe ua merr, Ai i ringjall sërish në botën tjetër dhe se çdo gjë në këtë gjithësi është nën dirigjimin e Tij.
I informon njerëzit se Zoti është i Gjallë, Dëgjon, Sheh, është absolut dhe i pavarur nga askush dhe se çdo kush tjetër pos Tij është i varur nga Ai, të gjithë kanë nevojë për Të, ndërsa Ai nuk ka nevojë për askënd, e tjetër e tjerë. Kur’ani sjell edhe tregime të shumta të popujve të mëhershëm për të treguar se që nga fillimi i kësaj bote njerëzit kanë besuar Allahun në formën e drejtë dhe të duhur, por ndërkohë janë paraqitur edhe besime të devijuara, për çka është paraqitur nevoja për të dërguar profet apo pejgamber të cilët ua kanë tërhequr njerëzve vërejtjen se Allahu do dhe pranon vetëm një fe, vetëm një besim, e ajo është feja të cilën e ka zgjedhur Ai për njerëzimin, siç thotë në një ajet kur’anor: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” (Maide, 3).
Fe kjo që ka qenë nga njeriu i parë Ademi dhe ka vazhduar deri sot e kësaj dite dhe se jo rrallë herë Allahu edhe është hidhëruar në disa popuj për shkak të kokëfortësisë së tyre para profetëve të Allahut për çka edhe i ka ndëshkuar, por edhe të tjerët i ka shpërblyer dhe se shpërblimi e ndëshkimi i vërtetë është në botën tjetër pasi të kthehen tërë njerëzit e të ringjallën atje. Por përpos këtyre çështjeve që kanë të bëjnë drejt për së drejti me besim, ky libër në vetën e tij ngërthen edhe shumë gjëra tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njeriut, ngase ai ka zbritur për tua rregulluar njerëzve jetën e tyre fizike dhe shpirtërore, jetën e kësaj dhe botës tjetër. Ai është një katalog i cili e mëson njeriun se si të jetoj, si të punoj, si të jetë i lumtur dhe i sukseshëm me kuptimin e plotë të fjalës. Në Kur’an gjejmë etikë, bile morali është një nga bazat e Kur’anit, prandaj në të është sqaruar mënyra se si duhet të sillet njeriu me prindin, vëllain, fqiun, shokun, mikun, pastaj si duhet respektuar e kujdesur për shtresat e ulëta, si jetimi, i varfëri, e veja, i shtyri në moshë, invalidi etj etj. Në të gjejmë edhe shumë shkenca të cilat i shtjellon disa më gjerë e disa më shkurt për tua zgjuar kurreshtjen shfrytëzuesve të intelektit, ashtu që në oqeanin e tij të madh të dijes e gjen vetën matematicienti, historiani, biologu, gjeografi, fizikanti, gjuhëtari, mjeku, farmacisti, psikologu, filozofi, strategu, eprori, ushtari, polici, tregtari, ekonomisti, biznesmeni dhe shumë e shumë të tjerë. Për të gjithë këta ka mjaft çka tu jap Kur’ani, ngase ai përpos çështjes së besimit –siç u cekë-, shtjellon edhe anën sociale, familjare, shtetërore, ekonomike, politike, ushtarake, e të tjera.
Ai shkon edhe më lartë ku i paraprinë shkencës në shumë gjëra ashtu që për çdo ditë sa më shumë që po përparon shkenca aq më shumë po vie në përputhshmëri me Kur’anin dhe se po binden njerëzit e shkencës se ky Libër e përmban të vërtetën absolute siç vet Allahu dëshmon në Kur’an: “ Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjfton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53). Prandaj nuk është e çuditshme të shohim se si ky Libër po ndikon me të madhe që njerëzit e dijes të gjunjëzohen para tij, e jo rrallë herë edhe të bëhen mysliman, siç është rasti me filozofin francez Rinih Jinu (Abdul Vahid Jahja) i cili pasi që studioi shumicën e feve pranoi Islamin dhe shënoi shumë libra.
Pastaj doktori i njohur francez Morris Bokay , i njohur me librin e tij “ Tevrati, Ingjili dhe Kur’ani”, pastaj Dr.Robert Kirin (Faruk Abdulhakk) doktor në ligjet ndërkombëtare, këshilltarë i ish Kryetarit amerikan Nikson për çështje të jashtme, pastaj studiuesi dhe politikani francez Lijon Rossi, pastaj Fan San Monteh profesor pranë universitetit të Parisit, Yusuf Estes prift protestant në Texas i konvertuar në Islam dhe dhjetra e qindra të tjerë të cilët është e pamundur të përmblidhen në këtë shkrim të vogël. Po të nderuar vëllezër dhe motra, ata nuk kanë qenë ithtarë të Kur’anit, por e kanë studiuar atë ndërsa ne po mjaftohemi vetëm me besimin në të, sikur nuk e dimë se toka edhe nëse është pjellore pa e punuar nuk jep fryte dot! Mbesim me shpresë se të gjithë do ti kthehemi Kur’anit më me seriozitet për ta kuptuar më mirë universalitetin e tij sepse në të është udhëzimi e drita, qetësia e kënaqësia, lumturia e shpëtimi. Kaq kësaj radhe dhe deri në javën e ardhshme paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju
(Eselamu alejkum ve rahmetullah)!
Dr: Shefqet Krasniqi: Sa e njeh populli ynë Kur’anin?
Secili njeri dëshiron të jetoj në paqe e qetësi, ta lartësoj shpirtin me moral të mirë, ta pasuroj mendjen me dije të dobishme dhe ta ushqej trupin në mënyrë të shëndetshme. Dëshira e tij për të qenë i suksesshëm në profesion, në familje, në shoqëri dhe në çdo segment të jetës, e shtyen të jetë vazhdimisht në kërkim të gjeneratorëve të lumturisë. Natyrshmërisht e beson pafundësinë ndaj edhe është i etur për burimin e saj! Në këtë rrugëtim jetik, ai më siguri do të ketë rastin që ta ketë në duar një univers të tërë mrekullish me emrin Kur’an! Ja se si e përshkruan atë dijetari italian Kont Edward: “Kam studiuar në hollësi fetë e vjetra dhe të reja dhe kam ardhur në përfundim se Islami është feja qiellore e vërtetë dhe libri qiellor i kësaj feje i cili është Kur’ani ka përmbledhë në vetën e tij çdo nevojë materiale dhe kuptimore të njeriut e cila e ngrit atë drejt përkryeshmërisë së moralit dhe të shpirtit”. Me të vërtetë ka dallim të madh mes atij që e shiqon detin nga larg dhe atij që lundron në valët e tij. Këtë e thekson edhe një ekspert francez Joel le Bon kur thotë: “ O ju njerëz analizojeni Kur’anin derisa ti kuptoni të vërtetat e tij, shikoni historinë e do të kuptoni se llojet e ndryshme të shkencave e arteve nuk i kanë arritur botës ndryshe vetëm se nëpërmjet myslimanëve që i kanë nxjerr ato prej Kur’anit që është oqean dijesh nga i cili rrjedhin shumë lumenjë për ti ujitur të eturit për dituri e shkencë”.
Nuk ka njeri që e lexon Kur’anin e që ngopet me të, apo i bëhet monoton leximi dhe studimi i tij, siç thotë filozofi i njohur francez Jozef Ernest Renan: “ Në bibliotekën time kam mijëra libra me tema sociale, letrare, filozofike, shkencore dhe të tjera, por kurrë nuk kam mundur ti lexoj ato më shumë se një herë dhe shumica e atyre librave janë vetëm për estetikë. Mirëpo aty e kam një libër i cili sa herë që e lexoj më freskon, e ai është libri i myslimanëve Kur’ani. Sa herë që ndjej lodhje, dua të ngritem e të forcohem e lexoj Kur’anin ku gjej pushim e kënaqësi dhe asnjëherë nuk më bëhet monoton leximi i tij. E nëse do dikush të bindet se ka ndonjë libër të zbritur nga qielli le ta di se ai është Kur’ani e asnjë tjetër pos tij, ngase librat tjera nuk i kanë specifikat që ka ai”. Ndërsa Muhamed Gazaliu është shprehur: “Kur’ani është libër që drejton njeriun kur gabon, e kujton kur harron dhe ja zgjon zemrën kur në gjumë devijon…”.
Më madhështorja është se ky libër i Zotit mbeti i pandryshueshëm nga dita që zbriti para 1400 viteve dhe si i tillë do të mbetet deri në Ditën e Kiametit, siç thotë profesori i universitetit Cambridge Kent Greek : “ … Kur’ani nuk është libër i dedikuar për një kohë të caktuar, por ai është i përhershëm për të gjitha gjeneratat, ashtu që sa të jetë bota gjallë njeriu ka mundësi ta marr këtë libër si katalog të tij dhe të punoj sipas tij. Arsyeja pse mendoj që Kur’ani meriton më shumë se librat tjerë të jetë udhëzues për njeriun është se nuk ka diqka që i nevojitet njeriut në jetën e tij e që nuk është e cekur aty. Jam i bindur se leximi i tij do të ndikoi pozitivisht te të gjithë evropianët vetëm me kusht që të lexohet në gjuhën origjinale që ka zbritur, ngase përkthimi i tij nuk e lë atë gjurmë tek njeriu që e lë origjinali i tij”. E si mos të përfitoi njeriu nga Kur’ani, e si të lodhet me studimin e jetësimin e tij apo të pavarësohet nga ai, kur Allahu ka thënë për të: “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta” (Isra: 9). Prandaj edhe kanë thënë të devotshmit: “Kush dëshiron ta dijë ku e ka vendin në Xhennet apo në Xhehnem, le ti matë veprat e veta me Kur’an dhe kështu do ta kuptojë se a është në humbje apo fitore!” Ky është Kur’ani për të cilën folën shumë ata që e lexuan, por a thua çka thonë intelektualët tonë në veçanti dhe një pjesë e madhe e popullit tonë në përgjithësi për këtë libër të cilin asnjëherë nuk e kanë lexuar, nuk e kanë studiuar e ndoshta as që e kanë shfletuar, por nga prindrit e tyre si libër të Zotit e kanë trashëguar dhe kaq?! Çka do që të flasin ata për Kur’an dhe rreth tij, unë nuk do ua shoh për të madhe përderisa janë të atij rangu që i ceka ngase siç thotë një fjalë e urtë: “Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh”. Ashtu që definitivisht këta njerëz nuk e njohin Kur’anin, nuk e njohin madhështinë e tij, bukurinë e tij, domethëniet dhe kuptimet e tij, e kryesorja mesazhin e tij, andaj edhe gabojnë, kur me hamendje për të paragjykojnë! Kërkesa ime për ta është le ta shfletojnë këtë libër, le të interesohen për të, e mos të mjaftohen me mbajtjen e tij në sirtar por ti hapin kopertinat e tij që zemrat e tyre të mishërohen me dritën e Zotit për të shkëlqyer në përjetësi. Allahu na udhëzoft të gjithëve e na e bëft Kur’anin pranverë të zemrave tona dhe ndërmjetësues për ne ditën e llogarisë! Amin dhe deri javën e ardhshme selam alejkum!
Dr: Shefqet Krasniqi: Kur njerëzit nuk e njohin të vërtetën
Allahu i Madhëruar ka bërë ligj që në këtë botë të ketë njerëz të mirë dhe të këqij, të drejtë dhe të pa drejtë, zaten për këtë edhe ka krijuar xhenetin dhe xhehenemin. Ai ka caktuar dy rrugë dhe në secilën rrugë ka sjell prijës dhe mësues. Për rrugën e xhenetit ka sjell profetët –pejgamberët-, të cilët ua mësojnë njerëzve të vërteten e jetës, i lidhin me Krijuesin e tyre, ua ndriçojnë intelektin dhe ua spastrojnë shpirtin, për ti ngritur në piedestalin më të lartë të vlerave e virtyteve të bukura. Duke u mishëruar me moralin e tyre njeriu behet dritë e mirësisë mes krijesash, jeton në paqe me vetveten dhe bëhet ambasador i lumturisë për të tjerët.
Ata ishin të dërguarit e Zotit si mëshirë për njerëzimin që të na rregullojnë dynjan dhe të na pergatitin për botën e kthimit tonë! Andaj lirisht mund të konstatojmë se nuk ka njeri i cili i ka pasuar mësimet e atyre profetëve duke filluar nga profeti Nuh e radhazi deri tek Ibrahimi , Musa, Davudi e Sulejmani, Isa e Muhamedi a.s dhe të dërguarit e tjerë e të mos ketë qenë i lumtur në këtë botë, e për botën tjetër nuk diskutohet fare! Ndërsa për rrugën e xhehenemit ka sjell djajtë e mallkuar, të cilët njerëzve mundohen tua zbukurojnë të keqën dhe tua shëmtojnë të mirën, qëllimi kryesor i tyre është ti shkëpusin njerëzit nga lidhja qiellore, por edhe nga rrafshi horizontal, këtu në tokë mundohen ti nxisin në punë të ndyta, të dëmshme e të shëmtuara. Ai i cili i pason ata nuk do të gjej lumturi as në këtë botë e as në botën tjetër, ata janë prijësit e karvanit të gjatë të njerëzve që janë nisur për në xhehenem. Gjithmonë ky grup njerëzish u kanë dal kundër misionit të profetëve, duke u munduar që ti pengojnë ata në përhapjen e dritës qiellore, e pas tyre u kanë dal edhe kundër pasuesve të tyre, ashtu që kjo betejë mes të drejtës dhe të pa drejtës, mes miqëve të Allahut dhe miqëve të shejtanit, mes atyre që punojnë për xhenet dhe mes atyre që punojnë për xhehenem vazhdon edhe më tej dhe do të vazhdoi sa të jetë bota me njerëz.
Më vjen keq që edhe në mesin tonë ka të atillë që luftojnë kundër Islamit duke u perpjekur që ti largojnë njerëzit nga zbatimi i fes në të cilën thërrasim ne hoxhallarët ku misioni ynë është që ti nxjerrim njerëzit nga errësira e komunizmit, nga errësira e ateizmit dhe errësira tjera për në dritën e urtësisë, diturisë, te Islamit dhe plotësimit e përsosjes në të! E çfarë interesi kemi ne tjetër pos shpëtimit të njerëzve nga zjarri i xhehenemit, nga intrigat e djallit të mallkuar dhe çdo gjëje që shpie në përfundim të keq!? Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë nam, as pozitë, e as pasuri por jemi pasues te profetëve, që synojmë në njërën anë ta shpalosim bukurinë e Islamit për jomyslimanët apo myslimanët që nuk e njohin realitetin e kësaj feje e në anën tjetër ata që janë të udhëzuar dhe zbatojnë këtë fe, ti unifikojmë, tua përmirësojmë përceptimet e ngushta, ti forcojmë e ti motivojmë edhe më shumë në punë të mira që të krijojmë kështu një shoqëri të shëndosh, të pastër dhe përparimtare. Ne ju themi popullit tonë ashtu siç ju tha profeti Nuh popullit të tij: “Unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim (nga ju), se shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam i urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve” (Junus:72) dhe ju themi siç ju tha profeti Shuajb popullit të tij: ” Unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj (t’ju këshilloj) sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” (Hud:88). Ky është amaneti ynë, por ja që disa nuk e besojnë këtë, ngase nuk e njohin natyrën e punës sonë, e mendojnë se ne jemi në shërbim të rrymave të ndryshme, apo kemi interes të caktuar personal , apo ndoshta e din qëllimin tonë por e urrejnë misionin qe kemi, ngase ne ia prishim “taraqillëkun” e tyre, ia prishim planet e tyre e që si duket janë shumë keqdashëse për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Për këtë arsye marrin guxim të shkruajnë e të flasin edhe nëpër media bile edhe atë pa asnjë turp duke shpifur e akuzuar me lloj-lloj thash e thëne vetëm e vetëm për t’ju sjellur kinse lexuesve sado pak material kundër miqve të Allahut, a qëllimi është të pengohet rizgjimi i myslimanëve, të paraqiten ata me imazh të keq për të nxitur urrejtje e përqarje ndërnjerëzore. Nuk ka dyshim se të atillët çdo gjë që ka të bëj me fe i pengon, ata i pengon shamia, i pengon mësim besimi, i pengojnë minaret e xhamiave… ata donë që tek kombi ynë të mbretëroi amoraliteti, kultura hedoniste, dukuritë negative të ndryshme, botëkuptimi material i jetës etj etj. E duke mos pasur se çka ti bëjnë Islamit po i sulmojnë thirrësit –predikuesit- e tij , por ja që Allahu nuk po i dëgjon ata sepse Ai është në ndihmë të atyre që garojnë për mirë dhe çdoherë i trimumfon ata. Ndërsa ne nga ana jonë u themi atyre armiqëve të Allahut ashtu siç ju kishte thënë nje profet popullit të tij përderisa ata e rrihnin dhe e malltretonin e gjaku i rridhte nga fytyra, ai thoshte: “O Zot fale popullin tim se ata nuk e dinë”, edhe unë po them: O Zot drejto popullin tim e udhëzoj kundërshtarët e mi.
Këta nuk e njohin madhështinë e kësaj feje, andaj edhe i sulmojnë ata qe thërrasin në rrugën Tënde, drejtoi këta njerëz ja Rabbi. Ndërsa neve na jep durim, forcë dhe bereqet që të punojmë vazhdimisht pavarësisht veshtirësive. Siç thotë një lutës na bëj ta themi te vërteten para të fortëve e jo të fitojmë duartrokitjet e të dobtëve. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum!