Dr. Shefqet Krasniqi: Tragjedia e Sirise dhe “lutjet” e Vatikanit


Siria vazhdon të mbetet lajm kryesor në pothuajse mbarë mediat botërore. Tashmë jo vetëm masakrat makabre, të pushtetit ndaj popullatës, por edhe mënyra dhe qasjet se si duhet trajtuar dhe zgjidhur ky problem po zënë ballinat e faqeve të para të gazetave gjithandej globit. Në tavolinë është edhe opsioni i ndërhyrjes ushtarake, i cili, me gjithë konfuzionin për formën dhe mënyrën, është parë si një hap frenues për dhunën e atij pushteti brutal. Ka mjaft kohë që kur u lëshua kushtrimi i parë për intervenim, në mënyrë që të parandalohej vrasja e qindra mijëra njerëzve dhe shkatërrimi i dhjetëra mijëra vendbanimeve, fshatrave, shtëpive, banesave, xhamive, etj. Nuk kanë munguar përpjekjet diplomatike për kinse zgjidhje të duhur, por në terren nuk janë parë rezultatet. Përkundrazi, çirrja nga larg pa ndonjë veprim konkret i dha kurajë pushtetit të tregohet sa i fuqishëm dhe i pamposhtshëm është, saqë përdori edhe armë kimike për të treguar brutalitetin. Tërë bota u tmerrua, vdiqën më shumë se njëmijë njerëz, shumica e të cilëve fëmijë. OKB dërgoi ekipet për të verifikuar nëse armët kimike ishin përdoruar me të vërtetë. Disa vende perëndimore, në


krye me SHBA-të, kërcënuan për ndërhyrje ushtarake në rast të vërtetimit të përdorimit të këtyre armëve. Presidenti Obama ka marrë vendim. Ka mbetur edhe drita jeshile nga Kongresi e cila si duket po epet. Por prapë asgjë konkrete, intervenimi le që po zvarritet por si ai mund edhe të mos ndodhë!


Sido që të jetë, kur jemi të intervenimi jo të gjithë u pajtuan me SHBA-të për intervenim ushtarak. Nuk e kam fjalën për bllokim politik e as kërcenim për përdorim Vetoje nga Rusia apo Kina, ngase qëndrimet dhe interesat e tyre tashmë janë të njohura për opinionin, por për çudi kundër intervenimit u radhit edhe një shtet, jo i rëndësishëm politikisht, por mjaft i rëndësishëm moralisht pra Vatikani. Thirrjet e Vatikanit për negociata paqësore dhe shmangie të përdorimit të dhunës, duke u arsyetuar se intervenimi “mund të


sjellë luftën e tretë botërore”, me duken jo vetëm jo-politike por edhe pesimiste e ogurzezë. Për çudi vrasja e mbi njëqindmijë njerëzve, madje edhe përdorimi i armeve kimike ndaj popullatës civile, nuk i mjaftuaka Vatikanit të bindet se duhet të ndërhyhet për të ndalë tragjedinë njerëzore në Siri.


A thua vallë, kush qenka më i rrezikshëm krimineli apo viktima, pra anën e kujt po e mban Vatikani?


Çfarë po e frikëson në të vërtetë Vatikanin? A mos fakti se me rënien e kriminelit Asad, Siria do të udhëhiqet nga shumica muslimane?  Përse këto paragjykime dhe frikë e panevojshme nga Islami dhe sistemi i tij juridik/sheriati?


Përse gjaku i civilëve, ani pse myslimanë, nuk paska vlerë?


Ku na mbeten reflektimet e Jezusit (Isait) se gjaku është i shenjtë dhe se duhet të mbrohet, dhe se ‘të bekuar janë paçebërësit’, siç pohon Ungjilli.


Përse nuk thërret ‘ndërgjegjja’ e krishterë se krimineli duhet të ndëshkohet?


Përse Vatikani nuk ndjek një vijë më racionale?


A është i vetëdijshëm Vatikani zyrtar se në mesin e të vrarëve ka edhe shumë të krishterë dhe se regjimi i Asadit vret secilin që e kundërshton pavarësisht nga feja, prejardhja, konfesioni apo besimi?


Ta themi të vërtetën. Askush nuk e pyet Vatikanin se çfarë duhet bërë. Por ironia qëndron pikërisht në faktin se pse ‘Selia e Shenjtë’ nuk e shfrytëzon rastin për të fituar, së paku, simpatinë e njerëzve e të mbaj qëndrim pak më human ndaj këtij problemi, që po shndërrohet në katastrofë njerëzore, e jo të dalë me deklarata dhe qëndrime që në këtë kohë duken mjaftë qesharake?


Përse Vatikani bën thirrje për lutje në kohën kur duhet intervenim për ta ndalë diktaturën, dhunën dhe shkatërrimin masiv? A thua a u lut Vatikani dhe suita e tij për intervenimet e Francës në Mali. A thua a kanë vend lutjet e ‘thata’, në heshtje, ndaj një kaosi që po shkaktojnë disa njerëz dhe mund ta ndalin disa të tjerë.


Për keqardhje është dhe qëndrimi i Kishës Katolike në Shqipëri. Edhe ata kanë mbështetur qëndrimin e Vatikanit, me gjithë që Shteti Shqiptar ka qëndrim tjetër. Kryeministri në largim, Sali Berisha, disa herë ka bërë thirrje për intervenim ushtarak të bashkësisë ndërkombëtare në Siri. Qëndrimi i këtillë i Kishës konsideroj se ka fyer rëndë ndjenjat e komunitetit shumicë atje. Besoj se bota është e rrumbullakët dhe se drejtësia do ta mund padrejtësinë herët a vonë, por komunitetet kanë nevojë për njëra tjetrën, ndaj a thua vallë a do të ketë arsye për ta arsyetuar mbështetjen e së padrejtës.


Thirrjes për intervenim iu kanë bashkëngjitur edhe krerët tanë politikë, për çka meritojnë mbështetje, admirim dhe mirënjohje. Ditët në vijim na mbajnë me shqetësim se si do të veprohet. Çdo vonim i intervenimit është përfitim në kohë dhe shtim i krimeve ndaj njerëzve të pafajshëm. Kriminelet sigurisht se do të nxjerrën para drejtësisë një ditë, qoftë edhe me vonesë. Por ata që mbështetën krimin, edhe pse mund të mos nxirren para drejtësisë, a thua vallë si do të përgjigjen para Zotit.


Lutemi që Zoti të na gëzojë të gjithëve me lajmin e përfundimit të dhunës në atë vend dhe kthimit të normalitetit të jetës njerëzore. Zoti është i të gjithëve dhe të gjithë do të japin llogari para Tij! Deri në javën tjetër, Selamu alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Qentë endacakë në kryeqytet dhe papërgjegjësia e organeve të komunës


 


Qysh moti kam ngritur zërin se kryeqyteti ynë është shndërruar në çerdhe të qenve endacakë. Ata tashmë kanë vërshuar qytetin, i gjen kudo dhe në çdo kohë, në veçanti gjatë orëve të vona të natës apo herët në mëngjes. Qentë endacakë paraqesin rrezik të madh për qytetarët tanë, në veçanti për fëmijët, gratë, pleqtë apo personat me aftësi të kufizuara.


Ata përpos që janë mjaft të pistë dhe mund bartin sëmundje e viruse të ndryshme, janë edhe të rrezikshëm për jetë. Këto ditë një plak u gjet i vdekur në parkun e qytetit si rezultat i kafshimit të qenve, Është vetëm rast për dëshmi, ndryshe raste të tilla ka shumë dhe gjithandej nëpër Kosovë. Qentë patën sulmuar më parë edhe një fëmijë në lagjen ‘Bregu i Diellit’, i cili, nga traumat që ka pësuar, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë probleme serioze.Ndaj edhe shtrohet pyetja: përgjegjësi e kujt është të luftojë këtë dukuri tashmë të përhapur në çdo cep të Prishtinës?!


Kush duhet të jap përgjigje dhe përgjegjësi për plakun e vdekur dhe për fëmijët e lënduar? Nga kush duhet kërkuar kompensimin/dëmshpërblimin e jetës se tij? Si është e mundur që të jetohet në një ‘qytet’ plotë qenë e të mos mund të lëvizësh prej tyre.  Deri para disa vitesh qentë endacak vriteshin, por tashmë ka njerëz dhe shoqata që çmojnë dhe vlerësojnë më shumë qentë sesa njerëzit. Këta të ‘moderuar’ kanë ekzagjeruar aq shumë vrasjen e qenve sa që si duket komuna e Prishtinës është ndikuar dhe nuk guxon të ndërmarr aksion për vrasjen e tyre. Nuk arrij ta kuptoj, vallë pse e tërë kjo frikë dhe hezitim nga komuna për largimin e qenve nga qyteti. A mos vallë më të rëndësishëm janë qentë sesa jeta e qytetarëve! A më shumë kanë të drejtë qentë apo ne që të jetojmë në qytet! Na është ngushtuar jeta prej tyre. Ka jashtëzakonisht shumë ankesa nga qytetarët, në veçanti ata që zgjohen herët në mëngjes për të shkuar në xhami, punë, në shkollë, apo për të shëtitur.


Nëse shoqatave për mbrojtjen e kafshëve ju dhimbsen qentë le t’i marrin shtëpitë e tyre, fal u qofshin, madje jam në gjendje të organizojë mbledhjen dhe tubimin e tyre për t’ua dhuruar atyre ‘paqedashësve’ këta qenë


endacakë pa asnjë centë, e pastaj ata le të bëjnë me ta çfarë të donë. Por qytetin tonë duhet ta pastrojmë nga qentë, e t’i lemë qytetarët të lëvizin lirshëm. Fundi i fundit jeta e një qytetari, mendoj, duhet të shikohet më e shtrenjtë sesa të gjithë qentë e botës. Imagjino sikur të kishte qenë plaku i vdekur apo fëmijët e lënduar të afërm të përgjegjësve komunal, apo qeveritarëve, si do ta ndienin vetën e tyre!


Para disa muajsh kuvendi komunal i Mitrovicës patë marrë një aksion për vrasjen e qenve endacakë dhe pastrimin e qytetit prej tyre. Në fakt pata falënderuar publikisht KK të Mitrovicës dhe që atëherë kam kërkuar dhe kërkojë edhe nga komuna e Prishtinës të bëjë të njëjtën gjë, por si duket këta po presin që qentë tua sulmojnë ndonjë të afërm të tyre,


apo vet ata të jenë viktima, e tek atëherë mund të alarmohet situata.  Për fund, bëjë thirrje organeve përgjegjëse të komunës së Prishtinës që sa më parë të ndërmarrin masat e duhura për largimin e qenve nga qyteti ynë, i cili edhe ashtu ka mjaft papastërti dhe pisllëqe. Shpresojmë se rasti i fundit i vrasjes së plakut nga sulmimi i qenve do të zgjojë sadopak ndërgjegjen e fjetur të përgjegjësve tanë komunal. Deri në temën tjetër, selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: A po monopolizohet shamia?


 


Jemi në prag të zgjedhjeve dhe murmuritjet për përfitim votash e përkrahje nuk kanë të ndalur. Natyrisht, partitë politike, sa për të përfituar elektoratin, ndryshojnë agjendat dhe programet e tyre. Sido që të jetë, në


vendin tonë të vogël thuajse nuk mbetet asgjë pa u monopolizuar, që nga vendosja e notave “të lira” në indeks, për simpatizuesit politik, e deri të pazarllëqet me gjigantët prodhues dhe pasuritë natyrore të vendit.


Megjithatë, për çudinë e këtij ‘zamani’, kohëve të fundit në vend ka filluar të monopolizohen edhe ndjenjat fetare të popullatës shumicë, prej të cilëve natyrisht priten shumica e votave. Kështu, një çështje e rëndësishme e feve në përgjithësi dhe e islamit në veçanti, po diskutohet me të madhe, përplot pro-et-contra.


Gjersa po shikoja disa shkrime në lidhje më këtë çështje kaq të rëndësishme fetare, kaq shumë të monopolizuar, mu dashtë që medoemos të shkruaja disa rreshta, jo për të hedh vaj në zjarr, të panevojshëm e jo racional në lidhje me këtë çështje, por për të hedh dritë mbi rëndësinë e zbatimit të këtij urdhri fetar, me të cilin Zoti fuqiplotë porositi të gjithë besimtaret anekënd globit. 


Më lejoni që fillimisht të bëjë me dije, njëherë e përgjithmonë, për publikun e nderuar se shamia, mbulesa dhe veshja modeste nuk është vetëm imperativ kuranor; por mbulesa është obligim sipas të gjitha librave hyjnore dhe për të gjithë pjesëtaret e religjioneve botërore që pretendojnë se posedojnë libra të shenjtë. Madje mbulimi i kokës dhe mosshfaqja e pjesëve të trupit, ndaj jo-farefisit, ishte traditë e lashtë edhe tek popujt më të vjetër si Egjiptianët e lashtë, Fenikasit, Babilonasit, Hebrenjtë, Ilirët, Grekët, Romakët, Bizantinët e deri të Shqiptarët tanë të para-komunizmit, e tash demokracisë.


Se këndejmi, nëse konsiderojmë se sipas historisë njerëzore Hinduizmi është religjioni më i vjetër që e ka shënuar historia moderne, atëherë shohim se edhe ‘librat e shenjtë’ hinduse si Rig Veda dhe Akti i Mahavir Charitra përmbajnë tekste që dëshmojnë se mbulesa, shamia, është e obligueshme në fenë e tyre, si: “Kur Brahma të bëri femër, ti duhet ta ulësh shikimin dhe të mos shikosh lart. Ti duhet të ecësh me modesti (vësh shputat së bashku) dhe nuk duhet të zbulosh (shfaqësh) çfarë përmban manteli e as çfarë përmban mbulesa-shamia”. (Rig Veda Book no. 8 Hymn no. 33, Vol. no. 19). Apo “Kur vinte Purshuram-i, hyji Rama [Krishna] i thoshte gruas se tij Sita “Ky është një nga të vjetrit tanë, ndaj ule shikimin dhe vendose mbulesën/shaminë”.


(Mahavir Charitra Act 2, Pg 71).


Një tekst i ngjashme ekziston edhe në skriptet e Budës “Bikshu (shenjtori) i cili shikon një femër si femër ose prek atë me ndjenja ai e ka prishur besën dhe nuk është më dishepull i Budës. Nëse femra është e vjetër shikoje atë si nënë, nëse është e re shikoje si motër, e nëse është shumë e re atëherë shikoje si vajzë tuajën. Mbulo kokën, o bikshu, me helmet të mendimeve të mira dhe lufto me vendosmëri kundër pesë dëshirave. Zemrën e njeriut e mbulojnë ethet kur ai hutohet nga bukuria e femrës ndërsa mendja trulloset. (Gautama


Buddha on Bhikshus, Budhist Scriptures).


Hebrenjtë  gjithashtu e kishin obligim mbulesën sipas Torës, të cilit urdhër shumë prej çifuteve i përmbahen edhe sot. Madje askund në botë nuk dëgjojmë diskriminime të çifuteve mbi baza fetare apo largim të tyre nga shkollat. “Mbledh rreth vetes thekët nga të katër anët e pelerinës (shamisë) ashtu që ta mbulosh vetën” potencon, Ligji i Përtërirë, 22:12, në Tora.


Kjo sa i përket Dhiatës së Vjetër e që është pjesë e përbashkët në mes të çifutëve dhe të krishterëve, ndërsa Dhiata e re, e cila konsiderohet ekskluzivisht për të Krishterët, potencon: “…Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kokën e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet”. 1 E Korintasve 11, 4-6.


Prandaj, imperativi fetar i të gjitha religjioneve dominuese në botë është që femra ta mbulojë kokën, madje edhe pse ‘lufta’ dhe kundërshtimi i vrazhdë është gjithmonë ndaj muslimanëve, ngase ‘ata i detyrojnë gratë e tyre të mbulohen’. Në fakt urdhri kuranor nuk potencon asnjë ndëshkim në këtë botë, përkundër urdhrit biblik që përfshin edhe ndëshkimin, dënimin, në këtë botë pra qethni ato gra që nuk mbulojnë, dhe si pasojë çnderojnë, kokën e tyre. Ndërsa në Kuranin famëlartë në mes tjerash, në këtë kontekst, kemi këto dy ajete: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht çfarë bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre. Të mos zbulojnë bukuritë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre (mbi kokat e tyre) dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, prindërve të vet ose prindërve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmenden) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndjenja për femra ose fëmijët që nuk kanë arritur pjekurinë. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për të mos zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” Nur, 24/31.


Dhe “O Pejgamber, thuaju grave tuaja, bijave tuaja dhe grave të besimtarëve t’i vejnë shamitë (mbulesat) e veta mbi trupin e tyre, ngase kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” Ahzab, 33/59.


Ndaj çdo monopolizim dhe politizim i kësaj çështje fetare është i papranuar për besimtarët dhe të gjithë i këshillojë të mos bien viktimë e politikave ditore të politikanëve tanë që më së paku kanë dertin e fesë.


Shikuar nga këndvështrimi jofetarë mbulesa është e drejtë e manifestimit të bindjes fetare në publik dhe si e tillë është e garantuar me ligje dhe konventa ndërkombëtare. Dëshiroj të përmend, në këtë rast, Konventën e UNESCO-s kundër çdo diskriminimi në shkollim, ku në nenin 1 të kësaj konvente thuhet:


“Për qëllime të kësaj Konvente, termi ‘diskriminim’ përfshinë çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë e cila, duke u bazuar në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, fe/religjion … synon apo ndikon të shfuqizojë apo pengoj trajtimin e barabartë në shkollim e në veçanti:


(a) Për të privuar ndonjë preson a grup personash që të mos ketë qasje në shkollim të çfarëdo lloji apo niveli,


(b)  Për të kufizuar ndonjë person apo grup personash që të kenë një shkollim të një standardi dytësor apo më të ulët”.


Në këtë kontekst vjen edhe Kushtetuta e Republikës sonë, e cila garanton lirinë fetare në nenin 38, respektivisht paragrafi 3:  “Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet …  që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.


Ndërsa , Ligji Nr. 02/L-31, Për Lirinë Fetare në Kosovë, Neni 1, paragrafi 1.1., potencon se “Çdo njëri ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetar. Kjo e drejtë përfshinë … dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, çoftë si individ ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht, etj.


Prandaj, pretendimet se Kosova është shtet laik, mbështetur në ligjet e sipërcituara, dhe se për të mbrojtur një të drejtë të garantuar, të shkelur vite me radhë në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, duhet konsultuar organizata, grupe të grave depu(sh)tete dhe OJQ tjera, duken më tepër se qesharake. Madje disa shitën aq ‘të paanshëm e të moderuar’ saqë konsiderojnë se komunitete tjera fetare në Kosovë qenkan përjashtuar nga konsultimi. A thua vallë ka guxuar dikush vetëm të mendojë ta diskriminojë një femër katolike, e le të mos flasim për ortodokse, për shkak të asaj që ajo bartë në kokë.


Diskriminimi po shihet si dielli në qiell të kaltër ndaj pikërisht pjesëtarëve dhe pjesëtareve të këtij komuniteti i bie më shumë barra të gjejnë zgjidhje për një çështje të këtillë.


Për fund, duke lutur të madhin Zot që të na jap mend, që kjo çështje të zgjidhet sa më parë, e të na bëjë të mundur ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë të mirë për të thënë, po e përmbyllë këtë shkrim timin me shpresë se ka tingëlluar në veshët dhe ndërgjegjen e duhur të politikë-bërësve tanë.


Deri në shkrimin e radhës, Es-selamu alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …