Dr: Sheqet Krasniqi: NË PËRFUNDIM TË NJË VITI HIXHRIJ

 


Sot është dita e fundit e vitit sipas kalendarit të myslimanëve, gjegjësisht sipas kalendarit hixhri, për zanafillën, historikun dhe detaje tjera të rëndësishme të të cilit, kemi folur edhe më parë, madje, falë ndihmës së Allahut, ajo temë bashkë me të gjitha temat tjera që janë publikuar për çdo javë në këtë gazetë janë përmbledhur dhe botuar në një libër të veçantë, të titulluar “Qëndrime në kohë.”


Kësaj radhe, këtë datë të rëndësishme islame, do ta trajtojmë nga një këndvështrim tjetër.


Njerëzit në përgjithësi, myslimanë e të tjerë, i gëzohen vitit të ri përkatës, mu për këtë edhe shumë prej tyre e festojnë. Në realitet, ka qenë dashur të jetë e kundërta, jo vetëm që mos ta festojnë, por edhe të mërziten e të brengosen, sepse me kalimin e një viti kalon edhe një vit nga jeta jonë, edhe një vit më afër vdekjes, një vit më përpara, një vit të kaloi të doli nga dora, më nuk do kesh mundësi ta kthesh asnjëherë deri në kiamet. Dhe lëre se kaloi një vit, por kështu po na kalojnë shumë vite, e viti është kohë, e koha është jeta jote dhe e imja, sa kohë kalon, aq pjesë nga jeta jonë kaloi. Njeriu e ka në dispozicion vetëm një jetë që është e përbërë nga disa vite, apo disa dekada, e që është një kohë e caktuar dhe e cila as nuk shtohet e as nuk pakësohet. Kjo jetë është pasuria më e shtrenjtë që e posedon njeriu, kështu i mençur është ai i cili ia di vlerën të shtrenjtës, e çmon atë… Për këtë arsye Islami i kushton kohës një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, saqë Allahu i Madhëruar edhe zotohet në kohë. Thotë Allahu: “Pasha kohën” (Kur’ani, el-Asr: 1.); “Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkrepëtin” (Kur’ani, el-Lejl: 1-2.); “Pasha agimin!” (Kur’ani, el-Fexhr: 1.), si dhe shumë e shumë raste tjera ku i Madhi Allah përmend kohën, ose zotohet në të, për t’ia kujtuar myslimanëve rëndësinë e madhe që ajo ka për ta. E në anën tjetër Pejgamberi Muhammed a.s. na porositë që ta shfrytëzojmë kohën në maksimum duke pasur parasysh vlerën e madhe që ka dhe se ajo kohë është jeta jote, është vepra jote, është fryti i juaj, është rezultati i punës suaj në bazë të së cilës vlerësohesh se a ke qenë i mirë apo i keq, i dëmshëm apo i dobishëm. E më pas sipas atyre veprave e punëve tua do të kesh vlerë në familje dhe në shoqëri, bile edhe në botën tjetër, për atë thotë Allahu xh.sh: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës” (Kur’an, el-Kehf: 30.) Ndërsa Pejgamberi a.s. thotë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para se të vijnë pesë të tjera: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin tënd para sëmurjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihesh dhe jetën para vdekjes.”


Të gjitha këto janë pjesë e jetës sate të cilat po nuk i shfrytëzove të ikin, e dikur pendohesh por bëhet vonë. Sa plaku pendohet që nuk ka punuar mirë, apo që nuk ka kryer shkollë kur ka qenë i ri, por tash i është bërë vonë. Sa i sëmuri pendohet që nuk ka ditur ta ruaj shëndetin e tij dhe ta shfrytëzon atë si duhet, por tashmë i është bërë vonë. Sa i varfëri pendohet që nuk ja ka ditur vlerën pasurisë sa ka pasur dhe nuk e ka harxhuar aty ku duhet, por tashmë i është bërë vonë … dhe kështu me radhë. Andaj kalimi i një viti ka domethënie më të madhe se thjesht të një feste.


Një vit shumë kujt nuk i duket shumë, por aty janë 365 ditë e çdo ditë nga njëzet e katër orë, kështu nga ky prizëm kalkulimi kjo bënë shumë. Sa njeriu ka vdekur për një vit? A nuk kemi mundur që edhe ne të jemi nga ta? Po nëse nuk kemi qenë prej tyre gjatë këtij viti, atëherë kush na garanton se nuk do jemi prej tyre gjatë këtij viti, në prag të të cilit jemi tani. Sipas një statistike për çdo orë në botë vdesin rreth 6,178 njerëz. E vdekja vetëm një herë na vjen; ajo nuk përsëritët dy herë.


Shumë shpejt kaloi një vit, kaluan edhe shumë vite, e kështu po kalon jeta krejt. Pa pyetni pleqtë se sa gjatë ju duken vitet që kanë jetuar, e do ta shihni se ç’përgjigje merrni. Do thonë: Sa hap e mbyll sytë na kaloi kjo jetë. Po -të nderuar- kjo është më se e vërtet.  Është interesant se me kë të bisedosh ka për të thënë: shumë shpejt po kalon koha, shumë shpejt kaloi një vit. Po, ashtu është, koha kalon shumë shpejt, në veçanti në këtë kohë, sepse sa më afër kiametit, apo fundit të botës aq më shpejt kalon koha, aq më shumë humb bereqeti i kohës, aq më pak kanë njerëzit bereqet në punë. Kjo është e vërtetuar edhe me hadith të Profetit Muhammed a.s.


Kaloi viti 1432 sipas kalendarit të musliamnëve, e që ky vit do të shënohet në histori si “vit i ndryshimeve” në veçanti në botën arabe. Gjatë do ta kujton historia “pranverën arabe” që tashmë veç është futur në fjalor dhe është bërë shprehje e përditshme. Ky vit –sipas mendimit tim- ka qenë viti më i bereqetshëm në botën islame që nga koha e rënies së kalifatit. Vit në të cilën miliona njerëz kanë filluar të marrin frymë lirshëm, ta adhurojnë Allahun të qetë, të jetojnë të sigurt e të lirë. Ende ka shumë punë për tu bërë atje në botën arabe, ende ka diktatorë e mizorë të cilët nuk kursejnë asgjë vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet, ende në shumë shtete gjaku i qytetarëve është shumë “i lirë”, por shpresat janë edhe më të mëdha. Dje, një prej këtyre diktatorëve famëkeq, Abdullah Salihi, president i Jemenit, dha dorëheqje, dhe kështu mizorisë iu shkëput dhe një hallkë, mbase prej të fundit që i kanë mbetur në vendet arabe. Le të shpresojmë se lajme të këtilla të mira do të na vijnë edhe nga Siria.


Që nga nesër po futemi në vitin e ri 1433  e ta shohim se çfarë ndryshimesh e presin botën, se çka fshihet në dijen e Allahut, athua do të jemi gjallë edhe një vit, do të jetë ky vit më i frytshëm e më i begatshëm se viti paraprak? Këto dhe shumë gjëra tjera na mbetet t’i shohim, por gjithherë me shpresë dhe optimizëm se do të bëhet mirë, se do të punojmë më shumë e më mirë sesa që kemi punuar gjatë këtij viti që lamë pas. Lusim Allahun të jetë ashtu, për ne dhe për mbarë njerëzimin, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjerët selam alejkum.  


 


 


Dr. Shefqet KRASNIQI: MIRËSITË E ZOTIT NDAJ NJERIUT DHE NEVOJA E FALËNDERIMIT PËR TO


 


Zoti i Madhërishëm krijoi këtë gjithësi, krijoi këtë tokë dhe çka ka në të, e më pas krijoi edhe vetë njeriun duke vënë çdo gjë në shërbim të tij. Ky diell rrezitë për njeriun, kjo hënë ndriçon për njeriun, ky shi bie për të, pemët e perimet mbijnë e japin fryte për të; çdo gjë është për të dhe në shërbim të tij. Edhe këto dete të pafundme, edhe  këto male të larta, janë krijuar për njeriun. Vërtet atë Allahu e dalloi dhe privilegjoi nga çdo krijesë tjetër, siç tha në Kur’an: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam” (Kur’an, el-Isra: 70).


Vërtetë mirësitë e Zotit ndaj njeriut janë të mëdha. Po kush bëri për njeriun atë që bëri Zoti për të, kush u kujdes për njeriun më shumë sesa Ai?! Kush e krijoi atë, kush e dalloi atë kaq shumë, e ngriti dhe e privilegjoi përveç Lartmadhërisë së Tij?! Andaj a nuk ia vlen që njeriu t’ia di për nder të Madhit Zot gjithë këto të mira e begati që ia ka dhuruar?! A nuk ia vlen t’i thotë: të faleminderit o Zot? Po, për çdokënd që ia bënë një të mirë sado të vogël, njeriu me natyrshmërinë e tij ndien nevojë ta falënderon atë. Shumica e njerëzve e bëjnë këtë dhe kjo është shumë e mirë dhe e pëlqyeshme, por ja që në raport me Zotin shumë pak e bëjnë. E ata të paktit që e bëjnë janë myslimanët. Për atë arsye ata janë njerëzit më falënderues, janë njerëzit që e njohin më së miri Zotin e tyre, Atij ia atribuojnë çdo të mirë që e kanë dhe për Të janë në gjendje të sakrifikojnë me gjërat më të shtrenjta dhe çmuara që kanë.


Shkuarja e haxhinjëve në Haxh është një nga dëshmitë e shumta për atë që ata bëjnë për Zotin e tyre. Është vetëm një fakt për madhërimin dhe falënderimin e tyre për Të. Si jo, kur Ai njerëzve u ka lënë shumë mundësi që nëpërmjet tyre ta falënderojnë, që të ngritën tek Ai, që të spastrohen nga mëkatet të cilat i bëjnë thuajse për çdo ditë. Ai ua do shumë të mirën njerëzve, i ka mëshiruar kur i ka krijuar dhe në vazhdim i mëshiron, ka thënë Allahu për vetën e Tij: “S’ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve” (Ku’ran, el-Bekare: 143). Por ja që njerëzit nuk e dinë, apo nuk donë ta dinë këtë mirësi të madhe të Zotit të tyre me çka i bëjnë vetës së tyre zullum e pa drejtësi, siç na ka treguar edhe vet Zoti në Kur’an: “All-llahu nuk u bën asgjë të padrejtë njerëzve, por ata i bëjnë të padrejtë vetes së tyre.” (Kur’an, Junus: 44).


Tashmë haxhinjtë janë kthyer nga Haxhi, pasi që kanë kryer njërin nga obligimet më të rëndësishme të Islamit, pasi që kanë qenë në njërin ndër udhëtimet më të rëndësishme të jetës së tyre. Udhëtim ky të cilin kurrë nuk do ta harrojnë sa të jenë gjallë. E si ta harrojnë kur ata atje pranë shtëpisë së Zotit e kanë ndier vetën më afër Krijuesit të tyre se kurdoherë më parë.  Ata janë veshur në dy çarçafë të bardhë dhe që të gjithë pa dallim kombi e race, pozite e ngjyre, kanë qëndruar në rrafshin e “Arafatit”, ku kanë ndier vetën të barabartë, të gjithë robër të Zotit, të gjithë të nevojshëm për mëshirën dhe faljen e Tij,  mu për këtë kanë kaluar ditën duke kërkuar falje, duke u penduar për mëkatet e tyre, duke përtërirë besën Zotit të tyre se do të jenë më të mirë, më të denjë e më të sinqertë posa të kthehen në shtëpitë e tyre. Vërtet Haxhi një shkollë e madhe e edukimit, një kongres që kalon përmasat e çdo kongresi tjetër në botë. Dhe nuk dyshoj aspak se pjesa dërmuese e atyre haxhinjëve kthehen më të mirë dhe më të devotshëm sesa që kanë shkuar. Ata atje ndjen vetën se bënë diçka për Zotin e tyre, ndjen vetën se dhanë diçka për Furnizuesin e tyre. Atyre jo që ju dhimben ato para që i shpenzuan për atë udhëtim madhështor, por se janë shumë të lumtur që patën atë fat dhe atë mundësi. Ngase ata atje ia ndjejnë madhështinë e vërtetë të Islamit. Madhështi kjo që për te më së shumti ka nevojë bota bashkëkohore. Në veçanti në kohën kur bota është e mbushur me ndasi e dallime politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Në kohën kur luftërat dhe derdhja e gjakut nuk kanë të ndalur. Në kohën kur bota është duke shkuar drejt një ndryshimi të madh në shumë sfera, në veçanti në atë ekonomik dhe politik, e që nuk e di kush pos Zotit se çka është ka e pret këtë botë. Përballë të gjitha këtyre ndryshimeve dhe dallimeve të shumta mes njerëzve, ata kanë nevojë për mëshirën qiellore, për mesazhin qiellor, kanë nevojë që të kthehen te Zoti i tyre, e që do të thotë të kthehen në natyrshmërinë e tyre, duke e njohur Zotin e tyre, duke e falënderuar Atë, duke e kuptuar misionin e tyre në tokë, se ata nuk janë zot ashtu që të kenë të drejt të luajnë me fatin e njerëzve, t’i maltretojnë e persekutojnë ata në çdo mënyrë, për interesin e tyre. Por janë robër në tokë, e Zotin e kanë lartë në qiell i cili i sheh, i vëzhgon dhe çdo vepër e fjalë të tyre ua ruan e shënon dhe nesër në ditën e gjykimit sipas tyre edhe i shpërblen apo i ndëshkon.  


Allahu na bëftë robër të devotshëm e të sinqertë, falënderues e vepërmirë , amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr: Shefqet Krasniqi: Kurbani sakrificë për Allahun


 


Gjatë ditëve të kaluara, bile edhe më tej shumë njerëz ishin dhe vazhdojnë të jenë të preokupuar me çështjen e kurbanit dhe për çdo ditë kamë thirrje të shumta telefonike dhe pyetje gojore në lidhje me dispozitat e këtij riti fetar, gjë që me kënaqësinë më të madhe ju përgjigjem pyetjeve të tilla, ngase ajo jap me kuptuar se njerëzit duan të bëjnë diç për Zotin e tyre të cilin e besojnë. Duan ta ofrojnë një punë të mirë tek Allahu me të cilën Ai është i kënaqur dhe i shpërblen për te, bile jo rrallë herë pyesin edhe për të vdekur se a bënë të therim për ta kurban, çka jep me kuptuar se  populli ynë i kushton një rëndësi të veçantë çështjes së kurbanit. E është interesant se çështja e kurbanit ka qenë prezente tek populli ynë nga dita që kanë pranuar islamin dhe asnjëherë nuk është ndërprerë, bile edhe gjatë periudhës komuniste njerëzit ani pse nuk kanë shkuar as nëpër xhamia, e ndoshta edhe shumë gjëra tjera fetare nuk i kanë kryer, por me gjithë atë kurban kanë therur. Me çka kuptohet se ky popull gjithmonë e ka dashur këtë fe, është duke e dashur dhe ka me vazhduar ta dojë me emrin e Allahut sa të jetë kjo tokë me njerëz. 


Jo vetëm tek shqiptarët mysliman, por anë e kënd botës ku ka mysliman është e njëjta gjë sa i përket therjes së kurbanit, ky ritë fetarë nuk është ndërprë asnjëherë që nga koha e Profetit Ibrahim (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi te), diku para rreth pesë mijë viteve, i cili ishte i pari që theri kurban dhe vazhdoi më pas tek pasardhësit e tij dhe gjeneratë pas gjenerate deri sot dhe do vazhdoi edhe më tej.


Fjala kurban do të thotë sakrificë, me bërë diç për dikë, me u ofruar me diçka te dikush që e donë, që ke nevojë për te, që te ai shpreson e kështu me radhë. E këtu është fjala që me derdhjen e gjakut , gjegjësisht me therjen e një shtaze për hir të Krijuesit, të ofrohemi tek Ai, ta fitojmë kënaqësinë e Tij. Ani pse është në mënyrën simbolike, por me gjithë atë domethënien e ka shumë të madhe, ngase vet esenca e këtij kurbani na kujton sakrificën e parë , na kujton Ibrahimin i cili vendosi ta bëjë kurban, gjegjësisht ta theri të birin e tij për hir të Allahut, duke i dëshmuar Atij se  askë nuk e do më shumë sesa Atë dhe se për te është në gjendje ta jap jo vetëm një pjesë të pasurisë, por edhe më të dashurin e shpirtit, djalin e vetëm Ismailin i cili i lindi në pleqëri, diku rreth moshës nëntëdhjet vjeqare.  E për të cilin e kishte lutur Allahun që nga rinia t’ia fali dhe tani më pasi u rritë djali, babai i tha: “Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë,(kur i bëri trembëdhjetë vite) ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” (Kur’an, Safat:102). Edhe babai edhe biri që të dy kuptuan se urdhëri i Allahut nuk duhet kthehet prapa edhe se nëse është në pyetje që edhe biri të sakrifikohet vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Zotit dhe për ta quar në vend urdhërin e Tij, atëherë ajo duhet të bëhet. Le të bëhet kurban biri, le të bëhet kuban edhe pasuria , le të jap çdo, por jo edhe dashurinë e Allahut. Ngase ajo është më e shtrenjët se çdo gjë tjetër. Therja kurban të birin jap me kuptuar se asgjë në dynja nuk guxon ta zë vendin e Allahut në zemrën e njeriut dhe se askënd nuk bënë njeriu ta doj më shumë sesa Zotin e tij. Kjo është shkalla më e lartë e devotshmërisë, e përkushtimit ndaj Atij që jeta dhe vdekja jote janë në dorën e Tij.


E kur Ibrahimi e arriti këtë shkallë të devotshmërisë së bashku me të birin e tij, ani pse i biri shumë i ri, por shumë i pjekur dhe i vetëdijshëm, atëherë Allahu i Madhëruar nuk e la të dashurin e Tij ta theri të birin, por i tha: “ E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë).  Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën (urdhërin)! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm” (Kur’an, Safat: 103-107). Ia zbriti një dash të madh dhe i tha: there këtë si shenjë sakrifice, si shenjë devotshmërie e përkushtimi ndaj Meje.  Po të nderuar nuk e ka fituar njeriu kënaqësinë e plotë të Zotit të tij derisa mos të jetë në gjendje të bëjë çdo gjë për hir të Tij, nëse është nevoja ta sakrifikoj edhe më të dashurin, më të mirin, më të ëmblin. Nuk guxon askush ta zë në zemrat tona vendin e Allahut, ngase Ai na ka krujuar, të Tij jemi, tek Ai kemi me u kthyer, për askë nuk kemi më shumë nevojë sesa për te. E i lumtur është ai i cili e njeh Atë, e cili i përkushtohet Atij, jeton për Te dhe fiton kënaqësinë e Tij.


Jemi në prag të kurban bajramit, ne do festojmë këtu me familje e dashamir, ndërsa një numër i konsiderueshëm i haxhinjëve nga mbarë bota tashmë kanë arritur në vendet e shenjëta për ta kryer haxhin, për ta adhuruar Allahun atje. Atyre Allahu ua pranoft atë adhurimë dhe u kthefshin shëndosh e mirë, të pastruar nga mëkatet, ndërsa ne po e adhurojmë Zotin tonë këtu, me bajram e me kurban. Allahu na i pranoft veprat e mira, na bëft më të mirë e më të begatshëm, më unik e më të bashkuar. Amin, urime festa të gjithëve  dhe deri javën e ardhshme me një tem tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Vdekja e Gadafit dhe fundi i mizorëve


 


Në javën e kaluar tërë bota pa sesi morri fund njëri ndër diktatorët më të mëdhenj bashkëkohor, një njeri i cili pretendonte se vetëm ai e ka mirë, një njeri i cili ëndërronte të bëhet mbret i tërë botës, e në veçanti i asaj Islame. E pasi që nuk arriti, atëherë u përpoq që të bëhet mbret i shteteve afrikane ku gjeti një përkrahje goxha të madhe. Gadafi ishte një njeri shumë i çuditshëm, i cili u mundua që edhe nga ana e sistemit politik të jetë i veçantë; nuk e quante veten komunist, ani pse ishte shumë i ndikuar nga ish-liderët komunist. Nuk ishte as demokrat ani pse pretendonte që shteti i tij është demokrat, sikur që nuk ishte as islamist, sepse nuk e pëlqente sheriatin islam, gjente vërejtje edhe në Kuran. Ai nuk ishte pro perëndimor, e as pro lindor, ai ishte siç thotë populli “shah në veti”, ishte diçka i veçantë. Nuk ishte i mençur, por nuk ishte as i çmendur, shumë herë gabonte, por jo rrallë herë edhe ia qëllonte. Me Islam krenohej, por në të njëjtën kohë Islamin e luftonte. Ai në vitin 1975 publikoi librin e tij të njohur “Libri i gjelbër”, me të cilin kritikonte sistemet kapitaliste perëndimore, por të njëjtën kohë edhe ato islame lindore. Ishte një sistem i veçantë, me çka i obligoi tërë popullin e tij që të punojnë me atë libër, i cili sipas tij zëvendësonte edhe Kuranin.


 


Gadafi kishte një pamje trishtuese, ia kishte shëmtuar Allahu fytyrën, gati sa i përngjante Iblisit. E si mos t’i përngjaj, kur populli i tij më herët, para katër dekadave, kishte kërkuar që në pushtet t’iu vie djalli i madh Iblisi. E si ndodhi kjo? Gadafi si një oficer i ri, në fund të viteve gjashtëdhjeta organizoi një revolucion me kolegët e tij, eprorët ushtarak, e më pas ju bashkëngjit edhe populli i tij dhe u ngritën kundër mbretit të atëhershëm Idrisit, i cili ishte një mbret plak, i devotshëm e i sinqertë, por i dobët nga pushteti. Protestuesit shëtisnin nëpër rrugë dhe brohoritnin “e duam Iblisin, e nuk e duam Idrisin”. Idrisi kur pa turmën e madhe që i është drejtuar pallatit të tij, pyeti: kush janë ata njerëz dhe çka po thonë? I  treguan se po e duan Iblisin e jo Idrisin. Atëherë Idrisi ngriti duart nga qielli dhe tha: “ O Zot përgjigju lutjes së tyre!”, pranojua lutjen, hiqua Idrisin e sillua Iblisin. Dhe subhanallah, Allahu ua pranoi lutjen dhe ua solli Iblisin, dmth shejtanin kryesor, më të madhin –Gadafin, i cili jo vetëm që veprat i ka pasur të dreqit, por edhe pamjen ia bëri Allahu gati si të dreqit. Po të nderuar, çka të kërkosh prej Allahut të Madhëruar të jep, çka të lypsh gjen, andaj duhet pasur kujdes se çfarë kërkon njeriu.


 


Gadafi ishte ndër “burrat e shteteve” që më së shumti qëndruan në pushtet, dyzet e dy vite. Ishte nga diktatorët e shumtë të shekullit të kaluar, të cilët qëndruan në pushtet me dekada. Dhe është nga të fundit që kanë mbetur nga shekulli i kaluar. Kështu, nëse themi se shekulli i kaluar ka qenë “shekulli i diktatorëve” ndoshta nuk gabojmë, ashtu siç nuk gabojmë nëse themi se shekulli i kaluar ka qenë ndër shekujt më të dëmshëm dhe më të disfavorshëm të mbarë njerëzimit, e në veçanti të muslimanëve. Thuajse të gjithë atyre diktatorëve iu ka ardhur fundi shumë keq, të gjithë ata tashmë mallkohen, asnjë nga ta nuk lavdërohet. Fundi i keq i erdhi edhe Gadafit, i cili u nënçmua dhe u përbuzë në çastet e fundit të jetës së tij derisa u vra. Kërkonte mëshirë nga kryengritësit, të cilët i kishte shtypur me tanke me dekada. Kërkonte mëshirë nga ata që ua kishte vrarë prindërit dhe të afërmit e tyre, kërkonte mëshirë nga populli i tij, që ky kurrë nuk kishte pasur mëshirë ndaj tyre, qoftë edhe një ditë të vetme gjatë pushtetit të tij. Për të gjaku i njeriut kishte qenë më i lirë sesa gjaku i një kafshe. Me dhjetëra mijëra njerëz të ekzekutuar, pa gjykim paraprak. Ndërsa burgjet ishin të stërmbushura me djem të rinj të cilët donin ta shijojnë lirinë sikur njerëzit e tjerë. Gjithë atë gjak që e ka derdhur, gjithë ato krime që i ka bërë dhe të kërkojë mëshirë? Jo, për Zotin, nuk ka mëshirë për të, por njeriu nuk mund të bëjë më shumë sesa ta vras apo ta mbys dikë. E do ta sheh ai se çka do t’i bëjnë atij melaqet e Allahut sa ta fusin në dorë.


 


Vdekja e Gadafit dhuratë e madhe nga Allahu. Vdekja e tij është një gëzim i madh i mbarë njerëzve dhe dashamirëve të paqes e mirësisë. Është një fitore e madhe e drejtësisë.


Fundi i tij është edhe një argument tjetër se: sado që të zgjat zullumi, atij do t’i vjen fundi. Fundi i tij është një sinjal i qartë për ata mizor e diktatorë që kanë mbetur ende në pushtet se edhe ata nuk e kanë larg. Fundi i tij do t’i shtyj dhe stimulojë edhe popujt tjerë të cilët janë duke vuajtur prej pushtetarëve që ta ngrijnë zërin e tyre kundër tyre, deri në realizimin e qëllimeve të mira. Deri në rrëzimin e diktatorëve dhe shijimin e lirisë, për të cilën edhe janë krijuar njerëzit. Ngase siç ka thënë Halifja Omer: “Njerëzit nuk janë krijuar që ju t’i bëni robër, por janë krijuar që të jenë të lirë”.


 


Si do që të jetë fundi i tij, ajo çka është me rëndësi për ne sipas mendimit tim, është se njeriu nga do që t’ia mbaj, çfarëdo rruge që ta ndjek, sado që të bëhet “i fort” e “i madh”, atij do t’i vijë fundi, ai do të futet në tokë e të bëhet dhe, ashtu siç ju ka ardhur fundi edhe shumë e shumë mizorëve e diktatorëve tjerë para tij, që ndoshta kanë qenë edhe më të vrazhdë dhe më mizorë sesa ky. Por, Allahu nuk ngutet, ani pse neve po na ngutet. Ka thënë Allahu: “Çdo gjë që është mbi tokë (dhe në këtë gjithësi) do të zhduket, do të shkatrrohet” (Kur’an, Rrahman: 26.)


 


Dhe dalëngadalë do t’i vijë koha Gadafit dhe çdo njeriu tjetër për të dalë para Zotit për të dhënë llogari. Andaj nuk ia vlen assesi që njeriu ta rris mendjen e të harroi se lartë mbi kokë e ka Zotin e tij, i cili e sheh dhe e dëgjon dhe për çdo fjalë e vepër nesër e gjykon dhe sipas veprave e shpërblen apo e ndëshkon. Nuk ia vlen ndryshe njeriu të sillet në këtë jetë pos me mirësi e drejtësi, në mënyrë që të mundohet të sjell tek njerëzit paq e lumturi. Siç ka thënë Pejgamberi Muhamed: “Sillu ndaj njerëzve ashtu siç ke dëshirë që ata të sillen ndaj teje.”  Allahu na bëftë të mirë, të sjellshëm e të butë ndaj njerëzve, të dobishëm për vete, për familje dhe shoqëri. Na bëftë që të jemi të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër. amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr. Shefqet Krasniqi KUR PRESIDENTJA GABON


 


Njeriu është krijesa më e privilegjuar në rruzullin tokësor. Atij i është ngarkuar dhe misioni qiellor dhe i është besuar të sunduarit e kësaj toke, duke ia lënë amanet çdo gjë që është në të. E për të qenë sa më i aftë për ta kryer këtë amanet Allahu e ka pajisur atë me shqisa të ndryshme dhe me intelekt. Pastaj e ka këshilluar dhe urdhëruar që të ketë kujdes se çka po flet e çka po vepron sepse për çdo fjalë a vepër do të jap llogari ditën e gjykimit. Në lidhje me këtë ka thënë Allahu xh.sh: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, (mos fol e mos vepro), sepse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra (mendja), për të gjitha këto ka përgjegjësi” (Kur’ani: El-Isra: 36.) Ndërsa përgjegjësinë e njeriut e la në varësi të postit, dijes dhe pozitës që e ka etj. Pra të gjithë njerëzit duhet të kenë kujdes e maturi, por ata që janë më të dalluar, më të ngritur, më me emër, në veçanti. Për atë themi se: nuk e ka përgjegjësinë e njëjtë një njeri i thjesht me një deputet, ministër, kryeministër apo president. Mendoj se këtu pajtojmë të gjithë. Ani pse të gjithë janë njerëz, të gjithë gabojnë, por gabimi i të gjithëve nuk është i njëjtë. Andaj  njeriu sa më me famë e me autoritet të jetë, po aq më shumë duhet të jetë i kujdesshëm, ngase fjala del dhe ajo më nuk kthehet pas. E siç është një fjalë e urtë arabe: “Nëse të folurit është nga argjendi, atëherë heshtja është nga ari.” Eh sa njeriu ka fol dhe i ka ra pishman për atë fjalë, por është bërë vonë. Është bërë vonë në këtë botë, por do të bëhet edhe më vonë në botën tjetër. Për atë thotë populli ynë: “Tri herë mendohu e njëherë fol.” Zaten njeriu i mençur duhet ta ketë parasysh Ditën e gjykimit për çdo fjalë dhe çdo vepër, para se ta ketë parasysh kënaqësinë e njerëzve në këtë botë. Ngase njeriu jo rrallë herë duke u munduar të flasë për hatër dhe teka të njerëzve e shkreton, bënë gafe të cilat mund t’i kushtojnë shumë, dikujt me fytyrë, dikujt me karrierë, e dikujt edhe me xhehenem sepse mund të del fare prej feje.


Para pak ditësh, me 15-10-2011 presidentja e vendit morri pjesë në një manifestim në Zymë të Hasit të quajtur “Takimet e Gjeçovit” të organizuar nga Ipeshkvija e Kosovës, me ç’rast mbajti fjalimin kryesor, ku pasi falënderoi  organizatorët dhe lavdëroi shumë Shtjefnin si një priftë të devotshëm i cili ka mbledhur Kanunin e Lek Dukagjinit, gati sa e ngriti atë mbi shkallën e vet Jezusit –Isaut, thuajse ai e ka mbledhur fenë e Isaut, e jo që ai ka mbledh zakone e tradita që shumë nga ato bien në kundërshtim të plotë me vetë parimet e Jezusit –Isaut dhe të Bibles. Ajo gjatë fjalimit të saj dhe lavdërimit të Kanunit të Lekës bëri më shumë se një gafë, në veçanti kur atë e ngriti mbi besimin katolik dhe atë Islam. Ajo shkoi edhe lartë ku edhe përqeshi sheriatin Islam, kinse ai sheriat  po ia preka dorën njeriut dhe po e rrahka atë me kamxhik.


Nëse presidentja e vendit e ka lexuar Kanunin e Lekës, ndryshe, Kanuni ka shumë të meta, e një ndër to edhe diskriminimi i femrës, e që do të mjaftonte -të paktën- për rezerva ndaj tij, pasi që edhe vet ajo edhe i takon gjinisë femërore.


Presidentja gjatë fjalimit të saj mes tjerash tha: “Më lejoni, duke pasur parasysh karakterin e këtij manifestimi, t’i them dy çështje rreth Kanunit të Lekë Dukagjinit.


E para: Ky Kanun në gjitha nenet dhe paragrafët e tij e respekton njeriun, dinjitetin e tij personal dhe familjar. Kanuni nuk e njeh të drejtën e ndëshkimit si dëmtim dhe poshtërim të dinjitetit. Në Kanunin e Lekës, nuk ka rrahje publike të personit, nuk ka gjymtim të trupit”. Kështu thotë presidentja për Kanunit, por në realitet kanuni thotë krejt ndryshe. Në faqe 14 shkruan: NYE I NJIZETËT TRASHIGIMI I GRUAS SHQYPTARE: “Grueja shqyptare farë trashigimi s’ka te prindja, as më plang e as në shpi, kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi…”. Pastaj në faqe 19 shkruan: NYE I NJIZETETETËT “GRUEJA S’BJEN NË GJAK” … “Me rrahë burri gruen, nuk bjen në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kërkojnë të rrahmen”. Pastaj në faqe 21 shkruan: NYE I TRIDHETEDYTË GRUEJA E PA KURORË. “ Kanuja i nep këtu ndëshkime burrit, qi merr grue të pa kunorë: a)shpija i digjet e toka i jet djerr; b) xieret prej vendit, e s’mund ta shkalosë tokën e vet….” këtu janë vetëm disa ligej të kanunit për femrën shqipëtare të cilën e ulë dhe nënqmon kaq shumë, saqë edhe me rrah burri dru gruan e tij, me gjakos e me lënduar, ai nuk jep përgjegjësi para askujt, bile as babai i saj nuk ka të drejt me i than pse ma rrehe vajzen. Ndërsa nëse vajza martohet pa lejen e prindit, shpija e dhandrrit duhet ti digjet, të përzihet nga shtepia dhe toka ti jetë shkret. E që sipas Presidentes ky koka “rrespektim i njeriut, rrespektim dhe ruajtje e dinjitetit të femrës” nga ana e kanunit. Ndërsa sa i përket asaj se kanuni nuk njeh ndeshkim e poshtrim dhe se në te nuk ka rrahje publike, kjo bie total në kundërshtim me atë çka figuron në kanun. Në faqe 5 shkran: “ARTIKULLI I DYTË PJESA E NDESHKIMEVE NYE IS HTAT AMTYRA E NDESHKIMEVE: ndeshkimet, qi i nepen per faje kundra kishes, janë njiketo: a)të gjykuemt per dekë. B) të nxjerrunt prej Bajrakut me rob e robi. C) të lanunt e tokës djerr a të premt e pemve”. Ndërsa më pas faqe 6 shkruan: “ NYE I TETËT CAKTIMI I NDESHKIMIT MBAS CILLSIS SË FAJIT 17. 1- Kush then kishen , asht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robi jashta Bajrakut. Fajtori –dorasi- bohet batare prej bajrakut, e shkon gjakhupës…”. këtu janë vetëm disa të “drejta dhe rrespekte” për ruajtjen e dinjitetit të njeriut sipas Zonjes Presidente! Andaj ju lutem lexues gjykoni vet për fjalimin e saj. Ajo gjithë ashtu gaboi rëndë ku gjat fjalimit të saj lavdroi Kanunin dhe përqeshi sheriatin i cili për burim ka Kuranin, e Kurani si libër i shenjët nuk guxon të përqeshet, në veçanti kur ne si komb me shumicë absolute i përkasim fesë Islame e cila ka për burim Kuranin, e bile edhe vet Presidentja i përket fesë islame dhe rrjedh nga një familje me traditë fetare. Është e vërtet se ka njerëz të cilët marrin guxim ta fyejnë Kuranin dhe tërë Islamin, ka të llojllojshëm, të shkolluar dhe analfabet, por një person me kaq pozitë të lartë, i pari i shtetit të marr guxim të tillë e ta fyej Kuranin, ta fyej identitetin e popullit të saj që ajo e udhëheqë dhe që edhe vet i përket, kjo është shumë e rëndë dhe e pa pranueshme. Aq gabim të madh ka bërë presidentja, aq shumë na ka fyer neve myslimanëve saqë unë nuk po guxoj të besoj se ajo ka qenë e vetëdijshme për atë deklaratë, por dua të besoj se ai është një gafë i saj i cili ka rrjedh nga këshilltarët e saj, të cilët ia kanë përgatitur materialin për ta lexuar. E unë shumë e kisha lutur Presidenten në emrin tim dhe të myslimanëve që ta tërheqë atë akuzë ndaj Kuranit, apo t’i kërkoj falje popullit të saj që aq shumë e ka lënduar. Më së paku kam dashur të flasë kundër të parit të shtetit, ngase le të jetë si të jetë është i pari ynë, por ja që po detyrohem sepse shumë të lënduar e të fyer po e ndiejmë vetën tonë.  Kaq për sot e deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr: Shefqet Krasniqi: PRESIDENTI DUHET TË BETOHET NË ZOT


 


Që nga zgjedhjet e kaluara është diskutuar shumë për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe se kushtetuta duhet pësuar ndryshime nga parimet e saja të vendosura sipas pakos së Ahtisarit. Kjo, pasi që ajo kushtetutë krijoi krizë për presidentin e parë pas pavarësisë së Kosovës dhe aprovimit të kushtetutës. Ndërsa presidentin e dytë e rrëzoi për pak javë pas zgjedhjes së tij, ku solli një president të tretë një grua e cila ndoshta kurrë nuk ka ëndërruar se do të bëhet presidente. Pas tërë këtyre ndodhive u vendos që të formohet një komision për të bërë ndryshimet e duhura sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit të vendit. E çështja kryesore ishte zgjedhja e presidentit nga populli e jo nga parlamenti siç ishte në kushtetutë deri më tani. Përveç diskutimeve në nivele parlamentare për kompetencat e presidentit, mandatin dhe (dy)shtetësinë e tij, këto ditë janë organizuar debate publike për të marrë opinionin e qytetarëve përkitazi me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe kompetencat e tij.


Qëndrimi im në lidhje me këto diskutime përmblidhet në pikat vijuese:


E para: sa e sa herë kam thënë në media, por edhe jashtë tyre, se kushtetuta është vendosur për t’i shërbyer popullit dhe se sa herë që ajo nuk i shërben popullit në formën dhe mënyrën më të duhur, ajo duhet ndryshohet, ngase ajo është në shërbim të popullit, e jo populli në shërbim të saj. Mu për këtë kushtetuta nuk konsiderohet e shenjtë, apo e pa prekur, sepse ajo çka është e shenjtë nuk guxon të pësoj ndryshime.


Andaj nuk është mirë që gjithherë të thirremi në kushtetutë, qoftë edhe nëse e dëmtojmë qytetarin, duke e shenjtëruar kushtetutën, ngase qytetari është më i vlefshëm dhe më i madh sesa kushtetuta. Ngase kushtetuta –ani pse emrin e ka shumë të madh- ajo me gjithë atë është një rregullore të cilën e shkruajnë disa njerëz duke menduar se po ia qëllojnë. Por jo gjithherë ata ja qëllojnë, bile shumë herë edhe gabojnë, në veçanti nëse nuk i kanë parasysh si duhet rrethanat, vendin, traditën, kulturën, mentalitetin e atij populli  etj, për të cilën vendoset ajo kushtetutë. Ta zëmë ne shqiptarët nuk mund ta kemi kushtetutën e Japonisë, apo të Norvegjisë sepse shumë gjëra nuk i kemi të përbashkëta me ta, e kushtetuta e tyre nuk na përshtatët neve, por as e jona atyre. Ngase kushtetuta në njëfarë mënyre është sikurse rrobat e njeriut, ku secili e ka numrin e vet të rrobave, ashtu që me ia vesh dikujt këmishën tënde, apo ti të dikujt, mund mos t’i bie tamam, bile veç çka e bënë telashe me atë këmishë.


E dyta: fillimi i ndryshimit të kësaj kushtetute, apo ndërhyrja në të pas tri viteve të aprovimit të saj, jep të kuptosh se ajo ka nevojë ende për ndërhyrje për të bërë ndryshime në të. Sepse nuk është vetëm çështja e presidentit që nuk është definuar mirë, por ka edhe shumë gjëra tjera të cilat kanë nevojë të pësojnë ndryshime, por që tani për tani po heshtet ndaj tyre, e jam shumë i sigurt se ajo do të ndodh në të ardhmen e afërt apo të largët.


E treta dhe më e rëndësishmja: betimi i presidentit, për të cilin edhe e kam shkruar këtë artikull. Prej drafteve të vëna për diskutim dhe ndryshim është edhe betimi i presidentit. Si duket teksti i betimit është kopjuar tërësisht nga teksti i betimit të presidentëve amerikan, vetëm se në tekstin kosovar për dallim nga ai amerikan mungon fjala ZOT. Presidenti amerikan betohet në Zot duke e vendosur dorën mbi Bibël, ndërsa presidenti kosovar betohet në asgjë, ama bash në asgjë, sepse betim do të thotë: me ia dhënë fjalën dikujt që është më i madh që do ta kryesh detyrën me nder dhe përgjegjësi. Në një farë mënyre me lidh marrëveshje me dikë më të madh që mund të hakmerret nëse nuk e kryen detyrën ashtu si je betuar. E ma i madh se presidenti është vetëm Zoti. Pastaj njeriu kur lidhet me dikë që është më i madh, ai mban përgjegjësi për atë betim dhe ia ka frikën se do t’i hakmerret apo do ta ndëshkon nëse e thyen atë betim. Andaj jo rastësisht shtetet e zhvilluara ani pse e kanë larguar fenë thuajse tërësisht nga skena politike, megjithatë mënyrën e betimit e kanë lënë sipas fesë, sepse nuk kanë gjet diç më të fortë e më bindëse sesa betimi në Zot.


E betimi në Zot është çështje e madhe çdo kund në botë, bile edhe tek ne shqiptarët, për atë arsye gati të gjithë –përpos ateistëve- kanë frikën të betohen në Zotin rrejshëm. Nga kjo themi se forma e betimit të presidentit tonë sipas draftit të definuar ndryshon nga ai amerikan duke i ngjasuar atij të Kubës. E bie pyetja: Ne kosovarët a po e pasojmë Amerikën e Obamën, apo Kubën e Fidelkastron? Andaj ftoj komisionin për ndryshimin e kushtetutës që ta ketë parasysh këtë çështje dhe se presidenti duhet te betohet në Zot duke vënë dorën mbi librin e shenjtë të cilin ai e beson, qoftë Kuran, apo bibël. Përndryshe betimi i tij është i pa vlerë dhe i pa efekt. Pastaj besimi i presidentit, apo feja që i përket duhet të dihet, të publikohet, sepse feja njëmendë është çështje private, por ajo është e tillë derisa një person është privat, por jo edhe kur ai person është publik, e në veçanti president i vendit.


Kaq për këtë javë dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr: Shefqet Krasniqi : PËR NJË FILLIM TË MBARË TË VITIT TË RI AKADEMIK


 


Në këtë javë filloi viti i ri akademik në të gjitha fakultetet e vendit tonë. Në fakt, ky vit i ri akademik Kosovën e gjeti dhe me një tjetër universitet publik në Prizren, dhe me premtime nga Qeveria për të tillë edhe në Pejë,   Gjakovë, e ndoshta edhe diku tjetër. Ani pse nuk e dimë se në esencë hapja e këtyre universiteteve është politike –siç është cilësuar nga shumëkush- apo jo, megjithëkëtë një gjë eshte e qartë se prej shkollimit nuk ka dëm, përkundrazi vetëm dobi dhe hair.


Ndërsa në fillim të muajit shtator filloi edhe viti shkollor për shkolla fillore dhe të mesme, dhe ne që të dy palëve, nxënësve dhe studentëve, ju urojmë shumë sukses. Se dija është e rëndësishme dhe ka rol të madh nuk do koment, ngase për një gjë të tillë njëzëri deklarohen që të gjithë njerëzit e mençur të të gjitha feve dhe shoqërive. Tek ne në Islam fjala e parë e zbritur Pejgamberit Muhamed a.s. nga i madhi Zot ishte: “ Lexo, mëso, studio në emër të Zotit tënd i cili të ka krijuar ” (Kur’an, el- Alak:1) , çka do të thotë se Kurani dhe i tërë Islami i kushtuan një rëndësi të veçantë shkencës dhe dijes, bile lirshëm konstatojmë se asnjë libër qiellor i mëhershëm nuk i ka kushtuar kaq rëndësi të veçantë dijes e mësimit siç i ka kushtuar Islami. Dhe jo vetëm librat qiellor të mëhershëm, por asnjë ideologji, asnjë sistem nuk mund ta stimulon e ta nxis nxënësin a studentin për dije siç e bënë Islami. E mjafton fakti se dijetarët në Islam konsiderohen njerëzit më të ngritur, më të privilegjuar, më të dalluar. Njerëzit të cilët kanë një gradë shumë të lartë në këtë dhe në botën tjetër kur dalin para Allahut të Madhëruar për të dhënë llogari.  


Nejse, si do që të jetë, mos të dalim nga tema ngase nuk jemi duke folur për rolin dhe pozitën e dijes në Islam apo në fetë tjera qiellore, por po flasim për fillimin e vitit të ri akademik.   Vit i cili me siguri se nuk do të shpëton pa sfida, pa probleme, ani pse krejt njerëzimi kanë probleme, por këto tonat janë paksa më të veçanta. Janë të veçanta ngase nuk   kemi punuar sa duhet për vendin tonë, nuk kemi qenë të sinqertë ndaj shtetit tonë, për atë arsye kanë ngecur shumë procese. Ka ngecur çështja e sovranitetit dhe integritetit të shtetit, ka ngecur çështja e ekonomisë, ajo e shëndetësisë, arsimit, dhe kështu me radhë.   Nëpër shkollat dhe institucionet tona të dijes,   mësimi ka rënë shumë, e për edukatë mos të flasim fare, sepse aty edukatë nuk marrin, gjë që është e idhët për ta thënë, por e vërtetë. Dhuna nga rruga është futur edhe brenda në shkolla dhe bashkë me të edhe shumë dukuri tjera, si prostitucioni, droga, alkooli, duhani etj. Realisht, këto gjëra do të duhej të ishin më së paku prezente në shkolla por ja që janë.


 


E në anën tjetër nëpër shkolla tona ende mësohet se njeriu e ka prejardhjen prej majmunit, e ai i cili e ka të parin e tij majmun, ai me logjikë të shendoshë edhe vet është majmun, sepse majmuni e lind majmunin.


Ende flitet haptazi kundër fesë Islame. Shumë profesorë bëjnë propagandë kundër Islamit, e fyejnë Kuranin, i përqeshin besimtarët praktikantë etj.  Filloi viti shkollor, por jo për të gjithë nxënësit ngase me dhjetëra nxënëse u ndaluan t’i ndjekin mësimet për shkak të bartjes së shamisë, për çka edhe u përjashtuan nga shkollat përkatëse ato fillore dhe të mesme. Ato vajza me shamia po i pengojnë drejtorët, arsimtarët dhe drejtoritë komunale të arsimit, ndërsa ato tjerat që vishen me mini fustana e me kërthizë të zbuluar, atu nuk po i pengojnë. Për shkak të një shamie të privohet vajza nga e drejta e saj për tu shkolluar?! Kjo është shumë e rëndë. Po vallë nëse nesër e pasnesër, do jenë me qindra apo me mijëra vajza që janë të mbuluara, a thua të gjitha ta ndërprenë shkollimin e të mbeten të pa arsimuara e të pa shkolluara?! Mendoj se kjo është një sfidë jo e vogël për ministrinë e arsimit, e cila ende njëherë nuk është ka e çanë kokën për këtë punë, ani pse vet ministri pat deklaruar para pak muajsh në një intervistë dhënë një gazete ditore se nuk kanë pse të shqetësohen muslimanët për shami, me çka u kuptua se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, por nuk kaloi shumë dhe çdo gjë ndryshoi, sigurisht për të keq. Si do që të jetë neve na vie tepër keq që një numër i vajzave tona po privohen nga e drejta e tyre për shkollim duke u diskriminuar në mënyrën më të rënd të mundshme. Ndërsa atyre të tjerëve ju urojmë suksese në shkollim. Ashtu siç urojmë që ministria e arsimit të jetë më syçelë për ballë vështirësive me të cilat po ballafaqohen nxënësit e studentët tanë, në fusha të ndryshme, në mënyrë që të arrijnë suksese dhe të bëhen konkurrent vendeve fqinjëve, po edhe atyre të Evropës.   E ta qojnë këtë vend para, ngase ata janë e ardhmja e vendit tonë, e investimi në ta është investim për të ardhmen e shtetit. Ashtu siç shpresoj shumë që ministria do ta pezulloi sa më shpejt atë udhëzim administrativ famëkeq i cili ndalon vajzat myslimane nga bartja e shamisë, duke e konsideruar atë simbol fetar.  Po kështu lutemi dhe kërkojmë që tetor sikur ky më kurrë të mos përsëriten dhe le të mos guxojë kurrë askush të ngre dorë kundër diturisë, vatrave dhe shërbëtorëve të saj. Lutemi që Allahu ta ketë mëshiruar Drejtorin e Arsimit të KK-Prishtinë ndërsa familjes së tij t’i dhurojë forcë dhe fuqi për përballim të kësaj fatkeqësie! Kaq për këtë javë dhe deri javën e ardhëshme me një temë tjetër selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Limaj

Fatmir Limaj: Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, institucionet duhet të formohen përmes marrëveshjeve politike

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për formimin …