Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Arsimi i lartë është një formë e rëndësishme e investimit në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe konsiderohet me të drejtë si “motori i zhvillimit në ekonominë e re botërore”, është përcaktues, jo vetëm i një zhvillimi më të shpejtë dhe më të lartë ekonomik, por edhe më cilësor (përmes zhvillimit teknologjik, inovacionit dhe të reja të tjera të shkencës), është ndikues për rritjen e të ardhurave, përmirëson sistemin shëndetësor të një vendi, kontribuon në rritjen e reduktuar të popullsisë, përmirëson teknologjinë dhe forcon mirëqeverisjen. Kontributi i arsimit të lartë në nxitjen e rrritjes ekonomike është i rëndësishëm, aq më shumë në periudha krize, si kjo që po kalon vendi ynë. Arsimi i lartë ndihmon në idustrializimin e shpejtë të ekonomisë, duke ofruar fuqi punëtore me aftësi profesionale, teknike dhe menaxheriale, bën ndryshimet e mundshme të qëndrimeve të nevojshme për socializimin e individëve dhe transformimin e modernizimit të përgjithshëm të shoqërive, ndihmon nëpërmjet mësimdhësies dhe kërkimit shkencor në tërheqjen, krijimin dhe përhapjen e dijes.

 Arsimi i lartë gjithashtu ndihmon në formimin e një shteti të fortë dhe në të njëjtën kohë bërjen pjesë në procesin e gobalizmit. Zhvillimi ekonomik promovon rritjen e klasës së mesme. Demokracia ka si kusht paraprak në një farë mase sundimin e shumicës dhe ajo e ka të vështirë të zhvillohet në kushtet e pabarazive të mëdha, si rezultat i të cilave një masë e madhe të varfërish përballet me një oligarki të vogël të pasurish. Klasa e mesme është produkt i industrializimit dhe i rritjes ekonomike. Klasa e mesme luan një rol të rëndësishëm në demokratizimin e jetës së një vendi. Duke raportuar për demonstratat e vitit 1987 kundër regjimit autoritar të Chun-it në Seul, The Economist bënte pyetjen: Çfarë ndodh kur gazi lotsjellës takohet me klasën e mesme në Seul? Përgjigja është e thjeshtë: gazi lotsjellës zhduket (Etzioni, E. 2009).

Zhvillimi ekonomik e bën demokracinë të mundur, lidershipi politik e bën atë reale. Nëse duam që demokracitë të vijnë në jetë, elitat e ardhshme politike duhet që minimalisht të besojnë se demokracia është forma më pak e keqe e qeverisjes për shoqëritë e tyre dhe për ato vetë. Ato duhet të kenë gjithashtu aftësinë për ta drejtuar tranzicionin drejt demokracisë, duke iu kundërvënë si radikalëve, ashtu dhe konservatorëve, të cilët do të ekzistojnë në mënyrë të pashmangshme dhe do të përpiqen në mënyrë këmbëngulëse që të minojnë përpjekjet e tyre (Etzioni, E. 2009). Elitat përgatiten në shkollën e lartë. Është apo nuk është e aftë elita politike për t’i dalë zot fateve të vendit, është edhe në varësi të përgatitjes së saj që në shkollën e lartë.

Një klasë e mesme e gjerë luan rol zbutës në konfliktet moderne duke inkurajuar partitë demokratike dhe të moderuara dhe duke ndëshkuar grupet ekstremiste. Të ardhurat kombëtare janë të lidhura si me vlerat demokratike, ashtu edhe me mënyrën e jetesës së klasave të varfëra. Sa më i varfër të jetë një vend dhe sa më i ulët të jetë standadi i jetesës së klasave të varfëra, aq më e madhe është trysnia mbi shtresat e larta për t’i trajtuar më të varfërit në mënyrë inferiore, si një kastë më e ulët (Etzioni, E. 2009). Niveli i lartë i mirëqënies ekonomike, shpërndarja relativisht e barabartë e të ardhurave dhe e pasurisë, ekonomia e tregut, një klasë e mesme e fuqishme, nivele të larta edukimi dhe arsimi, zhvillimi ekonomik dhe modernizimi social, zhvillimi i konkurimit politik para zgjerimit të pjesëmarrjes politike, konsensusi mbi vlerat politike dhe shoqërore, dëshira e elitës për t’u matur me kombet demokratike, nivele të ulëta të dhunës civile – janë disa nga variablat kryesore që kontribuojnë për demokracinë dhe demokratizimin e një vendi (Huntington. P, S. 2011).

Sa më e arsimuar të jetë popullsia, aq më shumë shanse ka për demokracinë dhe të dhënat e vërtetojnë këtë. Vendet më demokratike të Evropës janë thuajse tërësisht të shkolluara. Më i fundit në klasifikim ka një shkollim të përgjithshëm të popullsisë në masën 96%. Në Amerikën Latine, ndryshimi shkon mes një mesatareje prej 74% (vendet më pak diktatoriale) në 46% (vendet më shumë diktatoriale). Shkolla e zgjeron botkuptimin e nxënësve dhe studentëve dhe u krijon atyre mëndësinë e kuptimit të nevojës për norma tolerance, i pengon ata të aderojnë në grupe ekstremiste dhe doktrina moniste dhe iu rrit aftësinë për të bërë zgjidhje të arsyeshme elektorale (Etzioni, E. 2009). Qëllimi kryesor i arsimit në demokraci është që t’u japë njerëzve sa më shumë që të jetë e mundur mundësi zgjedhjeje për veten, mundësi zgjedhjeje për profesionin, për arsimin e lartë, për pjesëmarrjen në politikë e në qeverisje etj.

Varfëria është pengesa kryesore për zhvillimin demokratik. E ardhmja e demokracisë varet nga e ardhmja e zhvillimit ekonomik. Ky është një postulat tashmë i vërtetuar.

Kriza ekonomike, polarizimi politik dhe shoqëror, shkelja e ligjit, përjashtimi nga pushteti politik i grupeve dhe i klasave të ulëta – janë shkaqet kryesore për rikthimin e sistemeve politike autoritariste… Paaftësia e vazhdueshme për të siguruar mirëqënien, prosperitetin, barazinë, drejtësinë, rendin e brendshëm apo sigurinë e jashtme, mund të minojë me kalimin e kohës edhe legjitimitetin e qeverive demokratike (Huntington. P, S. 2011).

Duhet rritur buxheti pwr arsimin, ve*anwrisht pwr arsimin e lartw dhe kwrkimin shkencor. Pa para nuk ka punë kërkimore shkencore në shkollën e lartë, nuk ka studentë të shkëlqyer, për të cilët duhet të investohet brenda dhe jashtë vendit.

Sfidat dhe nevojat e arsimit të lartë në Shqipëri.

E ardhmja e botës është një e ardhme e të nxënit, e përgatitjes për të përballuar ndryshimin. Puna po bëhet gjithnjë e më shumë më pak materiale dhe më tepër inteligjente, ku përparësi ka teknologjia dixhitale, kanë lëndët fizikë, kimi, biologji, informatikë. Këtu duhet filluar reforma në arsimin e lartë.

Shoqëria do të gjejë përgjigjen e saktë për çdo hap, vendim, ligj vetëm po qe se udhëhiqet nga deviza e W. Willsonit: A është e mirë? A është e drejtë? A është në interes të njerëzimit? Pra edhe tek ne shtrohet pyetja: A është reforma në arsimin e lartë në funksion të zhvillimit ekonomik, të demokratizimit të vendit dhe të rritjes së mirëqënies?

Sipas ekspertëve dhe studimeve të kohëve të fundit në këtë stad arsimi i lartë ka nevojë për më shumë:

Rregulla më të qarta të funksionimit të sektorit të arsimit të lartë.

Konkurencë të ndershme dhe të drejtë.

Zbatimin korrekt të legjislacionit fiskal për arsimin.

Shpenzimet për arsimin të jenë jo më pak se 5% e PBB-së.

Zhvillim më i madh i arsimit profesional, për pajisjen e studentëve me dijet dhe shprehitë për rritjen e konkurrencës dhe të aftësive të nevojshme për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të.

Stimulimin e kërkimeve aplikative dhe inovacionit.

Përdorim të stimujve për frenimin e largimit të trurit jashtë vendit dhe tërheqjen e porsadiplomuarve në universitetet e huaja.

Ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.

Zhvillimin e një sistemi të teknologjive të informacionit në hap me kohën.

Sigurimin me lehtësi të teknologjive dhe bibliotekave (fizike dhe elektronike).

Politika të reja të qarta fiskale, mbështetëse të mjediseve universitare dhe ndihmëse të tyre.

Përfshirjen e universiteteve shqiptare në projekte shkencore studimi dhe zhvillimi, pasi në këtë mënyrë do t’i jepej më shumë “frymëmarrje” zhvillimit të këtij sektori dhe të ardhmes së tij.

Lidhje më të mirë të arsimit të lartë me tregun kombëtar dhe rajonal të punës dhe përdorimin e politikave fiskale lehtësuese dhe mbështëtëse për punësimin e të porsadiplomuarve (Angjeli, A. 2013).

Ne duhet të mendojmë e të kërkojmë më shumë burimet tona të brendshme. Të hartojmë një politikë shkencore kombëtare për të frenuar emigrimin e “trurit” me një strategji afatmesme dhe afatgjatë, në bashkëpunim të ngushtë me politikën ekonomike. Arsimi ndryshon për t’i hapur udhë ndryshimit të gjithë shoqërisë.

Politika arsimore duhet të krijojë kushte që të mund të lindin sa më shumë tregje të kualifikimit të mëvetësishëm, veçanërisht pas përfundimit të shkollës së lartë. Për të realizuar me sukses këtë kërkohet:

informim mbi afatet e kualifikimit,

këshillim  pjesëmarrësve dhe pjesëmarrësve potencialë,

zhvillim i kurrikulave,

kualifikim i personelit kualifikues,

përkrahje e institucioneve kualifikuese në menaxhim dhe drejtim,

propagandim i kualifikimit,

nxitje dhe sigurim i cilësisë së kualifikimit.

Strategjia e zhvillimit të arsimit të lartë është e lidhur pazgjithshmërisht me strategjinë e zhvillimit të popullsisë, pasi kjo është pikënisje e të gjitha strategjive (mosha, gjinia, shpërndarja territoriale). Kërkohen më shumë studime në këtë drejtim.

“Mrekullia europiane” u arrit me punë e dije. Edhe “Mrekullia shqiptare” këtë rrugë duhet të ndjekë. Integrimi kërkon thellimin e reformave në të gjitha fushat, pra edhe në arsimin e lartë, konsolidimin e institucioneve, funksionimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik me hapa të shpejtë, luftë të pandërprerë e pakompromis kundër krimit, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme etj. Dyert e Evropës hapen me rezultate konkrete të reformave.

Siç thekson Profesor Servet Pëllumbi meriton mbështetje çdo nismë e çdo kontribut për lidhjen e nivelit të arsimit dhe të edukimit me nevojat dhe qëndrimin e kombit ndaj mjedisit rrethues, demokracisë dhe kulturës, për t’i bërë të gjithë qytetarët vërtet të lirë dhe të drejtat e njeriut përparësi të padiskutueshme të institucioneve të shtetit ligjor, të shoqërisë civile dhe të opinionit shoqëror (Pëllumbi, S. 2013).

Në fazën e tanishme modeli arsimor dhe kulturor duhet të realizojë tre detyra themelore: asimilimin teknologjik modern, hapjen kulturore ndaj botës dhe tejkalimin e barierave ideologjike dhe politike (Fuga, A. 2002).

Burimet:

Angjeli, Anastas. 2013. Ditari i tranzicionit ekonomik. Tiranë: Toena & UMSH PREES, f. 1052, 1111-1112.

Dewey, John. 1995. Towrdige, f. 11.

Dolto, Fransuaze. 1994. Adoleshentët. Tiranë: Ilda, f. 103.

Etzioni, Eva. 2009. Klasat dhe elitat në demokraci dhe në demokratizim. Tiranë: Dudaj, f. 304-305, 309, 78, 69.

Fuga, Artan. 2002. Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit. Tiranë: Jerusalem, f. 241.

Gazeta Mësuesi. 2009. Fjalimi i Barak Obamës. 30 shtator, f. 2.

Gazeta Telegraf. 2014. Thënie të të mëdhenjve. 15 korrik, f. 8.

Huntington, P. Samuel. 2011. Vala e tretë. Tiranë: Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, f. 55, 316, 318.

Meksi, Ermelinda. 2009. Gazeta Shqip. Arsimi i lartë dhe ekonomia. 26 shtator, f. 8.

Pëllumbi, Servet. 2013. Etikokracia. Tiranë: Morava, f.252.

Pula, Luljeta. 1996. Shekulli i 21-të (Mendime dhe opinione). Nju Jork: Gjonlekaj, f. 225.

Dr. Skёnder Demaliaj është pedagog nё Universitetin Mesdhetar tё Shqipёrisё

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …