Dr. Skënder Demaliaj: Berisha, notar në oqeanin e shpifjes

Shpifje, shpifje, shpifje… ky është ushqimi i përditshëm i Sali Berishës. Gjatë 24 orëve, sa herë flet (madje edhe kur sheh ëndrra) vetëm shpif pambarimisht. Është modeli i njeriut që shpif, ekzemplar i rrallë. Është kampion i padiskutueshëm në këtë lloj “sporti” në 24 vjet. Konkurron dhe përfaqëson “denjësisht” Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare. Dirigjon me aftësi e përkushtim korin e shpifësve. Shpifja është bërë pjesë organike e jetës së tij, është ideali, mesazhi, aspirata dhe kauza e tij. Është mbijetesa e tij politike. Duke shpifur, ai gjithnjë mbetet lojtar i rrezikshëm në sulm. Ka 24 vjet që noton në oqeanin e shpifjes. Ai, siç thotë populli, e bën vetë kopilin dhe me shpejtësi marramendëse (me shpejtësinë e dritës) ta le kopilin te dera.


 


Rasti i avionit në Divjakë është rasti më kuptimplotë dhe unik në llojin e shpifjes së tij. Sali Berisha është gati të shpifë edhe kundër njerëzve të tij, edhe kundër miqve e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, kundër klanit të tij, fisit të tij, kundër gjithë ndërkombëtarëve për të përjetësuar pushtetin mbretëror. Nuk kursen askënd kur është fjala për kolltukët presidencialë dhe kryeministrorë. Shpifja e tij përfshin periudha kohe disavjeçare dhe hapësira të mëdha. Shpifi për demonstruesit e 21 janarit, duke i akuzuar ata si vrasës të 4 qytetarëve të pafajshëm. Shpifi edhe për Edi Ramën, duke e quajtur “puçist”. Shpifi për presidentin Bamir Topi, e quajti “komplotist”; shpifi edhe për kryeprokuroren e Përgjithshme, Ina Ramën, duke e quajtur “lavire të bulevardit”, “pjesëmarrëse aktive në komplotin për ta rrëzuar atë nga pushteti”.


 


Shpif kur thotë se qeveria u ka vënë trafikantëve të drogës në dispozicion porte, aeroporte, territore të vendit. Shpif duke thënë se Edi Rama (kryeministri), Saimir Tahiri (ministri i Brendshëm) janë ortakë dhe bashkëpunëtorë të kartelit të drogës. Ambasadori gjerman, Helmut Offmann e tha hapur, shkoqur dhe qartë: “Trafiku i drogës është problem që ekziston prej kohësh në Shqipëri”. Në majën e kështjellës së tij të qeverisjes vendore, Berisha mbolli drogë, ia bëri të gjitha shërbimet e duhura: e korri, e paketoi dhe e eksportoi. Shpifi për ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu-n, duke e akuzuar se po mbronte qeverinë e drogës dhe të krimit. Shpifi për Ushtrinë Shqiptare, anëtare e NATO-s, për ministren Mimi Kodheli, për gjeneralët, Jeronim Baze dhe Sandër Lleshi. Shpif çdo ditë për deputetin Koço Kokëdhima, vetëm se është mik i Edi Ramës dhe biznesmen i suksesshëm. Shpifi për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit,  Artan Didin, duke e akuzuar atë për vrasjen e pengmarrësit të autobusit të Athinës në Elbasan. A nuk kishte plot tetë vjet në dispozicion për ta çuar atë para drejtësisë?!


 


Ka vite të tëra që bën akuza të ulëta për deputetin Taulant Balla (madje edhe duke e kërcënuar me jetë) vetëm e vetëm se nxori në dritën e diellit fakte se si është pasuruar Sali Berisha, familja e tij, klani i tij, oborri i tij. Skema mbi të cilën e ndërton Sali Berisha shpifjen tashmë është e kuptueshme dhe e lexueshme për gjithë shqiptarët (madje e kanë mësuar edhe ndërkombëtarët). Lëshon një tymuese në Kuvend, pastaj mobilizon të gjithë makinerinë e tij propagandistike brenda dhe jashtë vendit; i mobilizon dhe i hedh në sulm të pandërprerë gjitha strukturat e tij të vjetra (kur është në opozitë) ose gjithë institucionet shtetërore (kur është në pushtet), për ta bërë sa më të besueshme shpifjen. Pastaj bën thirrje për protesta (kur është në opozitë), ngre komisione parlamentare (kur është në pushtet).


 


Riciklimi i pushtetit vazhdon pandërprerë. Në kuzhinën e tij propagandistike pjata më e preferuar e tij është shpifja. Si me komandë, të gjitha mediat pranë tij përhapin shpifjen me shpejtësi të rrufeshme. Madje, shpesh u paraprijnë shpifjeve për ta përgatitur opinionin psikologjikisht dhe për të bërë sa më të besueshme. Sali Berisha, jo vetëm shpif vetë, por edhe i ka trajnuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për këtë qëllim. Vlerëson dhe ngre në përgjegjësi vetëm ata që shpifin më shumë. Madje, ata janë në garë kush e kush të shpifë më shumë për të fituar besimin e shefit të tyre. Shpifjet e tij kanë prekur ndjenjat më delikate të shqiptarëve, duke i fyer rëndë ata, duke i lënduar e duke i poshtëruar.


 


Shpifjet e tij tani dhe për 24 vjet, i kanë përçarë shqiptarët, duke i ndarë në veriorë dhe në jugorë, në demokratë dhe në kriptokomunistë, në të djathtë dhe në të majtë. Shpifjet e tij kanë ndezur konflikte midis prindërve dhe fëmijëve, midis gruas dhe burrit, mes vëllezërve; mes motrave; mes fqinjëve; mes krahinave; mes fiseve dhe mes qytetarëve. Shpifjet e tij kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit dhe përafrimin e tij me Evropën, se ai më shumë është marrë me fabrikimin e shpifjeve, me punët e të tjerëve sesa me punët e shtetit për të cilat është paguar. Sali Berisha shpif që të prishet imazhi i Shqipërisë para ndërkombëtarëve dhe të pengohet marrja e statusit kandidat për në BE. Ai shpif që të destabilizojë Shqipërinë. Duke shpifur, po bën politikë me krimin dhe po e frymëzon krimin.


 


Shpif që të vonojë dhe të pengojë drejtësinë për ta çuar sa më pare në  vendin e të akuzuarit, për të ruajtur pasurinë e tij, të familjes dhe të klanit të tij. Shpif për të çorientuar opinionin shqiptar dhe për të përfituar nga disa mangësi, që janë pasojë e keqqeverisjes së tij; për të tërhequr vëmendjen nga kriza që po kalon PD-ja pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit dhe rrezikut të ndarjes së saj. Shpif për të bindur shqiptarët se edhe këta që qeverisin sot, njësoj si ai janë. Sali Berisha e ka ngritur shpifjen në një institucion të rrezikshëm. Mendja e tij fantazon gjëra të paimagjinueshme dhe prodhon pambarimisht shpifje të ulëta. I duhet dhënë përgjigja e duhur, duhet çmontuar sa më parë. Kjo kërkon më shumë transparencë nga qeveria dhe Parlamenti, komunikim të vazhdueshëm te tyre me qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së deputetëve të mazhorancës për të hedhur poshtë shpifjet e tij. Kërkohet punë, përkushtim dhe ndershmëri nga mazhoranca. Kërkohen reforma të shpejta, të guximshme dhe të suksesshme. Kërkohet radioskopi e imët e të gjithë veprimtarisë qeverisëse të Sali Berishës, për ta vënë atë sa më shpejt para drejtësisë.


 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …