Shkembimi

Dr. Skënder Demaliaj: Deklarata e Lutfi Hazirit, për shkëmbim territoresh me Serbinë është e rrezikshme dhe jokoherente

Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së këto ditë deklaroi: “Unë jam që në këtë njohje (njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia) shqiptarët e Kosovës Lindore të përfshihen brenda Kosovës. Serbia të marrë Leposaviqin dhe 17 fshatra”. Kjo deklaratë ringjall idenë e kahershme, e artikuluar në Beograd dhe në Moskë për ndarjen e Kosovës. Kështu mbështetet platforma konstante e Aleksandër Vuçiqit se serbët nga marrëveshja me shqiptarët nuk duhet të dalin të humbur. Duhet të marrin diçka… E kjo diçka është Veriu i Kosovës, pjesa më e pasur, më e rëndësishme dhe më jetike e Kosovës. Orekset e Serbisë janë për më shumë se 197 km2, ku të përfshihen Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku.

Po t’i kthehemi historisë, kryeministri serb Pashiqi parashtroi para Fuqive të Mëdha tezën se çështja shqiptare kur ajo të ndahet në disa pjesë nuk do të shqetësonte më Europën. Duke mos e penguar dot pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën morën vendim Fuqitë e Mëdha, ai dëshironte dhe ëndërronte një Shqipëri të pavarur, por të dobët dhe me grindje të përhershme brendapërbrenda. Sipas tij: “Ne do t’i serbizojmë shqiptarët dhe nëse nuk do të serbizohen, ne do t’i dëbojmë, dhe nëse do të rezistojnë e nuk do të mundim t’i dëbojmë, ne do t’i vrasim ata”. Nuk arritën t’i serbizojnë. I shpërngulën në mënyrë masive në vitin 1999, por ata u kthyen me ndihmën dhe mbështetjen e NATO-s dhe SHBA. I vranë, i masakruan, ua dogjën shtëpitë, ua morën gjithë mallin, por shqiptarët rezistuan dhe qëndruan në trojet e tyre shekullore. Serbët kanë hartuar platforma dhe vazhdojnë në këtë rrugë që Kosova të mbetet koloni e tyre. Realiteti i ri politik: çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb, shpallja e shtetit të ri të Kosovës në Ballkan, i kanë detyruar ata të ndryshojnë taktikat, por jo strategjinë. Qëllimi është: ta coptojnë Kosovën, të marrin një pjesë të territorit të saj, të pengojnë funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, t’i paraqesin shqiptarët atje para opinionit publik ndërkombëtar dhe Fuqive të Mëdha si të paaftë për të qeverisur.

Përse është e rrezikshme deklarata e Lutfi Hazirit?

Ndonjëri mund të thotë se kush e pyet Lutfi Hazirin, është person i parëndësishmëm, periferik në vendimmarrjet e mëdha politike në Kosovë. Nuk është kështu. Nuk dihet se kush fshihet pas tij. Deklarata është e qëllimshme për të matur pulsin e ndërkombëtarëve dhe të faktorit të brendshëm politik e më gjerë në Kosovë për këtë çështje nevralgjike dhe shumë të diskutueshme vitet e fundit.

Është e rrezikshme se ai është nënkryetari i LDK-së, i partisë që ka sot qeverinë. Platforma e LDK-së për ndarjen e Kosovës mund të bëhet edhe platforma e qeverisë. Nuk kam dëgjuar deri tani ndonjë prononcim të kryetarit të saj, Isa Mustafa as të qeverisë se distancohen nga deklarata e nënkryetarit të saj, se kjo është një deklaratë e një individi dhe jo qëndrim zyrtar i LDK-së dhe i qeverisë. Nuk i kanë penguar as koronavirusi, as pushimet e verës.

Nuk është koherente sepse është në një moment jo të përshtatshëm. Do të ketë bisedime Kosovë-Serbi në Washington, më 4 shtator 2020. E bërë në prag të këtij takimi, ajo nxit serbët, Vuçiqin dhe mbështetësit e idesë për ndarjen e Kosovës ta shtrojnë atë në tavolinën e bisedimeve.

Nuk kam dëgjuar deri tani ndonjë prononcim të ish-kryeministrit Sali Berisha e të sejmenëve të tij, të ashtuquajturit “ekspertë dhe njohës të Kosovës”, të cilët nuk lanë gjë pa thënë dhe pa shpifur për Hashim Thaçin sikur ai i ka shitur interesat e Kosovës. E fyen, e quajtën tradhëtar, përdorën gjithfarë lloj epitetesh nga më banalet për të. Çka do të thotë se sulmi ndaj tij është bërë nga kjo kategori njerëzish jo nga dashuria e tyre për Kosovën e për të mbrojtur kufijtë e saj, por nga mllefe, inate, prishje pazaresh dhe nga interesa politike. Pra kritika e tyre nuk ka qenë e sinqertë. Është kjo arsyeja që është e pabesueshme. Përse qëndrim ndryshe për Lytfi Hazirin dhe ndryshe për Hashim Thaçin, për LDK-në e Ibrahim Rugovës e të Isa Mustafës dhe ndryshe për UÇK-në?!…

Sulmi ndaj Hashim Thaçit është sulm kundër UÇK-së, vlerave të saj, është mohim i gjakut të derdhur nga bijtë dhe bijat e saj më të mirë për çlirimin e Kosovës. Mosmiratimi i Rezolutës në Kuvendin e Kosovës për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është një gabim i rëndë. Dy partitë kryesore: Vetëvendosja dhe LDK-ja nuk e votuan, çfarë tregon se forcat politike atje janë të ndara për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës, me funksionimin e shtetit, me vendosjen e autoritetit të saj në gjithë territorin, me raportet e saj me Serebinë, me njohjen e saj ndërkombëtare. Përçarja, mungesa e një platforme të përbashkët në bisedimet me Serbinë, mungesa e kohezionit politik në këto momente të rëndësishme për Kosovën çon ujë në mullirin e Beogradit. Me keqardhje dhe me trishtim e them se po gjen vend proverbi popullor: “Për inat të sime vjehrre, fle me mullixhiun”.

Partitë politike të të gjithë spektrit në Kosovë kryefjalë të programit dhe strategjisë së tyre duhet të kenë: “ E para Kosova, pastaj pushteti”.

Kosova i ka të gjitha mundësitë, të gjitha resurset e nevojshme për të përparuar e për t’u zhvilluar. Shqiptarët atje, të lirë në tokën e tyre, me miq dhe aleatë strategjik dhe të fuqishëm si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe etj, me vrull të ri, me energji të reja, me shpresa të mëdha të punojnë e të luftojnë së bashku për një Kosovë të pandarë, euroatlantike, faktor stabiliteti e paqeje në Ballkan.

  1. Autori është përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …