Prof. Dr. Akad. Mark Tirta

Dr. Skënder Demaliaj: ETNOLOGU I PALODHUR DHE I TALENTUAR, AKADEMIK MARK TIRTA

Në 85 vjetorin e lindjes

Akademik Mark Tirta lindi, më 21 maj 1935 në Orosh të Mirditës. Kur e pyeta se a po shkruante biografinë e tij në 85 vjetorin e lindjes, ai duke qeshur, me modesti më tha: “Biografia ime ndodhet në veprat e mia”. I dhashë të drejtë. Veprat e tij janë shumë dhe të rëndësishme për etnografinë, historinë dhe kulturën shqiptare:

Mërgime të shqiptarëve

Veshjet popullore shqiptare (me bashkautor)

Etnologjia e përgjithshme

Etnoligjia e shqiptarëve

Mitologjia ndër shqiptarë

Lëvizje migruese të brendëshme ndër shqiptarë

Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji

Panteoni e simbolika, doke e kode

Fjalori i Mirditës me 6500 toponime

Është pjesëmarrës në vepra madhore si “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESCO-s, “Atlasi i venedve danubiane” i drejtuar nga Instituti i Studimeve për Europën Juglindore me qendër në Vienë, “Fjalori enciklopedik shqiptar”, në më shumë se 100 Konferenca Shkencore Kombëtare e Ndërkombëtare.

Ka botime në Austri, Itali, Gjermani, Kanada, Francë, Rumani, Hungari, Kroaci, Spanjë, Rusi, Serbi. Deviza e punës së tij shkencore ka qenë: “Shpirti im më thotë të bëj sa më shumë për atdheun, për kulturën shqiptare”.

Formimi i tij shkencor

Profesor Makru tregon: “Kur unë isha 6 vjeç, Abati i Abacisë së Oroshit i tha babës se kishte dëshirë që njërin nga djemtë e tij ta merrte e ta shkollonte për ta bërë prift. Meqënëse unë isha i dobët nga shëndeti dhe nuk isha për parmendë, për kazmë e për të kullotur bagëtitë ndër male mund të bëhesha për kalem, prandaj u përzgjodha unë. Studiova 1 vit, ku mësova shkrim, lexim, arithmetikë, poezi e mësim besimi. Shkollën e kisha larg, filloi lufta dhe e ndërpreva mësimin se kishte rreziqe e pasiguri.” Arsimin fillor dhe 7-vjeçar i përfundoi pas çlirimit në Orosh, pastaj shkollën pedagogjike në Shkodër, Universitetin e Tiranës për histori dhe gjuhë. Të gjitha me rezultate të shkëlqyera. Librin ai nuk e ka ndarë asnjëherë nga vetja. Nëna e tij ishte nga shtëpia e Bajraktarit të Kryezezit. Dajët e tij, të shkolluar, por që vdiqën shpejt kishin një bibliotekë të pasur me libra në shqip, frëngjisht, itralisht dhe gjermanisht, libra me poezi nga Naimi, Çajupi, veprat e Gjergj Fishtës: “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”, “Lahuta e Malcisë” etj. Këtë bibliotekë e trashëgoi familja e Markut. Leximi i tyre e shtoi më tej dashurinë e tij për librin. Pedagogu i letërsisë në shkollën e lartë, Petro Marko e nxiti të lexonte akoma më shumë, e porositi ta ruante e ta pasuronte më tej bibliotekën që kishte. Të blinte deri në 400 lekë të vjetra libra në muaj. Porosia e pedagogut shkonte më tej: “Abonohuni tek revista “Nëntori”, tek “Buletini i Institutit të Shkencave”. Siç thotë Profesor Marku, përveç lekëve që ndaja nga paga për librat, të gjithë lekët që fitoja nga honoraret i shpenzoja për libra. Gur, gur bëhet mur. Kështu ai brenda pak viteve kishte një bibliotekë të madhe dhe funksionale që e ndihmoi në studimet e tij shkencore. Edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Atë e gjen në Bibliotekën Kombëtare, duke studiuar paradite dhe pasdite. Është mik i kahershëm dhe i përhershëm i saj. Një fjalë e urtë thotë se një bibliotekë shkencore është një “spital” për shpirtin. Zotërues i disa gjuhëve të huaja iu dha mundësia të njohë shumë mirë etnologët e mëdhenj: F. Racel, F. Grebner, P. Radin, V. Shmidt, S. Erikson. A. Hultkranc, J. Paurier etj. Të konspektojë veprat madhore: Metodat e etnologjisë, Metoda e etnologjisë dhe e antropologjisë sociale, Metoda dhe teoria e etnologjisë, Historia e teorisë së etnologjisë, Manual i metodës së etnologjisë kulturore-historike, Principet e etnologjisë. Të mësojë për teoritë dhe shkollat e ndryshme në etnologji: evolucionizmi, shkolla kulturore-historike, difuzionizmi, funksionalizmi, strukturalizmi, etnopsikologjia. Në studimet e tij ka ndjekur metodat e Perëndimit Europian: Etnologjia e Europës, e Francës, e Gjermanisë dhe e Suedisë.

Mësuesi dhe drejtuesi i përkushtuar i Mirditës dhe pedagogu i Tiranës dhe i Prishtinës

E filloi punën si mësues në Mirditë, në vitin 1957. Punoi si drejtor shkolle e inspektor i arsimit në vitet 1961-1967. Ngriti muzeun në Rrëshen, mblodhi toponimet në Zonën e Mirditës, me territor të madh dhe me histori të lashtë e të re. Nuk ishte thjesht një mësues, por edhe studiues e hulumtues shkencor. Zbuloi qendrën arkeologjike të Arbrit-Mesjetar në Bukël. Novator në metodat e mësimdhënies e mësimnxënies, drejtor e inspektor me vizion, punëtor i palodhur, nxitës dhe frymëzues për mësuesit, veçanërisht për ata të rinjtë, duke paraprirë me shembullin e tij, komunikues, kërkues e i përgjegjshëm për besimin që i ishte dhënë. Aty ku punoi la gjurmë. Hartoi programin dhe leksionet për lëndën e Etnologjisë në Universitetin e Tiranës. Po kështu edhe për lëndën e Etnologjisë së Europës Juglindore në Universitetin e Prishtinës. Bashkëpunoi me profesorët dhe studiuesit e mëdhenj: Aleks Buda, Eqerem Çabej, Qemal Haxhihasani, Androkli Kostallari, Mark Krasniqi, Kadri Halimi, Anton Çeta, Zymer Neziri etj. Të gjithë këta qenë mentorë në studimet e tij. Akademiku tregon dhe kujton edhe histori të bukura, por edhe të dhimbshme në marrëdhëniet e komunikimet me ta. Ai i vlerëson për kapacitetet e tyre të larta shkencore, për vënien e dijeve në shërbim të kombit e të popullit. Tregon për përmasat e tyre të nivelit europian, për forcën e analizës e të argumentimit shkencor, për përgjegjësinë dhe kurajon e tyre intelektuale… Por edhe për ndihmën dhe mbështetjen që i dhanë veçanërisht atij, siç ishte rasti kur ai u kritikua për shfaqje borgjeze revizioniste, duke propozuar të largohej nga Instituti e të shkonte mësues i thjeshtë në fshatrat e Tiranës, t’i hiqej edhe e drejta e botimit sepse kishte cituar në një nga punimet e tij emrin e studiueses Margarita Hasllek, e anatemuar nga pushteti komunist se kishte punuar për zbulimin britanik. Ishin qëndrimet politike përcaktuese në vlerësimin e një figure në shtetin monist.

Akademiku duke e vënë buzën ë gaz, siç e ka zakon thotë se shumë nga librat e tij, leksionet, studimet e tij, i kanë marrë të tjerët pa e cituar fare emrin e tij, i kanë paraqitur në emrin e tyre, i kanë botuar me emrin e tyre dhe kanë marrë tituj e grada shkencore. Jo vetëm të tij, por edhe të Rrok Zojzit, Qemal Haxhihasanit, Andromaqi Gjergjit. Plagjiatura, kjo sëmundje e kahershme dhe e re e ka dëmtuar shkencën shqiptare, ka kultivuar dembelizmin, ka dëmtuar cilësinë e strudimeve dhe ka mbrojtur e zhvilluar mediokritetin.

60 vjet veprimtari shkencore

Shkrimi i parë i tij daton në vitin 1959. Formimi i tij si historian i ka dhënë mundësinë të studiojë historinë e etnologjisë së përgjithshme dhe burimet e saj: nga lashtësia, mesjeta, roli i zbulimeve të mëdha gjeografike, historia e kohës së re dhe të sotme, të përshkruajë veçoritë thelbësore të etnopsikologjisë shqiptare, kushtet historike të psiqikës shqiptare, doke e zakone, kultin e luftës e të trimërisë, veçoritë e shqiptarëve: trimërinë, burrërinë, besën, mikpritjen, harmoninë fetare. Veçon dhe thekson elementët që mbajnë në këmbë etninë: gjuha, raca, demografia, territori, ekonomia, klasat, kultura, rrjeti urban, metropoli, institucionet politike.

Hulumtimet shkencore në terren, ekspeditat kërkimore shkencore – janë arma më e fortë e tij. Janë me dhjetra këto: në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit, Malësia e Tetovës, Lugina e Vardarit, Malësia e Madhe, Mati, Elbasani, Labëria, Tomorrica, krahinat etnografike shqiptare në Greqi. Pra të gjitha trojet shqiptare. Ai e ka të qartë konceptin “Troje shqiptare”, bën dallimin mes kufijve etnikë e atyre politikë. Trojet shqiptare janë tërësia e vendeve, e krahinave që banohen në mënyrë masive nga shqiptarët. Po ajo hapësirë tokësore që ka qenë banuar nga paraardhësit e shqiptarëve: Arbërit Mesjetarë e më tej nga Ilirët e Iliro-Epiriotët. Vendet ku popullsia arbërore është asimiluar nga popujt e tjerë që në Mesjetë nuk quhen troje shqiptare. Po sipas tij shqiptarë quhen të gjithë ata që janë me origjinë paraardhësish nga trungu etnik i shqiptarëve, që kanë shqipen për gjuhë amëtare, që e ruajnë në vetëdijen e tyre përkatësinë etnike shqiptare. Studimet e tij pasqyrojnë historinë e etnologjisë shqiptare: lashtësinë, ilirët, Mesjetën Paraosmane, Periudhën Osmane, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Periudhën e Pavarësisë dhe zhvillimet në kohën e sotme. Përfundimet që ai nxjerr në dy librat e tij më të rëndësishëm dhe bazikë: Etnologjia e përgjithshme, Etnologjia e shqiptarëve mbështeten jo vetëm në eksplorimet e tij shkencore në terren, por edhe në gjurmimet dhe botimet e studiuesve: Edit Durham, Franc Nopça, Johan Han, Zef Valentini, Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Bernardin Palaj, Eqrem Vlora, Shtjefën Gjeçovi, Eqerem Çabej, Shufllai, Lamberci etj., tek botimet në revistën Hylli i dritës, Leka, Visaret e Kombit në 15 vëllime (1937-1944), të Rrok Zojzit, Andromaqi Gjergjit, eksplorues të shquar, krijues të sistemit të ri të kërkimit në etnologjinë moderne e të arkivave muzeale, të Qemal Haxhihasanit, folklorist, eksplorues i shquar që ka një kontribut të madh në problemet e studimit të etnologjisë shqiptare. Vlerësimin maksimal e ka për këta tre të fundit, të cilët ishin të pamëshirshëm ndaj studiuesve mediokër e kopjacë. Krtitikat në kolegjume e në tryezat e në debatet shkencore i bënin hapur, drejtpërdrejt, më kurajo, me argumente shkencore. Nga kjo edhe e pësuan. Nuk morën meritat që u takonin, u nxorën në pension në kulmin e veprimtarisë së tyre shkencore, bile Andromaqi u propozua edhe të qarkullonte tek Kombinati i Tekstileve në Tiranë ose tek Muzeu i Beratit, por që u shpëtua në momentin e fundit nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Aleks Buda, mbështetës i fuqishëm e i përhershëm i vlerave intelektuale, motivues dhe promovues i meritokracisë.

Akademik Mark Tirta mbështet tezën e prejarrdhjes ilire. Sipas tij kemi të bëjmë me vazhdimin e të njëjtës etnokulturë nga ilirët në Arbërit e Mesjetës e deri tek shqiptarët e mëvonshëm, me toponimet e antroponimet nga ilirët e deri tek shqiptarët e sotëm. Gjithashtu ai thotë se nuk njihet gjatë Mesjetës ndonjë imigrim që të ketë zëvendësuar popullsinë e mëparshme. Polemizon me tezën antishkencore që i ndan popujt në “raca të ulëta” dhe në “raca të larta”. Analiza e tij shkencore mbështet tezën se ndryshimet midis popujve janë të lidhura me kushtet historike. Në punën e tij shkencore në më shumë se një gjysmë shekulli është udhëhequr nga postulatet:

E tashmja e ka prejardhjen nga trashëginmitë e së kaluarës dhe e ardhmja do të dalë nga e tashmja.

Kombi është një shpirt, një parim shpirtëror.

Për suksesin në shkencë duhet 99% punë, punë, punë dhe 1% talent.

Epilogu

Niçe thotë se autori duhet të mbyllë gojën, kur hap gojën vepra e tij. Gjithçka Akademik Mark Tirta na e thotë me veprat e tij. Na e bën të njohur mesazhin e tij, na emocionon e na ndihmon në këndvështrimet dhe ballafaqimet me të vërtetat histrorike. Një fjalë e urtë thotë se jetova aq sa punova. Pushimi është vetëm për të vdekurit. Në fund të fundit gjithë zotësia e njerëzve nuk është gjë tjetër veçse një përzjerje durimi dhe kohe. Një njeri nuk është më shumë se një tjetër në qoftë se nuk punon më shumë se një tjetër. Mark Tirta është një njeri kurajoz, me vullnet, me sedër dhe ambicje për të kapur maja të larta. Rasti krijon gjëndjen, studiuesi e talenti di të pëqrfitojë prej saj. Kështu ka ndodhur edhe me Profesorin.

Nuk është dakord me ndryshimet në strukturën e Institutit të Kulturës Popullore, me ndryshimin e emrit, duke u quajtur Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit. Etnologji do të thotë studimi i etnosit, pra i një etnie, i një populli. Emërtimi Antropology do të thotë studimi i njeriut, kupton njerëzimin në përgjithësi e veçanërisht komunitetet primitive të Afrikës, të Australisë, të Guinesë së Re, të Zelandës së Re, Indigjenët e Amerikës e me radhë. Sipas tij duhet të kishte në Fakultetin e Shkencave Shoqërore një Departament të veçantë të etnologjisë. Në ish vendet komuniste të Europës Lindore në universitete kishte degë të veçanta të etnologjisë, të folklorit, por edhe të muzeologjisë, ku përgatiteshin kuadro për mësimdhënie e kërkim shkencor në këto specialitete. Sa e sa reforma e eksperimente janë bërë këto 30 vjet në programet e kurrikulat e arsimit të lartë, por askush nuk e ka marrë mundimin (jo më ta konkretizojë e ta realizojë) propozimin e Akademikut.

Autori është përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …