Dr. Skënder Demaliaj

Dr. SKËNDER DEMALIAJ: KËNDVËSHTRIME TË REJA NË MARRËDHËNIET MËSUES – PRINDËR I

Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe lartësimi i çdo njeriu që formon këtë komb (Frashëri Mit’hat, Tiranë 1997, f.87). Edhe nxёnёsit janë pjesë e rëndësishme dhe aktive e tij. Bashkërendimi i punës shkollë-familje është i domosdoshëm dhe ndihmon të dy palët për të realizuar qëllimet dhe objektivat.

Në ligjin nr.7952, neni 12.1 dt.21.06.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar” thuhet: “Institucionet arsimore publike bashkëpunojnë me prindërit për realizimin e detyrave të tyre”.

Forcimi i marrëdhënieve shkollë-familje:

Krijo mundësi për pjesëmarrje të suksesshme të prindërve në vendimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e shkollës.

Promovojnë një komunikim aktiv dhe të përhershëm shkollë-familje dhe midis vetë prindërve.

Nxit dhe forcon marrëdhëniet e punës, të karakterizuara nga mirëkuptimi, respekti si dhe dëshira e mirë midis dy palëve.

Frymëzo përgjigje aktive ndaj problemeve, sfidave dhe mundësive që përballo shkolla në stadin aktual.

Një person që punon me fëmijët (në rastin konkret mësuesi) duhet të pranojë faktin se asnjëri nuk mund të punojë vetëm, se duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë dhe të punojë me të tjerë. Ai që punon me fëmijët nuk mund të mos përfillë ndikimin e familjes e të bashkësisë në të cilat jeton. Roli i familjes nuk mund të zvogëlohet ose të nënvleftësohet si burim informacioni dhe si një sistem i rëndësishëm mbështetës (Ajdukoviç Dean, Tiranë 1999, f.21)

Studimet me karakter pedagogjik e sociologjik kanë nënvizuar faktin se shkollat përmirësojnë cilësinë e jetës në familje (ato u lejojnë adoleshentëve një jetë më të larmishme dhe të pasur dhe në këtë mënyrë forcojnë marrëdhëniet prindër-nxënës (Myra Pollack Sadker, Tiranë 1995, f.110).

Mendimi se “tani në kushtet e një shoqërie pluraliste komunikimet shkollë-familje nuk e kanë rëndësinë që kishin në kohën e shtetit monist” nuk qëndron. Është e vërtetë se të tre palët: mësuesit, nxënësit, prindërit kanë një status tjetër politik, ekonomik e social në raport me shoqërinë dhe shtetin para viteve 90. Veprimtaria e tyre në kushtet e ekonomisë së tregut ka një frymëmarrje më të gjerë. Kontaktet me botën e civilizuar janë më të shpeshta e më të prekshme. Informacioni është më i bollshëm e nga të gjitha fushat. Nuk ka një organizatë pionieri e rinie në shkolla. por përsëri funksioni edukativ i shkollës sdhe i familjes nuk pakësohet apo zbehet edhe në këtë rast. Në qoftë se ka rënie kjo lidhet me një sërë faktorësh të karakterit ekonomik, politik, social, psikologjik, ku më kryesore është:

Individualizmi dhe indiferentizmi i shfaqur pas viteve ’90 edhe nga prindi, edhe nga mësuesi ndaj problemeve të shkollës dhe atyre edukative me nxënësit.

Mosnjohja e rregullave të demokracisë dhe e përvojës pozitive të vendeve të Perëndimit në këtë drejtim.

Mëndësia e prindërve se çdo gjë duhet ta zgjidhë shkolla.

Mospërputhja midis ndryshimeve të thella që ka pësuar shoqëria dhe familja jonë këto vite dhe metodave të prapambetura, tradicionale të pandryshueshme të mësuesve me prindërit. Pikërisht këtë do të trajtojmë edhe në këtë studim. Shoqatat e prindërve në vende të përparuara në Europë e Amerikë luajnë rol të rëndësishëm. Ato ndihmojnë në krijimin e kushteve për mësim të nxënësve, në përmirësimin e higjenës, në përpilimin e orarit, në vlerësimin e dijeve, në masat për sigurimin e jetës së nxënësve, në organizimin e veprimtarive social-kulturore e sportive, të festave shkollore e të udhëtimeve të organizuara, në vlerësimin e rezultateve të metodave dhe teknikave të mësimdhënies dhe edukimit, në shpërndarjen e stimujve materialë e moralë në shkollë, në dhënien e mendimeve në rast ndryshimesh dhe vendimesh të rëndësishme të sistemit shkollor, në hartimin e zbatimin e planit edukativ lokal, në rritjen e kualifikimin pedagogjik e psikologjik të prindërve. Komunikimet mësues-prindër janë shprehje e marrëdhënie profesionale e sociale që ekzistojnë midis dy palëve. Ato, jo vetëm që shprehin karakterin e marrëdhënieve të tyre, por ushtrojnë ndikime mbi palët që komunikojnë dhe mund të ndryshojnë edhe marrëdhëniet midis tyre. Në shumicën e rasteve në marrëdhëniet prindër-adoleshent ka mungesë besimi, pasiguri, bile edhe frikë tek fëmijët. Kjo ndikon negativisht tek ata, i bën hileqarë, hipokrit dhe gënjeshtarë. Niçe thoshte se ¾ e të gjithë të ligave që ndodhin në botë kanë ardhur nga frika. (Merxhani Branko, Tiranë 1996, f.26).

Tre hapat për të ndërtuar marrëdhëniet mësues-prind:

Motivimi. Të dy palët të jenë të gatshëm për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Motivimi dhe siguria se mund të bëhen ndryshimet e nevojshme dhe të arrihen objektivat – duhet të përbëjnë themelin e këtyre marrëdhënieve.

Përgjegjësia. Përgjegjësia e mësuesit që nuk e ka përkrahur e ndihmuar prindin sa duhet në punën me fëmijën e tij dhe nuk i ka vlerësuar maksimalisht e seriozisht mundësitë e tij si dhe përgjegjësia e prindërit që e ndjen se ka shumë më tepër mundësi të ndihmojë e të japë për fëmijën e tij në shkollë dhe se e ka detyrë ta bëjë këtë edhe si prind, edhe si qytetar.

Të ushtruarit. Nevoja që të dyja palët të mësohen për të shprehur ndjenjat e tyre, duke respektuar njëri-tjetrin dhe duke pranuar të ushtrohen për këtë qëllim.

Parimet demokratike mbi të cilat ndërtohen marrëdhëniet shkollë-familje

Gjithëpërfshirja, që do të thotë të marrin pjesë një numër i madh mësuesish dhe prindërish si nevojë praktike e kohës për identifikimin, hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore. Të mos ngushtohen e të mos konceptohen marrëdhëniet shkollë-familje vetëm si komunikime të mësuesve kujdestarë e anëtarëve të drejtorisë sipas klasave për të cilat përgjigjen.

Mirëkuptimi. Si nxënësit, ashtu edhe prindërit kanë ndjenja, dëshira dhe mendime të ndryshme, si dhe bindje të ndryshme politike. Është e rëndësishme të motivohen mendimet dhe idetë e tyre, duke i mirëkuptuar ato. Nëse të dy palët nuk mirëkuptojnë njëra-tjetrën, atëhere asnjëherë nuk do të arrihet në zgjidhje konstruktive dhe të dobishme.

Të kuptuarit. Çdo situatë e re u vë përballë si mësuesve, ashtu edhe prindërve mëdyshjen se cila është zgjidhja më e mirë, zgjidhje që vjen natyrshëm, pa sforcime, në mënyrë pragmatiste nëpërmjet një kuptimi të drejtë, logjik, të arsyeshëm e demokratik.

Bashkëpunimi, i cili duhet të jetë i hapur, të ketë vazhdimësi, të jetë fleksibël dhe i adoptueshëm, të japë rezultate konkrete pozitive. Bashkëpunimi ose “të punuarit së bashku për të mirën e përbashkët” – është gjithmonë më pak i kushtueshëm dhe më shumë produktiv se rivaliteti, sidomos kur bëhet fjalë për një partneritet afatgjatë. “Ne mund të ndryshojmë botën” e komuniteteve tona, jo duke vepruar të vetëm dhe sigurisht, jo duke vepruar në kundërshtim me njëri-tjetrin, por duke vepruar së bashku” – thekson Margaret Mead (Për një komunitet aktiv në qeverisje, Toena 2002, f.15).

Realizmi, që do të thotë të kuptosh dhe të presësh që një numër i konsiderueshëm pengesash do të dalin përpara në rrugën e vështirë, por të bukur e fisnike të arsimimit dhe edukimit të brezit të ri.

Nuk është e lehtë, por duhet të përballemi me realizëm me sfidat dhe vështirësitë, të cilat lidhen me ndryshimet e vetë shoqërisë, me ndryshimet e statusit social, ekonomik të prindërve dhe të vetë nxënësve, me thellimin dhe çuarjen përpara të reformave, të reformimit të bazës ekonomike dhe të superstrukturës.

Realizimi i një bashkëpunimi të gjallë, aktiv dhe rezultativ mësues-prindër kërkon:

Njohje të plotë të dy palëve për njëri-tjetrin, deri edhe si kanë komunikuar dhe komunikojnë prindërit e nxënësve me njëri-tjetrin.

Shkëmbim informacioni vazhdikisht dhe të jetë transparent.

Mësuesi kujdestar të njohë shumë mirë edhe mësuesit që japin mësim në klasën e tij.

Kjo i jep mundësinë të kryejë shumë mirë rolin e moderatorit ne zgjidhjen e konflikteve të mësuesve me prindërit dhe të mesuesve me nxënësit.

Mbi të gjitha mësuesi duhet të njohë shumë mirë nxënësin dhe kjo njohje nuk është e plotë, e saktë dhe gjithëpërfshirëse pa ndihmën e prindit. Kjo njohje nuk mund të bëhet përciptazi, shkarazi, pa një teknologji bashkëkohore dhe mbi baza shkencore psikologjike. Për këtë mësuesi përgatit për çdo nxënës karakteristikën përkatëse ku shënon:

Informacion i përgjithshëm për fëmijën dhe familjen e tij, numurin e anëtarëve të familjes, numurin e fëmijëve, njeriun me të cilin jeton fëmija, kushtet familjare, mosha, nga vjen, komuniteti në të cilin banon ai, cilat janë veçoritë dalluese të këtij komuniteti e tjerë. Pra një informacion për familjen e nxënësit, për besimet, vlerat, rutinën ditore, shpresat dhe zakonet

Veçoritë e sjelljes së fëmijës:

  1. a) Sjelljet në shoqëri: i shmanget qëndrimit me fëmijët e të njëjtës gjeni ose të gjinisë tjetër, pranohet nga fëmijët e tjerë, tallet e përqeshet prej tyre apo i tall dhe i përqesh ai, është i tërhequr, i turpshëm, respekton rregullat, prish dhe shkatërron gjërat, kërkon t’u imponohet të tjerëve.
  2. b) Sjellja gjatë kryerjes së detyrës: ka vështirësi në plotësimin e detyrës, zemërohet lehtë, tërhiqet lehtë kur ndesh në pengesa, ka vështirësi për të kuptuar udhëzimet, për të mbajtur mend, ndërhyn në punët e të tjerëve, është i zoti të punojë i pavarur, dëgjon dhe pranon këshillat e të tjerëve.
  3. c) Vështirësitë e fëmijës në shkollë: si i ka rezultatet në mësime, ka përsëritur klasën, ka vështirësi në lëndë të veçanta, mungon në shkollë.

Si i shpreh emocionet: duket i trishtuar, i zemëruar, i pasigurtë, i frikësuar, i vetmuar, ndërron shpejt gjendjen shpirtërore, acarohet shpejt, kundërshton pa arsye, është kokëfortë, ankohet se është i lodhur dhe për ndonjë sëmundje.

Prirjet: interesa të veçanta ose talent në një fushë të caktuar, prirje artistike, në sport, të punoj me dru, në metale, në kompjuter, qejfe dhe dëshira të tjera… vijon

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …