Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Kur politika bëhet nga rruga nuk ka vend për intelektualët

Secila nga partitë në Shqipëri (e kam fjalën për partitë e mëdha) herë pas here deklarojnë, veçanërisht në prag fushatash elektorale se “janë kaq intelektualë në partinë tonë”, “u bënë pranime të reja nga radhët e intelektualëve”, “intelektualët do të zenë vendin kryesor në organet drejtuese”etj. Të gjitha këto për efekte propagandistike dhe për të ndikuar tek votat e elektoratit.

Rreshtimi politik i intelektualëve në Shqipëri përcaktohet nga bindjet politike, nga e kaluara e tyre, nga interesat dhe përkatësia krahinore dhe klanore

Identifikimi politik në Shqipëri bazohet në lidhjet që individi ka me të kaluarën, me pushtetin aktual, me njohjet personale që kanë me lidershipin politik, me besnikërinë ndaj tyre, me përkatësinë familjare dhe krahinore. Nga ky rregull nuk bën përjashtim edhe intelektuali. Intelektualët (me origjinë nga familjet e varfra) që janë shkolluar para viteve `90 brenda dhe jashtë vendit me paratë e shtetit komunist dhe që kanë punuar në administratën e lartë të këtij shteti nuk e kanë të lehtë të shkëputen nga e kaluara e tyre. Nisur nga arsyetimi: “Sistemi komunist na shkolloi”, “Na bëri njerëz”, “Na hoqi nga fshati e na solli në qytet”, “Na dha tituj e grada shkencore”, i janë falenderues, ndaj kjo kategori përgjithësisht vazhdon të jetë pjesë e formacioneve politike të majta. E nënvijëzuam përgjithësisht, pasi një pjesë e tyre bëjnë përjashtim. Ata u rreshtuan në formacionet politike të djathta, në qendër të saj, me orientim nga politikat e majta qeverisëse. Ndër arsyet kryesore të këtij rreshtimi janë:

Si intelektualë karrieristë shfrytëzuan situatën politike për të marrë pushtetin. Nga pozitat e majta nuk mund të vinin në pushtet.

Kishin patur mundësinë të njohin jetën në Perëndim, përmes shkollimit dhe detyrave të tjera të ngarkuara nga shteti shqiptar i asaj kohe. Kishin mësuar si funksiononte ekonomia e tregut, si bëhej pasurimi i individit. Pushtetin që do të merrnin do ta shfrytëzonin pikërisht për t’u pasuruar me anë të posteve qeverirëse. Kështu do të shijonin shumë shpejt maksimalisht frytet e demokracisë. Kjo do të bënte që të mos hiqnin dorë nga pushteti, i cili për ta ishte mjaltë e shkuar mjaltit.

Intelektualët (me origjinë nga familje të pasura dhe që janë goditur nga sistemi politik komunist) rreshtohen në formacione politike të djathta, bile një pjesë e tyre janë për të djathtën ekstreme. Përkatësia ndaj grupit është në përgjithësi busulla orientuese e intelektualit në shoqëri dhe partitë politike. Për shkak të së shkuarës dhe zhvillimit kulturor, Shqipëria paraqet një shoqëri tradicionale, ku familja, fisi, krahina nga je në shumicën e rasteve orientojnë intelektualin me cilat forca politike do të jetë. Kjo lidhet edhe me faktin se kur të mirat materiale e shpirtërore janë me pakicë dhe nuk mjaftojnë për të gjithë, shpërndarja e tyre bëhet, jo mbi bazën e meritës, por mbi bazën e lidhjes familjare, fisit, krahinës, klanit. Nuk ka rëndësi kush është më i zoti, por djali apo vajza e kujt je, kujt i shërben, nga cila zonë vjen, në cilin klan bën pjesë. Komunizmi u identifikua me Jugun dhe elita politike e tij dominoi për 50 vjet. Partia Demokratike u identifikua dhe vazhdon të identifikohet me Veriun, i cili nuk pati status politik dhe social, arsimor e kulturor të njëjtë me atë të Jugut të Shqipërisë, por më të ulët. Një pjesë e intelektualëve nga Veriu, edhe pse mund të mos jenë dakord me mënyrën sesi kjo forcë politike ka qeverisur, vazhdojnë ta mbështesin atë, të jenë pjesë aktive e saj e në ndonjë rast i bëjnë ndonjë kritikë të butë.

Kemi intelektualë të tjerë tradicionalë, konservatorë që u qëndrojnë besnikë liderëve të tyre: mbretit Ahmet Zogu, Enver Hoxhës, Fatos Nanos, Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës.

Politizimi ekstrem i shoqërisë shqiptare është një nga shkaqet që ekspozohen bindjet politike të intelektualëve. Kërkohet që ata të shprehen hapur me cilët janë dhe ta marrin vesh të gjithë, ndryshe nuk janë të pranueshëm dhe të besueshëm nga partitë. Ka nga ata që për interesa personale dhe fitimprurëse kalojnë nga një parti tek tjetra dhe kthehen në mercenarë. Mercenarizmi, siç kanë theksuar politologë të huaj dhe shqiptarë nuk është ideologji, por është mënyrë mbijetese. Partitë kryesore shqiptare sot nuk kanë nevojë për militantë intelektualë, por për mercenarë intelektualë.

Më parë intelektualët nuk kanë patur mundësi të shprehnin e të mbronin bindjet e tyre politike. Po të ndodhte ndryshe pasojat do të ishin fatale. Ne jemi dëshmitarë të fatit tragjik të intelektualëve që kërkuan të themelonin Partinë Socialdemokrate ose të shprehnin pakënaqësitë e tyre duke kritikuar sistemin politik komunist. Sot në letra, në Kushtetutë e kanë këtë mundësi, por edha pa pasoja nuk janë. Nuk i futin në burg, nuk i vrasin si më parë, por pushohen nga puna, u ndërsehen mediat për t’i diskredituar, gërmohet në biografitë e tyre, kërcënohen, kanë pasoja edhe familjarët e tyre. Me qëllimin: t’ua mbyllin gojën, t’i frikësojnë, t’i shantazhojnë, t’i detyrojnë të ikin jashtë vendit. Ata që nuk rezistojnë para këtyre presioneve, që joshen nga shpërblimi i pushtetit me poste e para, që nisen jo nga interesat e komunitetit, por nga interesat personale e familjare bëhen një me pushtetin, vihen në shërbim të tij. Fitojnë statusin e intelektualit mercenar. Nuk ju kujtohet biografia në sistemin komunist, harrohet çfarë kanë thënë e shkruar më parë, mjafton që janë në një linjë me liderin udhëheqës.

Kalimi nga lidhjet e gjakut tek lidhjet e interesit, është kufiri që ndan tradicionalen nga modernia. Këta intelektualë, pretorianë të çdo kryeministri, të cilët janë gati të shajnë çdonjërin, sa herë e kërkon shefi i tyre, që edhe bindjet politike të lidershipit të tyre janë edhe bindjet politike të tyre e që janë në unison me qëndrimet dhe veprimet e tyre, bashkohen me turmën kur u bën thirrje pushteti, fitojnë prej saj veset dhe pasionet më të këqija: fanatizmin, urrejtjen tribale për tjetrin, servilizmin, mercenarizmin. Pra janë të gatshëm të mbrojnë gjëra që dikur i kanë urryer dhe të urrejnë gjërat që dikur i kanë besuar. Në të vërtetë kjo kategori intelektualësh nuk e meritojnë të quhen intelektualë, sepse intelektuali thotë dhe mbron të vërtetën me kurajo, pavarësisht nga pasojat dhe është në ballë të shoqërisë për ta ndryshuar realitetin politik në dobi të qytetarëve.

Pse intelektualët në Shqipëri qëndrojnë larg partive politike

Angazhimi politik është i lirë. Ka intelektualë që nuk bëjnë pjesë në asnjë parti (shumica), ka të tjerë që janë anëtarë në parti të ndryshme. Para viteve `90 përqindja e intelektualëve në parti ishte e ulët, pranoheshin me pikatore. Vendin kryesor e zinin punëtorët dhe fshatrët, njerëzit e prodhimit.

Një pjesë e intelektualëve para viteve `90 hynë në parti për të bërë karrierë politike. Mendonin se ishin edhe më të mbrojtur politikisht nga sulmet e pushtetit. Ka nga ata që sot thonë se hynë për t’i shërbyer më mirë atdheut dhe popullit, ose për të bërë ndryshimet brenda partisë…

Intelektualët ndaheshin në besnikë të partisë (këta pranoheshin dhe merrnin përgjegjësi, ky ishte kriteri bazë dhe përcaktues) dhe në armiq të partisë (këta përndiqeshin, dënoheshin dhe burgoseshin). Për fatin e keq të Shqipërisë dhe të demokracisë, ky kriter zbatohet edhe sot. Nëse nuk je besnik i partisë dhe i Njëshit braktisesh dhe ndëshkohesh pa mëshirë. Intelektualët që nuk i shërbejnë me besnikëri udhëheqjes së lartë të partisë, si dje dhe sot konsiderohen kriptokomunistë, të pareformuar, karrieristë të pandreqshëm, bashkëpunëtorë të sigurimit.

Platoni dy herë u rrezikua ta paguajë më kokën e tij, për arsye se pushtetarëve, miq të tij dhe me ftesën e tyre u kishte dhënë këshilla të tepërta.

Sipas Rexhep Qosjes sunduesit e kërkojnë përkushtimin e intelektualit, mendjen e tij, lavdërimin e tij, nderin e tij. Kanë frikë nga mendja e tij, fjalët e tij, prej nderit të tij Intelektualët janë të mirëpritur në parti deri në çastin kur ata do të përpiqen të tregohen të mençur.

Bëhen të gjitha përpjekjet për të shuar zërin e tyre, idetë dhe veprimet e intelektualëve. Për Ralf Dahrendorf: “Elementët përbërës të totaliatrizmit janë: moderniteti i cunguar, tradhtia intelektuale, braktisja e idealit, e rolit të vërtetë që ka intelektuali në shoqëri”

Nuk ka një vlerësim të saktë e real për rolin e intelektualit në partinë, ku ai bën pjesë.

Populizmi edhe dje, edhe sot i ka penguar intelektualët të jenë pjesë aktive në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Populizmi është një lëvizje politike që pretendon t’i japë përparësi pikëpamjeve dhe preferncave të njerëzve të thjeshtë, shpesh në mënyrë të vetëdijshme anti-intelektuale dhe duke lënë të kuptohet se përfaqëson njeriun e vogël kundër makinacioneve të shtetit dhe elitave të fuqishme. Dje politikanët mbështeteshin tek klasa punëtore, survejonin, kontrollonin dhe ndëshkonin intelektualët me kontrollon punëtor dhe fshatar. Zëri i popullit, organ qendror i partisë në editorialin e tij shkruante se kur nuk flet klasa, burokratizmi ngre krye.

Politikanët sot në vendin tonë mbështeten tek njerëzit e biznesit dhe tek personat që janë të fortë e me shumë njohje. Partitë po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt bjerrjes intelektuale. Siç theksojnë edhe politologët më në zë, liderët dhe politikanët duhet të jenë konsumatorë inteligjentë të opinioneve të ekspertëve. Partitë amerikane dhe europiane brenda vetes kanë institucione të fuqishme shkencore që ndërtojnë argumentin ekonomik, argumentin historik, argumentet kulturore, gjeostrategjike e te tjera. Ndërkaq politikanët shqiptarë varen vetëm prej aftësive të tyre retorike. Nga legjislatura në legjislaturë është ulur numri i deputetëve intelektualë në Parlament dhe është rritur numri i deputetëve me rekorde kriminale. Lidershipi i partive frymëzon dhe shpërblen pikërisht ata deputetë që shajnë më shumë, fyejnë dhe dhunojnë foltoren e Parlamentit. Ata janë të përhershëm në konferencat e shtypit, në studiot televizive. Ata marrin detyra speciale nga udhëheqësit e tyre për të minuar dhe shkatërruar demokracinë parlamentare. Nuk kemi dëgjuar të shajnë, të fyejnë në parlament deputetët intelektualë: Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Ermelinda Meksi, Sabri Godo, Anastas Angjeli, Teodor Keko, Paskal Milo, Rushane Golemi, Pjetër Arbnori edhe pse kishte bërë 27 vjet burg në sistemin komunist etj. Pa pasoja nuk kanë qenë nga kryetarët e partive.

Sentenca “Një gram pushtet rëndon më shumë se një tonelatë mend”, e ngulitur thellë në psikikën e lidershipit shqiptar – është shkaku i përkeqësimit të marrëdhënieve politikan – intelektual dhe i persekutimit të tyre nga politika. Shpërfillja e trurit dhe mungesa e shpresës për zhvillimin e shoqërisë janë binom të pandara nga njëra-tjetra. Politika në vendin tonë  është një hapësirë, ku nuk ka ndershmëri dhe intelekti i brishtë i intelektualëve përdoret për prodhime intrigash dhe kulisash. Është edhe kjo një nga arsyet që ata qëndrojnë jashtë politikës.

Platoni thoshte se një prej dënimeve për refuzimin për të marrë pjesë në politikë është se përfundoni duke u qeverisur nga inferiorët tuaj. Aq më tepër intelektualët nuk e pranojnë një raport dhe një marrëdhënie të tillë. Intelektualët nuk pranojnë të përdoren si mburojë nga pushtetarët për të realizuar ata qëllimet e tyre vetjake pushtetmbajtëse dhe meskine. Ata nuk lejojnë të keqpërdoren me qëllim konsumimin tërësisht të tyre.

Shmangia e tyre nga drejtimi politik dhe qeverisja e vendit, dhënia kompetenca dhe pushtet mediokërve, mungesa e alternativave, përqendrimi i jetës politike në një parti e në një lider e largojnë intelektualin nga jeta politike. Vargjet e shkrimtarit Bertold Brehti janë tepër domethënëse: “Nga tigrat munda të shpëtoj/ Me gjakun tim ushqeva çimkat/ Po kokën ma hëngrën mediokrit”.

Intelektuali nuk duhet të institucionalizohet politikisht. Ai nuk duhet të jetë pjesë e klientelizmit politik. Duke mos qenë klientelist politik ka një vizion shumë herë më të madh për ndryshimin e shoqërisë. Është intelektual se është, siç e theksuam edhe më lart njeri i ndryshimit, iu prin masave në rrugën e ndryshimit. Zhgënjimi çon drejt tërheqjes, cinizmi, tërheqjes nga politika si reagim anti-pushtetar, si reagim anti-partiak, si reagim ndaj vetë sistemit demokratik. Në jetën politike ka cmirë, frikë, shpifje, grindje. Këto nuk mund t’i mbajnë supet e brishta të intelektualit. Fatkeqësisht ka një përpjekje të shtuar të klasës politike aktuale shqiptare për të shuar idetë, zërat dhe veprimet e intelektualëve.

Lind pyetja: A ka intelektualë të vërtetë Shqipëria?!…

Ka, por fatkeqësisht janë minorancë dhe nuk kanë mbështetje popullore. Kjo i ka bërë ata të mos jenë shumë aktivë dhe të tërhequr në politikë. Është kjo arsyeja që jemi një vend i varfër, i prapambetur, me një klasë politike oligarke dhe me një demokraci të brishtë.

(Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …