Dr. Skënder Demaliaj: Për një filozofi ndryshe në qeverisjen e vendit

Dr. Skënder Demaliaj: Për një filozofi ndryshe në qeverisjen e vendit

(Libri i profesor, Servet Pëllumbit, “Për një filozofi ndryshe”, Shtëpia Botuese “Morava”, Tiranë, 2018.)

Filozofia sipas Fjalorit sociologjik i drejtohet një spektri të gjerë çështjesh të lidhura ndërmjet natyrës së të kuptuarit, logjikës, gjuhës dhe shkakësisë.

Na duhet një filozofi ndryshe për të ndryshuar të kuptuarit e botës, pra një mënyrë kritike të menduari.

Për Prof. Servet Pëllumbin, filozofia ndryshe është filozofia e jetës. Filozofia ndryshe është e lidhur me realitetin ndryshe. Ai e sheh filozofinë ndryshe nga ajo klasike tradicionale, apo si intelektologji që ofron ndihmesën e vet për zgjidhjen e problemeve që lindin sot në pikat e takimit të shkencave të ndryshme, natyrore dhe shoqërore, apo për sqarimin e raporteve të reja midis shkencave te sotme dhe teknologjisë së lartë të bazuar mbi intelektin artificial që shoqërohet me skepticizëm të motivuar.

Nuk kërkohet ndonjë filozofi e historisë, si ajo e Hegelit dhe as ndonjë materializëm historik, si ai i Marksit, por një rikonceptim i problematikës së sotme që aktualiteti si objekt i filozofisë ndryshe të dallohet nga aktualja dhe të marrë vulën krijuese të subjektit që e zgjedh dhe e krijon vetë objektin e njohjes dhe të reflektimit politik. Kjo e bën atë filozofi të edukimit, për të cilën ka aq shumë nevojë shoqëria e sotme njerëzore… E rëndësishme mbetet që edhe trajta e sotme e filozofisë të ruajë përgjithësisht karakterin specifik të mendimit filozofik dhe të aparatit të saj konceptual, si edhe kohezionin e brendshëm që idetë diverse, metodat dhe parimet metodologjike të nënkuptojnë dhe të depërtojnë reciprokisht në njëri-tjetrin. Po ashtu, ajo duhet të jetë e hapur, pluraliste, dialoguese.

Në libër gjejmë thirrjen për një filozofi praktike, nisur nga Katërkëndëshi i Kantit: Çfarë mund të bëj unë? Çfarë duhet të bëj? Për çfarë mund të guxoj të shpresoj? Ç’është njeriu? Këto përbëjnë thelbin e filozofisë praktike.

Ritmi i jetës, i biznesit, i mendimit dhe i teknologjisë është aq i shpejtë sa llogaria do bërë jo me dekada, madje as me ditë, por me orë e minuta.

Njeriu i ndërlikuar në botën e ndërlikuar, në të cilën nuk ka fillim e mbarim, e ndjen veten mirë, të sigurtë, kur u drejtohet gjithë njerëzve me fjalën biblike: “Të bëhet!” E mbështet politika shqiptare diçka të tillë për ta realizuar? Jo. A e kërkon me ngulm këtë nga politikëbërësit? A sakrifikohet vetë? Jo. Kjo do të thotë se përgjegjësia është e dyanëshme. Duhet luftuar deri në fund, pa u ndalur, pa u trembur për ndryshimin.

Në epokën e modernitetit kemi ndryshime substanciale dhe me ritme më të shpejta: lind e reja, procese, teknologji, objekte, strategji, ligjësi që janë në një lidhje të dobët me të shkuarën. Ritmi ynë në këto 29 vite ka qenë i ulët, jo atje ku kanë aspiruar dhe shpresuar shqiptarët, pikërisht se klasa politike aktuale, qoftë e majtë apo e djathtë nuk është shkëputur nga e kaluara, akoma më keq është pjellë dhe derivate e së kaluarës komuniste.

Sipas filozofisë ndryshe, njerëzit edhe në shoqërinë e informacionit kanë për të jetuar në kushte mosbesimi. Sepse nga vetë natyra dhe institucionet në shërbim të saj, shpesh edhe në mënyra të pavetëdijshme shtohen si niveli, ashtu edhe faktorët që dobësojnë apo edhe shkatërrojnë besueshmërinë e njerëzve.

Frojdi mbon idenë se nënshtresat e shumta të shpirtit, të vetëdijes e të pavetëdijes që drejtojnë personalitetin, ndjesitë e së vjetrës, me ato të së resë, pra të plakut me ato të të riut sjellin si pasojë që njeriu të kërkojë maksimumin nga jeta ose të paktën një dimension më tepër që i mungon këtu në tokë.

Shtrohet pyetja: A ndërtohet vizioni politik mbi bazën e studimeve psikologjike dhe sociologjike? A demokratizohet shoqëria dhe familja shqiptare dhe vetë politika bazuar pikërisht në këto studime?

Është e pakuptimtë dhe e rrezikshme të jetosh pa qëllime e pa aspirata, apo të mos kesh një vizion të qartë për të ardhmen dhe të “notosh” në vorbullën e ideve politike afatshkurtra. Asnjë nga programet elektorale dhe qeverisëse në këto 29 vjet nuk kanë qenë afatgjata, nuk kanë patur konsensusin politik të të gjitha partive për reforma të mëdha në sektorin e pronave, energjitikës, të naftës, të kromit, në arsim e në shëndetësi. Janë ndërmarrrë politika afatshkurtëra, thjesht për të fituar votën e çastit të zgjedhësve.

Po sipas Fjalorit sociologjik, termi “politikat” emërton terësi idesh pak a shumë të artikuluara qartë mbi atë çka duhet të bëhet në një sferë të veçantë apo në një tjetër (politikat që kanë të bëjnë me sigurinë sociale, shëndetin, strehimin, arsimin, ligjin, rendin, politikat ekonomike).

Ideja se teknologjia sot ecën më shpejt nga njeriu kërkon rishikime serioze të kulturës, shkencës, sistemit arsimor dhe edukativ. Shoqërimi i progresit teknik, i revolucioneve industriale me probleme adaptimi, me ndryshime të raporteve të punës dhe me rivlerësim të profesioneve të ndryshme – është domosdoshmëri.

Një popull shumë më i arsimuar do të përkthehet:

nivel më i lartë i zhvillimit ekonomik,

sjellje e kulturës qytetare, rritje e besimit, kënaqësi, kompetencë,

mbështetje për demokratizim,

klasë e mesme më e madhe.

Globalizmi ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit duhet të mësojnë për biznesin, historinë, shoqërinë, gjuhën, psikologjinë, artin, gjeografinë, politikën dhe shkencën. Arsimimi ka një rëndësi të veçantë, pasi ai është kthyer në një investim dhe jo në një proces eksplorimi për të bërë jetën e fëmijëve më të begatë. Barack Obama në ditën e parë të shkollës (Arlington, Virginia), më 8 shtator 2009 iu drejtua nxënësve me fjalët: “ Çka ju bëni me shkollimin tuaj, do të vendosë as më shumë e as më pak të ardhmen e këtij vendi. Çka ju mësoni në shkollë sot, do të vendosë nëse ne, si komb, do të mund të përballemi me sfidat e së ardhmes”

Hutimi, konfuzioni teorik, intensifikimi i përpjekjeve për manipulim, rekomandimet e paargumentuara, mosmbajtja e premtimeve – e dëmtojnë jo vetëm integritetin e politikanit, por edhe forcën politike që ai përfaqëson.

Profesori e trajton politikën si fenomen dhe si objekt i filozofisë ndryshe. Ai shtron pyetjen: A kanë mësuar politikanët nga gabimet e së shkuarës se çfarë nuk duhet të bëjnë sot? A kanë mësuar nga sukseset e së kaluarës se çfarë duhet të bëjnë nesër?

Drejtimi me dorë të fortë i liderit, mosqarkullimi i elitave, përpjekjet voluntariste për të qeverisur sipas rregullave të elitave globaliste dhe jo sipas zhvillimeve të brendshme të jetës shqiptare – janë shkaqet e dështimit të klasës politike në këto 29 vite. Gjithashtu vihet re prapambetje serioze e kulturës politike, indiferentizmi i qytetarëve ndaj problemeve politike, vetëdije e ulët politike dhe reagim i ulët qytetar. Kërkohet që kultura politike të marrë dimensione dhe thekse të reja, të sintetizojë në mënyrë urgjente jo vetëm përvojat, dijet, sensibilitetet e sotme politike, por edhe metodat e sjelljes dhe të veprimit aktiv e të përgjithshëm të subjekteve politike, të qytetarëve, ashtu edhe të shtetit, të grupeve sociale, partive politike etj.

Kultura politike fillon me aftësinë për të njohur humbjen. Në këto 29 vite pluralizëm politik rrallë ka ndodhur që humbësi të pranojë humbjen, t’i shtrëngojë dorën fituesit, ta dorëzojë pushtetin në mënyrë të civilizuar. Edhe kur përkohësisht e kanë pranuar humbjen, pa humbur kohë janë penduar dhe kanë filluar sulmet kundër fituesve të rinj, duke u penduar për ato që kanë thënë më parë e duke paragjykuar fituesin. Mendimi i ri politik, kultura e re politike – janë kërkesa të kohës.

Filozofia ndryshe kërkon më shumë transparencë, përdorim më me efektivitet të teknologjisë shifrore, kontroll për realizimin e vendimeve e të programeve konkrete, rritje të shpirtit të iniciativës ligjvënëse të qytetarëve, të ekspertizës së tyre, të llogaridhënies së pushtetarëve para tyre, ballafaqim të vazhdueshëm për mbajtjen e premtimeve, jo vetëm kur afron dita e zgjedhjeve. Filozofia ndryshe kërkon politikanë e lidership larg klaneve dhe oligarkëve. Prapa filizofisë ndryshe qëndron kërkesa për një botë tjetër nga e sotmja, ku pritet që të forcohet revolta e individit ndaj së vjetrës, ndaj pushtetit të traditave dhe “tiranisë” së steriotipeve ideologjike, shoqëruar me kërkesën e fokusimit të së ardhmes tek njeriu konkret i të adhrmes me shkallë të lartë organizimi, me intelekt të zhvilluar, me kapital kulturor, me aftësi krijuese dhe shprehi praktike. A jemi të përgatitur për këtë situatë? Jo. A kemi studime dhe prognoza nga politologët shqiptarë për botën e nesërme të re? Jo. A është e pasqyruar dhe e reflektuar në programet elektorale të partive kjo botë e re? Jo. A jemi të përgatitur psikologjikisht për të ndërmarrë reforma të thella, të guximshme për të fituar kohën e humbur në këto 29 vite? Jo.

Profesori na porosit dhe na këshillon që të mos ecet me mendimin se e ardhmja do të jetë komode për të gjithë, pa vështirësi, pa turbulenca sociale dhe iluzione. Politikanët e sotëm nuk e dorëzojnë pushtetin vullnetarisht se pushteti është mjaltë e shkuar mjaltit, nga pushteti ata janë pasuruar në mënyrë abuzive. Humbja e pushtetit do të thotë humbje e privilegjeve të shumta e të pamerituara, llogaridhënie dhe vënia para drejtësisë për vjedhjen dhe grabitjen e pronës publike. Për të ndërtuar shtetin demokratik, shtetin ligjor në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të tyre, duhen shkatërruar struktura burokratiko-oligarkike.

Nga këndvështrimi i filozofisë ndryshe, Profesor Servet Pëllumbi në librin e tij përcakton edhe rrugët sesi mund të arrihet kjo: të bëhen analiza të thella për të zbuluar faktorët objektivë që e bëjnë procesin e ndryshimeve të jetë permanent dhe i çliruara nga spontaniteti, si edhe metoda adekuate që faktorët subjektivë të kuptojnë se e ardhmja “gatuhet” dhe “ rritet” në të sotmen nëpërmjet ideve, qëllimeve e veprimeve të njerëzve, të gërshetimit të globalizmit me individualizmin, me gjenerimin e “bijve të shekullit të ri” për të cilët shkruante Migjeni.

(Skënder Demaliaj ështëShef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj konsideron se për dalje nga kriza, Kosova duhet ta krijojë Qeverinë e Unitetit Kombëtar, me të gjitha partitë politike

Ramush Haradinaj: Pas 9 shkurtit, do të ndodhë kthesa e madhe edhe në politikën e jashtme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar ka ardhur koha që …