Kur arsyeja fillon përsëri të flasë.
Edhe shpresa përsëri fillon të lulëzojë.
GËTE
Vitet 1998-1999 në Kosovë janë më të përgjakshmet, por më heroiket në historinë e saj. Me mijëra burra, pleq, gra e fëmijë u gjymtuan, u vranë, u masakruan, u therën e u përdhunuan. Shtëpitë u dogjën dhe pasuria u rrënua e u grabit. Sipas agjensive të huaja mbi 800.000 shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre shekullore, kurse 600 mijë u endën maleve të Kosovës për të shpëtuar nga torturat, përdhunimet dhe vrasjet e ushtrisë së paramilitarëve serbë. Kemi pasur rastin t’i shohim vetë me sytë tanë dyndjet biblike… ku jemi mbështetur për punimin. Barbaria në situata luftërash është zhvilluar si një epidemi. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët e Kosovës në vitet 1998 e 1999 ku përballë kishin një shtet militar që historikisht njihet si një shtet, indet e të cilit janë ngritur mbi “hormonet” prej dhune dhe barbarie.
Lufta u kthye në një dimension për shqiptarët në Kosovë. Ata reaguan nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe manifestuan botërisht ndërgjegjen e tyre kombëtare në forma të tjera të qëndresës. Bota u trondit nga krimet makabre të serbëve… Bota u befasua nga pritja shqiptare, e vëllait për vëllanë. Kukësi e shumë qytete të tjera shqiptare u bënë epiqendër e medias botërore në ato ditë të eksodit kosovar. Por bota u befasua edhe me kthimin e shpejtë të kosovarëve në trojet e tyre.
Qarqet shovene serbe, Millosheviçi dhe shtabi i tij, veç shpërnguljeve masive barbare (të cilat ai me ironi i quante “piknik”) kishin llogaritur me siguri edhe “pamundësinë” e kthimit të shqiptarëve të Kosovës në Kosovë. Mjafton që të shpërnguleshin dhe krahas pushtimit ushtarako-policor, llogaritej edhe moskthimi, pamundësia për kthim, pse jo edhe prirja, frika, e “dëshira” për moskthim e shqiptarëve. Momenti i dëbimit të forcave ushtarako-policore serbe nga Kosova dhe i futjes së forcave ushtarake të NATO-s do të sillte edhe një provë të madhe për shqiptarët e Kosovës. Kishte paragjykime, sipas disave, jo të pabazuara, se ky kthim për shkak të asaj që kish ndodhur, do të ishte i vështirë e i ngadaltë, në mos edhe i pamundur. Por ky moment përbënte një provë reale për shqiptarët e Kosovës. “Moskthimi” dhe “kthimi” do të ishin edhe argumente për të gjykuar të kaluarën. Moskthimi automatikisht ishte llogari e serbëve dhe politikë proserbe. Bota në këtë moment mbante frymën: po shqiptarët çdo të bënin? Po t’i shkonte lufta dëm NATO-s, serbët do të thoshin: “E shikoni, që shqiptarët nuk kthehen”. “Nuk kthehen sepse s’kanë ku kthehen, e dinë dhe e ndjejnë se nuk është vendi i tyre”.
Bota përparimtare e demokratike perëndimore dhe përfaqësuesit e saj NATO e UHNCR kishin besuar në kthimin e shqiptarëve. Prandaj ata edhe kishin hartuar një strategji për kthimin e shqiptarëve në Kosovë, strategji që kërkonte, sipas parametrave ndërkombëtarë, kohë, fonde, mjete, krijim kushtesh në Kosovë (çminim, ndërtim e riparim shtëpish etj.). Por Bota që ishte çuditur herën e parë me dhunën e shtetit serb dhe me eksodin e shqiptarëve të Kosovës, tani do të çuditej me kthimin e tyre. E çfarë kthimi! Jashtë çdo parashikimi, jashtë çdo plani të ndërkombëtarëve dhe të miqve.
Ç’ishte ky eksod i shqiptarëve të Kosovës, më 1999, do të jetë objekt i madh i studimit dhe i gjykimit të historiografisë dhe shkencave të tjera shoqërore. Po ç’ishte ky kthim, ky kthim kaq i shpejtë, që i la të habitur të gjithë, madje edhe vetë shqiptarët e Shqipërisë?! Ky kthim historik, tanimë, në kuptimin e rëndësisë dhe të faktit se ai ka ndodhur para syve të gjithë Botës, ky kthim, që është i shqiptarëve të shpërngulur nga dhuna serbe prej tokave e shtëpive të veta shqiptare, është një veprim i natyrshëm, i ligjshëm dhe ka shpjegimet e tij historike dhe etnopsikologjike. Ai është e do të jetë një argument i madh, sot e në të ardhmen për autoktoninë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë edhe në Shqipëri dhe për psikologjinë e tyre.
Me të drejtë politologë, historianë, sociologë dhe psikologë, të befasuar nga rikthimi i shpejtë i kosovarëve shtruan pyetjen: Çfarë i shtyn të mos presin asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë, edhe pse të rrezikuar nga minimi i kufirit, për t’u kthyer në trojet e tyre? Cilët janë mekanizmat që e bën popullin e Kosovës të ruajë të pacenuar substancën etnike, hapësirën, konstitucionin shpirtëror, vetëdijen kombëtare, mbiekzistencën?
Cilat janë ato rrënjë që e kanë ushqyer vazhdimisht tokën e Kosovës për të mos u tharë kurrë gjaku shqiptar, ideali shqiptar, duke qëndruar e rezistuar krenare, e paepur në shekuj?…
- Dashuria për tokën e të parëve, për Atdheun.
Poeti ynë Kombëtar, Naim Frashëri shkruan:
“O Atdhe, më je i dashur sa më s’ka,
Më je nënë, më je motër, më je vëlla.
Nga ç’ke rrotull më i shtrenjtë ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe…
Ti ke parë gjyshë-stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtrat tretur ua ke po ti.
Nga ti, shpirt, ata kurrë nuk qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.”
Pra atdheu është familja, trualli i të parëve, varri i gjysh-stërgjyshërve, është gjaku i derdhur për ta ruajtur atë, është djersa për ta zbukuruar e lulëzuar, është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.
Në vitin 2004 në Gjilan u botua libri “Psherëtimë për tokën”. Alban Ajeti nëpërmjet vargjeve të tij solemnisht e me krenari deklaron: “Kosovën tonë/ S’mund ta zhbëjë askush/ Se aty pushojnë eshtrat/ e gjaku i të parëve tanë”. Poeti Ramadan Xhema, me zërin e tij të fuqishëm e të lartë, plot vendosmëri shkruan: “Miq dhe armiq le ta dinë/ S’mund të jetoj pa e dashur Shqipërinë/ Pa e dashur vendin dhe shtëpinë/ Pa i dashur njerëzit dhe drejtësinë”.
Shqiptarët e Kosovës nuk luftuan vetëm për tokën e Kosovës, por për të gjitha tokat shqiptare. Luftuan për një Atdhe të përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Për një Atdhe, ku të ketë liri, barazi dhe drejtësi.
Sipas Branko Merxhanit “Kur s’ka Atdhe, asnjë dhe s’të bëhet më Atdhe i Dytë”.
Për historianin Marlin Barleti: “Atdheu është dashuria më sublime dhe ideali më i lartë i shqiptarit. Dashuria për Atdhe ia kalon çdo dashurie tjetër”.
Studiuesi Hobhouse vëren: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë shqiptarëve kujtimet dhe dashurinë për malet, për miqtë dhe fshatrat e tyre. Ata në mënyrë të përjetshme u kthehen atyre. Pra lidhja e shqiptarëve me tokën është e përbashkët për gjithë shqiptarët. Kështu ne shohim tek i ikuri në dhe` të huaj sesi, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet në Atdhe.
Shqiptarin e dallon lidhja e ngushtë me familjen, lufta dhe përpjekjet e tij për të ruajtur nderin e saj, jetën e anëtarëve të saj. Veçanërisht, siç thotë Eqrem Çabej “Shqiptari është për gjithë jetën i lidhur me familjen e madhe… Si familja, ashtu edhe heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri janë shtysa të forta në karakterin dhe qendrimin shpirtëror të shqiptarëve, si dhe të stërgjyshërve të tyre ilirë”.
A nuk ishin shumë nga familjarët e shqiptarëve të Kosovës që u shpërngulën me dhunë – familje të mëdha? Të shpërndarë : dikush në Shqipëri, dikush në Maqedoni, Mal të Zi, Zvicër, Gjermani etj… Mezi pritën çlirimin e Kosovës e të bashkohen në trojet e tyre në Kosovë.
Në vlerësimin e Obrej Herbert, diplomat, politikan dhe ushtarak anglez: “Shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë adhurues të zjarrtë të truallit e të shkëmbinjve të tyre”.
Studiues, psikologë, sociologë, etnologë, antropologë vendas dhe të huaj kanë folur dhe shkruar për lidhjet e forta të shqiptarëve të Kosovës me traditën. Disa gra e plaka kur ikën prej andej (të larguara me forcë, nën tytën e pushkëve e bajonetave serbe): qilima, disa veshje kombëtare, disa qëndisje, disa sende të rralla që i kishin kujtim nga të parët e tyre i fshehën në tokë. Donin t’i shpëtonin me çdo mjet. Kjo ishte edhe një nga arsyet që i bënë të ktheheshin sa më parë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe pse pjesa më e madhe e tyre ishin djegur. Prirja për të ruajtur e për të ringjallur traditën, për të mos e humbur atë në thelb shpreh qëndresë, pavdekësi. Kulti i së kaluarës është qëndresë e së sotmes dhe e së ardhmes.
Ruajtja dhe përfitimi në shekuj i këtyre traditave është edhe arsye, pse serbët dogjën Kompleksin e Lidhjes së Shqiptarëve në Prizren, Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, 387 kulla tipike shqiptare.
Emrat që shqiptarët në Kosovë u vunë fëmijëve të tyre dëshmojnë lidhjet e thella shpirtërore me Atdheun mëmë: Shqipërinë.
Këta emra:
- Shprehin simbolet tona kombëtare: Atdhe, Flamur, Ilir, Ilirjana, Dardan, Dardana, Skënder, Kastriot, Shqipe, Alban, Albana.
- Janë emra që simbolizojnë jetën: Jetlinda, Jetëgjata, Jetlir, Jetlira, Liridona, Qëndrim, Qëndresë, Çlirim, Lirim, Festim.
- Janë emra qytetesh e trojesh etnike shqiptare: Dibra, Saranda, Berat, Dukagjin, Shkumbin, Drenica, Korab, Kaçanik, Rozafa, Shkodran, Lumjan, Erenik, Vlora etj.
Edhe pse në Kosovë në vitet `70 çmimet e tokës dhe të shtëpive ishin 2-3 fish më të larta se në Serbi ka pasur zona, ku trojet kanë qenë edhe 10 fish më lirë se në Kosovë), shqiptarët e Kosovës me kursimet e tyre, me lekët e emigracionit i blenë ato nga serbët.
I blenë ato se ishin të lidhur ngushtë me tokën, me Atdheun, se e kishin ndarë mendjen se nuk do ta lëshonin vendin e tyre. Se në Kosovë kishte familje të mëdha dhe këto familje kishin nevojë për zgjerim, kurse Serbia në vitet `60 dhe `70 e kishte problemin e “mortajës së bardhë”, e zbrazjes së fshatrave, të shtëpiave të pabanuara dhe tokave të lëna djerrë, sepse nuk kishte kush t’i punonte. Kjo dëshmon se serbët, malazezët nuk u larguan nga Kosova nga genocidi i shqiptarëve, siç propagandon Beogradi sot, por shkuan në Serbi, Kroaci, Slloveni dhe në Perëndim për një jetë më të mirë.
Shqiptarët e blenë më se një herë tokën e tyre nga kolonat serbë e malazezë. Faktet që jep Shaban Haxhia (Demaliaj), Komandanti i Brigadës së Shtatë Kosovare, të ruajtura në Arkivën e MPJ të Shqipërisë janë tronditëse, por të vërteta. Po e japim të plotë dëshminë e tij: “Më 1945 filloi Reforma Agrare në Kosovë. Në fillim u fol se tokat që ishin zaptue nga reforma agrare e ish-Jugosllavisë nuk do t’u merreshin shqiptarëve, pasi kjo reformë në atë kohë kishte qënë e padrejtë dhe kishte për qëllim me zhdukë popullatën shqiptare në Kosovë e me e zëvendësue me serbë e malazezë. Komisioni që u formue nën drejtimin e Dushan Mugoshit për reformën agrare filloi që të shikonte tokat që kishin marrë serbët dhe malazezët dhe këto do t’u ktheheshin popullit, me përjashtim të atyre tokave që kishin qënë lëndinë (të papunueshme), të cilat ishin të rregjistruara mal e livadh. Që në fillim kjo nuk u zbatue dhe u shtrembërue”. Studiuesit e huaj kanë evidentuar se gjaku dhe trualli janë elementët parësor të identitetit shqiptar. “Toka ka mbetur dashuria e ballkanasve” thotë Roberto Morozzo della Rocca. Edhe shqiptarët janë pjesë e familjes ballkanase. Është trillim i një mendjeje të sëmurë e të verbuar nga nacionalizmi serbomadh arsyetimi i Vlladan Gjeorgjeviçit: “Shqiptarët emigrojnë. Serbi nuk e lëshon lehtë vendin atëror”.
Studjues të huaj e kanë kundërshtuar Gjeorgjeviçin. Sipas Giucciordin “Shqiptarët janë të lidhur ngushtë me vendin e tyre” dhe “Malsori shqiptar në mërgim, ministër qoftë apo plaçkambartës, gjeneral ose ushtar i thjeshtë… në thellësi të shpirtit të tij, në vuajtje apo në fatin më shkëlqyes, përjeton me mallëngjim, me dashuri atdheun e tij, vendin e lindjes, shkëmbinjtë e ashpër që kufizojnë horizontin”.
Reforma agrare kolonizuese serbe në Kosovë kishte si objektiv: marrjen e tokës shqiptare, pikërisht në ato rajone ku ata përbënin shumicën absolute. Gjatë viteve 1918-1940 në Gjakovë u vendosën 2583 familje serbe nga 13938, gjithse 18.5%.Kosovari mbeti “bujk pa dhe, bari pa kope, në tokën e vet, në të cilën ishte zot që qëmot” do të shkruante Mitrush Kuteli në veprën madhore “Poem kosovar”.
Deputeti i Kaçanikut Zejnel Strazimiri në vitin 1936 deklaronte: “Na mbetet vetëm detyra që të bashkohemi me popullin dhe të mbrojmë me kiza në duar tokën ku kemi le dhe të drejtat e jetës”.
Edith Durham shkruan: “Në gjoksin e shqiptarit… është ngulitur e ka lëshuar rrënjë bindja se toka ka qenë e tij ligjërisht gjatë të gjitha kohrave se serbi e pushtoi, e mbajti për disa shekuj nën sundim”.
10 qershori 1999 shënon fundin e Serbisë në Kosovë. Më 12 qershor 1999 trupat e NATO-s hyjnë në Kosovë. Për Kosovën filloi një epokë e re. Kosovarët pas një shekulli thithën oksigjenin e lirisë.
Çdokush nuk ka frikë të kthehet në tokën e tij, në shtëpinë e tij në çdo kohë e në çdo moment, në ditë gëzimi, por edhe trishtimi. Fakti që shqiptarët ktheheshin në shtëpitë e tyre, të ngritura me djersë e gjak, ktheheshin në trojet e tyre shekullore – është faktor i rëndësishëm psikologjik. E kush mund ta ndalte turrin e shqiptarëve për t’u kthyer në tokën e vet të lirë?!
Edith Durham thotë se “Fusha e Kosovës është shqiptare…
Shqiptari ka zënë qendrën e vilajetit të Kosovës. Serbët janë me shumicë vetëm përgjatë kufirit serb dhe afër kufirit malazias, veçanërisht rreth Beranës dhe Pejës”.
Për Tucoviçin “Gjakova është qytet thjesht shqiptar… nuk është qytet shqiptar vetëm për nga raporti numerik i popullsisë, ajo është shqiptare për nga jeta e gjithmbarshme e jashtme si dhe ekonomike… Gjakova bie në sy pikërisht sepse në të, gjithë zejtaria dhe gjithë tregtia është në duart e vetë shqiptarëve… Çarshia shqiptare në Gjakovë nuk ka asgjë të përbashkët me Çarshinë turke”.
Shtëpia e Bardhë, akoma pa u çliruar Kosova deklaroi se objektivat tona janë që kosovarët të kthehen në shtëpitë e tyre. Kjo deklaratë shumëfishoi përpjekjet e kosovarëve për t’u kthyer sa më shpejt në vendin e tyre, i bëri ata më optimist.
Lidershipi i SHBA iu premtoi shqiptarëve në osovë siguri, rihapjen e shkollave shqipe, të flasin gjuhën e tyre, të ushtrojnë fenë e tyre, të zgjedhin liderët e tyre dhe të farkëtojnë fatin e tyre. “Aleanca nuk do të lejojë më spastrimin etnik” janë kryefjala e fjalës së Klintonit në takimin me kosovarët e dëbuar, të cilët ishin vendosur në kampet e ngritura në Maqedoni. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe Sekretarja e Departamentit të Shtetit Amerikan Zonja Ollbrajt në vizitën e saj historike, më 30 korrik 1999: “Kosova do të jetë përgjithmonë shtëpia juaj dhe njerëzit e armatosur nuk do t’u vijnë kurrë më natën në shtëpi me armë. Kurrë nuk do t’iu digjen shtëpitë dhe fshatrat dhe asnjëherë nuk do të ketë masakra dhe varre masive”. Në këto kushte ata nuk kishin përse të hezitonin për t’u kthyer në trojet e tyre. Nuk kishin asnjë sekondë kohë për të pritur…
Shqiptarët tani kishin një Mik të Madh, një Aleat të Madh – SHBA-ës. U kishte munguar prej shekujsh…
Mbyllja
Kanë kaluar plot 19 vjet nga shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti Serb, por as strukturat e larta shtetërore të Serbisë, as Akademia e Shkencave të Serbisë nuk kanë kërkuar falje për genocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës… As nuk janë ndëshkuar urdhërdhënësit dhe ekzekutorët: gjeneralët vrasës, oficerët gjakpirës, ushtarët dhunues, paraushtarakët e droguar, plaçkitës e zjarrvënës. U rritën në përgjegjësi dhe u dekoruan me motivacionin “Shembuj të Heroizmit dhe të Patriotizmit”. Kur mungon institucioni i faljes, duhet bërë kujdes dhe duhet treguar vigjilencë e lartë, sepse pasardhësve të Millosheviçit, të Sheshelit, të Arkanit po t’u jepet mundësia përsëri ushtrojnë genocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atje e kanë mendjen. Barku që e polli nacionalizmin e çmendur e të sëmurë të Millosheviqit ende nuk është shterpëzuar. Në librin e Biblës ka një porosi të rëndësishme, të cilën shqiptarët përjetësisht nuk duhet ta harrojnë: “Kujdesu shumë që të mos i harrosh ngjarjet që i ke parë me sytë e tu dhe që të mos largohen ato prej zemrës sate të jetës, duke u folur për to fëmijëve të tu dhe fëmijëve të fëmijëve të tu”.
(Dr. Skënder Demaliaj është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)