Skender Demaliaj

Dr.Skënder Demaliaj: Shënime për poezinë e Besnik Musajt

Këto ditë u nda nga jeta poeti tropojan, Besnik Musaj. U nda papritmas, duke shkaktuar pikëllim të thellë tek njerëzit e tij të dashur, tek të afërmit, miqtë dhe adhuruesit e poezisë së tij.

Kur unë lexova poezitë e para të Besnikut nuk u befasova. E prisja prej kohësh që ai një ditë do të vinte me një libër. Kisha biseduar edhe më parë me të për letërsinë, për poezinë, për artin. Blinte vazhdimisht libra, duke i përzgjedhur ato, duke i bërë ato gjithnjë e me funksionale dhe kishte një bibliotekë të pasur. Shtëpia e mbushur me libra është dëshmitarja më e mirë se aty pjesëtarët e saj lexojnë, kanë ndjeshmëri të lartë, e duan artin, të bukurën, dashurinë njerëzore  dhe një ditë do të krijojnë.

Besnik Musaj ishte i suksesshëm në biznes prej vitesh. Gjithçka e ka ndërtuar me punë të ndershme e të palodhur, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Me vëllimet e reja poetike, me të cilat u prezantua para lexuesve mund të themi me plot gojën: I suksesshëm edhe në krijimin e vlerave artistike. E dëshmojnë vëllimet e tij me poezi: “Çelësi i shpirtit”, “Do të vij pas të shtunës”, “Bija e natës së errët”.

 Besniku ka lexuar shumë, ka punuar shumë dhe ka ëndërruar shumë. Kur puna, dijet dhe ëndrrat bashkohen, nuk ka kala që nuk merret, asgjë dhe askush nuk mund ta ndalojë në realizimin e dëshirave, aspiratave dhe idealeve të larta. Jo rrallë dëgjojmë se poezi mund të shkruajnë vetëm ata që kanë mbaruar studimet për letërsi. Po, kjo është pjesërisht e vërtetë. Teknikat e vjershërimit mësohen edhe pa kaluar në auditoret e universiteteve. Poezi shkruajnë edhe ata që nuk janë mësues letërsie dhe gjuhe. Kur je i dashuruar dhe i pasionuar pas artit, i përvetëson edhe parimet bazë të tij në mënyrë autodidakte. Zhvillimi i aftësive dhe i talentit është i pashkëputur nga zhvillimi i përgjithshëm i tyre, nga formimi kulturor, mendor, moral dhe estetik. Orientimi drejt njohjes së thellë të kulturës artistike dhe përpunimit dhe përfitimit social të saj, njohja e thellë e jetës në gjithanshmërinë e saj – zhvillon aftësitë krijuese, zgjeron diapazonin shpirtëror të krijuesit.

Poezi krijon, jo vetëm në moshën e rinisë (natyrisht në këtë moshë ndjenjat dhe emocionet janë më të prekshme, më të fuqishme), por krijon edhe në moshën e pjekurisë, bile deri në momentin e fundit të jetës. Në këtë moshë mendimi është më i pjekur, përvoja jetësore më e madhe, njohja e realitetit me e thellë, perceptimi artistik më objektiv, mesazhi më i qartë e kuptimplotë. Si rrjedhojë edhe poezia është më e pjekur, më e arrirë, më tërheqëse për lexuesin dhe me domethënie të madhe. Misioni i poezisë në këtë moshë është më human, ndriçues dhe edukues për lexuesin në rrugën e tij. Mund të themi me bindje të plotë se poezia e Besnik Musajt është një poezi e pjekur dhe me vlera artistike. E lexon me kënaqësi, ke dëshirë t’i kthehesh herë pas here.

Krijuesi është njeri i kohës së vet. Në shpirtin e tij tashmë është mbledhur një botë e tërë, me të cilën dhe në të cilën ai jeton. I tillë është edhe Besniku. Në vëllimet e tij me poezi gjejmë dimensionet e kohës, por edhe dimensionet njerëzore. Ai posedonte aftësi të mprehta dhe të mëdha të të vërejturit. Vrojtimi është kopmponent thelbësor psikologjik, është një vrojtim specifik, një vrojtim permanent që i sheh të gjitha bukuritë e botës me syrin e përshkrimit artistik, të harmonizuara gjithnjë me problemet e imagjinatës. Edhe Besniku si krijues i ka të zhvilluara aftësitë perceptuese dhe vëzhguese, aftësitë analitike dhe përgjithësuese. Ka pasion të zjarrtë për të shkruar. Anatol Fransi në veprën: “Krimi i Silvester Bonant” shkruan se pasionet janë armiqtë e qetësisë. Pa to në botë nuk ka industri, as art, as shkencë. Në vetëdijen e Besnikut fillimisht bëhet pasqyrimi i realitetit, pastaj transformimi në një krijim artistik. Figura artistike është bartëse e të veçantës, e konkretes dhe njëkohësisht është një përgjithësim. Besniku i rishikonte disa herë poezitë e tij dhe vetëm kur bindej se vërtet ishin cilësore i botonte ato.

Besniku vjen nga një familje atdhetare, arsimdashëse dhe punëdashëse, e cila ka ndikuar fuqishëm në formimin e karakterit dhe personalitetit të tij, me cilësitë më të mira pozitive. Besniku është lindur dhe rritur në Pac, në zemrën e Krahinës së Bytyçit, një krahinë e njohur për trimëri, bujari, besë dhe sojni. Një krahinë me bukuri natyrore, me fusha të gjera, me male të larta, me pyje ahu dhe bungu, me sorkadhe të bukura, me Bjeshkën e bukur të Sylbicës, me pasuri të mëdha të mineralit të kromit, me blegtori të zhvilluar. Kjo do të përcaktojë edhe tematikën e poezisë së tij. Për të vendlindja është lumë e tokë, është ujë e male, fushë e bjeshkë, është varri i gjyshes, i babait dhe i nënës. Poezitë e tij mbajnë erë lulesh, erë trëndafilash, sjellin freskinë e krojeve, të bjeshkës e të borës, i thurin himn dashurisë. Plepi, pushi i bardhë, fluturat, era e lehtë ledhatuese, buzëqeshjet e zjarrta, këngët erotike, puthjet, ëndrrat – i shoqërojnë nga faqja ne faqe poezitë e tij me temën e dashurisë “Era e lehtë ledhaton puthjen tonë/dashuria beson, shpreson, të fal” ose “Ditët pa ty më dukeshin të errëta si nata”, “Në buzë kam vite që ruaj puthjen tënde/ vajza puthet me djalin e ëndrrës”.

Ai është frymëzuar edhe nga këngët erotike të Bytyçit:

“Të duket qafa gastarli/ ta shoh ujët kur e përbi” – vargje lapidare të lirikës erotike shqiptare. Ujët e bjeshkëve, e lumenjve alpinë është i tejdukshëm, qafa e vajzës e tejdukshme. Gjithçka transparente… edhe dashuria. Për Besnikun dashuria është edhe mistike, që vjen tek ne herë papritmas, herë natyrshëm, por që nuk ikën, bëhet pjesë e jetës sonë. E normalizon jetën tonë, e ekuilibron dhe e begaton. Ajo është aq e fuqishme sa nuk mund ta mbajmë brenda vetes, shpërthen pa marrë parasysh rreziqet. Është diçka sublime.

Kulaçi i nxehtë i misrit, shtalbi i djathit, qumështi i freskët, mollët, qershitë – sjellin aromën e ëmbël të fshatit, ku ka lindur dhe është rritur Besniku dhe për të cilin ka nostalgji, por edhe kujtimet më të mira e të pashlyeshme.

Rrasa e gurit është simboli i lojës tradicionale, është simboli i relievit të vendlindjes së tij, është mjeti me të cilin mbulohet shtëpia dhe stani, është arkitektura e kroit, është rrasa që mbulon varrin e gjyshes, të babait e të nënës. E në Bytyç ka plot emërtime me emrin “Rrasë” si: Rrasa e Pites (tek Laku i Rrinave), Rrasa e Epërme  dhe Rrasa e Poshtme (në Sylbicë) etj.

Besniku shkruan me një gegërishte të shtruar, me muzikalitet, me një realizëm të gjallë dhe veprues.

Shkrimtarë dhe studiues kanë theksuar se pa punë nuk mund ta zhvillosh talentin. Ai zhvillohet nga ndjenja e dashurisë për punën. Para së gjithash duhet të punosh, por pa talent nuk mund të ecësh larg. Puna dhe kërkesa për veprimtari janë faktorë të rëndësishëm për edukimin e aftësive. Besnik Musaj pati aftësi dhe punoi shumë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …