Dr. Skënder Demaliaj: TELEKRONISTI ILIR BUÇPAPAJ – SKENARIST, REDAKTOR DHE REGJISOR

Në 70-vjetorin e lindjes

Ilir Buçpapaj ka lindur në fshatin T’pla, më 15 shtator 1952. U nda nga jeta në Nju Jork, më 23 janar 2022.

Ka mbaruar Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Fillimisht ka punuar mësues në Shoshan e në shkollën e mesme, Fierzë. Në vitet 1980-1992 ka qenë gazetar reporter i RTSH-së për rrethet Tropojë dhe Kukës. Në vitet 1992-1997 ka qenë pjesë e Departamentit “Bota Shqiptare” në RTSH, për emigracionin shqiptar në botë. Në vitet 1998-2017 – redaktor, skenarist dhe regjizor në redaksinë e dokumentarëve në RTSH. 

Ka 750 dokumentarë televizivë me temë historike, 300 telereportazhe. Mban titullin: “Mjeshtër i Madh”. Është Qytetar Nderi në Kelmend, Devoll dhe Tropojë. Një rrugë në qytetin e Bajram Currit mban emrin e tij.

Njohja ime me Ilir Buçpapën

Me djemtë e fisit Buçpapaj u njoha në moshë të re. Unë kisha dajat në T’pla dhe shkoja atje gjatë pushimeve bashkë me nënën. Ishin në një lagje dhe e kalonin shumë mirë. U njoha me Sejdinë, Skënderin dhe Haxhinë, me të cilët isha bashkëmoshatar. Luaja top me ta në livadhet e gjyshit. Sa herë shkoja tek dajat e merrja topin me vete. Babai kur dilte me shërbim jashtë Tropojës na blinte topa futbolli. Babai luante shpesh me ne futboll në livadhet e Demaliajve. 

Skënder Buçpapaj fliste pak, lexonte shumë dhe shkruante poezi. Mësuesi im i gjuhës dhe i letërsisë, Shefqet Kraja, i cili më dha mësim mua shkoi mësues edhe në shkollën e T’planit. Kur e takova atë, ai më tha se Skënderi ishte i talentuar. Doli parashikimi i tij. Pa shkuar në shkollën e lartë, ai doli para lexuesve me vëllimin poetik “Zogu i bjeshkës”, i cili u nderua me çmim të dytë në shkallë republike. Pati sukses të madh në rrethet letrare të vendit. Kur u bë konkurimi i grupeve teatrale për shkollat 8-vjeçare, kushëriri i tyre Haxhi Buçpapaj kishte rolin kryesor në komedinë e dhënë nga shkolla e T’planit dhe u duartrokit nga publiku për interpretimin e tij. Unë e njihja, siç thashë më parë, por mënyra sesi luajti në atë shfaqje më shtoi  akoma më shumë respektin për të. Nga fisi Buçpapaj ishin një grup djemsh të talentuar si: Skënderi, Halili, Iliri dhe Ukë Buçpapaj, të cilët do të pasoheshin edhe me të tjerë në vitet në vazhdim si: Mujë, Flamur dhe Ismail Buçpapaj.

Në gjimnaz isha në një klasë me Sejdiun dhe Ilirin. Atë vit Seksioni i Arsimit Tropojë kishte zgjedhur nxënësit me rezultatet më të larta për në gjimnaz. Nga 33 nxënës gjithsej 30 mbaruan shkollën e lartë. Është një nga maturat më të mira që ka patur Tropoja ndër vite në të gjitha drejtimet. 

Iliri ishte shumë energjik, lexonte shumë, veçanërisht libra shkencorë. Sejdiu dy vjet ishte përgjegjës i bibliotekës së shkollës, detyrë të cilën e kryente vullnetarisht. Aty pati mundësi të lexonte, por nëpërmjet tij morëm libra edhe unë, edhe Iliri. Nga trupi Iliri ishte më i gjatë se ne, ishte një vit më i madh, por edhe kishte lëshuar shtat shpejt.

Kur kishim provime lexonim së bashku në bibliotekë, në zyrën time të Komitetit të Rinisë të gjimnazit, (që në vit të parë u zgjodha sekretar i Komitetit të Rinisë për gjithë shkollën). Mbaj mend se lexonim për ditë të tëra për provimin e kimisë me tekstin e kimisë së Glinës. Mësuesi ynë, Fahri Doçi ishte shumë kërkues. Kush e zhvilloi kiminë me të, në shkollën e lartë nuk pati problem me këtë lëndë. Sa e mernin vesh se ishe nxënës i Fahriut, pedagogët në Universitetin e Tiranës krijonin një opinion pozitiv dhe të inkurajonin. Emri i mirë për këtë mësues i kishte kaluar kufijtë e Tropojës. Me plot meritë mban titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Edhe në lëndën e matematikës, mësuesi Mehmet Hyka (Mësues i merituar) na jepte ushtrime e probleme shtesë nga libra të matematikanëve të huaj. Edhe në lëndën e letërsisë me mësues, poetin e talentuar, Ndoc Papleka punonim me literaturë shtesë.

Unë bashkë me Ilirin, Sejdiun dhe Agim Ferizin luanim me orë të tëra në palestrën e shkollës. Ibrahim Shabani, mësues i edukimit fizik, një mësues i zoti, me karakter të fortë, komunikues dhe dashamirës me nxënësit, mbështetës i talenteve të reja na kishte dhënë një kopje të çelësit. Luanim shumë basketboll. Kjo na dha mundësinë të përfaqësonim edhe shkollën, edhe rrethin në këtë sport. Iliri debatonte me mësuesit në orën e mësimit, kishte pavarësi mendimi dhe kjo e karakterizoi gjatë gjithë jetës. Të gjithë ne punonim gjatë verës. Siguronim lekët për veshje dhe për libra me forcat tona. Puna na kishte kalitur. Në aksione: në Jonufër dy herë dhe në Librazhd, në vitin e dytë ishim nga më të dalluarit në realizimin e normës ditore. Në Librazhd, ne arritëm një rezultat rekord: 180% norma mesatare për gjithë muajin. Në vitin 1971 u dekoruam si brigadë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhërin e Punës. Askush më parë dhe më pas nuk e kishte arritur këtë sukses.

Kur ne ishim në vitin e tretë, u hap shkolla pedagogjike me korrespodencë pranë gjimnazit për të përgatitur mësues për ciklin e ulët. Ndihej nevoja urgjente për mësues vendas të këtij profili. Skënder Buçpapës për arsye biogafie nuk i ishte dhënë e drejta e studimit kur mbaroi shkollën 8-vjeçare. U regjistrua në shkollën pedagogjike, ia doli me sukses dhe për tre vjet e mbaroi. Gjatë vazhdimit të shkollës me korrespodencë dha mësim në shkollat Visoçë dhe Luzhë. Sapo e mbaroi shkollën pedagogjike iu dha mundësia për të shkuar në shkollën e lartë, në degën gjuhë-letërsi. Kishte bërë emër si poet i talentuar, e ndihmoi edhe Dritëro Agolli, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por edhe Hysen Papa, komshiu i tij, i cili ishte Sekretar i Parë i Partisë së rrethit dhe e njihte mirë familjen e tij. Ai i vlerësonte shumë talentet dhe njerëzit punëtorë. I tillë ishte edhe vetë.

Reportazhi për Bytyçin

Kur filloi punën si telekronist, reportazhi i parë që realizoi ishte ai për Bytyçin. Ishte një Krahinë me histori të lavdishme, ishte djegur tri herë nga pushtuesit. Me dhjetra bij e bija të tij kishin dhënë jetën për liri e pavarësi. Kishte nxjerrë burra të mençur e të zotët, komandantë si Mal Dula, Hoxhë Zogu, Haxhi Mehmeti, Murat Paci, Shaban Haxhia, Heronj të Punës si Shaban Rexha e Bajram Hajdari. Në këtë krahinë u bënë ndryshime të mëdha, veçanërisht në sistemin e ujitjes e të dranazhimit. U ndërtuan rezervuaret, në Zherkë, Vlad, Letaj, Visoçë, Rodogosh. Kishte shkollë e qendër shëndetësore në çdo fshat, spital, shkolla e mesme dhe Pallati i kulturës në Pac. Bytyçasit ishin jo vetëm trima, atdhetarë, por edhe punëtorë, fisnikë, të sojshëm dhe bujarë të mëdhenj. Kishte çfarë të thoshte, të shkruante e të filmonte Iliri. Skenarin e bëri Skënder Buçpapaj. Dolën edhe në bjeshkën e Sylbicës, filmuan edhe magjitë e kësaj bjeshke, blegtorët e dalluar, dhitë e egra në Gjerovicë, liqejtë e bukur të Sylbicës. Unë në atë kohë isha Kryetar i Këshillit të Bashkuar dhe i shoqërova gjatë gjithë ditëve edhe në Bytyç, edhe në bjeshkë. Ishin mysafirë të nderuar në shtëpinë time. U kënaqëm, kujtuam vitet e rinisë e të shkollimit bashkë. Reportazhi u mirëprit nga të gjithë. Ishte një ogur i mirë për punën dhe suksesin e Ilirit në vazhdim. 

I guximshëm e i papërtuar me kamerën e tij shkelte, atje ku rrallë kishte shkelur këmba e njeriut

Iliri e donte natyrën, i donte Alpet, e donte Shqipërinë dhe Kosovën. I filmoi alpinistët në majat më të larta, në verë e në dimër. Ai filmoi luftëtarët e UÇK-së në Padesh, Lug të Zi, Dobrunë, Pogaj, Betejën e Koshares. Nuk i trembej syri. E gjeje në mes plumbave e gjyleve të topave. S’e mori parasysh rrezikun për jetën. Për të e rëndësishme ishte t’ia bënte të ditur botës luftën e UÇK-së, kauzën e saj të drejtë, t’ia bënte të njohur botës edhe gjenocidin e policisë e të ushtrisë serbe. Me filmimet e tij e pasqyruan dramën dhe tragjedinë e qytetarëve të Kosovës media të mëdha botërore si: CNN, BBC, ZDF, RAI, TV Grek, Slloven dhe ato të vendeve arabe. Kur filmoi reportazhin e Bytyçit, unë bashkë me të dhe Skënder Buçpapën kaluam me këmbë gjithë vijën kufitare nga Qafa e Ali Çelës në Gjerovicë deri në kufi me Brovinën. Kur ecje të dukej se po shkelje mbi sfungjer, të zhytej këmba ngaqë nuk e kishte shkelur këmbë njeriu. Iliri kishte një arkiv personal, të cilin e pasuroi nga viti në vit. Trajtoi tema dhe figura historike që nuk ishin trajtuar më parë. Personalitetet historike në dokumrntarët e tij ishin nga të gjitha trevat shqiptare, nga Vermoshi në Konispol, nga Kosova dhe Diaspora. Dha Devollin dhe historitë e tij të pazbuluara, bukuritë e bjeshkëve të Tropojës dhe të Vermoshit, magjinë e tyre, atje ku puthej qielli me tokën, konkursin e Miss Vermoshit, malet e Pashtrikut e të Sharrit. Ka marrë në intervistë historianët më në zë, në Shqipëri e në Kosovë, figura të rëndësishme të artit, kulturës dhe sportit. Dikush e llogarit jetën me vite, dikush e mat me karrierë, dikush tjetër e çmon jetën me para e kapitale. Iliri e llogariti jetën e tij me dokumentarët e tij televizivë me temë historike, të shumtë në numër e cilësorë, punë e tre dhe e katër telekronistëve.

Ambicia e shëndoshë për të ecur përpara, për të çarë shtigje të reja, për t’i realizuar qëllimet e tij – përbëjnë edhe çelësin e suksesit

Suksesi nënkupton të fitosh admirim, lidership, respekt. Suksesi dmth vetërespekt, të gjesh lumturi me ato që bën, të jesh i aftë të bësh gjëra që varen nga ti. Suksesi është i lidhur me besimin, i cili nxit mendjen të bëjë më shpejt e më mirë gjërat. Fuqia e besimit zhvillohet:

  • Kur mendon sukses dhe jo dështim.
  • Kur ia kujton vetes se je më i mirë se mendon se je.
  • Kur beson në përmasa të mëdha.

Iliri ishte optimist. Në asnjë rrethanë nuk jepej e dorëzohej. Do të gjente rrugët, mundësitë dhe njerëzit e duhur për të arritur suksesin. Kurrë nuk e shiti veten nën çmim. Çmimin ia caktoi audienca, opinioni, ekspertët e fushës. Ai nuk i la idetë t’i iknin. Pyeste veten: Si mund ta bëj më mirë? Si mund të bëj më shumë? Si duhet të veproj? Ishte njeri i veprimit e i aksionit. Zhvilloi më tej fuqinë e entuziazmit:

  • Hulumtoi më thellë në figurat, në ngjarjet historike, në psikologjinë e personazhve të tij.
  • Shpërndau lajme të mira, pranoi dallimet dhe kufizimet e njerëzve, iu dha zemër bashkëpunëtorëve të tij. Në shumicën e rasteve ishte njeri i urtë, njeriu i urtë është zotërues i mendjes së vet. U rrethua si kudo dhe si gjithë të tjerët nga njerëz mendjepakët. Merita e tij qëndron në atë se i njohu, iu shmang atyre dhe nuk i lejoi ta frenojnë në punën e tij…

Epilogu

U shoqërua me njerëz që të ndihmojnë të mendosh ide të reja, me njerëz të interesave të ndryshme profesionale dhe shoqërore. Ia shtoi vlerat gjërave, por edhe njerëzve. Ia shtoi vlerat edhe vetes. Kombinoi dijen për ato që shkroi me dëshirën t’ua tregojë ato edhe të tjerëve, aftësinë e të menduarit me aftësinë e memorizimit të fakteve. Pranoi shansin e dhënë për të bërë më shumë dhe u përqëndrua sesi do ta bënte më mirë. Motoja e punës dhe e jetës së tij ishte: “Duhet të kemi ide të reja për të krijuar dhe për t’u përmirësuar. Zgjidhe vetë atë që të pëlqen ta bësh, mos e shty për nesër atë që mund ta bësh sot. Përdor qëllimet që të rritesh. Qëllimi është më shumë se ëndërr, është ëndërr mbi të cilën veprohet. Mendo progres, beso në progres, nxit progres”.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …