Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: GJENOCIDI SERB NDAJ SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Këto ditë në mediat e Kosovës e të Serbisë nga analistë e studiues kosovarë është artikuluar teza proserbe e faljes së krimeve të serbëve ndaj shqiptarëve. Kush e thotë dhe e mbron këtë tezë është kundër popullit të vet. Kush i barazon vrasjet e serbëve ndaj popullsisë shqiptare me vrasjet e shqiptarëve ndaj popullsisë serbe nuk është gjë tjetër veçse një argat i Millosheviçit, i Sheshelit, i Qosiçit, i Aleksandër Vuçiçit etj.

Gjaku i shqiptarëve të Kosovës nuk mund të falet. Aq më shumë kur Serbia nuk ka kërkuar falje, nuk i ka paguar dëmshpërblimin që i ka Kosovës, bile nuk ka folur asnjëherë për të e as nuk e mendon një gjë të tillë, kur nuk ka kthyer akoma kufomat e të vrarëve, kur Serbia natë e ditë punon për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës.

Si shqiptar dhe intelektual nuk mund të qëndroj duarkryq para të vërtetës së madhe historike të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në shekuj.

Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës është i kahershëm, shekullor, i pandërprerë, i organizuar dhe i drejtuar nga strukturat më të larta shtetërore serbe dhe jugosllave.

Pushtetarët serbë në fillim të shekullit XIX theksonin me forcë se Serbia detyrohej të fillonte luftën mbrojtëse nga sulmet shkatërrimtare të shqiptarëve e të serbëve e çerkezëve dhe se shqiptarët duhet ta ndienin presionin e forcës së tyre.

Pra, ata po përgatisnin paraprakisht psikologjikisht serbët për një luftë të re me shqiptarët autoktonë për t’i detyruar ata të largoheshin nga trojet e tyre shekullore.

Princi serb Milosh Obrenoviç qysh gjatë kryengritjes së dytë serbe (1815) e kishte filluar realizimin e “dëlirjes” sistematike të krahinave serbe nga shqiptarët.

Kulmin, gjenocidi masiv serb ndaj popullsisë shqiptare e shënoi në vitet 1876-1878 në rajonet e Nishit, Prokupjes, Kurshumljes, Leskocit etj. U shpërngulën mbi 300 mijë shqiptarë, 600 fshatra u bënë shkrumb e hi, mbi 35 mijë shqiptarë gjetën vdekjen. Spastrimet në Sanxhakun e Nishit (1877-1878) sipas historianit të oborrit mbretëror, Jovan Haxhivasileviç ishin me qëllim që “Serbia të krijohej shtet i pastër nacional serb”.

Edhe me 1912 e në vazhdim ushtria serbe dogji fshatra, vrau e dëboi shqiptarët.

Frymëzimin kjo ushtri e gjeti tek teza: “Do istrashe nashe ile vashe”. E përkthyer në shqip: “Deri në shfarosje, e jona ose e juaja”. Padrejtësisht, e serbëve, me terror të paparë…

I ngarkuari me punë në Vjenë, në letrën për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, më 19 nëntor 1912, me telegram nr. 872 raporton: “Serbët kanë shpallur urdhrin të vriten të gjithë shqiptarët e moshës mbi 8 vjeç. Në Kumanovë janë masakruar 400 shqiptarë, në mesin e tyre edhe pleq edhe gra.

Milan Klapiçi shprehej: “Kënaqem kur derdh gjak shqiptari”. I plotfuqishmi në Kosovë, Ceroviq deklaronte: “Do t’i zhduk me topa shqiptarët!”

Shteti serb që në fillim të shekullit XX është udhëhequr nga teza se duhet të eliminojmë elementin joserb “duke therrur një të tretën, duke lënë një të tretën që të ngordhë urie dhe duke e trembur aq shumë të tretën tjetër, saqë këta të ikin vetë nga sytë këmbët”. Gazetari anglez, Carnegie Endowment, më 1913 raportonte: “Qyteti i Manastirit është pothuajse i rrethuar me një kordon ushtarak… policët shkojnë derë më derë duke i paralajmëruar njerëzit se ata që nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat serbe do të gjobiten, nga 100 franga për ata që nuk i dërgojnë fëmijët fare në shkollë, 200 franga për ata që i dërgojnë në shkolla joserbe, 600 franga për ata që i dërgojnë fëmijët jashtë shtetit pa miratimin e autoriteteve”. Sipas studiuesve të huaj, krijimi i Jugosllavisë, si një Serbi e Madhe, realizuar nga mbreti Aleksandër dhe kryeministri Nikolla Pasiç kërkonte të zgjidheshin sa më parë dy probleme:

  1. Si të nënshtroheshin popullsitë joserbe.
  2. Si të  “ripushtohet djepi” i shtetit mesjetar serb.

Siç u provua në dekadat në vazhdim, ky unifikim nuk rezultoi i qëndrueshëm, sepse u realizua me dhunë dhe do të shpërbëhej bashkë me dhunën.

Shtypi i huaj vazhdimisht jepte informacione se terrori po vazhdonte dhe po bënte kërdinë në Jugosllavi, veçanërisht ndaj popullsisë joserbe.

Politika e përgatitjes së spastrimit të ri etnik të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore filloi me regjistrimin e tyre, u futën me dhunë në kategorinë e turqve, vetëm e vetëm se ishin islam me qëllim që t’i nisnin për në Anadoll.

Tahir Berisha, patriot i madh nga Drenica thotë: “S’ka letër as ngjyrë për t’i shënuar zullumet që bëri regjimi serb antinjerëzor. Ndiqte politikën asgjesuese dhe asimiluese”.

I pyetur, dekada më parë se kur Kosova do të ketë fatin për t’u çliruar nga Serbia, plaku i mençur, Tahir Berisha përgjigjet: “Serbinë prej Kosove do ta përzërë Amerika, por më parë Serbia do t’i përzërë shumicën e shqiptarëve prej Kosove. Vargu i kerrëve do të mbërrijë deri në Shqipëri. Kur të dalë në Dri kerri i mramë (i fundit), do të vijë lajmi: “Kthehuni se Serbia e lëshoi Kosovën”.

A nuk ndodhi kështu në pranverën e vitit 1999?!… Çfarë profecie… Këta burra patriotë e të mençur, të cilët gjithë jetën e tyre luftuan e sakrifikuan për Kosovën e tyre të shtrenjtë, e parandjenë fundin e turpshëm të serbëve dhe çlirimin e Kosovës.

E parashikuan edhe Fuqinë e Madhe që do të realizonte aspiratën e tyre shekullore: SHBA-në. Analizë dhe logjikë e saktë, e bazuar në historinë e dhimbshme të shqiptarëve në shekuj, në gjeopolitikën dhe realpolitikën e re që punonte për shqiptarët, e cila do të ndryshonte për mirë, në kahun pozitiv fatin e tyre.

Në letrën e Drazha Mihailloviçit dërguar Budo Dobriçit, më 15.03.1944 thuhet: “Çështja e Kosovës dhe e Metohisë dhe e Kalashinit, si edhe e Serbisë Jugore mund dhe duhet të zgjidhen vetëm me pastrimin e turqve dhe të shqiptarëve”.

Vukmonoviç Tempo, udhëheqës politik dhe ushtarak i lartë tërhiqte vërejtjen për autoritetet ushtarake pse akoma mbahen njerëz në kampe (jo për t’i lënë të shkojnë në shtëpitë e tyre), por për t’i qëruar sa më shpejt, për t’i vrarë të gjithë.

Në Kosovë në vitet 1919-1941 u shpronësuan 192 mijë ha tokë. 250 mijë shqiptarë u shpërngulën në periudhën midis dy luftërave. Gjenocidi ndaj shqiptarëve merrej për krenari dhe sukses nga ushtria, policia dhe organet e shtetit serb. Kjo i shumëfishonte krimet e tyre: torturat, burgosjet, vrasjet dhe shpërnguljet me dhunë nga vendi i të parëve të tyre denbabaden.

Vojislav Sheshel që më 1996 deklaronte: “Do t’i përzë shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna!”

Vitet 1998-1999 në Kosovë janë më të përgjakshmet, por më heroiket në historinë e saj. Me mijëra burra, pleq, gra e fëmijë u gjymtuan, u vranë, u masakruan, u therën e u përdhunuan. Shtëpitë u dogjën dhe pasuria u rrënua e u grabit. Sipas agjensive të huaja mbi 800.000 shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre shekullore, kurse 600 mijë u endën maleve të Kosovës për të shpëtuar nga torturat, përdhunimet dhe vrasjet e ushtrisë së paramilitarëve serbë. Kemi pasur rastin t’i shohim vetë me sytë tanë dyndjet biblike. Barbaria në situata luftërash është zhvilluar si një epidemi. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët e Kosovës në vitet 1998 e 1999 ku përballë kishin një shtet militar që historikisht njihet si një shtet, indet e të cilit janë ngritur mbi “hormonet” prej dhune dhe barbarie.

Qëllimi ka qenë: shuarja e jetës shqiptare me çdo kusht e me çdo mjet. Çfarë emri mund t’i vësh tjetër këtij, veç gjenocid?… Projekt i regjimit të Millosheviçit: Të gjithë serbët në një shtet të vetëm.

  1. Autori është Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …