leoni

Skender Demaliaj

Dr. Skёnder Demaliaj: PRIJËS TË MËDHENJ POPULLORË ME TIPARE KOMBËTARE

(Frymëzues, organizatorë dhe drejtues të kryengritjeve të mëdha në vitet 1910-1912)

Është folur e shkruar në historiografinë tonë për figura të shquara të kombit: Ismail Qemalin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Idriz Seferin, Hasan Prishtinën, Dedë Gjo Lulin, Mehmet Shpendin e të tjerë, të cilët ishin protagonistët kryesorë të kryengritjeve të mëdha popullore në vitet 1910-1912 që çuan në Ditën e Madhe, 28 Nëntorin – Shpalljen e Pavarësisë.

Tek personaliteti i tyre spikasin tipare dalluese kombëtare:

Atdheu mbi gjithçka: për privilegje, për para ata nuk e shitën atë.

Ideali i këtyre personaliteteve ishte: “… për atdhe s’duhet të kursejmë mundime, as therori, për shpëtimin e tij s’do të na dhimbsen asgjaja, as jeta” (Luigj Gurakuqi). Parimi i tyre ishte: pasuria më e madhe që u lihet trashëgim shqiptarëve, brezave që vijnë pas, është atdheu i lirë dhe i begatë. Testamenti i Ismail Qemalit: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ua lija trashëgim. Por ju lë një atdhe, Amanet! Lamtumirë!” Për Bajram Currin: “… pasuria nuk të ban burrë, Burrë të bën trimëria për të mirë të vendit, e drejta, sjellja e ndershme, zemra e mirë”. Këto cilësi, karakteristike, për shqiptarin, përbëjnë thelbin e personalitetit të këtyre prijësve të mëdhenj popullorë, ndaj vegjëlia shqiptare i deshi aq shumë, i dëgjoi, i pranoi për udhëheqës dhe i nderoi përjetësisht.

Pashiçi i ofron Bajram Currit 2 milion dinarë dhe banim në një qytet të Jugosllavisë, ku të dëshirojë, vetëm të heqë dorë nga lufta për atdheun e tij. Bajram Curri i përgjigjet me përbuzje e vendosmëri: “Unë nuk i kam besue kurrë “bujarisë” së armikut dhe nuk duhet me i besue asnjëherë”. 

E nuk ka si ndodh ndryshe; atdheu është mbi gjithçka, atdheu është çdo pëllëmbë tokë shqiptare. Këtë ka parasysh Isa Boletini kur i përgjigjet ministrit të Jashtëm anglez, E. Greit: “Nuk kam ardhur të kërkoj vetëm Mitrovicën, por çdo pëllëmbë tokë shqiptare”. Vetëm tradhtarët e shesin atdheun. Dënimi maksimal për ta e mallkimi ndaj tyre është qëndrimi i prerë i Idriz Seferit: “Tradhtari kurrë mos u lindtë. Po u lind, mos u rrittë, po u rrit, mos u shtoftë, veç u faroftë!”. E quajti tradhti të pranojë ofertën e Beogradit për të shkolluar djemtë e tij në Akademinë Ushtarake Jugosllave, sepse “Atdheun e mban ideja, dashuria e trimëria e jo tuta, pabesia e hajnia”.

Ky është njëkohësisht konceptimi filozofik, moral i shqiptarit për atdheun.

Nga parime të tilla frymëzohet Dedë Gjo Luli kur refuzon 500 lira turke nga autoritetet e Sulltanit, me kusht që të heqë dorë nga lëvizja kombëtare, duke iu përgjigjur solemnisht: “Lirat turke nuk pijnë ujë, nuk e shes besën për të holla”. E, siç thoshte studiuesi i huaj Zh. Burkart: “Besa është një fjalë thjeshtësisht shqiptare”. Fjala e Hasan Prishtinës: “Ismajl Beg, para se me folë një fjalë, matem shumë e masandej flas, por mundem me ju sigurue që zakoni jem asht me mbajtë një fjalë që më del nga goja…”. Fjala është betim i të gjithë shqiptarëve për të mos i dredhuar për asnjë çast e rrethanë premtimit të dhënë, është mesazh për brezat e ardhshëm. Domethënie të madhe, shkëlqim të ri, ideale të fuqishme përcjellin tek shqiptarët këto fjalë, po të kemi parasysh momentin kur u thanë: Ishte çasti vendimtar kur Plaku i Vlorës dhe Hasan Prishtina morën vendimin e madh “… me iu dhanë mbarim mizorive turke me një kryengritje”. E për këtë ata lidhën besa-besën për të luftuar deri në çastin e fundit të jetës për atdheun e tyre të dashur, besë që e mbajtën me nder e lavdi. Ishte momenti kur bashkuan mendjet, zemrat, armët gjithë shqiptarët…

Gazeta “Bashkimi i kombit” datë 20 maj 1910 shkruante: “Qeveria nuk e kupton vetë se shqiptarët e Veriut, po qe se i pyet ç’je, ai me zemër të plotë të përgjigjet që “jam shqiptar”, pa mos vënë re fare fenë që na ndanë (në muhamedan e të krishterët)”. Këtij qëndrimi i përmbahet edhe diplomati i shquar Hasan Prishtina. E s’ka si të ndodhë ndryshe. Udhëheqës e popull janë një – idealet, qëllimet, lufta dhe përpjekjet janë të përbashkëta. Ai deklaron me krenari shqiptari e me ndjenjë përgjegjësie të lartë prej qytetari: “Unë për veten time, tue dijtun se ne jemi të gjithë të bijtë e këtij atdheu, me një gjuhë të përbashkët, nuk jam as toskë, as gegë, por vetëm shqiptar”. E si për të dashur për të përforcuar këtë ide, e cila qe frymëzuesja e sa e sa betejave, ku shqiptarët dolën fitimtarë, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali takohet, bashkëpunon me malësorët e Veriut, jep porosi e udhëzime, mobilizon edhe shqiptarët e viseve të tjera. Ai njofton fuqitë evropiane e fqinjët për kryengritjet e mëdha dhe më në fund, shpall mëvetësinë e Shqipërisë. Kurse gazeta “Zëri i popullit”, Nju-Jork, 24 dhjetor 1912, shkruan: “Shqipëria kurrë s’mund të gjente një timonier aq të mbaruar në këtë post sesa Luigj Gurakuqin…”. E kishin dëgjuar ata kushtrimin e Luigjit: “… suluni prapë në luftë, duke kënduar e të rrokur dorë për dore muhamedanë e të krishterë!” Ky kushtrim i kishte frymëzuar e lidhur më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin.

Sipas profesorit serb A. Bjeliç, shqiptarët nuk ishin të bashkuar, por të ndarë e të copëtuar. Ai thotë kështu sepse kjo i intereson. Bjeliç shkruan: “Serbët kanë nevojë të dalin në Adriatik, duke shkuar përmes Shqipërisë së Sipërme dhe të dalin në Durrës… Shqiptarët që rrojnë në ato vise janë një komb i ndarë në disa fise, të cilët kanë një armiqësi të përjetshme dhe vrasjet e therjet midis tyre nuk pushojnë. Prandaj ndër ta fjala liri është fare e huaj, se ata kurrë ndonjëherë s’kanë patur ndjenja për t’u liruar dhe për të përparuar dhe as që është shpresë që të bëhen ndonjëherë të ditur e të qytetëruar”. Ngjarjet e viteve 1910-1912 në vendin tonë provuan të kundërtën e asaj që thotë Bjeliçi e shumë të tjerë si ai.

Ishte dashuria për atdhe që i bashkonte të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine, bindjeje. Ajo gjithmonë, edhe sot, edhe në të ardhmen duhet t’i bashkojë forcat, përpjekjet, mëndjet e të gjithë shqiptarëve.

Njerëzit e mëdhenj, pavarësisht nga ç’vend janë, në ç’kohë jetojnë, kanë gjëra të përbashkëta: i bashkojnë karakteret, botëkuptimet, idealet. Në kohën e luftës franko-prusiane Pastëri thoshte: “Si mund ta braktis atdheun tim në ditë të vështira për të kërkuar lumturinë gjetiu, vetëm e vetëm sepse atdheu im nuk është në gjendje të ma sigurojë”. Edhe prijësit tanë të mëdhenj popullorë lumturinë e kërkuan tek atdheu i tyre, në gjirin e tij, mes njerëzve të thjeshtë, bujarë, liridashës, fisnikë; në trojet e tij luftuan dhe fituan. Edhe kur u detyruan të largohen përkohësisht, mendjen dhe zemrën tek atdheu e kishin e nuk rreshtën së menduari e punuari për të, nuk e larguan shqetësimin për fatet e tij, u brengosën pse mbeti i copëtuar e i pazhvilluar, e kujtuan me mall e dashuri. U vranë pabesisht, por të paturpëruar, të papenduar se rrezikuan. E humbën jetën e tyre pa një lek në xhep apo në banka të huaja, edhe pse kishin patur shuma të mëdha nëpër duar, të grumbulluara për çështjen kombëtare nga individë apo shoqata shqiptare, edhe pse kishin patur funksione të rëndësishme shtetërore, oferta e joshje me para nga të huajt, të cilët me to kërkonin të pengonin lëvizjen kombëtare shqiptare, ta copëtonin e ndanin Shqipërinë. “E ndiejmë veten mirë kur janë mirë shqiptarët”, – ishte ideali i tyre.

Në paraqitje, në sjellje, në luftime shpalosen tiparet më të mira të shqiptarit.

Përgjithësisht janë të gjatë, të hijshëm, me trup të drejtë, ecin me hapa të mëdhenj e gjoksin përpara, të veshur me kostume popullore, me mustaqe, janë të zhdërvjellët në mendime, të shkathët në veprime, burra kuvendi dhe të gishtit. Vite më parë studiues të huaj kishin theksuar: “Nëna shqiptare rriti asi burrash që, përsa u përket cilësive morale e forcës fizike, janë populli më i pëlqyer në botë”. Mishërimi i këtyre cilësive ishin këta prijës popullorë dhe kjo pati ndikim të fuqishëm psikologjik tek kryengritësit.

Këta, sipas traditës së shqiptarit, organizonin në luftë së pari njerëzit e familjes apo të fisit. Bajram Curri thyen sulmet armike duke patur me vete gjithnjë burrat e Krasniqes. Isa Boletini dhe Idriz Seferi janë në një llogore me djemtë e tyre e pse jo, edhe me gratë, siç është rasti i Idriz Seferit. U formuan, u rritën si personalitete, jo për një ditë apo vit, por në beteja të shumta trimash, në kuvende të mëdha burrash. Veprimtaria e tyre është e hershme. Qysh në vitin 1900 gazeta “Albania” shkruan për Ismail Qemalin.

“…. u gëzuam e na u ngroh zemra duke parë se Shqipëria mund të mburret që ka një djalë me mendime aq të shëndosha e me zemër aq mirë të lindur”. Ose gazeta e Parisit “Le Temps” e vitit 1902 jep alarmin: “Shkruajnë nga Shqipëria e Sipërme se shqiptarët janë mjaft të turbulluar që s’u kthye kryetari i tyre Isa Boletini nga Stambolli”.

E si të mos i donte populli prijësit e tij: Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin? Gazeta “Dielli” shkruante: “Gjenerali ynë, me sedër dhe me famë, nuk është nga ata burra që tremben. Ai, gjer më sot, na ka nxjerrë faqebardhë”. Kurse “Imigranti”: “Gurakuqi mund të quhet Plutarku i Shqipërisë, u dinte dhëmbë e dhëmballë të gjithë shqiptarëve që kishin luajtur ndonjë rol në lëvizjen kombëtare”. Po kështu janë të njohura qëndrimet e Hasan Prishtinës në parlamentin turk për çështjen shqiptare shumë vite para shpalljes së pavarësisë, fjalimet e Bajram Currit në kuvende si në Junik, Pejë, Vorret e Shalës; shkrimet e Luigj Gurakuqit në gazeta e revista, luftërat e Dedë Gjo Lulit, Mehmet Shpendit, Idriz Seferit kundër turqve në fillimet e këtij shekulli. Me famën e tyre këta luftëtarë e prijës bashkuan rreth vetes luftëtarët e lirisë. U mblodhën të gjithë rreth Nënës Shqipëri. I bashkoi me njëri-tjetrin krisma e armëve, kushtrimi për luftë, mendimi, qëllimi e veprimi i përbashkët e u bënë vëllezër. Marrëdhëniet në mes tyre janë model: janë të sinqertë, pa hile, modestë, fisnikë, të moralshëm. Vlerësojnë e çmojnë më shumë njëri-tjetrin se veten. Ismail Qemali thotë për Dedë Gjo Lulin: “Është pushkë e ngrehur e Shqipërisë”. Luigj Gurakuqi e quan Ismail Qemalin “Bir të Madh të Shqipërisë”, kurse Dedë Gjo Lulin “Malësor të Madh”. Në një letër, drejtuar mikut të tij Marubit, thotë: “…. po më shtohet më tepër nderimi që kam patur tue pamun shërbimet e paçmueshme që po i ban atdheut Bajram Curri”. Hasan Prishtina e quan Luigjin: “Mik i Madh, ndera e Kombit”; për Idriz Seferin thotë se “Dinte me e pregatitë popullin për luftë si me pas mbarue shkollë të madhe në Europë, bile edhe ma mirë”, kurse në një letër për Isa Boletinin shpreh vlerësimet më të larta për të dhe besimin që ka tek ai: “Unë në sajë të Zotnisë tuaj kam thanë në parlamentin turk se do ta ngref flamurin e kryengritjes. Unë, që gjithë jetën time, qoftë edhe një natë, kurrë nuk kam fjetë në katund, jo ma me dalë maleve. Si e shpallkam kryengritjen pa ty?” 

Ismail Qemalin populli e quan “Plaku i Vlorës” (në Shqipëri, sipas zakonit, plaku nderohet e dëgjohet), Bajram Currin “Plaku i maleve” (lufta në malet e Shqipërisë i dha nder e lavdi, respekt e dashuri), Luigj Gurakuqin “udhëheqës të intelektualëve shqiptarë”. Shembulli i tij tregon sa lart ngrihet lufta e një intelektuali kur ai lufton për ideale të mëdha kombëtare. Kosova e quan Idriz Seferin “djalë i shtrënguem”, “burrë kuvendesh e tubimesh”, sepse rreth tij shtrënguan radhët mijëra djem kosovarë, ku secili prej tyre në luftën e Kaçanikut, i dekun a i plagosun “i ka palue nga shtatë turq”. Te konceptimi popullor për luftëtarin e lirisë e merr frymëzimin edhe poeti Risto Siliqi kur shkruan:

“Ku janë malet rrokë me re,

atje gjindej i shaljani

Mehmet Shpendi – trim rrufe”.

Të rrokur njëri me tjetrin si vëllai me vëllanë, me këngë kushtrimi, me piskamë e vrull u sulën kryengritësit mbi turqit, i shpartalluan dhe lavdia e tyre mori dhenë, kaptoi fusha e male e mbërrini gjer tek retë.

Portretizimi i tyre, nëpërmjet epiteteve të goditura, nxjerr në pah tiparet e tyre dalluese e kjo tregon se ata kishin hyrë thellë në zemrat e kombit, ishin bërë pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Në oda e kuvende burrash shprehen lidhjet e ngushta shpirtërore të tyre me popullin, thjeshtësi, dashuri, respekt e mirënjohje të thellë për njëri-tjetrin, çka tregon se populli ynë din t’i nderojë figurat e veta të mëdha.

Vlerësime kanë dhënë edhe të huajt. Isa Boletinin anglezët e quajnë Robin Hudi, gjermanët e krahasojnë me Gëc fon Berlihingen, italianët Garibaldi i Ballkanit. Epike natyra e relievi shqiptar, legjendarë djemtë e burrat që i udhëhoqën shqiptarët drejt pavarësisë, madhështore idealet dhe lufta e tyre, kreshnikë nga forca, mendja e bukuria bijtë e shqipes, që me guxim, me kurajo, pa marrë parasysh rreziqet, i dolën zot vatanit në momentet më të vështira e delikate.

Unë, – shkruan një bashkëkohës, – kam parë në Shalë një nanë tue mbledhun trutë e derdhura përdhe të të birit e tue i futë në grrecin e terun të kresë, ndërsa një tjetër, tue mbëshjellë zorrët e të birit për me i futë në lukthin e shporuem prej plumbave. E këtë punë e kryejshin… pa u përlotun. Cilat amazona poetike mund të qëndrojnë përballë këtyre shtojzovalleve malcore?” 

Gëte mbaron dramën “Gëc fon Berlihingen” (me protagonistin e të cilit historiani K. Estrajler e krahason Isa Boletinin) me fjalët dërmuese: “Mjerë shekulli që nuk e njohu!”. Të rinjtë tanë duhet ta njohin kryetrimin e Kosovës që brezat e ardhshëm të thonë: “Lum shekulli që e njohu!” Fan Noli, në mitingun e Bostonit, duke çmuar lart vlerat e Isa Boletinit, tha: “Një herë në mot amerikanët kremtojnë Bunker Hillin. Ç’thoni me mend se qe kjo luftë e famshme që e përkujtojnë me kaq festa e parada 100 milion njerëz? Ja u them unë: disa qindra amerikanë mundën disa qindra më të pakë anglezësh… Vëllezër, po të rronte Vashingtoni, do të vinte t’i zinte dorën Isa Boletinit. Nuk u them përralla, por fakte. Isai që din të hidhet në mes të topave të një ushtrie mbi 20.000 vetësh ta mundë dhe në kohë paqe të heshtë, është një trim që do ta kishte për turp ta barabiste veten e tij me gjeneralët e djeshëm e të sotëm të Ballkanit”.

Edith Durhami thotë se “Mehmet Shpendi edhe në moshë të thyeme ka qenë shumë i zhdërvjellët e i shpejtë”. Luftëtarë të tillë nuk e dijnë ç’është plakja, ç’është vdekja. Fuqitë e tyre nuk shterrin asnjëherë; edhe në varr u kallin tmerrin armiqve, edhe të vdekur u ndriçojnë rrugën brezave që vijnë.

***

Kuvendi dhe beteja, pushka dhe mendimi, gishti dhe fjala e mençur, strategjia dhe Memorandumi, komandanti dhe diplomati, udhëheqësi popullor dhe intelektuali vepruan së bashku, njëkohësisht dhe sollën Ditën e Madhe të Pavarësisë. Burra të tillë të mençur, të matur, të ndershëm, luftëtarë të paepur, të besës, të sakrificës, të aftë për të njohur e korrigjuar gabimet, të stërvitur me hollësi për çdo çështje patriotike e kombëtare, të zotët për barrën që kishin marrë para popullit e kombit, patriotë të vërtetë, mbartës të progresit e të përparimit ishin në krye të lëvizjeve të mëdha të viteve 1910-1912 e kjo, qe fat e shans për Shqipërinë.

Solidariteti, disiplina, kompaktësia në veprime, shpresa, besimi në fitore ishin karakteristikat e ushtrisë kryengritëse shqiptare në vitet 1910-1912 dhe këto u realizuan se prijësit shqiptarë që i drejtuan këto, ditën të fitojnë zemrat e kryengritësve, të mbështeten në anët më pozitive të tyre, të njohin veçoritë e tyre psikologjike dhe vetë përherë ishin në ballë të luftës.

Shqiptarët i përballuan me sukses sfidat e kohës, bënë realitet aspiratat e tyre shekullore, për të qenë të lirë. Çmimi vërtetë ishte i lartë, dhimbja e madhe për të rënët, terrori edhe më i madh, pabesia e fqinjëve, humbja tragjike me copëtimin e trojeve shqiptare. Po kaq të mëdha qenë veprat heroike të shqiptarëve e të prijësve të tyre legjendarë.

Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 ishin pjesë përbërëse e luftërave të popullit tonë për liri e pavarësi. Dhe të tilla ngjarje të rëndësishme nuk mund të kalojnë pa lënë gjurmë të thella te njerëzit që i jetuan, tek ata që erdhën më pas dhe kanë ndikuar fuqimisht në karakterin, psikologjinë, botën e brendshme shpirtërore, në mendimet e veprimet e tyre në atë kohë e më vonë. Rrethanat historike lindin heronj.

Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën pohon gazeta “Zeman” e Sarajevës kur shkruan në gusht të vitit 1912 “Sikur qeveria turke të dënonte me kohë Isën, Dragën, Ismail Qemalin, Idriz Seferin e të tjerë, nuk do të kishte lëvizje shqiptare”.

Doemos shtypi i huaj, duke pasqyruar ngjarjet e viteve 1910-1912 në Shqipëri do të evidentonte edhe vlerat e prijësve të mëdhenj shqiptarë, të cilët e udhëhoqën popullin tonë me guxim, me mençuri dhe vendosmëri në rrugën e fitores.

Gazeta “Shkupi” e vitit 1912 shkruante: “të mos ishte Hasan Prishtina dhe Bajram Curri me disa shokë të tjerë; s’do të bëhej kurrgjë as për gjuhë, as për Shqipëri”.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …