Dr. spec. Selami Sylejmani flet për Dr. Faherdin Hotin

Dr. spec. Selami Sylejmani flet për Dr. Faherdin Hotin

Të kërkoni nga unë që të flas për Dr. Faherdin Hotin, dhe ti shpalos kujtimet me te, fillimisht është ndere për mua, por në të njëjtën kohë edhe obligim shumë i madh.

Me Fahredinin u njohëm ne bankat e shkollës së mesme të mjekësisë, atëherë kur në një mënyrë të gjithë ishim të varfër materialisht por shumë të pasur shpirtërisht.

Shumica nga ne shokët e klasës të shkollës së mesme të mjekësisë në Prizren, ishim nga fshatrat e ndryshme të Kosovës – më shumë të trevës së Dukagjinit, sepse kjo ishte shkolla e vetme e mesme e mjekësisë për  trevën e Dukagjinit. Ishim shokë të një klase që ishte model për mësim dhe për sjellje. Për këtë kontribuuam të gjithë së bashku si mësimdhënësit që me shumë përkushtim e kryenin punën e tyre të pedagogut e sidomos kujdestaret e klasës në fillim Ruzhi Shusha dhe më vonë Gafurr Kiseri – deputet i parlamentit të Kosovës të cilët e shpallen deklaratën kushtetuese për republikën e Kosovës, por gjithashtu edhe ne nxënësit që për pos mësimit, aktivitet tjetër kishim edhe orët letrare dhe sportin – futbollin.

Si rezultati i punës sonë dhe angazhimit të trupës pedagogjike, nga klasa jonë dolën shumë punëtor shëndetësor të zellshëm të cilët në vendet e tyre të punës bënë emër,  si infermier, mjek të profileve të ndryshme, dhe profesor universiteti.

Fahredini, nxënës i shkollës së mesme, për pos që ishte shumë i interesuar për mësim, ishte një shok fisnik e mbi të gjitha, shumë besnik. Ai ishte prijatar dhe organizator i aktiviteteve të lira që bënim ne si nxënës në përgjithësi dhe klasa jonë në veçanti sidomos pjesëmarrës i orëve letrare dhe garave në futboll të vogël, të cilat nuk mund të organizoheshin pa Fahredinin si organizator dhe pa Fahredinin si pjesëmarrës.

Pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, përpjekjet për vazhdimin e shkollimit na ndan. Ai në Sarajevë, dhe unë në Zagreb, por një ditë na bashkoj qëllimi – që ti përfundojmë studimet dhe u kthyem në Prishtinë. Në atë periudhë kohe pas kohe vinin grupe artistike dhe sportive nga Shqipëria, ndërsa ne mëzi pritnim të takoheshim me ta. Më kujtohen këshillat e tyre për mbajtjen gjallë të atdhedashurisë në mes tjerash duke na këshilluar: Ju zjarrin nuk bënë ta lini të shuhet, por jo edhe të digjeni në te”. Por që të mos shuhej zjarri, dihej që dikush duhet të digjej në te. Kush ishin ata qe e mbanin gjallë zjarrin e shpresës për krijimin e Republikës së Kosovës, ishin të gjithë ata që atdhedashurinë dhe republikën e Kosovës e kishin ideal e jo përfitim material. Të tillë pati shumë. I tillë ishte edhe Fahredini si nxënës, Fahredini si student, Fahredini si mjek dhe së fundmi Fahredini si gjinekolog që i mbeti besnik idealeve të tija fisnike.

Pas përfundimit të studimeve vazhduam të mbetnim shok – tanimë si mjek. Si mjek të përgjithshëm nuk mundem të ishim bashkë për një kohë të gjatë sepse ai punonte në Rahovec, e unë në Dragash. Më 13. Prill 1981, mua më burgosen për shkak të përkrahjes së demonstratave të vitit 1981 dhe përpjekjeve për republikën e Kosovës. Pas lirimit nga burgu më dërguan në shërbimin ushtarak, ndërsa Fahredini vazhdoj punën e mjekut me shumë përkushtim në shtëpinë e Shëndetit në Rahovec.

Përpjekjet e popullit tonë për mbijetesë vazhdonin. Pas lirimit nga burgu dhe përfundimit të shërbimit ushtarak, mua udhëheqësit e Shtëpisë së Shëndetit në Dragash më larguan nga puna si i pa përshtatshëm moralo-politikisht dhe mbeta pa punë. Dr. Fahredini vinte për të më mbështetur shpirtërisht dhe me të i bisedonim edhe mundësit e mbijetesës së familjes time – tanimë pa të ardhura materiale, dhe një nga këto zgjidhje ishte edhe punësimi im në Podujevë – Orllan, ku në atë kohë Orllani ishte pa mjek. Në këtë drejtim më ndihmoi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit i asaj periudhe Dr. Muharrem Avdiu. Pas një periudhe pune në Podujevë – Orllan, kthehem në Prizren për shkak se nevojat për mjek në atë kohë ishin shumë të mëdha dhe në një mënyrë kjo është dera që mu hap të punësohem në Prizren.

Jeta vazhdonte, vazhdonin edhe përpjekjet për mbijetesë. Dr. Fahredinit iu nda specializimi i gjinekologjisë me obstetrikë nga Sh.Sh. Rahovec, ndërsa mua nga Spitali i përgjithshëm i Prizrenit. Ky moment serish na bëri bashkë si specializant në repartin e gjinekologjisë të spitalit të përgjithshëm të Prizrenit, dhe me pastaj edhe si gjinekolog.

 

Dua të shkruaj për disa momente të cilat më kujtohen, dhe më së miri e tregojnë karakterin e Dr. Fahredinit dhe fisnikërinë e tij, që në asnjë moment të mos i largohet luftës për mbijetesën e popullit tonë dhe atë që vullnetarisht të paraqitet si “karburant” i zjarrit të luftës për republikën e Kosovës. Këto momente më kanë mbetur thellë në kujtimet e mia.

E para: lidhet me ngjarjen shumë të rëndë dhe të dhimbshme të Masakrës në fshatin Zhur të kryer nga forcat e policisë të atij regjimi më 28 Mars të vitit 1989, kur mbeten tre të vrarë dhe shumë e shumë të plagosur.  

Më kujtohet ka qenë ditë e Marte në mëngjes rreth orës  shtatë – tetë, kur sollën shumë të plagosur nga fashti Zhur, pas ndërhyrjes së policisë së pushtetit të asaj kohe. Ishin momente shumë të rënda për ne mjeket e Spitalit të Prizrenit. Të gjithë qanim. Me të shpejtë u organizuam dhe dolëm për ti pranuar dhe ndihmuar të gjithë të plagosurit. Ndihma u fillua që në oborrin e spitalit. Ishte një solidaritet i pa parë. Të gjithë punëtoret shëndetësor, teknik mjek, mjek në specializim dhe specialist, u angazhuam për të ju ndihmuar të plagosurve. Kapacitet e sallave të repartit të kirurgjisë nuk mundnin të përballonin numrin kaq të madh të plagosurve – rreth 40-50. Për ti ndihmuar këta të plagosur u çelen edhe sallat e repartit të gjinekologjisë dhe kështu kirurget dhe ortopedët sidomos Dr. Halil Berisha dhe si asistent edhe ne gjinekologet por dhe të gjithë mjeket e tjerë në mënyra të ndryshme së bashku u përpoqëm për ti shpëtuar të plagosurit e masakrës së Zhurit, prej të cilëve tre nuk munden ti mbijetojnë plagëve dhe vdiqën. Ishin momente shumë të rënda dhe të dhimbshme për të gjithë ne personelin mjekësor shqiptar.

Më kujtohet shumë mirë kur Dr. Fahredini, më kërkoj ti mblidhja të dhënat mbi numrin e të plagosurve dhe të vrarëve, natyrën e plagëve dhe me çka janë shkaktuar. Kur e pyeta pse të duhen, më tha të tregoj më vonë. Më vonë kur përfunduan punët rreth mjekimit të plagëve dhe përkujdesjes së të plagosurve, dr. Fahredini më tregoj se këto të dhëna i kishte dhënë në një intervistë gazetarit dhe publicist, anglez Misha Glen (Misha Glenny) i cili raportonte për mjetet e informimit të perëndimit. Dr. Fahredini në mënyrë të detajuar këtij gazetari ia dha të gjitha informatat lidhur me masakrën në fshatin Zhur. Kjo ishte një trimëri dhe guxim që mund ta bënin vetëm ata që lirin e kishin ideal.

E dyta: Vitet që pasuan më vonë, ishin shumë të rënda për popullin tonë. Filloj largimi i të gjithë punëtoreve të arsimit nga shkollat, objektet shkollore u mbyllën, filloj largimi edhe i punëtoreve të tjerë si policisë, mjekeve etj. Ishin kohë të vështira. Populli ynë duhej të organizohej për mbijetesë. Për këtë luftë të mbijetesës, duhej të organizoheshin edhe mjeket. U hap ordinanca bamirëse e Shoqatës Humanitare “Nënë Terezë” në Arbanë – ish Dushanovë. Në këtë ordinancë punonin edhe gjinekologet, e edhe Dr. Fahredini. Punët kryheshin sipas orarit që përpilohej prej strukturave udhëheqëse. Unë punoja çdo të marte në këtë ambulancë, Dr. Fahredini e kishte ditën e vet të punës brenda javës. Kjo ordinancë nuk i plotësonte nevojat e popullatës, për çka dhe Shoqata e Gjinekologeve të Kosovës – në kryesinë e së cilës isha edhe unë, në bashkëpunim me Kryesin e Shoqatës humanitare “Nënë Terezë”, dhe përkrahur edhe nga shumë individ që nuk ishin mjek por që ishin humanist dhe patriot si dhe nga vet Lidhja Demokratike e Kosovës, si udhëheqëse e rezistencës në këtë periudhë, u vendos që në Prishtinë të hapet lindorja “Nëna”.  Në këtë lindore që filloj punën në muajin Korrik 1966 dhe pushoj punën në fund të muajit Mars 1997.

Gjatë kësaj periudhe në këtë institucion shëndetësor, janë kryer 12.489 lindje, 821 ndërhyrje operative, 416 ndërhyrje të vogla operative dhe shumë vizita specialistike dhe ultrasonografike. Vlen të përmendi se kujdestarinë e parë në këtë lindore e kemi mbajtur ne të dy – Dr. Fahredini dhe unë. Së bashku me Dr. Fahredinin, i merrnim në kujdestari të lindores “Nëna” dhe nxënëset e shkollës së mesme të mjekësisë – drejtimin e mamive, nga dy vajza, të cilat së bashku nën përkujdesjen tonë, merrnin pjesë në udhëheqjen e lindjeve dhe në të gjitha punët që kryheshin në këtë institucion shëndetësor. Me sugjerimin tim, këto vajza, ia dhuruan në atë kohë lindores “Nena” një pllakat në shenjë falënderimi, e cila pllakat ka qenë e vendosur për një kohë të gjatë në atë institucion.

E treta: organet e dhunshme serbe, në fillim të vitit shkollorë 1991/92, mësimdhënësve shqiptar iu komunikojnë përjashtimin nga puna, ndërsa më 2 shtator të vitit 1991, të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptar iu ndalohet hyrja në objektin shkollorë. Në vitin 1992, në muajin Shkurt, filloj procesi mësimor nëpër shtëpi private – shtëpitë – shkolla, dhe xhamitë – shkolla. Ky organizim ka zgjatur deri me fillimin e sulmeve të NATO-s ndaj forcave serbe më 25 Mars 1999. Në këtë kohë, drejtori i Shkollës se Mesme të Mjekësisë Prof. Ramadan Ramadani, nga Celina e Rahovecit, vjen në ordinancën time private për të më lutur që unë të kyçem në procesin mësimor për të mbajtur mësim në shtrepit shkolla si dhe ordinancën time ta kthej në institucion ku ato vajza – drejtimi i mamive të kryejnë edhe pjesën praktike. Drejtori – Prof. Ramadan Ramadani, profesor shumë i nderuar, më tha se nëse unë nuk pranoj për të dhënë mësim dhe nuk i pranoj që ato vajza në ordinancën time të kryejnë pjesën  praktike, atëherë pa ndihmën time nuk do të mundnin ta fillonin drejtimin e mamive. U pajtova që të shkoj të jap mësim si dhe u pajtova që ato vajza të vijnë në ordinancën time private të mbajnë pjesën praktike, edhe pse tanimë në këtë kohë vinin edhe studentet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitet të Prishtinës dhe e kryenin pjesën praktike në ordinancën time.

Me kalimin e viteve u shtuan drejtimet dhe u shtuan edhe orët e lëndës së gjinekologjisë. Prof. Ramadan Ramadani, drejtor i shkollës, më kërkoj ndihem time që të gjej ndonjë tjetër gjinekolog i cili do të pranonte të mbaj mësim për lenden e gjinekologjisë. Bisedova me Dr. Fahredinin, i cili pa asnjë mëdyshje pranoji që të mbaj mësim së bashku me mua lëndën e gjinekologjisë në shkollën e mesme të Mjekësisë. Duhet sqaruar se as unë e as Dr. Fahredini nuk merrnim të ardhura – thjesht, puna jonë ishte pa pagesë – vullnetare me të vetmin qellim për ta ndihmuar mbijetesën e arsimit shqip.

Hera e fundit që ua takova me Dr. Fahredinin. Ishte një ditë Marsi i vitit 1999. Dr. Fahredini erdhi në ordinancën time private të cilën e kisha hapur më 15.10.1991, pas përjashtimit tim nga Spitali i Prizrenit, nga ana e organit të përdhunshëm punëdrejtues si formë e mbijetesës. Ishin kohëra të vështira. Në lagjen ku unë e kisha shtëpinë dhe ordinancën – lagjja Tusus, në këtë kohë lagjja gati ishte e zbrazet. Një pjesë e madhe e banoreve ishin larguar dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre. Nuk kishte pacientë sepse nuk kishte as popullatë. Ne, si familje ende qëndronim, sepse vazhdimisht bëhej ftesë që të mos i lëshonim shtrepit, ndërsa ordinancën e mbaja të hapur për të ju ndihmuar të gjithë atyre që mund të kishin nevojë në këto kohëra shumë të vështira.

Atë ditë ishte ditë e Premte, rreth orës 12-të, kur me thirrin motrat dhe më thonë se ka ardhur Dr. Faherdini në ordinancë dhe më kërkon. Unë isha në shtëpi sepse ishte kohë kur fare nuk kishte pacientë, Sa e pash ende pa u përshëndetur i them: Dr. Fahredin çka ke lyp, pse ke ardhur, a e din ti se sa rrezik është, çka tu dashtë me e rreziku jetën? Ai qeshi dhe u thotë motrave: a kështu ju i pritni mysafiret. Qëndroj për rreth një orë. I bëmë një kafe dhe me rastin e largimit, më thotë te lus më shoqëro deri në dalje të lagjes se janë kohëra të vështira. Duke e njohur karakterin e Dr. Fahredinit, se ai nuk frikohej – ishte trim, e kuptova se ka diçka që dëshiron ta bisedoj vetëm – për vetëm me mua. E shoqëroj për gjatë rrugës, dhe i them fol se e di se ke diçka për të më thënë. Po thotë, kam. Sot kamë qenë i thirrur në polici – në bisedë informative, për rreth 3-4 orë. Rreth 2 orë më kanë pyetur vetëm për ty. Të lus të kesh kujdes se je në rrezik. I them, po Fahredin, unë e di se jem në rrezik por edhe ti nuk je më pak se unë. Të lus mos e merr këtë rrugë më për Prizren se ka mundësi me të vra në rrugë. Ai gjatë bisedës më tregon se sërish i kanë kërkuar të paraqitet në polici të hënën. Unë i them mos shko se është punë shumë me rrezik, dhe është mirë që fare të mos udhëton më për Prizren. U ndamë duke u përqafuar me njeri tjetrin, e falënderova për kujdesin e treguar ndaj meje, dhe e këshillova që edhe ai të ruhet. Në ndarje e këshillova ti mbyll notat, sepse ishte rreziku që nxënësit të mbetnim të pa notuar. Të hënën e radhës, unë rreth orës 14, e mbyll ordinancën dhe nisem për në shkollë. Rrugës në mes të varrezave të njohura si Karabash – në atë kohë kishte rrugë këmbësore në mes këtyre varrezave, takoj bashkëshortin e profesorësh së lëndës së matematikës të shkollës sonë – Myvedete, e cila në atë periudhë ishte shtatzënë, dhe ai më ndal dhe më pyet se ku po shkoj. I përgjigjem se po shkoj në shkollë për ti mbyllur notat. Ai më thotë se është nisur te unë në ordinancë. I them të lus thuaj profesoreshës të vjen nesër nëse nuk e ka për urgjencë, sepse sot dëshiroj të kryej obligim shumë të rëndësishëm, më duhet ti mbylli notat e nxënëseve, sepse janë kohë të vështira dhe nuk e dimë a jemi gjallë deri nesër, e nxënësit munden të na mbeten të pa notuar. Ai më përgjigjet se nuk vjen për punën e shoqes së vet, por më tregon se në qytet e ka taku Dr. Fahredinin. Dr. Fahredini i thotë se ai është duke u përcjell nga sigurimi shtetëror, për këtë shkak nuk mundem të shkoj te Dr. Selamiu. Më thotë të lus shko te dr. Selamiu, thuaj se edhe sot për rreth dy orë gjatë bisedës të quajtur informative më kanë pyetur për dr. Selamiun. Ai më porositi të ju tregoj se jeni në rrezik dhe duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të ruheni. Kjo më së mirë fletë për karakterin e këtij njeriu shumë fisnik, patriot dhe shumë besnik

Në rrafshin profesional, nuk ka aktivitet shkencor në çfarëdo lëmi të mjekësisë që mbahet në Kosovë ku të mos ishte edhe Dr. Fahredini. Nëse ai vet nuk do të referonte, ai ishte shumë aktiv gjatë diskutimeve

Dr. Fahredinin unë e kujtoj si atdhedashës, arsimdashës dhe humanist i madh, i cili në asnjë rrethanë gjatë gjithë jetës së vet nuk e kursej veten për ti ndihmuar të tjerët, dhe për këto ideale e dha edhe jetën.

Të tillët nuk vdesin kurrë, ata jetojnë në mendjen dhe zemrat e të gjithë atyre që dje ideal e kishin lirinë e Kosovës, ndërsa sot e kanë forcimin dhe ndërtimin e shtetit duke punuar me djersen dhe mundin e vet, pa e dëmtuar askënd, as ata të cilët ua sollën të gjitha këto tragjedi. Ti tillët asnjëherë nuk pyeten se çka beri shteti për ta por pyeten dhe do të pyesin se çka duhet të bëjmë ne për shtetin.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …