leoni

Syle Ukshini

Dr. Sylë Ukshini: PLANI “PATKOI”, QËLLIMI STRATETGJIK SERB I SPASTRIMIT ETNIK TË KOSOVËS I

“E vërteta ishte se Millosheviqi planifikonte diç më shumë sesa thjeshtë një luftë – ai  donte një Kosovë pa shqiptarë dhe jo vetëm pa UÇK. Spastrimi etnik ishte qëllimi i tij kryesor strategjik dhe bashkësia ndërkombëtare pati të drejtë që e ndali”.1

Henry H. Perritt Jr. 

Abstrakt:

Plani “Patkoi” (operacioni Patkoi, në origjinal: Potkova-Plan), ishte  një plan strategjik ushtarak i qeverisë serbe të Millosheviqit për dëbimin sistematik të shqiptarëve nga Kosova. Për ekzistencën e tij pati debate pro dhe contra në politikën dhe mediat gjermane, ngjashëm si për pjesëmarrjen e Bundeswehrit në operacionet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur. Ky plan u bë publik për herë të parë në fudnmuajin mars 1999, nga ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, dhe ministri i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, në kuadër të argumentimit të domosdoshmërisë të përfshirjes së ushtrisë gjermane në kuadër të operacionit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës. Dy politikanët e njohur gjermanë u përpoqën që argumentet e tyre t’i shpalosnin para publikut në një konferencë shtypi më 31 mars 1999, por këto efekte ishin të limituara, për shkak të shkrimeve kundërshtuese të mediave kryesisht me orientim të majtë. Informacionet u siguruan nga Shërbimi Informativ Bullgar, i cili përmbante detaje bindëse për ekzistencën e këtij plani, dhe përmes ministres së Jashtme bullgare, Nadezhna Mihailova, ishte njoftuar pala gjermane. Mirëpo, kundërshtarët e fushatës ajrore të NATO-s, duke dashur ta kontestojnë legjitimitetin e këtij operacioni ushtarak, meqë mungonte një mandat paraprak i OKB-së, vunë në pikëpyetje jo vetëm këtë plan të koduar ushtarak, por edhe masakrën e Reçakut dhe krimet e tjera të regjimit serb gjatë luftës së Kosovës në harkun kohor 1998-1999. Ndërhyrja ushtarake ishte e justifikuar për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, e cila ishte shkaktuar nga politika e dëbimit nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Plani “Patkoi” nga mbështetësit e ndërhyrjes së NATO-s, u përmend si provë e ekzistimit të planeve të udhëheqjes serbe për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova që para fillimit të ndërhyrjes së NATO-s. Në këtë mënyrë ai forconte argumente dhe legjitimitetin e luftës së Perëndimit kundër Jugosllavisë së mbetur. Njoftimet për planin “Patkoi” përmes ministrit gjerman të Mbrojtjes, Rudolf Sharping, mbërritën edhe në dorë të kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për krime të luftës. Më pas, informacionet për këtë plan arritën edhe në zyrën e gjeneralit amerikan të NATO-s, Wesli Clark, dhe në zyrën e shefit të CIA–s, George Tenet.

Ekzistenca e planit “Patkoi”, është konfirmuar edhe nga Ratomir Taniq, dëshmitar serb në procesin gjyqësor të Hagës kundër Millosheviqit. Krimet masive në luftën e Kosovës nuk ishin të rastësishme dhe as nuk filluan si kundërpërgjigje e ndërhyrjes së NATO-s, por ishin planifikuar nga shtabi ushtarak i Millosheviqit. Para se gjithash, me zbatimin e planit “Patkoi”, synohej të zvogëlohej numri i shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që të mbrohej teza e mitologjisë politike serbe, se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur popullatë shumicë shqiptare. Me këtë aksion ushtarak tëpretendohej se janë më pak se 50 për qind shqiptarë, ndaj nuk e gëzojnë të drejtën për autonomi.

Plani “Patkoi”,shpërfaqësynimet nacionaliste dhe raciste të Serbisë, ndaj pranueshmërinë e kësaj ideologjie nga popullata e rëndomtë serbe. Ashtu si më 1937 kur Çubriloviqi bënte thirrje për dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve sipas modelit nazist kundër hebrenjve, edhe Millosheviqi kopjoi metodat naziste në represionin kundër shqiptarëve të Kosovës. Ky plan ka ngritur shumë emocione, sepse në esencë ka konfirmuar dhe forcuar legjitimitetin e ndërhyrjes së Perëndimit në luftën e Kosovës.

Operacioni i koduar “Patkoi”, u zbulua nga shërbimi i zbulimit ushtarak bullgar dhe më pas qeveria bullgare vendosi që t’ia ofroj vendeve anëtare të NATO-s, fillimisht Gjermanisë.

Dr. Sylë Ukshini2

Hyrje

 

Qëllimi i udhëheqësit serb ishte dëbimi me forcë të shqiptarëve të Kosovës prej shtëpive që i kishin pasur me breza. Eksodi do të përshpejtohej nga grabitjet, vrasjet, përdhunimet, djegiet dhe terrori në një shkallë aq të gjerë sa mund të krahasohej me Gjermaninë naziste. Të gjitha dokumentet e identifikimit do të konfiskoheshin me qëllim që shqiptarët të mbeteshin pa shtetësi dhe të bëhej e pamundur rikthimi i tyre në Kosovë. Të vetmen gjë që Millosheviqi nuk e kopjoi nga Hitleri ishin dhomat me gaz të Aushvicit. Në vend të tyre, viktimat e tij të mjera do të dëboheshin prej shteteve fqinje të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Sigurisht, Millosheviqi e llogariti që kjo “zgjidhje përfundimtare” jo vetëm që do ta rriste autoritetin e tij në sytë e popullit  serb, por do t’i garantonte edhe vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet. I gjithë ky mekanizëm ishte shumë i njohur. Vetëm identiteti i viktimave ndryshonte. Këtë herë ata do të ishin shqiptar dhe jo hebrenj….Gjykata e Hagës e bazoi padinë e saj kundër Millosheviqit mbi një mal dëshmish, përfshi edhe pohimet e dëshmitarëve okularë nga mijëra refugjatë që kishin parë vrasje, vende të masakrave dhe varre masive. Ajo arriti në përfundim se Operacioni “Patkoi” ishte një plan ushtarak i hartuar nga shtabi i përgjithshëm i Beogradit nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Sllobodan Milosheviqit.”3

 

Kështu e përshkroi John G. Stoessinger politikën e spastrimit etnik gjatë luftës së Kosovës (1998/99) të ndjekur nga Millosheviqi, të cilën ai e ka ndërtuar përmes planit sekret “Patkoi”. Ky plan u bë publik vetëm pas fillimit të fushatës ushtarake të NATO-s, kundër infrastrukturës ushtarake dhe represive të Jugosllavisë së mbetur. Millosheviqi u akuzua për krime të luftës, për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, që u bënë në Kosovë, në Bosnjë eHercegovinë dhe në Kroaci.4 Plani “Patkoi”, ka qenë deri tani objekt i shumë debateve: ai u pohua dhe u mohua shpesh, madje edhe nga të tillë të cilët, në të vërtetë, kishin para vete realitetin kosovar, vrasjet dhe dëbimet masive të shqiptarëve jashtë Kosovës. Një numër autorësh injoronte në tërësi se në Kosovë, dhe para syve të opinionit publik botëror, po ndiqej e njëjta politikë e tmerrshme e terrorit dhe e dëbimeve, siç ishte zbatuar në Kroaci, e para së gjithash në Bosnjë e Hercegovinë. Pati të atillë që direkt apo tërthorazi për dëbimet e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit fajësonin NATO-n. Mirëpo, këtë dokument për herë të parë e bënë publik ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, “E kam thënë, se ekziston ky plan, dhe ka shumë të dhëna për atë se ky plan ekziston. Dhe se këto të dhëna janë dëshmuar gjitha nga realiteti.”5 Këtë dokument e kanë bërë për objekt trajtimi nga aspektet e shkencave politik dhe historike edhe vëzhgues dhe autorë gjermanë, ekspertë për Ballkanin gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Por, pjesa më e madhe e autorëve ndajnë mendimin se plani “Patkoi”, i hartuar dhe përpunuar nga Millosheviqi me bashkëpunëtorë në rrethanat e luftës në Kosovë, ishte si instrument i politikës raciste të spastrimit etnik.

Ai është analog me shumë qeveri dhe elita të ndryshme të botës, të cilat përgatitën dhe ushtruan krime të luftës dhe gjenocid mbi popuj dhe grupe të ndryshme etnike dhe fetare gjatë luftërave Ballkanike 1912/1913 dhe menjëherë pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kjo vlen për Turqinë më 1915 (gjenocidi ndaj armenëve)6, Gjermaninë naziste, Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit, Jugosllavinë e Titos (dëbimi i gjermanëve nga Vojvodina)7, Ruandën e viteve 90-të të shekullit të kaluar dhe vend të tjera. Në këtë kontekst mund të lexohet dhe interpretohet një plan i tillë, si “Patkoi”, me të cilin Beogradi synonte një Kosovë pa shqiptarë.

 

Objekti i studimit

 

Plani “Patkoi”, për qeveritë evropiane-perëndimore kishte vlerë, në radhë të parë, për shkak se përmbyste tezën e dëbimit “spontan” të shqiptarëve nga ana e forcave serbe të ushtrisë dhe policisë, siç argumentohej atëbotë nga regjimi i Millosheviqi dhe përkrahësit e tij në Serbi, Evropë, por edhe në Gjermani. Në të vërtetë, për këtë nuk nevojitej fare informatat e shërbimeve të fshehta, por duhej të bëhej vetëm rikonstruktimi i veprimeve ushtarake të forcave serbe të sigurisë gjatë kësaj periudhe kohore. Duke u bazuara vetëm në këto informata publike, në të cilat kishin qasje të gjithë, konfirmohej se spastrimi etnik në Kosovë nuk ishte një reagim spontan i serbëve, ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion, i cili ishte planifikuar qëmoti dhe me kujdes.8

Plane, projekte, memorandume e elaborate të tjera, që atëherë e kishin projektuar përdorimin e dhunës ndaj popullatës shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera etnike, të cilat ishin pushtuar më 1912. Joshka Fisher konstaton me të drejtë se politika e Milosheviqit që nga viti 1989, pothuajse deri në detaje ishte identike me projektin e nacionalistit radikalsit serb, Vasa Çubrilloviq, i cili u hartua në mars të vitit 1937 në Beograd. Gazeta “Fraknfurter Rundschau”, e ka ribotuar këtë dokument, më 28 prill 1999. Qysh në vitet e 30-a të shekullit XX, dominimi i shqiptarëve të Kosovës ka qenë një nga sfidat më të mëdha të nacionalistëve serbë, ndaj për zgjidhjen e këtij problemi, ata mbështeteshin në metoda, atëbotë të zakonshme në Evropë. 9

 Është fakt që spastrimi etnik i territoreve shqiptare në Ballkan nuk ka filluar ndërmjet luftërave botërore, por që nga fillimi i shpërbërjes së Perandorisë Osmane, në shekullin XIX. Praktika e spastrimit etnik u shfaq në luftën e çlirimit, në shekullin XIX, kur serbët, jo vetëm që u çliruan nga dominimi osman, por dëshironin të “çliroheshin” nga popullata joserbe, në rend të parë nga ajo shqiptare.  Spastrimi etnik pra është një nga mjetet e përdorura për të zbatuar dhe realizuar një Serbi homogjene dhe etnikisht të pastër.10 Praktika e spastrimit etnik u përdor nga nacionalistët serb edhe gjatë luftërave të fundit në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, duke pasur si objektiv përfundimtar një Serbi të Madhe. Qysh në fillim të viteve 90-të të shekullit XX, presidenti i Komisionit Evropian Jack Delor i kishte denoncuar drejtuesit serbë, “ideologjinë e tyre monstruoze të spastrimit etik, si dhe vullnetin për të realizuar në një shtet totalitar, Serbinë e Madhe.”11 Projektet e tilla, të cilat, para se gjithash, synonin reduktimin e numrit të shqiptarëve të Kosovës, u hartuan si orientim strategjik për qeveritë e atëhershme serbe, si program për krijimin e Serbisë së Madhe dhe si metodë për shpërnguljen e plotë të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre, për asimilimin dhe për zhbërjen e plotë të popullit shqiptar, e kanë zanafillën që nga shekulli XIX e deri në dekadën e fundit të shekullit XX. Ndoshta më së miri, këtë politikë ekspansioniste serbe e ka përmbledhur lideri i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, kur thotë se “qysh nga viti 1844, që nga “Naçertania”, dokumenti i shkruar nga Ilija Garashanini, ministri i atëhershëm i Policisë serbe e deri më sot ka ekzistuar një i ashtuquajtur plan i Serbisë së Madhe, me të cilin synohej bashkimi i territoreve serbe në një shtet.”12 Në morinë e këtyre projekteve, pa dyshim, plani “Paktoi”, i hartuar nga shërbimet sekrete ushtarake serbe, pos që na kujton si një makth luftën e viteve 1998- 1999, sjellë ndërmend planet dhe projektet e vjetra raciste, si Memorandumin e Vasa Çubriloviqit(1937)13, projektin me titull “Serbia homogjene” e Stevan Miljeviçit (1941),14 Konventa Jugosllave-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve 1938,15 e cila u ripërtëri në vitin 1953 në marrëveshje xhentëlmenë Tito-Kyprili,16 projekti i Vasa Çubriloviqit:“Problemi i minoriteteve në Jugosllavinë e re” në vitin 194417 Ivo Andiqit(1939)18, fushata represive të Rankoviqit (1957-1966)19, si dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi në vitet 50 e 60-ta20 dhe Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve(1986)21, pikëmbështetje kishin Programin e parë politik të Serbisë së Madhe, që është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844.22 Në funksion të realizimit të kësaj ideje raciste duhet parë edhe Konventën Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadoll, që ishte po ashtu një projekt, në vazhdën e projekteve për spastrimin etik të territoreve të pushtuara shqiptare në Kosovë dhe rajone të tjera etnike.23 Në vargun e dokumenteve politike për kolonizimin dhe dëbimin e shqiptarëve  hyn edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Josip B. Tito dhe përfaqësuesi turk Fuad Kyprili,24 e cila parashihte që qindra mijëra shqiptarë të shpërnguleshin për në Turqi, duke i trajtuar si “mbetje turke”, si pakicë turke. Kjo marrëveshje në fakt ishte vetëm një ripërtëritje e Konventës Jugosllave-Turke për Shpërnguljen e Shqiptarëve (1938).25

Hulumtimet moderne kanë treguar se parakusht për krime masive cilësohet pjesëmarrja aktive e shumë pjesëtarëve të një shoqërie dhe përkrahja pasive e shumicës së mjedisit përkatës. Në librin e tij shumë të njohur, por edhe të kontestuar, Daniel Goldhagen e paraqet holokaustin si „projekt nacional gjerman“. Sipas rezultateve të tij, në asgjësimin masiv të hebrenjve, përveç strukturave shtetërore e politike, ishin të përfshirë edhe qytetarë të rëndomtë gjermanë.26 Edhe shembulli i luftërave në territorin e ish-Jugosllavi në vitet e 90-a të shekullit XX, dëshmon gjithashtu për pjesëmarrjen e “njerëzve të rëndomtë”, në krim ndaj një mase njerëzish të një përkatësie tjetër etnike.27 Në rastin e luftërave në Jugosllavi, megjithëse nuk është gjurmuar ende pjesëmarrja në masë e shoqërisë në krimet e luftës, ka shumë shembuj që tregojnë se, sidomos në Serbi, ka pasur një mobilizim kolektiv në krimet masive kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci e në Kosovë. Pavarësisht se përgjegjësia në Serbi ka elemente kolektive, në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës deri tani janë ngritur padi individuale ndaj kreut shtetëror të Serbisë, i cili ishte përgjegjës për krime masive dhe gjenocid. 28 Për Kosovën nuk ka pasur studime të shumta që trajtojnë në mënyrë shteruese dhe me thellësi për dëshmimin e qëllimeve, metodave dhe masave të ndërmarra për “spastrimin etnik“29 nga ana e regjimit serb në Beograd. Në këtë kontekst, përjashtim bënë studimi i Enver Hoxhajt dhe Stephan Müllerit për spastrimet etnike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, përmes të cilit ata shpjegojnë natyrën e krimit shtetëror serb.30 Po kështu, vite më parë “Human Rights Watch” e ka dokumentuar në një raport të mbështetur mirë, planifikimin, sistematikën dhe zbatimin e të gjitha krimeve të luftës që u bënë në Kosovë nga nivelet më të larta autoriteteve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.31

Edhe Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) në Maqedoni, gjithashtu ka sugjeruartë hetohen edhe varret masive të shkaktuara nga Serbia, gjatë luftërave të përgjakshme të viteve të 90-ta, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe vende tjera të rajonit. Kjo organizatë ka kërkuar që të formohen grupe profesionale me përfaqësues edhe ndërkombëtar për hetimin e krimeve serbe në Kosovë, me qëllim që të dalin para drejtësisë të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e afro 11 mijë zhdukjen e mbi 2000 shqiptarë32, dhunimin e rreth 20 mijë grave33,  dëbimin e afro 900 mijë qytetarëve34, pastaj dhe dëmet materiale që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve.35

 

Qëllimi i planit “Patkoi”

“E vërteta ishte se Millosheviqi planifikonte diç më shumë sesa thjeshtë një luftë – ai donte një Kosovë pa shqiptarë dhe jo vetëm pa UÇK. Spastrimi etnik ishte qëllimi i tij kryesor strategjik dhe bashkësia ndërkombëtare pati të drejtë që e ndali”,36 thotë Henry H. Perrit, autor amerikan i librit “ Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ku krahas të bëmave të luftës çlirimtare të shqiptarëve, evidenton edhe qëllimet dhe krimet së Serbisë në Kosovë. Plani “Patkoi” zbulonte qëllimin e regjimit të Milosheviqit për ta spastruar Kosovën nga shqiptarët. Duke e hedhur një vështrim retrospektivë bëhet e qartë se fushata çnjerëzore e Beogradit dhe planit “Patkoi”, Jon Stoessinger përmend tri qëllime: së pari, shteti serb synonte të dëmtonte UÇK-në;  së dyti, të ndryshonte balancin etnik në Kosovë në favor të serbëve; dhe  së fundi, të mposhtë NATO-n përmes  një krizë së refugjatëve, duke llogaritur se vala e një milion refugjatëve do ta bënte Aleancën Perëndimore të ndërronte drejtimin e fushatës për goditje nga ajri.37 Një qëllim tjetër i Millosheviqit, sipas Fisherit, ishte që nëpërmjet valës së refugjatëve të provokonte kaos në Maqedoni dhe në Shqipëri, për ta destabilizuar kështu rajonin dhe njëkohësisht për të rrezikuar zonën vendimtare të marshimit dhe të furnizimit të NATO-s.38

Ratomir Taniq39, anëtar i ekipit të Qeverisë së Serbisë  në vitet  1994 -1997, njëherësh dëshmitar i Gjykatës së Hagës për Krime të Luftës, pohon se qëllimi i planit “Patkoi” ishte reduktimi i  numrit të shqiptarëve të Kosovës nën 1-milion, me qëllim që pas kësaj të ngriheshin pretendimet se janë më pak se 50 për qind shqiptarë në Kosovë, prandaj, edhe atyre nuk u takonte ta kenë  të drejtën për autonomi.

“Ky ishte plan shumë i qartë, mu sikur që ekzistonte edhe plani i pastrimit etnik. Organet tona të sigurimit absolutisht nuk kanë bërë qërim hesapesh me UÇK-në, por kanë qëruar hesapet me popullatën shqiptare. Kështu, tekefundit, edhe filluan konfliktet etnike serbo-shqiptare, në fillim të marsit të vitit 1998. Në vend që t’i arrestoni vëllezërit Jashari dhe disa të tjerë sipas rregullave luftarake, ju sulmoni shtëpitë e tyre në të cilat jetojnë ata, i vrani gratë, fëmijët, kushërinjtë dhe fqinjët e tyre dhe, natyrisht, kjo shkakton kryengritje të popullit shqiptar, kjo do të shkaktonte kryengritje të çdo populli”, ka deklaruar Taniq.

“E vërteta ishte se Millosheviqi planifikonte diç më shumë sesa thjeshtë një luftë – ai donte një Kosovë pa shqiptarë dhe jo vetëm pa UÇK-në. Spastrimi etnik ishte qëllimi i tij kryesor strategjik dhe bashkësia ndërkombëtare pati të drejtë që e ndali”.40

Në këtë kontekst, fushata e spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilën Millosheviqi e planifikoi pas humbjeve të tij ushtarake në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë,  pati si rrjedhojë dëbimin e afro 1- milion shqiptarëve nga Kosova edhe po të mos ndërhynte NATO-ja për ta stopuar shkallën e egërsisë së politikës së Beogradit,41 Milosheviqi në çfarëdo rrethane do të pengonte rikthimin e shqiptarëve në Kosovë. Vala e tmerrshme e shkatërrimeve u dokumentua nga dëshmitarë okularë në një shkrim të veçantë të “New York Times”, më 29 maj 1999, me një titull domethënës “Horror dy Design”(Tmerre të qëllimshme). “Grupe njerëzish me maska të zeza u shfaqën në mesnatë, rrëmbyen gratë dhe fëmijët prej shtëpive, përdhunuan gratë, vranë burrat, u bënë trupin copa-copa dhe pastaj u vunë flakët shtëpive. Shpejtësia dhe madhësia e fushatës serbe ishte e pashembullt, madje edhe me standardet e dhunës në Bosnjë, ndërkohë që valë njerëzish me maska, njëra pas tjetrës, përhapnin terrorin nëpër fshatrat dhe pastaj në qytetet e Kosovës. Shqiptarët etnikë zhvendoseshin nga një shtëpi në tjetrën, zhvendoseshin  me të afërmit e shokët, iknin e iknin për të qëndruar përpara serbëve që përparonin…Ndërkohë që nëpër Kosovë u përhapën fjalë mbi terrorin, frika u bë aleati më i suksesshëm i serbëve dhe, ndërsa fushata përparonte, një grusht serbësh me maska,42 të armatosur, përzinin nga shtëpitë mijëra njerëz, i grabisnin, i dëbonin me karvanë, kurse shtëpive të tyre u vinin flakën. Frika përzihej me poshtërimin dhe barbarinë. Serbët bënë çdo përpjekje për t’u siguruar se ata që ikën nuk do të ktheheshin përsëri. Refugjatëve iu grisnin të gjitha dokumente e identitetit e madje edhe targat e makinave ua zhvidhosën në mënyrë sistematike nëpër kufij. “Kjo nuk është toka juaj- kurrë s’keni për ta parë më”, ulërinin serbët ndaj shqiptarëve të pashpresë para se ata të dëboheshin nga Kosova.43 Po ashtu, dëshmitarë e viktima të shumta i kishin raportuar organizatës Human Rights Watch se si forcat qeveritare, qoftë në shtëpitë e tyre, qoftë kur ishin në rrugë e sipër për të lënë Kosovën, u kishin zhvatur gjëra të çmueshme, përfshirë unaza martesore e automobila.44

Po ashtu, një nga politikanët më të angazhuar në luftën e Kosovës, kryeministri britanik Tony Blair, në një intervistë për mediet gjermane, duke folur për qëllimet e fushatës së spastrimit etnik,thekson se “në Kosovë njerëzit po dëbohen, vriten dhe përndiqen me dhunë e brutalitet të jashtëzakonshëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Ekzistojnë shumë informacione të dokumentuara mirë rreth ekzekutimeve masive të të rinjve  përdhunimet sistematike të femrave shqiptare dhe informacione të tjera për akte dhune kundër njerëzve të pambrojtur. Përballë gjithë kësaj është e pamundshme të mos kujtohet ajo kohë, kur njerëzit në Evropë dëboheshin me vagonë trenash.”45

Po kështu, sipas ekspertëve të shërbimeve informative, qëllimi tjetër kryesor i planit “ Patkoi “, krahas  depërtimit dhe vrasjeve në masë të shqiptarëve, ishte edhe shkatërrimi, përkatësisht neutralizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila asokohe përbënte sfiduesen kryesore të aparatit dhe regjimit represiv serb. Menjëherë pas luftës së Kosovës,  “ Reuters-i” bënte të njohur lajmin se gjyqi ushtarak disiplinor i Jugosllavisë së mbetur e kishte shkarkuar nga detyra një oficer të saj rezervë, që, sipas tyre, kishte zbuluar një operacion sekret “Patkoi”. Sipas këtij informacioni, kolonelit rezervist, Dragan Vuksiq, 54 vjeçar, i ishte marrë grada për shkak të “dëmtimit të reputacionit të shtetit dhe nderit e reputacionit të ushtrisë. “Autoritetet serbe pretendonin se ky oficer në një takim që duhet të ketë pasur në Vjenë, në vitin 1999, e kishte informuar një ekspert ndërkombëtar për operacionin sekret të quajtur “Patkoi“, i cili ishte përgatitur për ta parandaluar kryengritjen e shqiptarëve dhe për ta ndryshuar strukturën etnike në Kosovë.

Siç është njohur maksima, pamja flet më tepër se sa mijëra fjalë, kur fotografitë e mijëra shqiptarëve që u mblodhën si kope në gjedhë nëpër trenat që niseshin nga Prishtina për në kufirin e Maqedonisë mbërritën në ekrane televizioneve perëndimore, ishte e qartë se dëbimi dhe përndjekja masive e shqiptarëve ishte e planifikuar dhe trenat në gjithçka të kujtonin skenat e holokaustit nazist.46

Natyrisht, kjo situatë në Kosovë imponoi intervenimin ushtarak të NATO-s. Me këtë, demokracitë perëndimore u futën në luftë dhe ishin të gatshme të paguanin çmimin për këtë çështje. natyrisht, dëshira ishte që ky çmim të jetë mundësisht sa më i vogël. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në luftën e Kosovës ishte dëshmi se  Perëndimi në rend të parë kishte te vënë të drejtat e njeriut, përpara sovranitetit shtetëror dhe tani e tutje ishte i gatshëm që në Evropë të mos ketë kurrë dëbime etnike dhe barbari. Për këtë arsye, Perëndimi e ndali Millosheviqin.47 Justifikimi i intervenimit në bazën e të drejtave të njeriut ndodhej në pikën e vet më të lartë. ShBA-ja dhe aleatët e saj po eksperimentonin jo vetëm doktrinën që do të mund të zëvendësonin paradigmat e Luftës së Ftohtë për strategjinë e sigurisë, por mbështetjen edhe në rezolutat e Këshillit te Sigurimit te OKB-së për Kosovën 1199 (1998), të datës 23 shtator 1998, 1203 (1998) të datës 24 tetor 1998 dhe veçanërisht  me autorizimet që i krijon Kapitulli i VII të Kartës së OKB-së dhe të cilat Jugosllavia e mbetur nuk i kishte përmbushur. Madje as pas vendosjes së Misionit të Verifikimit në Kosovë (KVM), më 1998 kur problemi më i madh mbeti çështja e 250,000 shqiptarëve të dëbuar, 30.000 prej të cilëve ishin në qiell të hapur në pyje, pa veshmbathje apo strehim dhe në prag dimri.. Në fakt, opsioni i përdorimit të forcës kundër politikës hegjemoniste të Milosheviqit kishte filluar të formësohej qysh në fillim të luftës dhe për fushatës së tij represive,48por përgjigja e Perëndimit fillimisht ishte ngurruese.

Përkundër kësaj, kundërshtarët e angazhimit ushtarak të Aleancës Veriatlantike në Kosovë vazhdonin të pohonin të kundërtën e kësaj, të justifikonin se dëbimi i shqiptarëve në masë nga Kosova kishte filluar tek pas tërheqjes së vëzhguesve të OSBE-së dhe fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s. Por, siç u tha edhe më lart, operacioni “Patkoi”, i përgatitur gjatë kohë nga ekspertët dhe ideatorët e politikës së  Serbisë, asfiksonte në embrion argumentet e tilla dhe ishte krejt e parëndësishme si do të quhej një plan i tillë për spastrime etnike në Kosovës.

 

vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …