(Thimi Mitko në përpjekjet për shkrimin e shqipes, me rastin e 125-vjetorit të vdekjes)
Thimi Mitkoja lindi në Korçë, më 1820 Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, pastaj vazhdoi në Manastir, Athinë, Plovdiv dhe Vjenë. Arsimimi në këto institucione patjetër do të ketë ndikuar në formimin e tij intelektual dhe patriotik. Do të ishte De Rada ndër të parët që do ta vlerësonte Mitkon, kur shkruante: “Eftimi Mitkua i Korçës ka qenë gur themeli i rimëkëmbjes së atdheut të tij. Lindi në një derë në të cilën dashuria e vërtetë për kombin e tij të braktisur ishte tradicionale”.
Pa mbushur ende 45 vjet, në vitin 1865 shkoi në Egjipt, ku u stabilizua përfundimisht deri në fund të jetës së tij. Menjëherë u përfshi në veprimtaritë patriotike të kolonisë shqiptare të Egjiptit, duke u bërë figura kryesore e shqiptarëve të atjeshëm dhe duke luajtur një rol të veçantë. Kjo shënon edhe një etapë të re të veprimtarisë atdhetare, por njëkohësisht edhe në fushën arsimore dhe kulturore. U lidh me shumë patriotë të kohës, si me De Radën, Dh. Kamardën, Thimi Krein etj., gjë që vërehet në letërkëmbimin e pasur, në të cilin ngre shumë probleme të rëndësishme që ndihmonin në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Ndërsa patrioti Spiro Dino (1844-1922), një vit pasi kishte ardhur autori ynë në Egjipt theksonte se “kishte dëgjuar se Mitkoja ishte shqiptar, shqiptar them se vetëm ky përpiqej për të shkruar gjuhën e vet”.1 Ai ndoqi edhe atë fushatë të egër që bëhej karshi gjuhës shqipe dhe martirëve të saj, si Naum Veqilharxhi etj.
Ndër krijimet e para do të përmendim dy poezi të Mitkos të përfshira në përmbledhjen e Dh. Kamardës “Dora d’Istrias – shqiptarët (1870)”. E para titullohet “Të fortëndriçimesë Zonjësë Dora d’Istriadë”. Kjo poezi nuk ka ndonjë vlerë ë veçantë, por është një vlerësim për Dora d’Istrian”.
Ndërsa poezia e dytë, “Ende këtë vetë zonjë”, është një krijim i shkruar plot frymëzim dhe ndjenjë dhe mbetet një nga poezitë më të bukura të autorit. Në një nga vargjet e kësaj poezie Dora d’Istrian e quan “Nishan për Shkypërinë”.
Mitkoja më shumë përmendet si folklorist, pasi është një ndër mbledhësit e parë të krijimtarisë popullore. Vepra më e rëndësishme e Th. Mitkos është “Bleta shqiptare”, botuar më 1878. Me interes është edhe parathënia e kësaj vepre, ku vihet re se autori ka njohur zhvillimet e kohës edhe në rrafshin gjuhësor. Për këtë citon filozofin gjerman J. G. Herder (1744-1803) që thoshte: “Një komb nuk mund të dalë nga barbaria në asnjë mënyrë tjetër, përveçse duke punuar gjuhën e vet”. Në këtë përmbledhje është përfshirë një fjalor shqip-greqisht, emra vetjakë, mbiemra të familjeve, shkrime gjuhësore etj. Në parathënien e fjalorit shqip-greqisht autori shënon se aty janë përfshirë ato fjalë të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe dhe hasen në këtë koleksion si të përdorur zakonisht ndër dialekte, si dhe një numër fjalësh shumë të rralla.
Vepër tjetër e Mitkos është dorëshkrimi “Mjaltë nga bleta”.
Shumë ide dhe mendime të autorit ne i zbulojmë nga korrespondenca që ka pasur me patriotët shqiptarë, disa prej të cilave do t’i vëmë në dukje në këtë shkrim.
Nën ndikimin e ngjarjeve të kohës dhe kryesisht pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mitkoja shkroi poezinë “Nxitje për shqiptarët për të shkruar gjuhën e tyre”, ku e konsideronte mungesën e shkrimit për shqipen një rrezik për ekzistencën e popullit shqiptar.
Dy vjet më parë, në vitin 2013, studiuesi Shpëtim Sala botoi dorëshkrimin e Thimi Mitkos “Fjalori italisht-greqisht-shqip”, në dy vëllime. Në të parin autori ka përfshirë fjalorin bisedimor të këtyre gjuhëve, ndërsa në të dytin kemi transliterimin dhe fjalësi e pjesës shqipe.
Th. Mitkoja vdiq në Beni Suef të Egjiptit, më 22 mars 1890, në moshën 70-vjeçare.
Është përfshirë në FESH, vëll. II, Tiranë, 2008, f. 1741-1742.
* * *
Përpjekjet e Mitkos për gjuhën e shkrimin e shqipes.
Me të drejtë është theksuar nga studiuesit e Mitkos se në fushën e gjuhës shqipe autori u përpoq të nxirrte në dritë pasuritë e saj dhe të ngrinte shqipen e folur në shkallën e një gjuhe të punuar të përbashkët. Nën ndikimin ndoshta edhe të bashkatdhetarëve të tij, ai jep edhe konsideratat e tij për gjuhën letrare shqipe të përbashkët, e cila do të përbëhet nga leksiku i të gjitha krahinave, si edhe i të gjithë pasurisë dialektore, duke përfshirë edhe ngulimet arbëreshe.2
Që në shkrimet e para Mitkoja sqaron pikëpamjet e tij për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, domosdoshmëri për lëvizjen tonë kombëtare. Rëndësi të dorës së parë në ato rrethana merrte shkrimi i shqipes me alfabetin e saj, botimi i librave, i një organi periodik etj. Edhe vetë Mitkoja do të ndërgjegjësohej për punën e tij në të mirë të kulturës dhe arsimit shqip. Ai kërkon një alfabet që të dalë edhe Shqipëria në dritë e të pushojë më së derdhuri gjakun e saj për botën e huaj.3
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX patriotët shqiptarë si iluministë që ishin, i mëshonin idesë që të lëvrohej gjuha amtare, pasi ajo e nxjerr një popull nga padituria, errësira dhe shtypja, pikëpamje të cilat i shpreh në parathënien e përmbledhjes “Bletës shqiptare”, në të cilën thekson se mund të zhduket padituria vetëm duke studiuar gjuhën amtare. “Gjuha amtare është ushqimi i parë i përbashkët që i jep gjallëri popullit”. Dhe autori vazhdon: ”…Në qoftë se Shqipëria lihet në padijen e saj, pa shkronja vendi dhe pa shkolla të popullit, atëherë sllavët me mjete më të forta dhe më praktike do të shpejtojnë për të gëlltitur racën shqiptare”. Për Mitkon përdorimi i një alfabeti për gjuhën shqipe ka vlerë të veçantë, pasi nuk lejon të asimilohet populli shqiptar dhe gjuha shqipe, siç vërehet në vargjet e mëposhtme të poezisë “Nxitje për shqiptarët…” në versionin e përpunuar e të botuar në gazetën “Zëri i Shqipërisë”, më 1880, ku shkruan:
Pa shkronja ju s’mund (të) mbahni,
S’mund (të) mbetni pa copëtuar,
Do të treteni, do të hahni,
Si një luath i pamburuar(=i pambrojtur).4
Fillimisht autori për çështjen e shkrimit të shqipes kërkoi që toskët të shkruanin me alfabetin grek, ndërsa gegët alfabetin latin. Ndoshta mund të jetë edhe ndikimi i Dh. Kamardës, që më 1869 propagandonte dy alfabete për shqipen. Gjithashtu duhet theksuar se autori, përveç shkronjave greke, që duhet të kishte shtypshkronja e Misirit, duhet të kishte edhe shkronja të posaçme që t’u përgjigjeshin kërkesave fonetike të gjuhës shqipe.
Më pas do të vërejmë metamorfozën që pëson Mitkoja në sistemin shkrimor. Në “Bletën…” (1878) zbatoi alfabetin grek të Dhimitër Kamardës të përdorur në veprën “Sprovë e gramatologjisë krahasuese për gjuhën shqipe” (1864), italisht, ndërsa një pjesë të letërkëmbimit dhe përgatitjen e botimit të veprës së dytë “Mjaltë nga bleta” përdori alfabetin latin. Kështu, Mitkoja po afrohej gjithnjë e më shumë me idealet Rilindjes Kombëtare në këtë fushë, kur në Perandorinë Osmane që në vitin 1867 kishin filluar përpjekjet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Më shumë përkrahës kishte pasur mbështetja në alfabetin latin për shqipen, i përkrahur nga I. Qemali, K. Kristoforidhi dhe në mënyrë të veçantë nga Pashko Vasa, i cili deklaronte se “Evropianët janë njerëzit më të ditur… Po kështu edhe ne shqiptarët, duke qenë evropianë, mund të marrim alfabetin e mirë dhe të bukur latin dhe të shkruajmë gjuhën tonë”. Me interes është edhe letërkëmbimi i Mitkos me patriotët shqiptarë edhe në fushën e shkrimit të shqipes. Në këtë bashkëbisedim Mitkoja me Thimi Krein nuk pëlqente variantin e alfabetit grek, të plotësuar me shkronja latine të Jani Vretos, me të cilin në vitin 1878 J. Vretoja hartoi kanonizmën e Shoqërisë së Stambollit, gjë që ndikonte keq në lëvizjen tonë patriotike, pasi koha kërkonte që forcat patriotike të mos përçaheshin, por të bashkoheshin. Në letërkëmbimin me De Radën ne njihemi me pikëpamjet e Mitkos për punën që ishte bërë në Stamboll për njësimin e alfabetit të shqipes, me miratimin e alfabetit të Stambollit (1879). Në letrën që i dërgon De Radës, më 17 qershor 1981, i shkruante: “Sa për shkronjëza të gluhësë sënë mun të jenë të mira ato të Samiut hëpërhë e pastajë tuke par’ e tuke bërë”. Disa vjet më vonë shkruante: “Mirë është të vihi mbë një të gjithë me alfabetin e Bukureshtit…” Dhe gjithnjë në përkrahje të këtij sistemi bënte thirrje se ka ardhur koha që “të vihemi ndënë një systemë të gjithë shqiptarëtë”. Ai nuk kërkon që t’i gjenden të metat. Për kohën, siç shkruan autori, ishte e nevojshme të përhapej një herë “pa mundet të ndreqet pastaj”.
Thimi Mitkoja në veprat dhe në letërkëmbimet e tij ka përdorur disa variante të alfabetit latin dhe grek. Nga kërkimet tona kemi arritur të ndeshemi në pesë variante të përdorimit të alfabetit latin gjatë viteve 1868 deri në vitin 1889.
Duke mos pasur përgatitjen e mjaftueshme filologjike, kjo mund ta ketë bërë që Mitkoja të endej sa në një sistem grafik në tjetrin. Mund të jenë edhe faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në pikëpamjet e tij. Ka përdorur edhe tri variante në krijimtarinë e tij ku ka zbatuar alfabetin grek, ndonjëri i përzier edhe me shkronja latine.
Edhe në dorëshkrimin e Fjalorit “Italisht-greqisht-shqip” të Mitkos është përdorur alfabeti grek që është zbatuar kryesisht te “Bleta shqiptare” (1878). Sh. Sala, botuesi i këtij fjalori, shkruan se “dorëshkrimi nuk i ka pasur shënimet identifikuese për autorin, titullin, vendin dhe vitin e dorëshkrimit… Në përfundim të krahasimeve të materialeve arkivore, pa asnjë mëdyshje doli se dorëshkrimi i Fjalorit “Italisht-shqip-greqisht” është shkruar nga Th.Mitko dhe e ka përfunduar këtë fjalor gjatë viteve 1887-1888”. Të habit fakti që Mitkoja pas viteve `80 të shekullit XIX kishte hequr pothuajse dorë nga përdorimi i alfabetit grek, ndërsa në Fjalor përdor këtë sistem shkrimor. Nuk mund të themi se autori ynë e ka pasur më të lehtë të përdorë alfabetin grek se latin, kur edhe në dorëshkrimin “Mjaltë nga bleta” (1889) ka zbatuar alfabetin latin. Ndoshta do ndjekur edhe fillimi i punës së Mitkos me këtë fjalor për të përcaktuar më saktë pse nuk zbatoi alfabetin latin në këtë dorëshkrim.
Referenca:
1.Cituar sipas Q. Haxhihasanit, Th. Mitko, Tiranë, 1962, f. 18.
2.Shih edhe : Q. Haxhihasani, Th. Mitko, Vepra, Tiranë, 1981, 51.
3.Letër e Th. Mitkos dërguar Dh. Kamardës,15.2.1978, në. Th. Mitko, Vepra, Tiranë, 1981, 622.
4.Acta Comparationis Litterarum Universarum Clausenburg, tetor 1879 (Sipas Q. Haxhihasanit, vep. e cit., f. 30).