Dr. Zenun Gjoci: Një roman për të sotmen historike

(A. QERIQI, “KOHA E JENIÇERËVE”,  (roman); botoi “Radio Kosova e Lirë”. Prishtinë, 2009)


 


Në forma të ndryshme të prozës publicistike e artistike, ka kohë që Ahmet Qeriqi ka trajtuar tema kyçe historike, prej atyre  iliro-shqiptare, madje që nga shekujt e hershëm të kohës egjiptiane e këndej, qoftë në vështrimin publicistik apo thjesht historik, qoftë në pikëpamje letrare artistike, siç është romani më i ri me tematikë historike, gërshetuar me elemente shoqërore e kombëtare, me titull  “Koha e jeniçerëve”.


 


1. Motivimi


 


                Duke qenë njohës i mirë i historisë, jo vetëm kombëtare, i letërsisë e i disa gjuhëve të huaja, si ato të gjuhëve sllave, asaj italiane, hungareze, paka shumë turke dhe arabe etj, (si ish-nxënës i medresesë), këtë herë autori trajtoi një periudhë të errët të historisë sonë, të përbaltur nga ideologjitë e huaja, sidomos të atyre historiografike serbe, që përpiqet të hedhë jo vetëm baltë, por edhe katran të valë për ta gëlltitur e përhapur idenë e  tjetërsimit të territorit e kombit shqiptar, sidomos të Kosovës, të formuluar me sintagmën si “djep i Serbisë”. Në pseudo historiografinë e tyre shekullore, të përhapur kudo që kanë mundur, në gjuhë të ndryshme, shqiptarët jo vetëm të Kosovës trajtohen të ardhur që nga viti 1690, kur gjoja serbët janë detyruar të shpërngulen nga shkaku i invazionit turk. Një prej motiveve të hartimit të romanit historik “Koha e jeniçerëve” të Ahmet Qeriqit, për një periudhë historike (fundi i sh. 17 e fillimi i sh. 18, apo që nga 1690-1734), sidomos lëvizjet fizike nëpër rajone e fe të ndryshme të popullatës së Drenicës jugore që përbën boshtin e veprës, të argumentuar me elemente historike të mbështetura në historianë të shquar me përmasa botërore, si Josef von Hammer (“Historia e Perandorisë turke” I, II, III); Ferdinand Schevil (“Ballkani, historia dhe qytetrimi”), Jokai Mor (“A Feher rusa”), Reshad Ekrem Koçu (“Halil Patrona”,roman), ndonjë historian serb (D. Batakoviq, “Shpërngulja serbe”, T. Vukanoviq etj.), por edhe në historianë shqiptarë: S. Frashëri, Sabit Uka,  M. Ternava, I. Zamputi, etj., por edhe në veprën  Historia e popullit shqiptar, I .


               


2. Konvertimi


 


Prej këtu, Qeriqi nis rrëfimin historiko-artistik, pa e prekur gjithaq pseudo historiografinë sllave, sidomos atë serbe, duke e trajtuar konvertimin në hapësirën e Kosovës, pa pretendime të njëanshme, as vetjake e as  vetëm artistike. Megjithatë, nuk është ky i vetmi komponent i veprës. Boshti kryesor i saj është pushtimi osman mbi Kosovën, i lokalizuar artistikisht, në Drenicën jugore, në luginën e Komaranit, në mes Kodrës së Goleshit, në njërën anë, Kozmaqit e Rrafshnaltës së Berishës në anën tjetër, që nga Malmiri në perëndim, deri te Petrashi në lindje, të robëruar e të përvuajtur nga zjarret e jashtme dhe të brendshme të saj përçarjet, grindje me njëri-tjetrin). Në pasthënien e tij me titull “Disa shpjegime për lexuesit” autori pohon se i ka prekur dy rrjedha kryesore: “atë reale historike dhe atë imagjinare artistike, që varet nga e para dhe që është e kushtëzuar nga ajo” (f. 315)


                Vepra vihet në funksion narrativ disa kulmor, të dala prej një trupi, atij të luftës për liri, që pak duket në horizont, sepse vranësira ia ka zënë rrezet. Lufta përqendrohet në ruajtjen e fesë së deriatëhershme, në kacafytje me tendencat e islamizimit.


Asokohe, kur trajtohet syzheu i romanit të A. Qeriqit, jo vetëm në trojet tona, lufta i ka detyruar banorët e të njëjtit komb të bigëzohen jo vetëm fetarisht në dy fe (krishten e mysliman e tri besime (katolikë, ortodoksë e myslimanë), por edhe luftarakisht, varësisht nga interesat fetare, duke u rreshtuar disa me Pikolominin e disa të tjerë me ushtrinë osmane, por jo kundër vetvetes, sepse nuk kishte arritur të formonin ndonjë njësi shtetërore, për arsyen të principatave të shumta të pa konsoliduara brenda një njësie shtetërore, siç pat ndodhur tre shekuj më parë me shtetin serb, ku iu kundërvu Gjergj Brankoviqi.


Madje, pak më vonë se në periudhën historike të tematikës së romanit, Ali Pashë Tepelena e Mahmut pashë Bushatliu kundër Portës dhe, pak a shumë pretenduan formimin e një a dy pavarësi të ndara shqiptare, të bigëzuara e të pa konsoliduara.


Kushtet e rënda të jetesës së shqiptarëve natyrash të ndryshme, të asaj treve në roman artistikisht paraqiten të rënda. Ato kanë ndikuar që të dominojë qëndresa  për mbijetesë, sesa  lufta për pavarësi, nga shkaku i plogështisë popullore, mungesës së shkollimit, nivelit të ulët të jetesës, kushteve të rënda në robëri etj. Në anën tjetër, popullatës iu kishin lëshuar shumë të liga, si: uria, skamja, acari, thatësia, pushteti, pos tjerash edhe mortaja. Por konvertimi për ta ishte barra më e rëndë për vendësit, sepse ishte zor të ndahej nga shpirti e zoti i tyre, siç do të thoshte Naimi një shekull më vonë, i vendosur këmbëkryq në zemrën e njeriut. (megjithëse te Naimi, Zoti ka kuptimin e përgjithshëm të Hyjit, sundimtarit të universit, me veshjen e poetizuar metaforike). 


Të dyja vijat vendimtare të luftës së bërë me shekuj, qofshin ato të përgjakshmet apo të vasalitetit si Serbia etj., i kanë partizanët e vet, por e para ka zënë primatin. Tjetër gjë është sot, kur shqiptarët e Kosovës, me luftë e diplomaci, e përvetësuan opinionin ndërkombëtar.


Filozofia historike dhe metafora e humbje-fitores dhe të fitore-humbjes së të gjitha fuqive të mëdha të të gjitha kohëve, i kanë partizanët e vet. Perandoritë e fuqishme botërore, si ajo egjiptiane, greke, romake, turke, së fundi nazi-fashizmi, kanë humbur përmes fitoreve të raundit të parë, sikundër të gjitha kryengritjet e skllavopronarëve, jeniçerëve, kryengritësve ndër shekuj kanë fituar përmes humbjeve të raundit të parë. Sot nuk ka ndonjë popull, komb a fuqi e antikitetit, qoftë edhe e  mesjetës që arriti të jetë në pozitë superiore mbi të tjerët. Kështu i ndodhi edhe me kryengritjen nën udhëheqjen e Halil Patronës, i cili e humbi betejën, por pak a shumë shkaktoi reforma në perandorinë osmane.


                Me një dendësi të ngjeshur elementesh më tepër letrare, në vepër kanë marrë jetë ngjarje e tradita mesjetare, të zhvilluara nën peshën e rëndë të fenomeneve të natyrës (acari, thatësia, mortaja etj., që i prekte të tria besimet) dhe ato shoqërore (robëria, kontradiktat e brendshme ndërfetare, paksa më të lehta, si lehtësimi i taksave dhe i dajakut për besimtarët myslimanë). Në këtë mënyrë autori e ka aktualizuar temën kyçe të mesjetës së caktuar, kryesisht konvertimin me të cilin lidhen edhe faktorë të tjerë.


Sa i përket vijës kombëtare, në roman e në atë kohë nuk kishte pse të shihej ndonjë rrezik gjithaq i ndjeshëm. Një numër historianësh, konvertimin e shohin në prizmin e largimit më tepër nga besimi ortodoks, mjaft i gjerë në Shqipërinë veriore e perëndimore (Kosovë e Shqipëri të sotme politike veriore), për të mos u përzier me identitetin kombëtar sllav. 


                Përgjithësisht, në këtë pikëpamje, vepra e A. Qeriqit, trajton zbrazësinë faktografike e studimore historike të fundit të sh. 17 e fillimit të shekullit 18, të shfrytëzuar e të falsifikuar nga historiografia sllave, si dhe të përqendruar kryesisht në konvertimin fetar, tistikisht e territorialisht të përqendruar veçmas në Drenicën jugore, që artistikisht përfaqëson Kosovën e më gjerë. Vetë konvertimi, me laramaninë e aty-këtushme përfaqëson mbarë shqiptarinë, dy fetare tri besimesh (katolik, ortodoks e mysliman) ku, si fushë e ndërsjellë fetare brenda një kombi në Ballkan është më e theksuara. Kjo mund të arsyetohet nga karakteri i shpirtit kryengritës i këtij kombi, nga fati i keq për numrin e vogël të banorëve të mbetur me gjak e gjuhë të pastër të origjinës ilire në një anë dhe, nga plleshmëria tokësore e lakmia e fuqive të huaja jo vetëm sllave, në anën tjetër.


 


3. Linjat


 


Në dukje të parë të veprës, bien në sy dy linje kryesore: procesi i islamizimit të shqiptarëve e popujve të tjerë të robëruar, së dyti, përpjekja për rrëzimin e pushtetit qendror osman në Stamboll, për shkak të reformave të filluara atje e të zgjeruara ndër koloni, në anën tjetër. “Në dhjetor të vitit 1714, kreu administrativ i Portës së lartë në Stamboll kishte bërë një varg reformash…ku ishin dukur shenjat e një epoke të re… në horizontin e mugët…Epoka e paqes, e quajtur “e tulipanëve” të Sulltan Ahmedit ishte ndier për një çast edhe në Drenisën e rebeluar, ku qeveriste Selim agai me kohortën e tij të fuqishme të jeniçerëve vendës” (f. 178). Kalon pak kohë dhe vërehet se pushteti i tillë ndërron vetëm ndonjë pjesë të veshjes. Madje, krejt vonë, Selim agai e kajmekami i Prishtinës e kuptojnë se Halil Patrona e kishte ndërmend të fillojë kryengritjen për përmbysjen e pushtetit të Perandorisë Osmane, punë kjo e madhe me përmasa ndërkombëtare, ku do të përfitonin edhe shtetet e robëruara. Me gjithë shuarjen e kryengritjes së jeniçerëve, politika qeverisëse u detyrua të bëjë ndryshime…


Halil Patrona si kryejeniçer erdhi në këtë botë e në Perandori osmane (Stamboll) me stilin e ngjashëm të misionit kristian, jo për ta përmbysë perandorinë osmane si pushtuese të popujve, por ta shpëtojë atë nga fajet e veta, për të cilën vepër e pësoi. Por shuarja e kryengritjes së komanduar prej tij, si Spartaku dikur, sadopak solli një progres. Ai e sfidoi shterpësinë e vlerave njerëzore, amoralitetin, përuljen, nënshtrimin dhe shtypjen e lirisë, duke e ditur se mund të vdesë, si shumë figura madhështore historike, para e pas tij, megjithatë ndezi shpresat e mundësisë së fitores për liri. Ai demonstroi se lufta për liri e ka efektin e vet që nga nisja., qoftë edhe me dëme njerëzore, siç i ndodhi atij, rrethit të ngushtë të gjakut të tij dhe qindra të tjerëve nacionalitetesh të ndryshme e qëllimit të njëjtë, që iu bashkuan.


Shikuar më tej, a s’janë popujt e sotëm jeniçerë të djeshëm, të quajtur atëkohë “fantazma”, gjatë natës pesëshekullore të një perandorie, ku asnjëherë nuk perëndonte dielli, as nuk mund të zbriste si trup qiellor në tokë, pos në majat e shpatave të ushtrisë perandorake?.


E jeniçerët, si skllavo-pronarët e dikurshëm, në krye me Spartakun,  kryengritësit e mëvonshëm të sistemeve feudale, borgjeze, koloniale etj., e rrëmbyen diellin jo veç për vete dhe s’bënë si pushtuesi, sepse vetë e kishin vuajtur shtypjen mbi  kurriz. Bota ishte mjaft e madhe sa të ketë jetë mbi tokë për të gjithë.


Duhet theksuar se A. Qeriqi bëri një punë të madhe letrare e historike në gjurmimin e ndriçimin e figurës së krye jeniçerit të famshëm shqiptar në Stamboll, Halil Patronës, për të cilin e shkroi edhe një monografi historike të veçantë, bazuar në veprat e historianit austriak Josef von Hammerit dhe të qindra autorëve të tjerë, të cilët e  kanë zbuluar qysh moti këtë figurë madhështore historike të sh. 18, që i solli ndryshime pushtetit perandorak në të mirë të popujve, sadopak edhe popullit të vet shqiptar. Si shqiptar, Halil Patrona i tejkalon mundësitë shprehëse të kërkesave të lirisë së njeriut në përgjithësi…Dëshmon se s’e detyron jo veç pushtimin e popullit të vet, por as të tjerat, madje as të popullit turk brenda shtetit. Autori përbirohet dhe depërton në zemrën e problemeve të brendshme shqiptare, në ato udhëkryqe të paqarta, ku shpirti luftonte me mishin e ashtin, për ta ruajtur të deriatëhershmen e për t’i shpëtuar sfidës aktuale: robërisë, konvertimit, vuajtjes, taksave, urisë, skamjes, përuljes, nënshtrimit etj.


Nëpër shekuj, ne nuk dimë gjithaq a kemi humbur duke luftuar, a kemi fituar shpesh duke humbur? Në veprën e A. Qeriqit, krye jeniçeri Halil Patrona, thotë: “Skënderbeu më mirë do të ishte të luftonte për rrëzimin e Perandorisë, se të shkonte të luftojë për pavarësinë e Arbërisë”, me kuptimin se shkatërrimi i saj do të sjellë automatikisht jo vetëm lirinë e shqiptarëve.


                 Sa i përket organizimit kryengritës të shqiptarëve në kohën e trajtuar në veprën e A. Qeriqit, nuk vërehet ndonjë gjallëri programatike kryengritëse sadopak të organizuar. Asokohe, jo veç shqiptaria ishte  e dremitur nën peshën e rëndë të robërisë, e sfilitur që nga vdekja e Skënderbeut e mbarimi i luftës shqiptare-osmane e vazhduar dhe e shuar nën komandën e Lekë Dukagjinit. Kishte do grupe komitësh të pakoordinuar t gjithaq me program të paqartë kombëtar përreth Kozmaqit, që kacafyteshin me vështirësi natyrash të ndryshme, pos tjerash, edhe me grabitje vajzash e ndonjë rebelim të zbehtë kundër qeverisë osmane, pa ndonjë ndërlidhje të programuar revolucionare, gjë që ishte e arsyeshme. Duhej kohë e punë ideologësh, që mungonin asokohe, së pari për t’i formuluar pikat programatike, por edhe për t’i ndiznin flakë zemrat e popullit për luftë të armatosur, së paku për një lëvizje kaçakësh. Madje, edhe në atë gjendje gjithaq të pa orientuar në mënyrë të qartë programatike kombëtare, ishin si hekuri i skuqur midis kudhrës e çakanit, pushtetit të Selim agait dhe kishës ortodokse sllave të Deviqit me besimtarët e tjerë., që përcillnin çdo lëvizje të komitëve.


 


4. Përbërja morfonologjike dhe etno-semantike e personazheve


 


Një karakter vetjak morfonologjik e samantik autori u jep shumicës së vendbanimeve si: Banja, Çikati, Domeniku, Malmiri, Ndreniku Krajku, Korroti, Komora, Zabeli, Pikleku, Sankova, Ujkashi, Petashi, Lypovija, Leonesha, Alpushi, Konzharika etj, pos qyteteve Peja e Prishtina, si edhe disa emrave e mbiemrave të  personazheve të veprës: Gjon Leku, Ndue  e  Ujkan Qiriaqi, Zef Allori, Mariga Grapi, Dan Hazari, Dile Jaku, Gjin Trolli, Bdek Rizonit, Jak Dreni, Xhirit Gashi, Uruq Zani, Murat Prekasi, Uranie Qirjaqi, pos fizionomisë mor-fonologjike kanë edhe shtrirje semantike kombëtare, që përbëjnë mish, gjak e kockë të përhershëm semantik kombëtar.  Mirëpo autori nuk ka si t’i deformojë disa emra personazhesh, për shkak të diskursit historik, si Radovan, Jovan Mati, që më tepër u vie era ortodokse, apo: Gjon, Ndue, Zef etj., të besimit katolik Ata nuk janë gjithaq të vetëdijshëm se ç’duhet bërë. Autori nuk ka pasur mundësi të dalë mbi realitetin.


Vetëdijësimi kombëtar u krijua një shekull më vonë, kur pasoi periudha e Rilindjes kombëtare. Atëherë, në kohën e mulla Ibrahimit, etj., duhej rezistuar për ruajtjen e fesë autoktone, të gjuhës, identitetit kombëtar, me gjithë vështirësitë, por për shkak të mbijetesës mbi fatkeqësitë pushtuese, shtypjes, shfrytëzimit e skamjes, duhej menduar a ia vlen të rezistohet ndaj konvertimit. Larmia e personazheve, jo vetëm bardh e zi, në pikturimin, jo vetëm fetar, e pasuron koloritin artistik të shprehësisë së karaktereve. Në vepër del se Gjon Leku është më i afërt me mulla Ibrahimin se me disa nga bashkëfshatarët e bashkë fetarët e vet. Ai i zgjedh personazhet, varësisht nga diskursi estetik i intencës narrative. Qeveritari i Drenicës jugore, me seli në Komorë, Selim agai, është njeri me pushtet të pakufishëm në shumë pikëpamje, madje i përcjellë me leqe shpirtërore, ndonëse i gjakut shqiptar, i lindur në Ludovik të Drenicës veriore. Misteret e zbuluara më vonë, sikur e zbusin egërsinë e tij, sidomos kur e zbulon mbesën e vet Marigon, pendohet për vrasjen e mulla Ibrahimit etj. Në fund zhduket, sigurisht sepse nuk deshi të jetë më ai që ishte, luftëtar i denjë i sulltanit, apo mbase vetë autori  e imagjinoi ashtu. 


               


5. Metafora e riprodhimit të historisë së korrigjuar


 


Vepra është një histori e letrarizuar me të dhëna shpesh historiografike, gërshetuar me fantazinë letrare artistike të autorit, për t’i shprehur komponentet jetësore-kombëtare të së kaluarës, për të treguar historinë e një Shqipërie ndryshe, përmes një kohe të errët e të pashembullt, të patrajtuar deri më tani nga ana artistike e penës shqiptare, për një si zbrazëtirë tematike historike-letrare me një strukturë vetjake e fizionomi të re artistike.


Me të kaluarën kombëtare, autori  guximshëm shpalos të tashmen e zymtë Në personazhet kulmore të veprës shihet një trekëndsh: krye sundimtari i rajonit me qendër në Komorë, Selim agai, pastaj Gjon Leku një personalitet autoritativ i Malmirit dhe hoxhë Ibrahimi, që të tre shqiptarë, por rrugësh të ndryshme institucionale e fetare.


Si çdo shkrimtar, A. Qeriqi është i mishëruar me subjektin e figuracionin e veprës, me ato forca shpirtërore shqiptare të kohës, për të cilat i dhemb zemra për të drejta atdhetare e njerëzore. I ndodhur në një amulli të qëllimshme mesjetare, autori shkathtësisht zgjedh forma letrare, metafora, e simbole të krijuara mjeshtërisht. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët kanë mbetur me të madhe me dy biga të trysnisë ndërkombëtare, lindje-perëndimore, për të mos u prekur asnjëri padron, në kohët e vrugëta të tashmes dhe të ardhmes së errur si asnjëherë më parë. Ky paradoks narrativ e sforcon semantikën dhe intencën letrare


Autori sistemoi mirë kodin estetik të personazheve, duke i zgjedhur jo formalisht, sa për ta thurur veprën, por për ta ndërtuar diskursin artistik e mesazhin përmes intencës narrative, me ngjyrime politike-ideologjike, i gjendur në një kohë që vlon në ndryshime, autori e shpalos procesin e islamizimit ndër shqiptarët dhe vështirësitë që duhej kapërcyer (p. sh. synetia te pleqtë), pastaj kacafytjen me dukuri të vështira jetësore, shoqërore e natyrore të banorëve, si skamja, acari, thatësia, shfrytëzimi (taksat) etj., nën kërbaçin e së cilës rrjedh gjak e nënshtrime të popujve, konvertime të dhunshme këto, që t’i shpëtohet vdekjes nga uria.


 


6. Mesazhi


 


Përmes kësaj vepre, autori futet në thellësi të shpirtit të vetëdijes sonë shqiptare për të nxjerrë në sipërfaqe esencën e ruajtjes së vlerave dhe mbrojtjen nga shtrembërimi e tëhuajsimit i tyre. 


Pos tjerash, metafora e konvertimit të autorit merr ngjyrime të tjera, mbase si simbol apo alegori të përleshjes, kryqëzimeve ideologjike socialiste-kapitaliste që nuk po ka kush guxim ta emërtojë me emrin e vërtetë të kolonializmit të fshehur apo të pa diktuar në formë moderne, të kamufluar me emrin “liri e popujve”. Në të vërtetë kemi të bëjmë me lirinë e diktuar nën hijen e organizatave të mëdha botërore. Nga vepra fitojmë përshtypjen se konvertimi i shqiptarëve në ato vite (mbase i ideologjive në kohën e sotme) ishte sipërfaqësor, rrejshëm, i dymendshëm, me gojë islam, me shpirt i krishterë, me lindje e me perëndim, le të del ku të dalë.


Me këtë do të thoshim se ka një sintetizim pikëpamjesh ideologjike se identiteti i shqiptarëve është i një rrënje evropiane dhe se orientalizmi i imponuar në shpirtin e shqiptarit e ka zbehur sadopak këtë identitet, por nuk e ka rrënuar.


Edhe pse gjatë historisë, shqiptarëve nuk iu nda kërbaçi mbi kurriz, me pasojat e mëtejme u ka kushtuar shtrenjtë përçarja, përshpirtja, pluralizmi fetar, nënshtrimi ndaj skamjes, por ajo më e rënda ishte kafshimi i mëvonshëm i territoreve shqiptare nga shtetet fqinje, që nga viti 1876-9 e deri më sot, pikërisht në ditët e sotme, me rastin e pretendimit të shkoqjes së Kosovës veriore etj.


Andaj, vepra është shtjellim artistik, bazuar në një periudhë të errët historike shqiptare. Ajo ngërthen dhe i tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbysur ligjet e ngurta të saj. Kur ta marrim mend se letërsia riprodhon të kaluarën, për ta shprehur të tanishmen e të ardhmen, na bie në mend se “historia është ngjarje që ka ndodhur dje, ndërsa letërsia është histori që do të ndodh sot ose nesër”, vepra e A. Qeriqit e reflekton tragjikën e shqiptarit dhe peripecitë e tij, prej të cilave del mesazhi specifik: dy duar për një krye, shumë koka për një ditë më të mirë.


Letërsia i riprodhon kohët, për ta realizuar mesazhin artistik për një jetë më të mirë të kombit, popullit, njerëzimit, varësisht nga fuqia mendore artistike e dimensionale e shkrimtarit. Pos tjerash,  romani “Koha e jeniçerëve trajton shpërnguljen e filluar në qershor 1690, datë kjo e “shenjtëruar” falso dhe e tëhuajësuar nga historiografia sllave për Ballkanin, gjoja si ikje e serbëve nga invazioni i perandorisë osmane, në të vërtetë ikje e popullatës krishtere ballkanike, andaj edhe e shqiptarëve, përkundër pseudo historiografisë serbe, prej së cilës deri vonë qe verbuar edhe historiografia perëndimore, në mungesë të historiografisë së mirëfilltë shqiptare e historisë mishmashe joshqiptarë të veçantë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …