( Fjalë rasti në përurimin e filmit, organizuar nga shoqata kulturore ”Ymer Prizreni,” më 28.4.2017, Sharr (Dragash)
Të nderuar të pranishëm, kryetar i Ansamblesë Komunale të Sharrit (Dragashit), z. Shaban Shabani, prof. dr. Sabahajdin Cena dhe pjesëtarë të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kryetar i shoqatës kulturore ”Ymer Prizreni,” z. Bedri Halimi, profesorë e studentë, shoqata kulturore ”Ymer Prizreni” ka realizuar dokumentarin kushtuar myderriz Ymer Prizrenit, figurës së madhe politike të historisë sonë më të re, që vjen nga kjo anë, nga Zgatari i Opojës, i lindur në vitet ’20 të shekullit XIX. Ky film dokumentar për Ymer Prizrenin shfaqet sot para jush, në vendlindjen e tij, duke e kujtuar me shumë respekt kontributin e tij të madh kombëtar, në prag të 200-vjetorit të lindjes, po edhe të përvjetorit të vdekjes së dhunshme në Ulqin. Aty është varri i tij, mirë i ruajtur. Gjendet në varrezat e familjes Mollabeqiri. Dokumentari për Ymer Prizrenin paraqet të dhëna për rininë e tij të hershme në vendlindje, për gjendjen e Shqipërisë së robëruar në atë kohë nga osmanët, për shkollimin, për përfundimin e studimeve të teologjisë islame, për punën në Medresenë e Prizrenit, si dhe deputet në parlamentin osman, veprimtar në Komitetin e Stambollit, që kryesohej nga Abdyl Frashëri, ndihmues i shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, të ndjekur nga Serbia, më 1877-78 etj.
Të nderuar të pranishëm, ky dokumentar sjell edhe të dhëna për Ymer Prizrenin, në detyrën e kryesuesit të Komisionit, që organizoi mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm në Prizren, nga doli Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 1878, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Ishte ky vit kur nga Lidhja vritet Maxharr Pasha në Gjakovë (shtator 1878). Në vitin vijues, 1879, u zgjodh kryetar i Lidhjes, kur Mali i Zi sulmoi Vilajetin e Kosovës, për t’i pushtuar Plavën e Gucinë, në dhjetor 1879. Forcat shqiptare, në Betejën e famshme të Nokshiqit, e thyen keqas ushtrinë e knjaz Nikollës, të cilën e komandonte Mark Milani, kurse në këngë u bënë të pavdekshëm Adem Isufi e Rexhë Avdia.
Dokumentari sjell të dhëna edhe për betejat e njohura të janarit 1880, kur nga shqiptarët u thye përsëri ushtria e Malit të Zi. Aty u shkel përfundimisht vendimi i Evropës në Berlin që Plava e Gucia t’i jepen Malit të Zi. Ushtria vullnetare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit doli fitimtare kundër një ushtrie të rregullt e të armatosur mirë, madje, e ndihmuar në përgatitje edhe nga disa oficerë nga Rusia. Plava e Gucia shpëtuan nga pushtimi, ndonëse për liri u flijuan shumë dëshmorë, e ndër ta ranë heroikisht edhe dy komandatët e shquar, Jakup Feri e Çelë Shabani. Mali i Zi, po at vit, në prill, humbi edhe betejën tjetër me shqiptarë, në Rzhanicë e Helm, për pushtimin e Hotit e të Grudës. Por, Evropa përsëri zëvendësoi Plavën e Gucinë dhe Malit të Zi ia dha Ulqinin. Dorëzimin e tij e kreu Dervish Pasha, në nëntor, përkundër rezistencës së përgjakshme të forcave të Lidhjes, ku ra dëshmor edhe komandanti Isuf Sokoli.
Në vitin vijues, 1881, Ymer Prizreni u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme të Lidhjes, në kohën kur Dervish Pasha arreston krerët e Shkupit dhe sulmon forcat e Lidhjes. Pas thyerjes së qëndresës heroike në Grykë të Kaçanikut, e pastaj në Slivovë e Shtime, ku fituan përjetësinë Mic Sokoli e Sefë Kosharja, ai pushton Prizrenin, kryeqytetin e Lidhjes, me 24 batalione, më 23 prill, por as Lidhja e as kryetari i saj nuk u nënshtruan. Ekipi i filmit e kreu si duhet punën: regjia- Arbër Krasniqi, narrator- Besart Galica, muzika- Arbnor Gjinovci, kamera- Zyber Krasniqi, montazhi- Shpend Morina, realizimi- Tri dritare Production. Është ky një dokumentar me rëndësi për Ymer Prizrenin, meritë e shoqatës kulturore ”Ymer Prizreni”, për udhëheqësin e shquar të Lëvizjes Kombëtare dhe kryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.