(Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, vëllimi II, përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11. 2008, përgatitja për shtyp: Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Prishtinë, 2018, ISBN 978-9951-497-80-0; 978-9951-497-82- 4, 308 f.)
Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Prishtinë dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, me rastin e shënimit të dyzetvjetorit të Demostratave të vitit 1968, organizuan konferencë shkencore në Prishtinë, më 24.-25.XI. 2008. Kumtesat e dorëzuara dhe të përgatitura për shtyp më 2012 po botohen tash, në dy vëllime, me titull Demonstratat e vitit 1968.
Në vëllimin e dytë të librit prin kumtesa për veprimtarin Ismail Dumoshi, nga Izber Hoti, ’’Ismail Dumoshi – trupi dhe shpirti i demonstratave të vitit 1968’’: Ismail Dumoshi ishte njëri nga përhapësit e shquar të arsimit kombëtar dhe të përparimit në përgjithësi. Ishte një nga ideatorët dhe udhëheqësit e demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë e më gjerë. Roli i tij në këto demonstrata shquhej nga nxitja deri te mbrojtja e idealeve dhe të synimeve të tyre, thekson ai.
Izet Baraliu, ’’Rrethanat që iu paraprinë demonstratave shqiptare në rrethin e Therandës më 1968’’: Sikur që është e ditur, UDB-ja kishte ushtruar dhunë gjithandej Jugosllavisë, sidomos mbi popullin shqiptar, qëllim të vetëm: zhdukjen e qenies shqiptare. Për të gjitha këto krime, dhunë e masakra, kanë qenë të punuara elaborate e elaborate, të kryesuara prej vetë Titos, tha ai.
Jakup Mehmeti, ’’Kontributi i Ismet Ramadanit në veprimtarinë atdhetare në Ferizaj me rrethinë’’: Më 26 mars 1999 serbët i masakrojnë Ismet Ramadanin dhe Haki Brahën. Për aktivitetin e Ismet Ramadanit mund të flitet me vite, por ajo le të mbetet detyrë e historianëve për të punuar dhe për të lënë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë më të re të popullit shqiptar, vë në pah ai.
Kadri Rexha, ’’Vitet e qëndresës të popullit shqiptar’’: Qëndresa e popullit shqiptar ndaj dhunës kolonialiste të Beogradit dhe diskriminimit kombëtar në vitet gjashtëdhjetë po hynte në një etapë tjetër të stoicizmit dhe po e hapte në perspective një luftë të re në pajtim me kushtet dhe rrethanat e kohës, përfundon ai.
Luka Gjokaj, ’’Demonstratat shqiptare të vitit 1968 dhe jehona e tyre në Malësi’’: Malësia është krahinë shqiptare, e ndarë nga Fuqitë e Mëdha. Por, askund në Mal të Zi, nuk kishte asnjë shkollë të mesme në gjuhën shqipe. Më 6 tetor 1968, mijëra studentë, nxënës dhe qytetarë në Prizrenit kërkuan Kosovën- Republikë. Aty dhanë ontribut të çmuar edhe studentët dhe nxënësit e Malësisë me qendër në Tuz, që shkolloheshin aso kohe në Kosovë, tha ai.
Lush Culaj, ’’1968-ta – viti i revoltës studentore në Evropë’’: Në periudhën e viteve 1967-1968, një valë revoltash preku shumë vende të Evropës, si: Italinë, Spanjën, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Çekosllovakinë etj. që kishin kryesisht programe majtiste. Në këtë rast Kosova dhe çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve në Jugosllavi ishin një rast sui generis. 1968-shi shqiptar ishte kryesisht manifestim i vazhdimësisë së pandërprerë të lëvizjes sonë kombëtare, përfundon ai.
Murat Blaku, ’’Universiteti i Prishtinës dhe demonstratat e vitit 1968’’: Nga kuadrat universitare, bërthamën e të cilëve e përbënin Fehmi Agani, Ali Hadri, Gazmend Zajmi e të tjerë, u shtruan në mënyrë të prerë, të argumentuar e pa ekuivoke kërkesat mbarëpopullore për korrigjimin e të gjitha padrejtësive që u ishin bërë shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore. Demonstratat shqiptare të vitit 1968 s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit. Demonstratat e vitit 1968 u ideuan në Universitet, vuri në pah ai.
Myrvete Dreshaj-Baliu, ’’Konceptet politike të Jusuf Gërvallës mes ideologjisë dhe lirisë’’: Ai angazhohet për një tejkalim të situatës nga bartësit e pushtetit në radhët e shqiptarëve, jo duke i mënjanuar, por duke i ftuar që të vetëdijësohen, ndonëse ndërrimin e fatit historik të popullit shqiptar nuk e shihte në duart e tyre, por mbi koncepte të tjera. Përmasat e angazhimeve të tij sociale, ideologjike dhe politike në realizimin e lirisë së popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi, mbase më së miri i theksojnë edhe përfundimet e tregimeve të tij, konstaton ajo.
Nail Draga, ’’Ndikimi i Demonstratave të vitit 1968 në procesin arsimor te shqiptarët në Mal të Zi’’: Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë patën efekte pozitive edhe në viset shqiptare në Mal të Zi. Pothuajse në të gjitha vendbanimet shqiptare filluan të hapën shkollat me mësim në gjuhën shqipe. ndërsa tekstet shkollore filluan të përdoren ato që botoheshin në Kosovë. Por, kjo zgjati deri në vitin 1981, pohon ai.
Nikë Ukgjini, ’’Demonstrata e shqiptarëve (1968) në prizmin e të drejtës Hyjnore dhe njerëzore!’’: Kërkesat e lëvizjes studentore më 1968, në njësitë tjera federale, kishin përmbajtje tjetër në krahasim me ato në Kosovë. Këtë e dëshmojnë parullat e demonstruesve, në të cilat shkruhej: “Duam vetëvendosje”, “Duam Republikën e Kosovës” etj. Edhe pse shqiptarët morën përgjigje ndëshkuese, kërkesat e tyre ishin në përputhje të plotë me Konventën e OKB-së (20 maj 1963), thotë ai.
Resmije Kryeziu, ’’Vitet ‘70, kohë e kthesave në botën shqiptare’’: Demonstratat e 68-ës Kosovës i ofruan një ndërgjegjësim të rëndësishëm për ruajtjen e rrënjëve të qenësisë kombëtare. Në këtë kohë letrat shqipe u pasuruan me autorë të rinj, në kuadër të të cilëve nisi të zërë vend edhe gruaja krijuese. Më 1974, Kosova përjetoi një përparim në pikëpamje të ndryshimit të pozitës së saj në Federatën jugosllave me miratimin e Kushtetutës, pohon ajo.
Riza Sadiku, ’’Demonstratat e vitit 1968 dhe përkrahja e tyre në shtypin e Ballit Kombëtar në mërgim’’: Mërgata shqiptare, gjatë të gjitha periudhave historike, kujdes të veçantë gjithmonë i ka kushtuar çështjes kombëtare, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Demonstratat e vitit 1968, përmes shtypit të Ballit Kombëtar dhe organizatave të tjera politike në mërgim, kanë ndërkombëtarizuar çështjes së pazgjidhur shqiptare në ish- Jugosllavi, përfundon ai.
Sabile Keçmezi-Basha, ’’Karakteri kombëtar i programit të Demonstratave të vitit 1968’’: Njëzëri u kërkua që trajtimi i popullit shqiptar si “pakicë kombëtare” të avancohej në nivelin adekuat, me njohjen e statusit të kombit, ndërsa Krahinës së Kosovës t’i njihej statusi i Republikës. Nga gjiri i popullit doli kërkesa sublime, populli brohoriti me një zë: “Duam Kosovën-Republikë” dhe kërkesa mori dhenë. Për Kosovën Republikë, u brohorit në Prizren, Therandë, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Tetovë dhe gjithë andej ku jetonin shqiptarët, thotë ajo.
Sabit Syla, ’’Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj Demonstratave në Kosovë më 1968’’: Udhëheqja e PPSH-së dhe e shtetit shqiptar më 1968, nëpërmjet luftës së saj, me karakter të theksuar ideologjik, denoncoi dhe demaskoi udhëheqjen jugosllave për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Ajo mbrojti të drejtat e popullit shqiptar dhe ndihmoi kauzën e tyre për afirmim kombëtar. Por, mbrojtja e çështjes shqiptare iu nënshtrua moduleve marksiste-leniniste dhe ideologjisë komuniste, vë në dukje ai.
Shaban Sinani. “Brezi 1968”, si u njoh në Tiranë’’: Ashtu si “Brezi 1968” në Evropë e gjetiu shembi status quo-në dhe imponoi një moral të ri politik, ashtu edhe “Brezi 1968” në Kosovë tronditi rendin kushtetues. Në Tiranë u krijuan drejtori, sektorë dhe shërbime të posaçme, që kishin për detyrë të njihnin situatën që zhvillohej në Kosovë, të vlerësonin ngjarjet, të këshillonin qëndrimet shtetërore-diplomatike, të mbanin lidhje me organizatat politike ilegale shqiptare në ish-Jugosllavi e në mërgim për veprim të mëtejshëm të tyre për hartimin e një strategjie politike kombëtare, konstaton ai.
Sheradin Berisha, ’’Roli historik i Demonstratave shqiptare të vitit 1968’’: Demonstratat e vitit 1968 patën një rol të madh në zhvillimet e mëvonshme politike. Ato e detyruan udhëheqjen jugosllave të rishqyrtojë statusin juridik të Kosovës. Kuvendi federativ i Jugosllavisë më 21 shkurt 1974 miraton Kushtetutën e re të RSFJ-së, ndërsa një javë më vonë (28 shkurt) edhe Krahina Socialiste Autonome e Kosovës e miraton Kushtetutën e parë të saj, pohon ai.
Sheremet Krasniqi, ‘’Konferenca vjetore e studentëve të Fakultetit Filozofik të Prishtinës për demonstratat e 68-ës’’: Pas shpërthimit të kordonit të policisë para Qendrës së Studentëve (tash Rektorati i Universitetit të Prishtinës), arritëm para ndërtesës së Kuvendit Krahinor. Parullat kryesore të 68-s ishin: “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Duam Universitet!, “Kosova Republikë!”, “Duam vetëvendosje deri në shkëputje!”etj., përfundon ai.
Xun Çeta, ’’Viti 1968, njëri ndër vitet historike të lëvizjeve në shekullin tonë’’: Demonstratat e vitit 1968 janë dy herë historike: e para, sepse ato imponuan fillimin e ndryshimeve pozitive, dhe, e dyta, sepse ato vetvetiu janë mesi i të gjitha ngjarjeve , ngase dinamika e ngjarjeve dhe ndryshimeve pas vitit 1968 po zhvillohej me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe. Obligimi ynë i përhershëm mbetet ndriçimi i paanshëm i këtyre ngjarjeve, thotë ai.
Zenun Gjocaj, ’’Rrethanat kulturore-politike të kohës së Demonstratave më 1968 në Kosovë’’: Demonstratat e vitit 1968 ishin rrjedhim i aspiratave kombëtare për çlirim, sidomos që nga copëtimi i Shqipërisë etnike, si dhe i klimës së vrullshme politike kombëtare e ndërkombëtare, pikërisht në atë vit. Viti 1968, në njërën anë, kulmoi me polarizimin e synimeve jugo-serbe për kolonizim e serbizim të Kosovës. U shfrytëzua klima pozitive politike e brendshme dhe ajo gjithëshqiptare, që e godisnin një thumb: bashkimin etnik nën një shtet, gjuhë, alfabet, flamur e territor, konstaton ai.
Sylë Kuçi, ’’Historia e një vjeshte’’: Në tetor 1968, në normalen «A.Kelmendi» të Pejës, Demë Mulliqi dhe Myftar Tishuku na njoftuan me Xhemajl Gashin dhe Ramadan Blakajn, si dhe me Zymer Nezirin, student i SHLP në Prizren. Atë ditë, më 19 tetor të vitit 1968, nga shk. normale «Ali Kelmendi» të Pejës, u nis flamuri kuqezi, me thirrjet “Republikë!”, “Kushtetutë!”. Në sheshin e qytetit lexova fjalimin e Zymer Nezirit para masës së tubuar. Pasuan arrestimet dhe përjashtimet nga shkolla, shkruan ai.
Sejdi Berisha, ’’Demonstratat e vitit 1968-faktor nxitës drejt luftës për liri dhe pavarësi’’: Demonstratat e vitit 1968 dëshmuan se populli i kësaj toke, me shekuj i shtypur, ndjenjën kombëtare vetëm sa e bëri gjithnjë e më të qëndrueshme. Më 19 tetor të vitit 1968, rinia pejane, shkollarët e këtushëm dhe të gjitha shtresat e tjera, i dhanë vulë të re luftës drejt mëvetësisë. Këto demonstrata kanë lëkundur gurin e rëndë të robërisë, pohon ai.
Shkodran C. Imeraj, ’’Kontributi i të rinjve nga Komuna e Deçanit në Demonstratën e vitit 1968 në Pejë’’: vatër e organizimit të demonstratës së vitit 1968 në Pejë, ishte shkolla normale “Ali Kelmendi”. Kosova Republikë!, Kushtetutë!, Duam Universitet, Rrnoftë Flamuri Kuq e Zi!, Rrnoftë populli Shqiptar! qenë parullat kryesore të këtyre demonstratave. Në demonstratat e vitit 1968 pa dyshim që një kontribut të çmuar dhanë edhe nxënësit nga komuna e Deçanit me rrethinë, shkruan ai.
Begzad Baliu, ’’Konsulta Gjuhësore e Prishtinës si paraprirëse e Kongresit të Drejtshkrimit dhe konteksti politik i ndikimit të saj’’: Konsulta gjuhësore e Prishtinës i parapriu Kongresit të Drejtshkrimit. Por, kulmi i kësaj marrëzie është përpjekja për të krijuar identitetin kosovar, mbi toponimin Kosovë. Ne bëjmë atë që nuk kemi lejuar të bëjmë nën Serbi: ndërtojmë identitetin tonë të ri (kosovar) mbi një etimologji sllave! Kemi nevojë të përsërisin moton e identifikuar me emrin e Ali Hadrit: Jemi dy shtete, por jemi një komb dhe kemi një gjuhë e një drejtshkrim, përfundon ai.
Zymer U. Neziri, Fjala e mbylljes së konferencës shkencore Demonstratat e vitit 1968, më 25.11.2008: Zonja e zotërinj, studiues e profesorë nga vise të ndryshme, në emër të KO-së ju falënderoj për kontributin që dhatë në këtë konferencë shkencore për Demonstratat e vitit 1968. Një falënderim të veçantë kam për studiuesit e profesorët: z. Stephen Shwartz, Irena Sawicka, Adam Bednarek, Zef Chiaramonte. Edhe një herë ju falem nderit të gjithëve, që tashmë u bëtë pjesë e Brezit ‘68 me kumtesat tuaja për Demonstratat e vitit 1968. Mirupafshim në tubime të tjera shkencore, tha ai.
Këtu ishin renditur kumtesa e fundit dhe fjala e mbylljes së vëllimit të dytë të librit Demonstratat e vitit 1968, me kumtesa të konferencës shkencore, e mbajtur në Prishtinë, më 24-25.XI.2008, e organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Prishtinë dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, me rastin e shënimit të dyzetvjetorit të Demonstratave të vitit 1968.
Kjo ishte edhe kumtesa e fundit e vëllimit të dytë të librit Demonstratat e vitit 1968, me kumtesa të paraqitura në konferencën shkencore, e mbajtur në Prishtinë, më 24-25 nëntor 2008, e organizuar me rastin e shënimit të dyzetvjetorit të Demonstratave të vitit 1968. Libri është përgatitur sipas standardeve të kërkuara teknike-shkencore. Kumtesat kanë shkurtore (abstrakt), fjalë çelësa, rezyme në gjuhën angleze, kurse libri përmbyllet me treguesin e emrave dhe me një fotoalbum me 68 fotografi të periudhës 1968-2008.
Në radhë për botim janë edhe kumtesat e tjera, por nuk po ka gatishmëri për punë vullnetare për përgatitjen e tyre për shtyp, ashtu siç janë përgatitur këto dy vëllime, sepse mungon përkrahja financiare institucionale, madje nga përfundimi i konferencës e këndej, përveç shpenzimeve të shtypshkronjës për këto dy vëllime, që sivjet i pagoi MASHT-i. Pra, duhet pritur ditë më të mira për përgatitjen e tyre për shtyp dhe për shtypjen e tyre.