Menaxherja e projekteve të DRC-së në Mitrovicë, Jasmina Dalipoviq, me bashkëpunëtorë është pritur nga nënkryetarit i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, me ç’rast kanë biseduar për bashkëpunimin e deritashëm dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Pasi e kanë vlerësuar si të suksesshëm bashkëpunimin e deritashëm dhe janë shprehur të gatshëm për të vazhduar dhe thelluar akoma këtë bashkëpunim në të ardhmen, zonja Dalipoviq e ka njoftuar fillimisht nënkryetarin Mujka për aktivitetet e përditshme të DRC-së në Shkollën Mësimore dhe në Inkubatorin Social te Biznesit në Lagjen e Romeve.
Ajo ka thënë në vazhdim se aktualisht është duke punuar në rregullimin, përkatësisht riparimin e ndërtesës së Shkollës Mësimore (ish Shkolla e bujqësisë) dhe kompleksin e Inkubatorit Social të Biznesit të DRC-së në Lagjen e Romëve.
Po ashtu, zonja Dalipoviq ka folur edhe për aktivitetet përgatitëse për fushatën për Ditën e romëve, që është më 8 prill dhe për Ditën e Tokës, 22 Prillin, si dhe për aktivitete të tjera, të cilat i zhvillon DRC-ja në Mitrovicë e për të cilat ka thënë se po zhvillohen pa probleme e sipas dinamikës së paraparë.
Nënkryetari Mujka, pasi e ka përshëndetur zonjën Dalipoviq për punën që është duke e bërë me bashkëpunëtorët e saj në të mirë të qytetarëve të komunës së Mitrovicës, sidomos të atyre të komuniteteve pakicë, ka thënë se komuna është e interesuar që këto projekte të realizohen me sukses.
“Më vjen mirë që po dëgjoj për punë të palodhshme e aktivitete të suksesshme të stafit të DRC-së në realizimin e projekteve në Mitrovicë. Ju e keni pas dhe do ta keni mbështetjen e fuqishme të institucioneve komunale dhe jemi të gatshëm në çdo kohë që të kryejmë punët tona që neve na takojnë”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.