The Telegraph: Gjyqtarët për krimet e luftës të Gjykatës Speciale duhet të largohen nga detyra për “shpërdorim të autoritetit”

DREJTËSI SPECIALE APO DIVERSION DHE MASHTRIM SPECIAL?!

SHOQATAT E DALA NGA LUFTA E UÇK-SË
LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS
SHOQËRIA LËVIZJA
SHOQATA E ISH TË BURGOSURVE POLITIKË
Deklaratë e përbashkët
DREJTËSI SPECIALE APO DIVERSION DHE MASHTRIM SPECIAL?!
Hapja spektakolare e fushatës së paralajmëruar speciale e të ashtuquajturave Dhoma të specializuara për krime të luftës, ka shkaktuar shqetësim e konfuzion, si rrallë herë më parë në shoqërinë edhe ashtu në krizë dhe në konfuzion të thellë e të gjithanshëm të Kosovës.
Ndonëse edhe pritjet e njerëzve në Kosovë nuk ishin optimiste, megjithatë, mënyra brutale dhe teatrale e ndërhyrjes dhe e trajtimit të personaliteteve të shenjëstruara ishte përtej përfytyrimit të popullit tonë ultra proevropian, të vlerave dhe praktikave të drejtësisë moderne evropiane!
Pas një vonese të gjatë me vite dhe përtej mandatit të përcaktuar, pikërisht në kohën e krizëz shëndetësore, ekonomike e institucionale dhe krahas imponimit të një procesi dialogues të dëmshëm dhe të rrezikshëm midis Kosovës e Serbisë, pasoi përnjëherë një inkursion i dalldisur i Gjykatës speciale dhe një demonstrim brutal arrogance bajate dhe krejt të pajustifikueshme ndaj personaliteteve që kishin deklaruar dhe kishin dëshmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me këtë Gjykatë të specializuar për kinse “krimet” gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Deklarohet prezumimi i pafajsisë si parim, por në praktikë aplikohet trajtimi poshtërues,diskualifikues e diskreditues, që në fakt përbëjnë dënim dhe ndëshkim prejudikues dhe aprioristik të të inkriminuarëve dhe gjithë Ushtrisë Çlirirmtare të Kosovës!
Edhe më shumë se sjellja e sforcuar brutale, që njerëzve tanë ua kujton të kaluarën e hidhur të repersionit të kohës së robërisë, përshtypje të keqe e të pagëlltitshme shkaktuan absurdet e aktakuzave stereotipe, më shumë politike se juridike, të publikuara me aq pompozitet.
Po dëshmohet katërcipërisht dyshimi i hershëm se gjahu i kësaj harange të paraljmëruar do të jetë i njëanshëm dhe njëetnik, por nuk pritej që do të shkohet deri atje sa të shenjëstrohet në mënyrë të hapur vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës si e tillë dhe drejtuesë eminetë të saj. Nuk besohej se Ushtria Çirimtare do të mund të cilësohej dhe të trajtohej “en bloc” dhe “a prioiri” si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe palë e një “konflikti jondërkombëtar”, që definohet si: “konfrontim i brendshëm midis forcave qeveritare dhe një ose më shumë grupeve të armatosura të organizuara ose midis vetë grupeve të tilla, që lindin në territorin e një shteti…?!”
Në Aktakuzë theksohet se: “gjatë gjithë periudhës së aktakuzës, ekzistonte konflikt i armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Republikës së Serbisë, ndër të cilat njësitë e Ushtrisë Jugosllave (‘UJ’), njësitë policore dhe njësitë tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme (‘MPB’) dhe grupe të tjera që luftonin në emër të RFJ-së dhe Serbisë (bashkërisht, “forcat e RFJ-së”). Forcat e RFJ-së përfshinin forcat e rregullta ushtarake të RFJ-së dhe të Republikës së Serbisë…”por, ndryshe nga cilësimi fyes dhe inkrimnues i UÇK-së, pa asnjë kualifikim diskualifikues dhe me cilësim me atribute “kriminale” e të ngjashme dhe duke abstrahuar plotësisht dhunën dhe terrorin gjenocidal të tyre, madje duke injoruar edhe cilësimet e mirënjohura të Tribunalit të Hagës dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Aktakuza speciale i referohet Serbisë dhe Jugosllavisë si Autoritet zyrtar, duke injoruar jo vetëm të vërteten e dhunës dhe terrorit gjenocidal të pushtimit të gjysmës së terrirorit shqiptar dhe zhbërjes e serbizimit të qindra vendbanimeve në rajonin e Nishit dhe Leskocit, një shekull më parë, kur Komisioni Ndërkombëtar publikonte raportet e mirënjohura për terrorin gjenocidal serbomadh ndaj shqiptarëve, kurse lideri progresist serb Dimitrije Tucoviç, ushtarak dhe dëshmitar i terrorit antishqiptar konstatonte: “Ne kemi kryer përpjekjen për vrasje me paramendim të një kombi të tërë. Ne u kapëm në atë vepër penale dhe na kanë penguar. Tani ne duhet të vuajmë dënimin …. Në Luftërat Ballkanike, Serbia jo vetëm që dyfishoi territorin e saj, por edhe armiqtë e saj të jashtëm.”
Aktakuza speciale injoron dhunën dhe terrorin gjenocidal që i parapriu luftës jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet përreth, ndërkaq në vitet e fundshekullit që shkoi, dhunën dhe terrorin poashtu gjenocidal, që u dënua nga bota demokratike dhe liridashëse e paqendërtuese, gjithnjë e më shumë e denoncojnë dhe e dënojnë si gjenocidale edhe intelektualë e juristë eminentë si Srxha Popoviç::”Milosheviçi ka vendosur administratë policore në Kosovë… shqiptarët e Kosovës po shtypen në mënyrë brutale dhe sistematike. Ne nuk mund të jemi më ata që ishim para se të bënim të gjitha këto krime – por gjithashtu, nuk mund të bëhemi ata që jemi pas kësaj, sepse nuk po i pranojmë ato (krimet). Ideja jonë për veten tonë në këtë mënyrë bëhet e pamundur, në nivelin e shoqërisë dhe në nivelin e individëve. Unë vërej tek njerëzit çdo ditë (dhe nganjëherë ata flasin vetë për këtë) pamundësinë për të vendosur vazhdimësinë e jetës së tyre përpara, me jetën e tyre pas. Pra, para dhe pas të gjitha këtyre krimeve”.
Absurdi i politizimit special të aktakuzës shkon deri atje sa ta fajësojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Luftën e saj ekzistenciale edhe për ndërhyrjen shpëtimtare dhe bombardimet e NATO-s, akuzë që për secilin është e lexueshme dhe lehtë e dallueshme si autorësi e propagandës shoviniste serbe në adresën standarde fyese: “šiptarski zloćinci” (“kriminelët shqiptarëi”) dhe ” NATO – zlikovci” (“NATO – keqërësit”).
Ka edhe sa e sa absurditete e paradokse të kësaj aktakuze që kutërbojnë propagandë speciale serbomadhe e kolaboracioniste dhe krijojnë gjithandej përshtypjen se bëhet fjalë jo për drejtësi ndërkombëtare, por për padrejtësi jondërkombëtare, jo gjykim special, por një diversion mashtrues, jo prezumues i pafajësisë së dëshmuar, por prejudikues i fajësisë së sajuar dhe brutale. Është shprehje e logjikës së njohur të Milosheviçit, që në sheshin e Beogradit u thoshte mitingashve të tij: “s’po dëgjoj mirë dhe nuk po e di çka po kërkoni, por ata, udhëheqësit shqiptarë, do të burgosen dhe do të dënohen”… Pra, së pari ndëshkimi dhe pastaj gjykimi!
Kryetarja e Dhomave të specilizuara, zonja Ekaterina Trandailova, deklaronte se “Gjykata do të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht:.”Gjykata do të trajtojë pretendimet për krime të luftës… kjo gjykatë do të merret me individë dhe jo me organizata apo etni…”. Madje, edhe vetë Dik Marti konstatonte se mund të inkrimimohen individët, por jo UÇK-ja si e tillë, ndërsa aktakuza e famshme përmend individët, por shënjestron ekskluzivisht organizatat dhe merret me etni, madje edhe me përkatësi formacionesh partiake e politike dhe konfesionesh fetare!! Jo rastësisht, krejtë ngjashëm me diskursin e luftës speciale antishqiptare të makinerisë propagandistike të kohës së Milosheviçit dhe shërbëtorëve të tij!
Është absurd mbi çdo absurd që gjykata e themeluar dhe e votuar në Republikën e Kosovës të projektojë një proces kuazi juridik që në të vërtetë funksionon si diversion plotësisht politik i drejtuar kundër Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës dhe themelit të saj – Luftës së imponuar mbrojtëse dhe vetëmohuese çlirimtare dhe fitimtre, që minon jo vetëm imazhin e shtetit të ri e të brisht të Kosovës, por është diversion edhe në të sotmen dhe të ardhmen e tij. Bateritë speciale kuazi juridike dhe puro politike e propagandistike nuk rrënojnë aq të kaluarën e pa rrënueshme dhe të panjollosshme historike sa dëmtojnë dhe rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës e të gjithë kombit.
Tashmë, është e qartë për secilin, që nuk i mbyll sytë me dashje, se themelimi i Gjykatës speciale në Kosovë është një mashtrim dhe një nga mashtrimet e mashtrimit të madh antishqiptar. Ishte një mashtrim dhe vetëmashtrim i imponuar edhe me joshje e beneficione, por edhe me shtrëngim, kërcënim e shantazhim individual e kolektiv, me gjoja rrezikun e një Gjykate të njëanshme të miqve të Serbisë në Këshill të Sigurimit e në OKB, nga njëra anë, dhe me liberalizim vizash e përshpejtim të integrimit euroatlantik, në anën tjetër. Me mashtrim e vetëmashtrim Kosova u privua nga e drejta e patjetërsueshme që edhe rastet e mbetura nga Tribunali i Hagës për krimet evnetuale të barten në juridiksionin e Sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosoves, si në gjithë vendet tjera. Mashtrimi, kërcënimi, shantazhimi e joshja nuk i arsyeton dhe nuk i amniston institucionet e Republikës dhe as bartësit e tyre, por i obligon që ta shqyrtojnë me përgjegjësi dhe parimësi gjendjen e krijuar dhe gjithë proceset aktuale, sfidat dhe rreziqet evidente në përputhje me interesat e vendit dhe me mundësitë që krijojnë standardet dhe praktikat ndërkombëtare.
Ligji për Marrëveshjet ndërkombëtare (Neni 18) parasheh edhe tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare ose suspendim të zbatimit të tyre “në bazë të dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare, normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të procedurës së vendosur përmes këtij ligji “që mund të merret nga Kryetari i Republikës, me iniciativë të tij ose me rekomandim të Qeverisë”.
Ndërkaq, Konventa e Vjenës, Seksioni 2. pavlefshmëria e traktatit, neni 47, e mundëson tërheqjen nga një marrëveshje në rastet: (neni 47) kufizimet specifike për të shprehur pëlqimin e një shteti, (neni 48) Gabimi…, neni (49) Mashtrimi, (neni 50) Korrupsioni… (Neni 51) Detyrimi… dhe (Neni 53), Trajtat, që bien ndesh me një normë të pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme (“Jus cogens”). E ashtuquajtura “marreveshje bashkëbisedimi” e imponuar mund të rishqyrtohet, të rishikohet e riparohet me një komunikim dhe bashkëbisedim të përgjegjshëm, parimor dhe konstruktiv, duke përfshirë edhe procedimin në Gjykatën Kushtetuese të faktit të skadimit të mandatit të Gjykatës speciale të përcaktuar me ligj dhe me marrëveshje.
“Drejtësia nuk i ndihmon ata që dremitin, por vetëm ata që janë vigjilentë”, thoshte Gandi.
Ne, përfaqësuesit e organizatave tona joqeveritare autoktone të Kosovës shqiptare, pikërisht pse e duam dhe e respektojmë drejtësinë e vërtetë, kundërshtojmë me vendosmëri padrejtësinë kudoqoftë dhe ndaj kujtëdoqoftë, trokasim në ndërgjegjen morale dhe profesionale të gjyqtarëve ndëkombëtarë dhe kërkojmë rishikim të gjithë këtij procesi të dëmshëm dhe të rrezikshëm, kërkojmë lirim të të ndaluarëve dhe të pandehurve, që po mbahen në arrest pa faj e pa të drejtë, dhe, para së gjithash dhe mbi të gjithat, kërkojmë heqjen nga aktakuza dhe nga të gjitha dokumentet tjera formulimin fyes, absurd dhe antishqiptar, që diskualifikon Luftën e UÇK-së dhe të popullit shqiptar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” si dhe formulimeve tjera të njëanshme dhe prejudikuese.
Nga institucionet tona politike e shtetërore kërkojmë që të mbajnë qëndrim, të protestojnë e kundërshtojnë me të gjitha mënyrat e mjetet përkatëse dhe të përshtatshme kundër kësaj tendence të hapur për “kriminalizimin” e Luftës së UÇK-së me qëllim të rehabilitimit të shtetit që ka kryer dhunë, terror, masakra e gjenocid ndaj popullit tone, jo vetëm në këtë Luftë, kurse nga Kuvendi i Republikës së Kosovës presim që të distancohet qartë nga Gjykata që e ka krijuar dhe të nxjerr rezolutë të posaçme e të marrë masa tjera me të cilat kundërshton tendencën antishqiptare të kësaj Gjykate. Partitë politike, institucionet shtetërore dhe akademitë e institucionet shkencore dhe arsimore të ndërtojnë platformë unike dhe të krijojnë grupe specialistësh që të angazhohen për dekonstruktimin e akuzave monstruoze që po i bëhen Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar dhe tendencës perfide për ta rehabilituar Serbinë dhe gjenocidin e saj ndaj popullit tonë, për ta dëmtuar rëndë imazhin dhe për ta obstruktuar ardhmërinë e lirë, demokratike dhe evropiane të dy shteteve tona dhe të kombit shqiptar.
“Të drejtat e çdo njeriu zvogëlohen kur të drejtat e një personi kërcënohen”, theksonte Presidenti Kenedi.Po kur kërcënohen të drejtat vitale dhe ekzistenciale të një populli të tërë, të shumëvuajtur dhe shumë herë të martirizuar dhe njëkohësisht anashkalohet dhe praktkisht amnistohet politika shoviniste e dhunës dhe e terrorit gjenocidal, sistematik dhe shtetëror, shkaktarja parësore dhe kryesore e luftërave dhe tragjedive, jo vetëm në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, por edhe në Bosnje, Kroaci dhe madje edhe në vetë Serbinë?!
“Kush ndihmon kriminelët përhap krimin” thoshte Publius Syrus.
Prishtinë, më 17 Nëntor 2020

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …