leoni

Drejtori Dukolli viziton fermerët në Bubël të Malishevës

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës, Sylë Dukolli, ka realizuar një vizitë në fshatin Bubël, ku ka takuar dy fermerë të njohur të zonës për të parë nga afër punën dhe nevojat e tyre. Gjatë kësaj vizite, Drejtori Dukolli ishte i shoqëruar nga zyrtarët përgjegjës të kësaj drejtorie. Ai theksoi se kjo vizitë është fillimi i një serie vizitash në të gjitha fshatrat e Komunës së Malishevës, me qëllim të njohjes më të mirë me aktivitetet e bujqve dhe fermerëve dhe për identifikimin e nevojave të tyre për planifikimet buxhetore të vitit të ardhshëm. Vizita filloi tek blegtori Shaip Shabanaj, i cili zotëron rreth 270 dele dhe vazhdon traditën familjare të mbajtjes së deleve. Drejtori Dukolli përgëzoi Shabanajn për punën e tij dhe shpjegoi se vitin e kaluar, blegtorët janë mbështetur me nga 3 euro për dele. Ai shtoi se synimi për vitin 2025 është të rritet kjo mbështetje. Në vijim, drejtori Dukolli vizitoi bujkun Ahmet Rrahmanaj, ku u prit nga djali i tij, Fazliu. Familja Rrahmanaj disponon mbi 30 ari serrë, 55 ari vresht, 16 hektar grurë e misër, 1 hektar pemë dhe rreth 300 dele, dhi e lopë qumështore. Fazli Rrahmanaj e njoftoi drejtorin me punën e gjithanshme të familjes së tij në bujqësi dhe blegtori. “Bujqësia dhe blegtoria janë dega më e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik. Ne kemi nevojë për produkte vendore dhe për këtë qëllim, ne si drejtori dhe si qeveri komunale, jemi të interesuar ta zhvillojmë sa më shumë këtë sektor përmes përkrahjes konkrete për të gjithë bujqit dhe fermerët e komunës sonë,” deklaroi drejtori Dukolli gjatë vizitës së tij në fshatin Bubël. Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të mbështetur dhe zhvilluar bujqësinë dhe blegtorinë në Komunën e Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …