Drejtori Emini shpalosi punën tre mujore të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenës Sociale në Ferizaj

Këtë të martë, numri një i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj Kemajl Emini, ka mbajtur një konference për medie me ç’rast ka shpalosur të arriturat, por edhe sfidat e kësaj drejtorie.

Në këtë konference drejtori Emini, ka theksuar se ka filluar një bashkëpunim me GIZ-in gjerman, përmes të cilit është arritur përkrahja  e organizatave joqeveritare, Handikos, Hendifer dhe Down Syndrome, si dhe mbështetjen e 30 familjeve që kanë familjarë me nevojë të veçanta.

“Gjithashtu, kemi kultivuar një raport të shkëlqyeshëm me organizatën Qatar Charity, ku kemi pasur në Ferizaj edhe drejtorin e kësaj organizate për Ballkan, ku është premtuar ndërtimi i QMF 4,  renovimi dhe pajisja me pajisje mjekësore e Urgjencës së QKMF-së. Po ashtu kemi arritur marrëveshje me organizatën joqeveritare “Qëndresa Kosovare” përmes së cilës kemi dorëzuar tri projekte të fushave shëndetësore, e që presim të konkretizohen në të ardhmen e afërt”, është shprehur Emini.

Drejtori Emini tutje ka potencuar edhe bashkëpunime të tjera me organizata të ndryshme siç është   Islamic Relief, për asistencën e tyre në rritjen e kapaciteteve të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, bashkëpunimin me Rotary Club në Ferizaj, ku përmes tyre synohet të arrihet marrëveshja për përkrahjen e fëmijëve me diabet insulinvartës në qytetin tone.

“Po ashtu kemi bashkëpunim edhe  me UNDP – Handikos Gjilan, përmes së cilës do të jepet përkrahja për shërbime paliative për personat me nevoja të veçanta. Gjatë kësaj periudhe, përveç punëve të lartcekura, kemi konsoliduar planet e strategjitë në kuadër të fushëveprimtarisë së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, e ku padyshim kemi pasur edhe sfidat në këtë drejtim”, ka thënë drejtori Emini.

Sipas drejtori të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Kemajl Emini, një ndër sfidat me kryesore ka qene obligimet ndaj punonjësve përmes Caritas Kosovës, gjë  që ka ndodhur për shkak të rëndimit të buxhetit të Komunës së Ferizajt, si rrjedhojë e kontratës kolektive, që ka pamundësuar pagesën me kohë të obligimeve ndaj punonjësve të Caritas Kosova.

“Në këtë rast, rikujtoj se shqetësimet ose më saktë obligimet që kanë të bëjnë me kontratën kolektive, që ngarkojnë padrejtësisht me miliona euro buxhetet e Komunave, duke pamundësuar punën normale të tyre, janë adresuar edhe 1 muaj më parë përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, takimit që kanë pasur kryetarët e komunave, përmes së cilës është kërkuar takim me Kryeministrin dhe ministrin e financave që të ofrohet zgjidhje për komunat për obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive. Si e tillë, kontrata kolektive, peshon për Komunën e Ferizajt rreth 3.5 milionë euro për vitin 2022 e që paraqet natyrisht vështirësi në kryerjen e obligimeve tona ndaj palëve të tjera”, ka përfunduar drejtori Emini.

Ai në fund ka falënderuar edhe të gjithë punëtoret shëndetësor të Komunës së Ferizajt të cilët ishin të kyçur përmes Caritas Kosovës, që kanë ofruar shërbime të pafundmeve për të gjithë qytetarët ferizajas, e ne veçanti për të prekurit nga Covid-19 e të cilët kanë punuar në kushte shumë të rënda.

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …