Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, së bashku me stafin e tij, ka vizituar Kompleksin Memorial në Meje. Gjatë kësaj vizite, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatës familjare të të rënëve “27 Prilli”, u diskutua përgatitja e hapësirave në kompleks për përvjetorin e 27 prillit 2025, në nderim të 376 martirëve . Ky përvjetor i 26 do të jetë një moment i rëndësishëm për të kujtuar dhe nderuar sakrificën deri në flijimin e tyre për lirinë e vendit.
Një ndër pikat kryesore të takimit ishte hartimi dhe miratimi i projektit për rehabilitimin e varrezave në Kompleksin Memorial në Meje në mënyrë me të dinjitetshme. Ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me shoqatën familjare të të rënëve “27 Prilli” dhe do të mbështetet nga buxheti i ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për AMMKM-në, nën udhëheqjen e ministrit z. Hajrulla Çeku.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e një koordinimi të ngushtë mes AMMKM-së dhe shoqatës familjare të të rënëve “27 Prilli” për zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, duke siguruar që varrezat e martirëve të mbeten të mirëmbajtura dhe të trajtohen me respektin e duhur.