Sabit Syla

Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla ka vlerësuar librin: “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në arkivat e Anglisë”

Në një intervistë për TV-Diell, drejtori i Institutit të Historisë, në Prishtinë, dr. Sabit Syla  ka folur lidhur me botimin e librit, “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore – Arkivat Kombëtarë Britanikë, përgatitur nga studiuesit: prof. dr. Hamit Kaba dhe prof. asoc. dr. Sabit Syla.

Ai ka veçuar me këtë rast se “Dokumentacioni i përfshirë në këtë vëllim është hulumtuar në Arkivat Kombëtarë Britanikë vitet e fundit, përmban dokumente që i takojnë harkut kohor nëntor 1940 – maj 1945. Dokumentet përqendrohen në këto tematika kryesore: pozicioni i shqiptarëve në kuadër të Luftës së Dytë Botërore; diskutimet mbi të ardhmen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran, apo në kuadër të një federate/konfederate ballkanike; çështja e kufirin shqiptaro-grek dhe shqiptaro-jugosllav; çështja e të ardhmes së shqiptarëve të Kosovës dhe viseve Lindore, të cilët ishin bashkuar me Shqipërinë londineze etj. Andaj, ky publikim paraqet një kontribut të çmuar për të ndriçuar shumë aspekte mbi veprimet politike, diplomatike, të lëvizjes së rezistencës antifashiste shqiptare dhe raportet e saj me lëvizjet e rezistencës së vendeve fqinje si dhe të rolit që kanë pasur Fuqitë Aleate në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Dokumentet e ofruara janë korrespodenca ndërmjet Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri dhe Shtabit të Forcave Aleate në Itali, ndërmjet këtij të fundit dhe Ministrisë së Jashtme britanike, studime të FO dhe Institutit Mbretëror të Studimeve Ndërkombëtare mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe territoreve që iu bashkuan asaj në vitin 1941, korrespodenca ndërmjet BLO-ve dhe OSS [Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike] së Shteteve të Bashkuara, por ka edhe shumë direktiva, instruksione vështrime dhe analiza që FO ua ka përcjellë përfaqësuesve të vet për Ballkanin e Shqipërinë. Vend me interes në këtë përmbledhje zënë edhe korrespondencat midis FO dhe Departamentit të Shtetit lidhur me zhvillimet politike dhe ushtarake në Shqipëri. Duke analizuar më vëmendje këtë përmbledhje mund të konstatojmë se secili dokument më tepër se tjetri konfirmon fokusin e lartë dhe angazhimet konkrete të politikës dhe diplomacisë britanike, përmes misionit ushtarak, për të përcjellë dhe ndikuar lëvizjet politike dhe të rezistencës antifashistë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. ( Intervistën e plotë mund ta ndiqni sonte në TV-Dielli, duke filluar në orën 21.30 minuta)

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …