Drejtuesit e komunës së Mitrovicës biseduan me përfaqësuesit e Bankës Gjermane KFW

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Safet Kamberi, kanë takuar një grup ekspertësh të Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, me në krye Elke Dullenkopf, menaxhere e projekteve në Frankfurt.

Në takim është biseduar për procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për të qenë përfitues i grandeve dhe aseteve nga kjo bankë, për realizimin e projekteve për menaxhimin e mbeturinave.

Zonja Dullenkopf i njoftoi drejtuesit e komunës së Mitrovicës, se qëllimi i ardhjes së saj me bashkëpunëtorë në Mitrovicë është vlerësimi i realizimit të projektit për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, që është i lidhur drejtpërdrejtë me garën për mjedis të pastër që e ka iniciuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ajo në vazhdim tha se, për të qenë përfitues i grandeve dhe aseteve për realizimin e projekteve të ndryshme në fushën e menaxhimit të mbeturinave, duhet plotësuar disa kushte, për te cilat foli edhe detajisht, për tu interesuar më pastaj për gjendjen sa i përket menaxhimit të mbeturinave në komunën e Mitrovicës.

Fillimisht kryetari Bahtiri i falënderoi ekspertët e KFW-së për interesimin e tyre për të ndihmuar komunën në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e mbeturinave, si dhe i njoftoj me përpjekjet që komuna ka bërë deri tash në këtë drejtim, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me organizatën Gjermane GIZ, bashkëpunim ky që ka bërë që në këtë drejtim të arrihen rezultate inkurajuese.

Në vazhdim drejtuesit e komunës folën për projektet realizuara deri tash, në bashkëpunim të ngushtë me GIZ-in, në zgjerimin e shërbimeve të qytetarëve nëpër mjediset urbane dhe rurale të komunës së Mitrovicës, si dhe për punëtoritë e mbajtura në lidhje me menaxhimin e projekteve dhe aplikimin për grande.

Po ashtu, ata folën edhe për masat që janë ndërmarrë për përmirësimin e inkasimit të mjeteve për shërbimet që ju ofrohen qytetarëve, duke theksuar se nga fillimi i vitit të ardhshëm, me këtë problematikë do të merret administrata komunale, e jo Kompania Rajonale “Uniteti”, e cila e bënte këtë punë deri tash.

Po ashtu, drejtuesit e komunës së Mitrovicës, ju thanë ekspertëve të KFW-së, se Mitrovica është një ndër komunat e pakta në Kosovë që ka drejtori për ruajtjen e mjedisit, gjë që ka kontribuua që  problemet e shumta të zgjidhen më shpejtë se në komunat tjera.

Ata thanë se edhe largimi i deponive ilegale është në përfundim e sipër, gjë që do të kontribuoj që mjedisi të jetë më i pastër.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …