Problematika që u krijua pas zgjedhjeve të fundit parlamentare përveq që i atribuohet politikës sonë, pa dyshim është rezultat edhe i Kushtetutës së pa përfunduar. Psikologët konstatojnë se aftësia për të zgjedhur problemet komplekse në mënyrë strukturaliste është testim-vlerësim i intelegjencës të cilën do duhej ta posedonte elita politike që në gjirin e tyre do duhej të kishte edhe intelektual, rrjedhimisht, problematika sociale e shfaqur dhe importuar nga Kushtetuta do trajtohej dhe zgjidhej më shpejt. Mirëpo në raste kur një Kushtetutë nuk ka kapacitetet e mjaftueshme t’i përgjigjet rasteve specifike (si ky i fundit) atëherë merret për baze ndonjë rast i njejtë apo i ngjashëm nga vendet tjera Kushtetutat e të cilave nuk janë hartuar “shkel e shko” si rasti ynë përjashto pjesën për minoritetet. Nga një gjykim i tillë, mund të vijmë në përfundim se më shumë se intelegjenca dhe intelektualiteti, politikës sonë sot u mungon morali, specifikisht mbytja e vyrtyteve nga oligarkët që pushtetin e kanë Zot, dhe nuk e lëshojnë lehtë atë.
Të kthehemi te Kushtetuta, Neni 67 pika 2 e Kushtetutës sonë thotë se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe ZGJEDHET ME SHUMICÉN E VOTAVE TÉ TÉ GJITHÉ DEPUTETÉVE TÉ KUVENDIT”. Pra Kryetari i Kuvendit vetëm propozohet nga grupi më i madh parlamentar, propozohet edhe zgjedhet janë dy gjëra të ndryshme, rrjedhimisht, kjo Kushtetutë ka paragjykuar se grupi më i madh parlamentar domosdoshmërisht do të ketë edhe numrat në Kuvend, gjë që siç po shihet nuk është kështu.
Pavarësisht kësaj, skema politike do duhej treguar më shumë seriozitet dhe të jetë më demokratike. Fjala e urtë popullore “ujku kërkon mjegull” vihet në konsideratë tani, pasi që “mjegullën” e krijoi Kushtetuta e pa përfunduar, atë po e përdor partia e Kryeministrit të vendit. Në një nga televizionet nacionale përfaqësuesi i tyre, zoti Adrian Arifaj tha se PDK ose do të marr postin e Kryekuvendarit ose vendi do të shkoj në zgjedhje. Duke u nisë nga aktgjykimi i GJykatës Kushtetuese e cila u ofendua nga blloku opozitar apo blloku i shumicës, PDK do tentoj (sipas tyre deri në infinit) t’a marr postin e Kryekuvendarit pasi që Kushtetuta thotë se atyre ju takon ta propozojnë, ani pse po ashtu thotë se duhet shumica e deputetëve që PDK-së po i mungon. Për të argumentuar tutje se Kushtetuta solli kaosin, mund të marrim një shembull mjaft të thjeshtë. Propozim mund të bësh edhe në politikë edhe në sfera tjera të jetesës, por propozimi pa pranim mbetet vetëm propozim, dhe tani ne kemi gjendjen propozuese të PDK-së e cila nuk merr dot pranimin dhe vendi mbetet ne këtë gjendje “pa e pasë të kjartë” se a duhet shkuar në zgjedhje apo duhet lënë bllokut të shumicës të bëjnë edhe ata një propozim që në këtë rast do merrte edhe pranimin, gjë që u vertetua edhe nga seanca konstituive e parë e rëzuar nga Gjykata Kushtetuese në krye të së cilës qëndron njeriu që përdorte fjalë banale tek i shkruante mesazhe një profesori universitar.
Fitues të zgjedhjeve nuk kemi, pasi që nuk kemi parti që ka marr 61 deputet. Kemi të parën e zgjedhjeve që është PDK bashkë me parti politike të ngjashme me LB-në e cila dikur ishte në Vetëvendosje dhe tash është 180 shkallë ndryshe, pra me PDK-në. Merreni me mend kush merret në shoqërinë tonë me një çështje si bashkimi Kombëtar, një parti me një konsistencë si LB-ja. Mirëpo meqë Kosova arriti gjatë mandatit PDK-AKR në një gjendje ku puna, privilegji dhe mbijetesa blihen pa pikë standardi morali te PDK si një “treg i pasur” atëherë nuk çuditem për “të reshtuarit” pas tyre, interesgjinjtë, që si duket mund edhe të mos ju dalin llogaritë mirë. Daljes parti e parë PDK-së i ndihmoi edhe lëmosha parazgjedhore e rritjes së pagave dhe benifiteve tjera të cilat që tashmë po fillojmë t’ i paguajmë me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe produkteve tjera, dhe pagesat nuk po i bëjnë vetëm ata që përfituan nga rritjet, por të gjithë, edhe të pa punët, edhe ata me nën 2 dollarë në ditë .
Mirëpo PDK-së llogaria nuk mund të ju dalë mirë nëse e çojnë vendin në zgjedhje, duke përdorur si justifikim Kushtetutën e pa përfunduar e cila nuk mori shembujt nga vendet tjera për problematikën e konstituimit të Kuvendit, pasi që paknaqësia ka arritur 70 përqind të popullatës, e mjaftueshme kjo për të bërë çdo ndryshim të nevojshëm, fundja kjo është demokracia për të cilën po mundohemi. E që dëshira për shtet para pushtetit tani për tani mbetet vetëm e tillë, pra një dëshirë.