Brezi ynë, me patjetër do të jetë i fundit që do të ketë dëgjuar për “kohën e Krajlit”. Madje, ata që e kanë përjetuar atë kohë tashmë janë shumë pak të gjallë. Krejt e natyrshme, kur jemi kaq larg përfundimit të atij regjimi, që ndodhi plot 89 vite më parë.
Si për çdo kohë tjetër, rrëfimi zëvendësohet nga shkrimi historik.
Por meqë historia shpeshherë di të jetë e mërzitshme, për shkak të ngjarjeve dhe datave të pafundme, edhe libri historik nuk gjen një lexim të gjerë. Si i tillë, rëndom ai mbetet të diskutohet në një rreth të ngushtë të shoqërisë, të përbërë kryesisht nga një numër jo edhe aq i madh studiuesish.
Kësisoj, ngjarje të shumta dhe tepër të dhimbshme do të harrohen nga shtresat e gjera të popullsisë. Kështu do të ndodhë edhe me luftën e fundit në Kosovë. Me këtë trend të shkujdesjes së përgjithshme që ka kapluar shoqërinë e “Big Brother”-it, e kaluara e afërt shpejt do të shihet si tepër e largët. Madje edhe më e largët se periudhat si kjo e Krajlit, e cila u ndërpre pas pushtimit gjerman të Kosovës, në prillin e vitit 1941. A thua do të harrohej “koha e Krajlit”, sikur të mos e risillnin në mendje partizanët e çetnikët në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e vitit 1945?
Ahmet Qeriqi njihet gjerësisht si drejtori i Radio Kosovës së Lirë, i cili arriti që me sukses ta udhëheqë këtë radio për një çerek shekulli dhe, mbi të gjitha, të bëhet autor i qindra shkrimeve për dëshmorë dhe martirë. Shkuarja në amshim, disa javë më parë, e profesor Ahmetit, ka lënë zbrastësi jo vetëm tek familja, por edhe tek letrat shqipe.
Kur thoshte Sabato që nuk mjafton të shkruhet për një ngjarje vetëm një histori shkencore, por medoemos duhet edhe një vepër letrare, kjo më përforcohet sa herë lexoj diçka nga letërsia shqipe. Realisht, janë të pakët shkrimtarët që shkruajnë në Kosovë për ngjarje të së kaluarës, duke i veshur me petkun letrar. Patjetër që libri letrar depërton shumë më thellë dhe më gjerë në shoqëri sesa libri shkencor. Kështu, atë që nuk do të mund ta bënte shkenca e historisë, do ta bënte letërsia. Ne, edhe ashtu, kemi shumë pak romane që kanë për bazë historinë e Kosovës, e edhe më pak ditarë personalë.
“Betimi i Motrës” është prej këtyre romaneve për të cilin e kam fjalën. Jo vetëm si homazh për Ahmet Qeriqin, por edhe si thirrje për t’u lexuar. Meqë leximin e romanit do e bëni me një frymë, rekomandoj të mbushesh mirë frymë para se t’ia fillosh.
Kur fati tragjik, si edhe shumë të tjerëve, e kishte pllakosur burgjeve të Jugosllavisë, Qeriqi kishte takuar një të afërm të Zanës, personazhit kryesor të romanit. Gjersa ai i shpjegoi shkurtimisht dhe aq sa kishte njohuri për të bëmat e gjyshes së tij, Ahmetit i erdhën në mendje shumë këngë rapsodie për vajzat shqiptare të njohura për nxjerrjen e gjakut të vëllezërve, sa herë që dera e familjes shuhej. Në mungesë të lejimit për arsim dhe për shkrim të historisë kombëtare, shqiptarët gjetën formën e ruajtjes së kujtimit përmes këngës, në odat e tyre, që zëvendësonin institucionet.
Kjo njohje e shkurtër me hungarezin që kishte edhe rrënjë shqiptare, në burgun e Suboticës, në vitin 1986, mjaftoi për të ngacmuar ndjenjat e autorit – këtij njohësi të thellë të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar.