Që nga çlirimi, Kosova, përherë ka respektuar dhe garantuar të drejtat e komuniteteve joshumicë. Këto i ka sanksionuar edhe në kushtetutën e saj, për të qenë një herë e përgjithmonë vend i barazisë dhe garantuese e të drejtave të pakicave. Aq kanë të drejta komunitetet, sa edhe vet shqiptarët ja kanë zili. Kur them kështu, shpesh herë më kujtohen studentët, të cilët kur për pak pikë nuk mund të regjistroheshin në Universitet, kanë tentuar të regjistroheshin me kuotën e pakicave. Sa rënd me ndërru nacionalitetin?! Në anën tjetër fëmijët e dëshmorëve, ishin në garë mes vete për kuotën e përcaktuar në Universitet. Nejse. Nuk është hera e parë që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, deputetët e komuniteteve vëjnë kushte për formimin e institucioneve. Deputetë të cilët kanë siguruar ulëse vetëm falë garancisë që i’u ofrohen nga “ulëset e rezervuara”. Pra, Kosova nëse nuk do ishte aq demokratike, shumë nga ata nuk do ishin deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po e citoj, Duda Baljen në një intervistë të dhënë në emisionin Oxygen, “boshnjakët në Kosovë kanë më shumë të drejta sesa boshnjakët në Bosnje”. Ashtu si edhe boshnjakët, të njëjta të drejta kanë edhe pakicat e tjera, si: serbët, turqit, romët, ashkalinjt, egjiptianët, goranët, etj. Kushtëzimi shpesh merret si diçka krejt normale në politikë, fatkeqësisht edhe atëherë kur nuk është në të mirë të qytetarëve. Ideja për krijimin e një komune me seli në Vitomericë është e kahershme, dhe e padobishme. Kjo komunë do të merrte vite për të funksionuar natyrshëm si dhe do e kishte të vështirë mbajtjen e saj. Buxheti komunal i cili do sigurohej nga taksat e popullsisë dhe ekonomive, panevojshëm do të shpenzohej në çështje administrative komunale të kota dhe rroga për asambleistë, drejtorë komunal, kryetar, e një varg administruesish. Krejt kjo është fort e panevojshme, kur marrim për bazë që komuna e Pejës, mund t’i mbuloj pa ndonjë problem, të gjitha problemet infrastrukturore dhe të tjera përcjellëse të këtyre fshatrave. Nëse krijohet komuna me seli në Vitomericë, ajo duhet të përfshijë edhe fshatrat lindorë të Pejës, si: Brestovikun, Sigën, Novosellën, Radacin, Jabllanicën e Madhe, Jabllanicën e Vogël, Dubovën e Madhe, Ozdrimin e besa edhe Katundin e Ri. Në këtë “Komunë të Re”, meqë të dhënat për përkatësinë etnike të popullsisë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë ende në fazën e përpunimit, nuk mund të japim saktë përqindjen e popullsisë së pakicave. Por, një gjë është e sigurt, as Vitomerica nuk është fshat me kompaktësi të popullsisë boshnjake, dhe madje as Brestoviku dhe Siga me popullsi serbe. Atëherë, pse duhet krijuar një komunë në të cilën shqiptarët përbëjnë mbi 80%, të popullsisë? Pse nuk duhen pyetur shqiptarët? Nga regjistrimi i popullsisë (marrë nga ASK), për vitin 2024, ky është numri i popullsisë dhe ekonomive familjare për këto fshatra: Brestovik: 1814 banorë, 419 ekonomi familjare Dubovë: 494 banorë, 125 ekonomi familjare Jabllanicë e Madhe: 652 banorë, 130 ekonomi familjare Jabllanicë e Vogel: 618 banorë, 137 ekonomi familjare Katund i Ri: 532 banorë, 112 ekonomi familjare Novosellë: 1473 banorë, 328 ekonomi familjare Ozdrim: 481 banorë, 102 ekonomi familjare Radac: 1013 banorë, 217 ekonomi familjare Sigë: 378 banorë, 87 ekonomi familjare Vitomericë: 5122 banorë, 1268 ekonomi familjare Ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, fshati Vitomericë kishte 5409 banorë, nga ta 2027 boshnjakë ose përkthyer në përqindje 37.5% dhe 2904 shqiptarë ose 53.7%, pa llogaritur edhe pakicat tjera.
