Drenica Futsal nga Skenderaj ka zënë vendin e parë në turneun dyditor tradicional kushtuar komandantit Ilaz Kodra, duke e mundur në finale Vushtrrinë me rezultat 2 me 0. Kupa dhe medaljet për fituesit e kësaj gare janë ndarë nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënkryetari gjeneral Sami Lushtaku, që ishte bashkëluftëtar i heroit, si dhe vëllau i Ilaz Kodrës. Ky aktivitet sportiv, në të cilin ka marrë pjesë edhe familja e komandantit Ilaz Kodra, është zhvilluar për dy ditë më radhë, me pjesëmarrje të klubeve nga qytete të ndryshme të Kosovës, që vijnë për të nderuar sakrificën e trimit Ilaz Kodra dhe të 315 dëshmorëve e martirëve të UÇK-së, për nder të të cilëve Komuna e Skenderajt, përveç këtij turneu, ka organizuar edhe aktivitete të tjera në shënim të përvjetorit të rënies së tyre. Aktivitet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së martës.