EULEX po e nis misionin e tij këtë vit atje ku e la UNMIK-u para dy vitesh, ose atje ku u detyruan ta linin serbët në 1999, duke hapur procese gjyqësore politike ndaj të gjithë atyre që kundërshtojnë “demokracinë” që na kanë sjell në Kosovë Piter Feith dhe ata që e kan vënë në këtë detyrë. UNMIK e EULEX pretendojnë se kanë ndërtuar në Kosovë demokracinë. Le të mos flasim këtu për çfarë lloj demokracie pretendojnë se kanë ndërtuar udhëheqësit tanë politikë e pasuesit e tyre në Kosovë, të cilët kanë gjetur një El Dorado të vërtetë, (Legjenda e “Qytetit të humbur të florinjtë” ku shumë kërkues të floririt e kërkojnë prej vitit 1541 dhe nuk e kanë gjetur ende), për veten e tyre dhe familjet e tyre. Këta dhe EULEX na flasin dhe drejtohen në emër të demokracisë sepse demokracia vetë është një koncept që është bërë si standart në botën e civilizuar.
Dhe me të vërtete njerëzit besojnë se mbasi jemi duke jetuar në demokraci, duhet të kemi të gjitha të mirat që ajo sjell. Pra progres dhe përparim të të gjithë popullit. Por në fakt kjo lloj demokracie në Kosovë ka sjellë vetëm progresin dhe përparimin e UNMIK’ut dhe EULEX-it dhe të politikanëve shqiptarë, vasalë të këtyre dy të parave. Demokracia është një sistem për të cilin ja vlen të luftosh. Ndërsa në Kosovë, poqese e kundërshton këtë pseudo-demokraci që Eulex pretendon se po mbron e ndërton, atëherëë të luftojnë me të gjitha mënyrat alla ballkanike mesjetare.
Pra ndodh e kundërta
Dhe kushdo që nuk e beson këtë, le të shohë se ç’po ndodh me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes për Vetëvendosje. Domethënë se ata, të cilët e kundërshtojnë këtë “demokraci“ të EULEX, e të vendeve që rrinë pas këtij misioni ogurzi në Kosovë, bëhen subjekt i përballjes me të gjitha presionet: duke filluar prej rrahjes në protesta e deri te burgosja dhe zhvillimi i gjyqeve politike. Pra i njëjti sistem kundër të cilit shqiptarët në Kosovë rrokën armët në vitet 1997-1999. Me sa po duket, kjo është e vetma zgjidhje që EULEX i ofron popullit të Kosovës nëpërmjet sistemit të vet të aparteidit ndaj shqiptarëve që guxojnë e mendojnë ndryshe.
Dhe gjithë këtë sistem pseudo-demokratik na e servirin nëpërmjet qehajajve të vet kosovarë. Ndokush edhe mund të mos e besojë, por çdo komb, në të tilla raste historike ka nxjerrë, kush më shumë e kush më pak, shërbëtorë të tillë besnikë të të huajve, të cilët as nuk duan të pyesin për nderin e kombit dhe të popullit të tyre. Për misionet si ky i EULEX nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ap race ka skllavi. Pasi një skllav për ta është dhe mbetet gjithnjë skllav. EULEX dhe UNMIK në Kosovë e ushtrojnë skllavërimin nëpërmjet të ashtuquajturës “Respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë”, e cila thotë: “Ne populli i kombeve të bashkuara të determinuar për të shpëtuar vazhdimësinë e gjeneratave nga luftërat, të cilat dy herë në jëtën tonë kanë sjellë shkatërrim, dhe për të riafirmuar besimin në të drejtat e njeriut, në dinjitetitn e personit njerëzor, në të drejta të barabarta për meshkuj dhe femra, dhe të kombeve të mëdha e të vogla, dhe të vendosi kushte në të cilat drejtësia dhe respekti për obligimet që dalin nga mareveshjet dhe nga ligjet ndërkombëtare, mund të mbahet si dhe të promovojë progresin social, standarte më të mira të jetës dhe liri më të madhe”.
Pra siç shihet qartë nga kjo deklaratë deri më sot kanë përfituar vetëm ata që bëhen të bindur absolut të UNMIK e EULEX. Edhe një budalla po të lexonte këtë dhe të shihte atë ç’po ndodh në Kosovë do ta kuptonte se ky koncept i UNMIK e EULEX për barazinë, lirinë e të drejtat e njeriut nuk është i aplikueshëm për kombet e vegjël si ky i yni. E kam fjalën për kombin shqiptar e jo për kombin e ri të skllevërve, të ashtuquajturin “komb kosovar”.
Sulmi që EULEX ka marrë ndaj Albin Kurtit është vetëm fillimi i demonstrimit të forcës së ligjit të më të fortit ndaj atij që kërkon lirinë. Ky gjyq nuk do të tregojë asgjë më shumë se EULEX ka frikë nga fjala e lirë. Dhe jo më kot ia ka vënë emrin misionit të vet: sundimi i ligjit. Këtu kemi vetëm sundim, por jo të ligjit, sundim të Maliqit, sikundër i thotë populli në zhargonin e vet. Një veprim i tillë nga ana e EULEX bëhet me qëllimin e vetëm që shqiptarët në Kosovë të heqin dorë së kërkuari të drejtat që u takojnë; bëhet që shqiptarët të mos kundërshtojnë ndaj ndarjes së ardhshme të Kosovës mbi baza etnike; bëhet që shqiptarët ta pranojnë korrupsionin e qeveritarëve të tyre si të vetmen zgjidhje të vetqeverisjes në Kosovë; bëhet që shqiptarët aty të shkombtarizohen.