Dritan Goxhaj: DREQI, SHQIPTARËT DHE ALBINI

Dje ishte dita e dhimbjes. Dhimbja vjen gjithnjë nga plagët. E dhimbja është  edhe më e madhe kur plaga është e madhe. E kur plaga nuk mbyllet dot,  dhimbja është gjithnjë më e madhe dhe shkon përtej kockës.

Dhimbja shkon në shpirt.

Ishte dita e dhimbjes së shpirtit, e unë për vete u turpërova që nuk  hodha dot në letër asnjë gërmë të zezë për atë dhimbje të shpirtit.  U ndjeva i turpëruar që në datë 27 Qershor 1944, 80 vite më pare, harrova  të shkruaj të paktën dy fjalë për dhimbjen e madhe kur njerëzit në Çamëri u ndanë me dhunë nga Napolon Zerva, pa mundur t’i thonë lamtumirë as të  dashurve të tyre e as tokës së të parëve.

U turpërova para dhimbjes së ditës së përkujtimit të genocidit grek ndaj  popullsisë shqiptare autoktone në trojet e veta shqiptare të Çamërisë.

U hutova e më humbi koha duke u marrë me diçka tjetër pothuajse të  parëndësishme.

E në fund të fundit qëllimi i shejtanit/dreqit në këtë dynja është që të na  marrë kohën, pasi ajo është e vetmja gjë që e kemi me limit në këtë dynja.

Dje më humbi koha duke lexuar e parë lajmet mbi takimin e supozuar që  duhej të mbahej në datë 26 të këtij muaji në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit e  Vuçiçit, takim i cili nuk u mbajt pasi Albini nuk pranoi pa u plotësuar disa  kushte që ai vuri.

U hutova duke lexuar naivitetin tonë mediatik, politik dhe letrar se kush doli  i fituar, kush kish frikë nga njeri -tjetri e kush bëri mirë, e kush bëri keq.

Dhe në këtë kakofoni naiviteti fasadash më erdhi në mendje një tregim i  vjetër arab.

Ishte njëherë një djalosh që u mburrej shokëve të tij se ai nuk trembej nga shejtani/dreqi.

Mburrej duke thënë: “Mua nuk më bën dot asgjë dreqi/shejtani, le të vijë kur

të dojë”.

Një ditë të bukur tek shkonte për shtëpi i del përpara një hije e madhe që

ngadalë merr formën e një njeriu.

Djaloshi e sheh dhe e pyet: “Kush je ti?”

Hija, që kishte marrë plotësisht formën e njeriut,i përgjigjet: “Unë jamë  shejtani/dreqi. Kam dëgjuar që më ke përmendur e erdha të të takoj vetë personalisht”.

Djaloshi ia kthen: “E atëherë, ja ku jemi, e ti nuk mundesh të më bësh mua  asgjë”.

Dreqi ia kthen: “Unë mundem, por sot nuk i kam mjetet e punës me vete”.

Djaloshi i thotë: “Po ik e merri”.

Dreqi i thotë: “ Unë iki, po ti më jep fjalën që do më presësh deri sa të vij  unë”.

“Dakord”, – i thotë djaloshi.

Dhe ulet aty nën hijen e një peme duke pritur që dreqi të kthehet. Por  kaluan disa ditë e dreqi nuk po dukej.

Të gjithë njerëzve që e pysnin djaloshin se ç’bën aty, ai u përgjigjej se po  priste dreqin.

Pas nja një jave djaloshi pa një hije që po kalonte aty dhe thirri me të  madhe: “O dreq, ndal!”

Dreqi ndali dhe mori sërish formën e njeriut dhe e pyeti djaloshin: “Çfarë  do?”

Djaloshi i tha: “Si çfarë dua?! A më the prit sa të marr mjetet e punës e do  më tregoje se çfarë më bën ti mua? Ja, unë të prita e ti ja ku je dhe e sheh që nuk më bëre dot asgjë?

Dreqi duke qeshur ia kthen: “Po gjithë ajo që unë kam në dorë të bëj është  të marr kohën tënde. A ke zotrote që një javë që më pret mua, e nuk ke  vajtur as në shtëpi e nuk je marrë as edhe me një punë tjetër? E pra, kjo  është fitorja ime, pasi unë të mora kohën tënde të limituar në këtë dynja”.

Dhe kjo m’u kujtua kur mendova, pasi pashë gjithë debatet mbi kushtet e  Albinit, se më i fituar në këtë mes doli dreqi.

Po kush është dreqi në rastin tonë?

Ai është Serbia.

Kujt i intereson që ky dialog ndërmjet Serbisë e Kosovës të shtyhet në  Kalendat Greke, në pafundësi?

Normal që i intereson vetëm Serbisë.

Pra, në këtë mes, duke mos hyrë fare në diskutimin e kushteve se a janë të  drejta apo jo, thjesht nëse pyesim se a fitoi Kosova apo jo, unë them që jo,  Kosova nuk fitoi nga kushtet e Albinit. Por Kosova po humbet kohë.   Dhe koha është aleati ynë më i çmuar në këto kohë të turbullta që po  jetojmë, në këto kohë kur aleati ynë kryesor dhe i vetmi që kemi, Amerika,  ka halle të tjera, edhe shumë më të mëdha se Kosova.  Për sa kohë në Kosovë nuk ka luftë, atëherë ajo nuk përbën një problem  emergjent për politikën amerikane.

Por ama duke lozur kështu me kohën e vyer, duke e harxhuar atë si  fëmijët, për të treguar që unë mundem, nuk do na mbetet më atëherë kur  ajo do të na duhet më shumë, pasi me ato çfarë mund të ndodhin në  fushën gjeopolitike botërore, ku mund të kemi përshkallëzim më të madh të  konfliktit në Ukrainë, por jo vetëm, por edhe përshkallëzim të konfliktit në  Lindje të Mesme, atëherë aleati ynë nuk do ketë më kohë të merret me ne.   Dhe ne do mbesim vetëm, pasi kohën që na u dha e harxhuam për teka. Dhe kështu, duke vënë disa kushte, i thamë dreqit ik e merr mjetet e punës  se ne po presim këtu derisa të vish.

Duhet me qenë vërtet naiv në kulm që të besosh se dreqi do marrë mjetet  që i kërkuam (3 kushtet) e pastaj do vijë të merret me ne.

Dhe duke menduar për këtë edhe ndaj meje fitoi dreqi që më mori kohën e  nuk munda t’i jap përgjigje pyetjeve:

Sa e madhe mund të jetë dhimbja e Çamërisë për shkak të ndarjes me  dhunë? Si mund të ndahesh nga dheu i të parëve pa mundur të thuash  “lamtumirë!”?

Vallë, a i ka tretur dheu ata mijëra trupa të varrosur në Qafë Botë, të cilët të  vetmin amanet kishin atdheun e tyre e tonin, Çamërinë?!  Eh, sa turp!…..Sërish dreqi na mundi edhe kësaj radhe, edhe mua, edhe  juve, edhe Albinin.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …