Dritan Goxhaj “Ndarja etnike e Kosovës”

Meqenëse Evropa e ka ndaluar përdorimin e fjalës “Ndarje” në fjalorin e bisedimeve për statusin e Kosovës, serbët, këtë fjalë dhe kuptimin e saj, e kanë zëvendësuar me fjalën “decentralizim”. Mbi këtë decentralizim ata kanë bazuar gjithçka. Në 2007, Kosovës do t’i shtohen edhe 18 komuna të tjera të reja, ku 5 prej tyre janë me shumicë serbe. Krijimi artificial i këtyre komunave, na shtyn të besojmë se edhe këto do të veprojnë si komunat aktuale serbe, domethënë do të jenë të pavarura nga qeveria qendrore e Prishtinës dhe do të veprojnë ashtu si simotrat e tyre. Do të dëgjojnë vetëm Beogradin.
Në 2007, do të bëhen gjithsej 13 komuna serbe në Kosovë. Këto komuna do të jenë totalisht autonome. Kjo edhe për faktin, se pavarësisht procesit të decentralizimit, në Kosovë nuk ekziston një ligj për vetëqeverisjen vendore. Por, i gjithë ky proces është ndërtuar dhe vazhdon të ndërtohet, duke u bazuar mbi bazën e rregulloreve të UNMIK-ut. Po të bëjmë pak matematikë, na del që kjo vetëqeverisje lokale e bazuar mbi këto rregullore, do të jetë e vlefshme deri në momentin e zgjidhjes së statusit, qoftë kjo pavarësi ose pavarësi e kushtëzuar. Në këtë të dytën, po shihet që po drejtohet Komuniteti Ndërkombëtar. Një gjë të tillë e konfirmojë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, në një intervistë dhënë gazetës “Blic” në 23 dhjetor 2006, ku thotë se, “është e vërtetë, se më së shumti po flitet për një pavarësi të kushtëzuar, mirëpo duhen parë edhe detajet e asaj zgjidhjeje dhe të mos harrojmë se Britania është anëtare e Grupit të Kontaktit, grup ky që udhëheq bisedimet mbi Kosovën”.
Me përcaktimin e statutit, që atë moment, rregulloret e UNMIK-ut nuk pinë më ujë. Pasi e kemi parë që politikanët shqiptarë në Kosovë, qofshin ata të pozitës dhe opozitës, vazhdojnë të kërkojnë pavarësi të plotë të veprimeve të tyre politike nga UNMIK-u. D.m.th., prej atij momenti, komunat serbe, duke qenë se nuk ekziston një ligj që t’i detyrojë të respektojnë qeverinë qendrore, më së pakti do të kërkojnë autonomi nga Kosova. Duke parë që këto komuna kanë të tëra lidhje territoriale me Serbinë, në një të ardhme të afërt, duke u bazuar në të drejtën e komuniteteve, të drejtën e pakicave dhe mbrojtjen e manastireve, këto komuna do t’i kërkojnë ndihmë Beogradit. Ky i fundit, nën pretekstin e mbrojtjes, gjithnjë i gatshëm, do të tentojë të dërgojë trupa policore dhe ushtarake. Për të mbrojtur këto enklava që shtrihen deri në zemër të Kosovës. Ose, më e pakta, këto enklava etnike serbe, të cilat po e çojnë Kosovën drejt një copëtimi etnik. Do t’i kërkojnë Beogradit financim për krijimin e forcave të tyre të mbrojtjes. Kjo nuk është fantazi. Pasi të tërë tashmë, që prej 2004, po dëgjojmë serbët që nuk po lënë vend të botës pa u ankuar, se KFOR-i dhe UNMIK-u nuk janë në gjendje t’i mbrojnë nga shqiptarët. Për bazë marrin ngjarjet e marsit 2004. Ngjarje, gjatë të cilave humbën jetën 28 shqiptarë, kundrejt 2 serbëve. Ndarje të tilla administrativo-territoriale, megjithëse proklamohen si veprim për barazi dhe të drejta të barabarta, në të vërtetë ato i shërbejnë vetëm një qëllimi: Shpërbërjes së kombeve dhe jo barazimit.
Ndërkaq, bisedimet e bëra gjatë një viti, nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Për të vetmin fakt, se pavarësisht takimeve, bisedime nuk ka pasur. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, në 25 dhjetor, në një intervistë dhënë TV Beogradit, ku thotë se “vërtetë nuk mund të thuhet se ka pasur bisedime, po ashtu nuk ka pasur as progres”. Një shenjë tjetër e qartë që e çon Kosovën drejt ndarjes etnike, ishte edhe shtyrja e negociatave, me qëllim destabilizimin e situatës politike në Serbi. Ndaj, komuniteti ndërkombëtar, me qëllim pengimin e ndarjes etnike të Kosovës, duhet të ndërpresë çdo lloj negociate me Serbinë. Pasi, këmbëngulja e serbëve që Kosova të mbetet nën çfarëdo rrethane nën Serbi, është një shprehje e qartë e frikës, se më së pakti ajo të ndahet etnikisht. Sepse me anë të negociatave nuk krijohet asnjë mundësi për zgjedhje të problemit. Por, kështu krijohet vetëm pasiguri dhe amulli, që mund të shkaktojnë probleme në Kosovë e rajon.
Për të shmangur një konflikt tjetër, ndërkombëtarët duhet të bazohen vetëm mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Vetëvendosje, e shprehur qartë edhe në Marrëveshjen e Rambujesë. Marrëveshje, të cilën shqiptarët të paktën e kanë firmosur së bashku me ndërkombëtarët. Dhe, mbi bazën e së cilës është ndërtuar edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, ose më thjesht, le` të aplikojnë në Kosovë Rezolutën 1514 të KS të OKB, mbi vetëvendosjen e popujve, e cila thotë: “Vetëvendosja është e drejtë e çdo populli të kolonizuar” (ashtu siç është Kosova). Mungesa e përgatitjes në lëmin e politikës, ekonomisë, shoqërisë apo edukimit, nuk mund të merren si pretekst për ta vonuar vetëvendosjen”.
Ndarja do të ndodhë, edhe nëse UNMIK-u dhe qeveria vasale e Kosovës, nuk do ndalojnë përpjekjet e tyre për ta paraqitur Kosovën multi-etnike. Pavarësisht shumicës absolute shqiptare aty. Qenia e Kosovës më shumë se 90% etnikisht shqiptare, nuk ka mundur ta mohojë as represioni politik i Titos dhe Millosheviqit. Ndërsa, politika e UNMIK-ut, e ndihmuar nga ronxho-bonxhot e politikes shqiptare, po e bën këtë që 7 vjet me qëllim të caktuar: ta ndajë etnikisht Kosovën.
(Autori, Dritan Goxhaj është oficer karriere, ish-komandant në Zonën Operative të Qarrit, në Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vitet 2000-2002).

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …