Në mesin e shumë dëshmorëve që ka dhënë Ferizaj me rrethinë pa dyshim që spikat emri i dëshmorit të kombit, Driton Islami i njohur me nofkën TONI. Driton Kadri Islami u lind në Talinoc të Jerlive, të Komunës së Ferizajt, më2 shkurt të vitit 1975. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e filloi në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Konica”, në Ferizaj në Drejtimin e tregtisë.
Qysh në moshë të re u dallua për veprimtari atdhetare. Ishte nxënës kur mori pjesë në demonstratat e vitit 1989. Në fillim të viteve 90-ta (1990-1993), Dritoni punonte në Ndërmarrjen Ndërtimore Tregtare “Tali”. Në këtë periudhë po ashtu u mor me aktivitete sportive dhe kulturore, duke organizuar manifestime me rastin e datave të shënuara historike. Ishte sponsor i klubit të futbollit, “Besa” në fshatin e tij.
Kontaktet e para me UÇK-në, Dritoni i vuri në Gjermani në vitin 1997, ku pati takime me figura të larta ushtarake. Në fund të këtij viti kthehet në Kosovë, ndërsa më 7 prill 1998, ditë e diel, Dritoni niset për në UÇK. Një ditë më pas lajmëron familjen e tij se ndodhet në Malishevë. Pas qëndrimit për një javë, ai u vendos në bazën e UÇK-së në Mrasor të Rahovecit, në njësitin “Hekuri”. Shoku dhe bashkëluftëtari i tij, Luan Jahiri, ndër të tjera thotë: “Për herë të parë me Tonin jam takuar në fillim të qershorit 1998, në Malishevë…, së bashku me Dritonin, Milaimin, dhe Muharremin shkuam për në fshatin Mrasor, ku nga aty pritej të niseshim për në Shqipëri. Këtu qëndruam 14 ditë gjatë të cilave ndër të tjera kemi bërë roje në pikat strategjike. Më pas së bashku kemi shkuar në Gllogjan të Deçanit, në Shtabin e Përgjithshëm të ZO të Dukagjinit. Në të njejtën ditë, në mbrëmje u nisëm nëpërmjet Junikut drejt Shqipërisë , diku rreth 700 ushtarë, ku u vendosëm në Tropojë, Hoxhaj dhe Sopot, dhe qëndruam për 15 ditë. Toni qëndroi vetëm 5 ditë, u armatos dhe u kthye në Kosovë”. Dritoni kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar rreth 25 herë me radhë, për të bartur armatime. U plagos në tetor të vitit 1998 në Glloboqicë (Qafë Shqipe) të Kaçanikut, ndërsa u shërua në shtëpinë e Mehmet Likës, në Tetovë. Ende pa u shëruar mirë, në fund të tetorit 1998, Dritoni i’u bashkohet shokëve të luftës në bazën e UÇK-së në fshatin, Mollopolc të Shtimes, për të kaluar në Zonën Operative të Neredimes, për themelimin e të cilës dha një kontribut të madh.
Përveç betejave dhe furnizimit me armatim, një detyrë tjetër që bënte Toni ishte edhe përcjellja e liderëve të UÇK-së nga një zonë tek zona tjetër, sikur ishte pëcjellja e një pjese të delegacionit të Rambujesë nga Maqedonia për në Kosovë deri në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, i pamohueshëm është edhe kontributi i tij në themelimin e Zonën Operative të Karadakut. Luftoi në Brigadën 161, të ZO të Neredimes, në njësitin elitë, Njësia Speciale për Intervenime të Shpejta. Në këtë njësit, Toni, që ishte komandant i tij, së bashku me Luanin dhe Malësoren dhe bashkëluftëtarë të tjerë kryen punë specifike në qytet, nën komandën e eprorëve të tyre më të lartë. Ishte pjesëmarrës në betejat që u zhvilluan në Mrasor, Kleçkë, Bllacë, Budakovë, në Grykën e Caralevës (22-25 korrik 1998 ), në Reçak ( Beteja për kufoma ) etj.
Beteja e fundit që Dritoni zhvilloi në luftë me forcat serbe ishte ajo e datës 18 prill 1999, kur në fshatin Slivovë të Ferizajt forcat paramilitare serbe ndiznin shtëpitë e shqiptarëve. Kështu, Dritoni, së bashku me Naim Bekën dhe luftëtarë të tjerë i sulmuan forcat serbe, ku u zhvillua një betejë, që për rrjedhojë pati pasoja të mëdha për të dy palët ndërluftuese. Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, humbja ishte tejet e madhe ngase në fushë të betejës ranë trimërisht Driton Islami (Toni) dhe Sadik Bega (Mortaja), dy luftëtarët ndër më të dalluarit të Zonës Operative të Neredimes. Mirëpo, në anën tjetër edhe forcat serbe pësuan humbje të mëdha, ngase pas sulmit të dytë që iu bë nga UÇK-ja aty mbeten të vdekur disa ushtarë dhe paramilitarë serbë. Sipas bashkëluftëtarëve të tij, Toni ishte i armatosur mjaft mirë, ngase kishte një pushkë AK-47, dy granata dore, dhe një skorpion. Ai ra dëshmor në luftë ballpërball me forcat serbe më 18. 4.1999 në Slivovë të Ferizajt.
Fillimisht, bashkëluftëtarët e varrosin në Slivovë, ndërsa rivarroset dy herë: një herë në Mollopolc të Shtimes, më 27 korrik 1999, e pastaj në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, mç 15 shtator 1999. Bashkëluftëtari dhe shoku i idealit, Luan Jahiri, në kujtimet e tij për Tonin ndër të tjera thotë: “ Për të realizuar qëllimet e tij, ndiqte rrugët e shpejta”. Nga kjo nënkuptohet se ai ishte këmbëngulës dhe i patrembur, nuk frikësohej, por donte të arrinte qëllimin e tij, që ishte qëllim i të gjithë luftëtarëve të lirisë, çlirimi i tokave shqiptare nga forcat serbe. Po ashtu për Tonin thotë “Toni nuk e priste luftën, por shkoi dhe ndjekur atë kudo që ndodhej”. Për personalitetin, shpirtin dhe shkathtësitë luftarake të Driton Islamit-Tonit, i evokon kujtimet edhe Besim Rexhepi bashkëluftëtar i Tonit, nga fshati Mrasor: “ Driton Islami u inkuadrua në UÇK në qershor të vitit 1998 në njësitin “Hekuri” në Mrasor të Rahovecit, ku komandant i njësitit ishte Dëshmori i Kombit, Skënder Rexhepi. Në Mrasor Dritoni erdhi me tre ushtarë të anës së tij, Luan Jahirin, Milaim Bislimin dhe Muharrem Salihun”…, Duke parë entuziazmin, aftësitë organizative dhe fizike, Dritoni emërohet përgjegjës për furnizim me armatim në kuadër të njësitit “Hekuri”dhe gjatë kohës sa ka qëndruar në këtë njësit, Dritoni disa herë kishte qenë në Shqipëri dhe kishte sjell në Kosovë armatim dhe municion për luftëtarët e UÇK-së…, Në fund të korrikut 1998 komandanti, Skender Rexhepi dërgoi në Jezerc luftëtarët me përvojë të njesitit të vet Driton Islamin –Toni, Luan Jahirin, Milaim Bislimin dhe Muharrem Salihun të cilët deri në fund të muajit korrik 1998 kishin vepruar në njësitin “Hekuri”. Dritoni, së bashku me këta luftëtarë, ndikoi shumë në zgjerimin e luftës së UÇK-së në Zonën e Neredimes…”
Në nderim të këtyre trimave që ranë në altarin e lirisë, në vendin e rënies në Slivovë, është ngritur një pllakë përkujtimore, ndërsa në magjistralen Ferizaj-Shtime në skaj të rrugës në Slivovë ndodhet përmendorja e Driton Islamit së bashku me atë të Sadik Begës, të cilët ranë në të njejtën betejë. Po ashtu, Tonit iu ngrit më 2007 edhe shtatorja në sheshin, që mbanë emrin e tij, në hyrje të fshatit, në vendin që lidhë rrugët “Driton Islami” me rrugën e “Reçakut”, që sot ndihet si vendi tek rrethi me shqiponjë. Për veprimtarinë e tij patriotike u ndanë medalje dhe mirënjohje të shumta nga institucione të ndryshme si Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës më 1999, Komuna e Ferizajt më 2005, nga Kryetarët e Komunës së Ferizajt, z. Bajrush Xhemajli më 2009 dhe z. Agim Aliu më 2012 për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj nga kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku mori urdhrin, “Luftëtarë i Lirisë Adem Jashari” më 2013 dhe së fundmi për madhështinë e luftës deri në rënien heroike të tij, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim të dekorojë me urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës”.
Skender Lutfiu