Arsimi në Kosovë është problem sot, nesër, dhe në të ardhmen!
Arsimi është nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie, e cila garanton një të nesërme dhe të ardhme më të mirë për vendin.
Baza e një shteti të zhvilluar dhe te fortë në aspektin ekonomik, social, kulturor, teknologjik, është arsimi.
E ardhmja e një vendi varet nga arsimimi i njerëzve, të cilët duhet të jenë faktor kyç për zhvillim në të gjitha fushat (ekonomi, shkencë, teknologji, industri), etj.
E duke u bazuar në fjalët e lartcekura dhe gjendjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, rezulton se, sektori i arsimit ka nevojë për shumë reforma dhe revolucion.
Cilësia e arsimit është në shkallën më të ulët të mundshme, si në Nivelin Bazë, të Mesëm të Lartë, ashtu edhe atë të Lartë, dhe këtë më së miri e dëshmon testimi i fundit i nxënësve tanë nga PISA, të cilët dolën të parafundit.
Shteti zhvillohet përmes hartimit të politikave socio-ekonomike, strategjive konkrete, hulumtimeve shkencore, planeve, projekteve zhvillimore, e të gjitha këto ndikojnë për të ardhmen dhe mirëqenien e shoqërisë, dhe garantojnë krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Andaj, të lartcekurat nuk bëhen vetvetiu, por nga ekspertët e fushave përkatëse, dhe nëse arsimi në një vend nuk është cilësor deri në atë masë sa të krijojë ekspert të tillë, atëherë, nuk mund të mbështetësh në sektorin e arsimit për ta zhvilluar vendin.
Reformat në arsim duhet të bëhen në të gjitha nivelet, madje edhe në atë universitar.
Arsimi Bazë, ka nevojë për disa ndryshime të domosdoshme, të cilat mund të rezultojnë shumë pozitive për nxënësit.
Literatura aktuale e Arsimit Bazë është shumë e ndërlikuar, në shumicën e rasteve nxënësit nuk e kuptojnë fare tekstin të cilin e përmbajnë librat, e lëre më t’i përgjigjen pyetjeve rreth mësimit. Prandaj, thjeshtimi i literaturës do e bënte shumë më të lehtë mësimnxënien.
Interaktiviteti është metoda më e mirë për zhvillimin e orëve efikase të mësimit, një mësimdhënës i mirë komunikon me secilin nxënës.
Ka shumë raste që nxënësit kalojnë nga Arsimi Bazë, në atë të Mesëm dhe nuk e dijnë tabelën e shumëzimit e as drejt-shkrim, si pasojë e neglizhencës së mësimdhënësve me nxënësit e ndrojtur dhe që janë pasiv gjatë orëve të mësimit.
Arsimi i Mesëm i Lartë, ka nevojë për ndryshime të domosdoshme!
Nuk mjafton që nxënësit të mësojnë teori për një notë, pa ditur që teorinë ta zbatojnë në praktikë. Arsimi i Mesëm i Lartë duhet të jetë një koordinim mes teorisë dhe praktikës.
Konkretisht, nxënësit më shumë duhet të kenë orë praktike (në kabinete të teknologjisë, laboratore), në mënyrë që atë të cilën e mësojnë në teori, ta zbatojnë në praktikë, poashtu të kryejnë praktikë në institucione administrative, në mënyrë që ta krijojnë një bazament rreth mënyrës së si zhvillohen procedurat teknike- administrative të punës.
Arsimi i Lartë, nuk qëndron aspak më mirë, prandaj, nevojiten reforma edhe në këtë nivel.
Mënyra e ligjërimit në Arsimin e Nivelit të Lartë, lë shumë për të dëshiruar, poashtu mënyra e vlerësimit të studentëve (mekanike).
Në studime, nevojiten Profesorë të kualifikuar, kreativ, ku secili duhet të jetë i fushës përkatëse (lëndës që ligjëron), pasi që në shumë raste ndodh që Profesorët mbajnë ligjërata të fushave të cilat nuk iu përkasin.
Në një ligjëratë të Arsimit të Lartë, më shumë duhet të flasin studentët sesa profesorët, respektivisht, studentët duhet të bëjnë hulumtime shkencore dhe t’i prezantojnë para kolegëve të tyre.
Një student që nuk di ta bëjë një hulumtim të mirëfilltë shkencor të fushës që studion, ta prezantojë atë në mënyrë logjike dhe me argumente praktike, nuk mund të jetë një ekspert në të ardhmen, dhe nuk mund të japë kontribut për zhvillimin e vendit të tij.
Shumica dërrmuese e studentëve, pasi të mbarojnë studimet, janë të paaftë dhe të pa përgatitur për tregun e punës, dhe krejt kjo si rezultat i mos kryerjës së praktikës rreth asaj që kanë mësuar në teori.
Praktika është baza e diturisë, dhe nëse studentëve iu mungon baza, teoria nuk ka aspak vlerë dhe dobi për të ardhmen e tyre.