Të gjithë jemi dëshmitarë për politikën ekonomike të cilën janë duke e implementuar të gjitha qeveritë e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë, e cila deri tani ka rezultuar tërësisht e dështuar, pa ndonjë impakt në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të vendit.
Fillimisht, politika ekonomike nënkupton të gjitha instrumentet, masat dhe mekanizmat të cilat i ka në dispozicion shteti përkatësisht qeveria e një vendi, që mund t’i përdor për arritjen e qëllimeve të saj ekonomike dhe sociale.
Politika ekonomike si subjekt studimi i ka kategoritë e saj makroekonomike siç janë: punësimi- papunësia, norma e inflacionit, stabiliteti i çmimeve, standardi jetësor i popullësisë, pozita e ekonomisë kombëtare të një vendi në tregun ndërkombëtar, etj.
Një shtet i cili synon përmirësimin e jetës për qytetarët e saj, duhet t’i implementojë disa qëllime specifike: reduktimi i papunësisë, stabiliteti i çmimeve, tërheqja e investimeve të huaja direkte (IHD), ekspansioni i eksporteve dhe recesioni i importeve.
Për arritjen e këtyre qëllimeve specifike të cilat në mënyrë direkte do të ndikonin në arritjen e qëllimit të përgjithshëm të qeverisë së një vendi (ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve të vendit), është imperative që të ketë stabilitet politik në vendin përkatës, pasi që, një qeveri e cila nuk e ka përkrahjen e sovranit e ka të pamundur ta realizojë politikën e saj ekonomike në mënyrë efikase.
Politika ekonomike e gabuar që është duke e ndjekur Kosova tashmë e disa vite, duke u përqëndruar vetëm në infrastrukturën rrugore përkatësisht ndërtimin e autostradave, ka ndikuar në shkallë enorme tek mirëqenia e qytetarëve të vendit, duke e marrë parasysh buxhetin aq të vogël të cilin e ka vendi ynë, është e pamundur zbatimi i kësaj politike aktuale, prandaj, Kosova duhet ta zgjedh njëren alternativë: luftimin e varfërisë apo ndërtimin e autostradave, pasi që të dyjat është krejtësisht e pamundur, madje vendi ka marrë edhe kredi nga Bashkimi Europian dhe nga institucionet tjera ndërkombëtare financiare për mbulimin e kostove të larta që i kanë kushtuar vendit ndërtimi i autostradave.
Projektet e tilla janë shume kompremetuese për gjeneratat e ardhshme sepse vendi do të ketë borxhe të shumta nga kreditë e marrura për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, e rrjedhimisht do ndikoj në uljen e mëtejshme të standardit jetësor të qytetarëve të vendit dhe tejkalimin e limitit të borxhit publik të vendit (mbi 60 % të GDP- Bruto Produktit Vendor).
Shkrim nga: MSc. Driton Krasniqi- Ekonomist