Mungesa e stabilitetit politik ne Kosovë tashmë është shndërruar në rutinë, duke marrë për bazë të gjitha qeveritë e formuara që nga paslufta e deri më sot. Krijimi i ekzekutivit me Marrëveshje latente dhe në mënyrë jo trasparente, me qëllimin e vetëm arritjen në pushtet, e kanë sjellur Kosovën në një destabilitet dhe kaos politik.
Mungesa e unitetit, planprogramit konkret dhe gjuhës së përbashkët mes subjekteve politike udhëheqëse, kanë ndikuar që qeveritë në vendin tonë të jenë jo konsistente dhe afatshkurtëra.
Të gjitha qeveritë kanë dështuar në zbatimin e strategjive te planifikuara për krijimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe stabil në vend, gjë e cila në mënyrë direkte ka ndikuar në thellimin e krizës ekonomike konkretisht në përkeqësimin e mëtutjeshëm të standardit jetësor të qytetarëve.
Një ekzekutiv i formuar pa vullnetin e sovranit dhe pa baza të forta, është jo konsistent dhe afatshkurtër. Qeveria aktuale e cila u shpall jo legjitime nga Gjykata Kushtetuese, dështoi në zbatimin e Planit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që përfituan oligarkët institucional dhe jo qytetarët ku një pjesë e konsiderueshme kanë ngelur në mëshirën e 10 përqindëshit (%) të trustit pensional.
Më shqetësues është fakti se zgjedhjet e reja do t’i kushtojne buxhetit të Kosovës miliona euro, e kur kësaj ia shtojmë efektet negative që është duke i shkaktuar pandemia Covid- 19 (mungesën e të hyrave nga dogana, mungesën e investimeve të huaja direkte (IHD), rritjën e shkallës së papunësisë, uljen e mëtejme të standardit jetësor të popullsisë, atëherë pritet një situatë jashtëzakonisht e rëndë dhe kritike në vend.